Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 10 dhjetor 2014

RTP lajmet 10 dhjetor 2014

RTP LogoSipas ndryshim ligjit të ri për siguri në trafik, këto ditë pritet që të miratohet ligji i ri i cili parasheh zero tolerancë për alkool në gjak gjatë vozitjes, çka do të thotë se do të hiqet kufiri i deri tanishëm prej 0.3 promile e alkoolit në gjak. Ky ndryshim ligji do të thotë se shoferët nuk guxojnë të kenë as sasinë më të vogël të alkoolit në gjak. Sipas ministreshës për infrastrukturë, komunikacion dhe ndërtimtari Zorana Mihajloviq, ligji i ri mund të filloj të aplikohet nga 1 janari i vitit 2015. Përveç këtyre ndryshimeve rreth alkoolit, ligji i ri e parashef ndalesën me mjete motorike me fuqi më të madhe se 1400 kubikë për të rinjtë nën 21 vjet si dhe kufizimi i vozitjes nga ora 23 deri ora 6 e mëngjesit.

—————————-

Ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lideri i LDD-së, Nexhat Daci, ka vlerësuar se koalicioni PDK-LDK është i shantazhuar. Ai ka thënë se brenda strukturave të LDK-së kurrë nuk ka pasur vullnet për bashkëqeverisje me PDK-në. “Unë e kam pritur këtë sepse është parë qartë se ndërkombëtarëve i duhet një përbërje numerikisht e duhur dhe duan njerëz të shantazhuar”, tha Daci. Ai ka deklaruar se ky koalicion mund të funksionojë aq sa është i interesuar faktori ndërkombëtar të cilin e ka quajtur patericë e këtij koalicioni. Sa i përket kryeministrit të ri, Isa Mustafa, Daci ka thënë se ky i fundit detyrën e vet do ta ushtrojë vetëm me letra. Sipas tij, kryeministër i vërtetë është Hashim Thaçi. “Mendoj se de fakto kryeministër dhe gjithçka është Hashim Thaçi”.

——————————

Ngjashëm me politikat që Serbia udhëheq në raport me Kosovën, edhe Lista Serbe pritet të ndjekë politika të veçanta në veri të vendit, ku përmes Asociacionit të Komunave Serbe do ta sfidojë shtetin e Kosovës, përderisa poshtë lumit Ibër, simbolet, ligjet dhe shteti i Kosovës në përgjithësi, nuk do të jetë problem për këtë subjekt politik. Se Lista Serbe nuk do të lëkundet nga direktivat e Beogradit, u dëshmua edhe në ditën e parë të formimit të qeverisë, kur nuk pranoi të kthehet në Kuvend pa iu plotësuar kushtet. Aleksandar Jabllanoviq, kryetar i Listës Serbe dhe ministër i sapozgjedhur për Komunitete dhe Kthim, ka thënë se ky subjekt politik ka arritur një marrëveshje mjaftë përmbajtjesore me kryeministrin Isa Mustafa dhe zëvendësin e parë të tij, Hashim Thaçin.

——————————-

Gjermania është e vendosur që përfundimisht ta detyrojë Serbinë që ta njohë shtetin e Kosovës, duke e hequr nga kushtetuta pjesën në preambulë, ku thuhet se Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë. Përveç 11 kushteve për hapjen e kapitullit kryesor të negociatave (kapitulli 35) për anëtarësimin e Serbisë në BE, që ka të bëjë me Kosovën, Berlini e ka edhe një kusht të veçantë për Serbinë: që Kushtetutën të përshtatë me marrëveshjet e Brukselit. Siç transmeton gazeta Novosti e Beogradit, pa përmbushjen e këtij kushti kapitulli 35 nuk mund të përmbyllet, kështu që edhe anëtarësimi në BE do të varet nga kjo. Sipas kësaj të përditshme serbe, pikat kontestuese mund të jenë edhe nenet 182 dhe 16 të Kushtetutës së Serbisë, që kanë të bëjnë me rregullimin territorial të Serbisë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. “Brukseli mund të kërkojë që nga Kushtetuta të hiqet formulimi se Serbia i ka dy krahina autonome, si dhe të ndryshohet pjesa ku thuhet se të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën”.

————————–

Shërbimi profesional i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) njofton se Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Evropës (ASAE), me seli në Salzburg të Austrisë, ka konfirmuar këto ditë zgjedhjen në radhët e saj të akademik Nexhat Dacit. Në adresë të Akademisë dhe të prof. Dacit, ekspert i njohur në fushën e shkencave kimike, anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ka ardhur letra zyrtare me të cilën njoftohen se është zgjedhur anëtar i rregullt i kësaj Akademie në mbledhjen e Komitetit të Nominimit, të mbajtur në nëntor të këtij viti. “Inaugurimi solemn i Akademik Nexhat Dacit do të bëhet në Asamblenë e përgjithshme, që do të mbahet më 8 mars 2015, në Salzburg. Me këtë dëshmohen edhe një herë meritat që u bëhen shkencëtarëve nga Kosova në suaza ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e ASHAK-ut. Akademik Nexhat Daci, kështu iu ka bashkangjitur anëtarëve të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Rexhep Ismajlit, Hivzi Islamit, Edi Shukriut, e të tjerëve./RTP/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch