Home » Lajme » Rruga nacionale Gjakovë-Tropojë mori emrin e kongresmenit amerikan ‘Eliot Engel’

Rruga nacionale Gjakovë-Tropojë mori emrin e kongresmenit amerikan ‘Eliot Engel’

Rruga nacionale Gjakovë-Tropojë mori emrin e kongresmenit amerikan, mikut të çmuar të shqiptarëve, Eliot Engel. Në Qafë Morinë, kufirin mes Gjakovës e Tropojës, me pjesëmarrjen e Eliot Engel, presidentit shqiptar Ilir Meta dhe kryetarit të Gjakovës, Ardian Gjini e atij të Tropojës, Besnik Dushaj, u mbajt ceremonia e veçantë e emërtimit të kësaj rruge.

Kryetari i Tropojës, Besnik Dushaj, tha se vendimi ishte marrë bashkërisht nga bashkia që drejton dhe Komuna e Gjakovës për të nderuar kontributin e kongresmenit që shqiptarët në të dyja anët e kufirit të jenë të lirë dhe më të bashkuar.

Dushaj më pas nderoi kongresmenin Engel me titullin “Qytetar nderi” i Tropojës për kontributin historik në forcimin dhe konsolidimin e miqësisë shqiptaro-amerikane dhe çështjes shqiptare.

Ndërsa kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, tha se kjo rrugë tashmë merr peshë tjetër pas emërtimit me emrin e Eliot Engel. Ai tha se Gjakova dhe Tropoja do ta mbajnë me nder dhe krenari këtë emër.

Kreu i Komunës theksoi se tha se për shkak të kontributit të kongresmenit dhe SHBA-së gjaku i djemve dhe vajzave që kanë rënë për liri nuk ka shkuar kot dhe se shqiptarët nuk do ta harrojnë asnjëherë emrin e Eliot Engel.

Presidenti shqiptar, Ilir Meta, ishte i pranishëm në këtë ceremoni. Ai tha se emri i Eliot Engel është i gdhendur në zemrat e të gjithë shqiptarëve kudo ku ata ndodhen.

Kreu i shtetit shqiptar deklaroi se ka një lidhje të fortë mes Engel dhe shqiptarëve dhe kjo vihet re edhe në zyrën e tij ku është e vendosur deklarata e pavarësisë.

Ai deklaroi se përpjekjet e Engel për njohjen e shtetësisë së Kosovës janë shtrirë në të gjithë botën.

Shumë i lumtur dhe i nderuar është shprehur kongresmeni Eliot Engel. Ai tha se respekti që të bëjnë shqiptarët nuk e bën asnjë popull tjetër në botë.

Kongresmeni amerikan deklaroi se është vërtet kënaqësi të shohësh kur emërohet diçka sipas emrit tënd kur ti je ende gjallë.

Kryesuesi i Komisionit për Punë të Jashtme në Kongresin amerikan tha se miqësia mes popullit të tij dhe shqiptarëve do të jetë e përjetshme dhe se SHBA, Shqipëria e Kosova si aleatë qëndrojnë përkrahë lirisë e demokracisë.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch