Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 10 Shkurt 2015

RTP lajmet 10 Shkurt 2015

–          Të hënën dhe të martën, ditë jo pune

–          PVD kërkon nga qeveria serbe zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve të Luginës

–          Ndihmë për përmbytjet në Shqipëri

–          Lëvizja për Bashkim kërkon platformë kombëtare për bisedimet në Bruksel

————————————————-

RTP logoMinistria e punës, punësimit dhe çështjeve sociale e Serbisë ka njoftuar sot nëpërmjet medieve se 16 dhe 17 (e hënë dhe e martë) shkurt nuk do të punohet, për shkak të shenimit të ditës së pavarsisë. Në këtë ditë nuk do të punojnë të gjithë institucionet shtetërore dhe publike.

———————————————–

Partia për Veprim Demokratik ka drejtuar një letër kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq ku janë shprehur shqetësimet për problemet jetësore të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Dy deputetët shqiptarë në Parlamentin e Serbisë, kanë kërkuar zgjidhje urgjente për nostrifikimin diplomave të universiteteve të Kosovës, maternitetin në Preshevë, mungesën e teksteve në gjuhën shqipe, qarkullimin  lirë. Përmes një kumtese të kësaj parti njoftohet që përveç kërkesave urgjente qeveria  Serbisë të fillojë edhe të jetësojë edhe kërkesat tjera të paraqitura me programin e delegacionit të përfaqësuesve legjitim shqiptarë të paraqitur qysh në fillim të vitit 2013.

———————————————-

Studentë dhe të rinj shqiptar nga Presheva e Bujanoci kanë ndërmarrë aksion për të grumbulluar ndihma për familjet e përmbytura në Jug të Shqipërisë. Kjo nismë e të rinjve nga Presheva e Bujanoci, me moton “Bashkë solidarë”, ka për qëllim ndihmën familjeve të përmbytura nga vërshimet e ujit, që ndodhën ditë më parë në Jug të Republikës së Shqipërisë. Kësaj nisme u janë bashkuar edhe aktivistë të Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Preshevë, OJQ “Nënat” dhe afaristë të ndryshëm nga Lugina e Preshevës.  “Duke bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Preshevës e Bujanocit për solidarizim me bashkëkombësit tanë në Shqipëri, ftojmë edhe organizatat tjera joqeveritare në Luginë të Preshevës të bëhen pjesë e aktivitetit në fjalë. Grumbullimi i ndihmave ushqimore, bëhet çdo ditë të javës në vijim, thuhet në njoftimin e organizatorëve. Ndihmat mund të dërgohen drejtpërdrejtë në zyrat e KDNJ-së në Preshevë, OJQ “Nënat”-Preshevë, Kaffe “Kombinati”-Preshevë, Rtv “Spektri”-Bujanoc, dhe “RodonPub”-Bujanoc”, shpjegohet në njoftimin e ndërmarrësve të kësaj nisme. Organizatorët e ndihmës për Shqipërinë sqarojnë se të gjitha ndihmat e dhëna duhet të jenë vetëm produkte ushqimore. Transporti i tyre bëhet të premten pranë shërbimit social në Tiranë.

————————————————

Në komunë të Bujanocit pas vërshimeve të fundit që u shkaktuan nga të reshurat e mëdha të shiut dhe daljet nga shtrati i lumenjve, sipas zyrtarëve përgjegjës për emergjencë, situata ka filluar të stabilizohet. Dy ura të dëmtuara rëndë, mali i shembur në rrugën Tërnoc-Breznicë, përmbytja e shumë shtëpive nga lumenjtë dhe vërshimi i ujit në bodrume dhe ambiente tjera, është ky bilansi i dëmeve të shkaktuara nga reshjet e shiut të së premtes. Shtabi i emergjencës pranë komunës së Bujanocit deri më tani ka qenë në gjendje gatishmërie duke ndihmuar qytetarët me mjetet dhe mundësitë që ka. Sipas Ali Asllanit nga ky shtab, probleme ka me rrugën në drejtim të Breznicës, ku situata ende nuk është stabilizuar. “Probleme kemi me rrugën në Breznicë, duhen me ardh nga seksioni i rrugëve të Vranjës. Kanë pas sot me dalë mirëpo e kanë shtyrë afatin, arsyet nuk dihen. Duhet me pastru këtë rrugë, kemi probleme atje”, i tha portalit informativ Titulli.com, Ali Asllani.

———————————————————

Lëvizja për Bashkim ripohon qëndrimin e saj se Kosova në bisedime me Serbinë ka hyrë e papërgatitur, sepse nuk është zhvilluar një debat i domosdoshëm i forcave politike të Kosovës dhe të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, që do të rezultonte me një platformë kombëtare për këto bisedime. Kjo platformë pastaj do të duhej të miratohej nga Kuvendi i Kosovës. “Lëvizja për Bashkim mbështet kërkesat e përsëritura të faktorit politik të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës që edhe Kosova Lindore të jetë e përfshirë në bisedimet Kosovë-Serbi”, thuhet në një komunikatë për media. Lëvizja për Bashkim rithekson se Kosova me këtë agjendë dhe këtë format të bisedimeve do të dalë e dëmtuar. “Dëmet do të jenë në drejtim të forcimit të jofunksionalitetit të shtetit të Kosovës, pastaj dëme afatgjata dhe vështirë të riparueshme do të ketë edhe në veriun e Kosovës dhe në Kosovën Lindore”, thuhet në komunikatë.

—————————————————-

Ka përfunduar takimi në Bruksel në mes të palës kosovare dhe asaj serbe.
Lehtësuesja e dialogut Kosovë-Serbi, Federica Mogherini, në profilin e saj në Twitter ka treguar se është arritur marrëveshja për drejtësinë. “Është arritur nënshkrimi i marëveshjes për drejtësinë, rezultat i madh në rifillimin e dialogut Beograd/Prishtinë! Falënderojë të dyja palët”, ka shkruar ajo. Marrëveshjen e kanë nënshkruar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. Mogherini ka thënë se Mustafa dhe Vuçiqi kanë pasur një diskutim gjithëpërfshirës për të gjitha temat e dialogut, ndërsa kanë bërë edhe një vlerësim për punën e mbetur. Ajo ka theksuar se grupet punuese të dy palëve do të mblidhen gjatë ditëve të ardhshme për të punuar rreth implementimit.

—————————————————–

Policia e Serbisë, Hungarisë, Austrisë dhe Gjermanisë kanë arritur sot një marrëveshje në Beograd për bashkëpunim më të madh kur është fjala për ndalimin e emigrantëve ilegalë. Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë Nebojsha Stefanoviq ka bërë thirrje migrantëve nga Kosova që mos t’i shesin pronat e tyre sepse 99 për qind nga ta do të kthehen në shtëpitë e tyre. Siç raportojnë mediat serbe, Stefanoviq pas takimit me drejtorin e Policisë së Gjermanisë, Diter Roman, drejtorin e policisë hungareze, Karol Pap dhe delegacion e policisë nga Austria, ka thënë se në kufirin serbo-hungarez së shpejti bashkë me policinë kufitare, do të fillojë patrullimi edhe i xhandarmërisë. “Për ta mbrojtur pjesën e gjelbër të kufirit, policia do të rris numrin e pjesëtarëve të saj në kufi me Hungarinë dhe nga sot është kyçur edhe një pjesë e xhandarmërisë”, ka thënë Stefanoviq./RTP/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch