Home » Lajme » RTP lajmet 11 prill 2012

RTP lajmet 11 prill 2012

Mbi 40 qytetarë të komunës sonë kanë marrë sot aplikacionet për të qenë pjesë e projektit,, Përkrahja e zhvillimit të qëndrueshëm lokal përmes zvogëlimit të varfërisë dhe fuqizimit ekonomikë që e realizon organizata joqeveritare humanitare gjermane HELP. Ky projekt do të realizohet nga 1 marsi i këtij e deri më 31 tetor 2013. E qytetarët tanë në takimin sotëm kanë shpreh interesim që të jenë përfitues nga ky projekt. Gazmend Kelmendi përfaqësues i HELP-it thotë se vlera e një grandi do të jetë 2,400 euro ku krahas pajisjeve shfrytëzuesve do të mundësohet pa para edhe kryerja e trajnimeve profesionale dhe të biznesit në mënyrë që të përparojnë biznesin e tyre. Po ashtu klientëve iu janë sqaruar edhe mënyrat e mbushjes së aplikacionit dhe kriteret që ata duhet ti përmbahen. E klientët të cilët fitojnë grandin duhet të bëjnë regjistrimin a aktivitetit të tyre , të jenë pjesëmarrës në trajnime profesionale dhe të biznesit , të kryejnë 15 orë punë në të mirë të bashkësisë lokale si dhe kushti tjetër është bashkëfinancimi me 20% të vlerës së grandit. Organizata joqeveritare humanitare gjermane HELP është i pranishëm që nga viti 1999 me aktivitet e ndihmave humanitare dhe zhvillimin e projekteve të orientuara. E nga kjo organizatë deri më tani kanë përfituar edhe shumë biznese të vogla në komunën tonë.

————————–

Drejtori dhe redaktori përgjegjës i Radiotelevizionit Presheva kanë nënshkruar sot Marrëveshjen e Radio Televizionit Presheva me subjektet politike dhe iniciativave qytetare rreth mbulimit të fushatës zgjedhore në bazë të Nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Ligjit për Radio Difuzion.

Të gjitha partitë politike që marrin pjesë në zgjedhjet e majit 2012 në komunën e Preshevës:

– pajtohen se mediat publike komunale në Preshevë mund të luajnë një rol thelbësorë duke i kontribuar një fushate zgjedhore të drejtë dhe të rregullt;

– nënvizojnë se RTV Presheva ka një përgjegjësi të posaçme për të siguruar në programet e saja mbulim të drejtë, të balancuar, të paanshëm dhe thelbësorë të zgjedhjeve pa përkrahur ose diskriminuar ndonjë subjekt që merr pjesë në zgjedhjet e majit;

– njohin se çdo rregullore dhe vetë rregullore e mediave mbi mbulimin e zgjedhjeve duhet të rrespektojë parimet e lirisë së shprehjes, të mbrojtura me Nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Të gjitha partitë dhe grupet e qytetarëve që marrin pjesë në zgjedhjet 2012 në komunën e Preshevës zotohen:

– Të marrin pjesë në emisione politike, debate dhe programe tjera të organizuara dhe të emetuara nga RTV Presheva me qëllim të mbulimit sa më të drejtë dhe të mirë të fushatës zgjedhore të kandidatëve gjatë zgjedhjeve të majit në komunën e Preshevës;

– Të njoftojnë me kohë RTV Presheva rreth aktiviteteve të tyre gjatë fushatës zgjedhore në komunën e Preshevës.

Gjatë tërë fushatës zgjedhore për zgjedhjet 2012 në komunën e Preshevës RTV Presheva do të:

– shmang transmetimin e materialeve që nga përmbajtja e tyre ose toni nxisin ose inkurajojnë shkeljen e ligjit dhe ligjeve zgjedhore;

– siguron se të gjithë kandidatët që marrin pjesë në zgjedhjet e majit kanë paraqitje të drejtë nëpërmjet intervistave, debateve, diskutimeve, programeve analitike dhe mbulim të aktiviteteve dhe ngjarjeve të vlefshme për lajme;

– siguron se paraqitja e subjekteve që marrin pjesë në këto zgjedhje në programet e saja përcaktohet saktësisht në një skemë programore zgjedhore;

– siguron korrektësi, drejtësi dhe paanësi në të gjitha raportimet, duke i ofruar publikut informata të sakta dhe të balancuara rreth pikëpamjeve dhe aktiviteteve të të gjitha subjekteve dhe grupeve të qytetarëve që marrin pjesë në zgjedhje;

– siguron se raportimet prej tubimeve, mbledhjeve, konferencave për shtyp gjatë fushatës zgjedhore nuk zgjasin më shumë se 60 sekonda gjatë edicionit të lajmeve;

– pas lajmeve qendrore emetohet kronikë e zgjeruar 5 minuta për tubimet që organizohen me qytetarë;

– tubimet promovuese të kandidatëve për këshilltarë dhe tubimet qendrore emetohen nga 30 minuta.

Gjatë fushatës për zgjedhjet 2012 në komunën e Preshevës partitë politike, koalicionet, grupet e qytetarëve si dhe autoritete lokale dhe shtetërore do të:

– përmbahen nga ndërhyrja në aktivitetet e gazetarëve dhe personelit tjetër të RTV Presheva me qëllim të ndikimit në këto zgjedhje;

– marrin hapa të duhur për mbrojtje efektive të gazetarëve dhe personelit tjetër të RTV Presheva si dhe të zyrave të saja. Kjo mbrojtje nuk duhet të pengojë RTV Presheva gjatë kryerjes së detyrave të saja. Marrëveshja mbi parimet themelore dhe udhëzimet hyn në fuqi që nga dita e nënshkrimit të sajë. Të gjithë nënshkruesit do të implementojnë këtë marrëveshje me përpikmëri.

———————–

Hapja e tubimit për zgjedhjet lokale të 6 majit nga ana e Partisë Demokratike Shqiptare, do të bëhet nesër me fillim prej orës 13:00 në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë. Zëdhënësi për media i PDSH-së, Mitat Saqipi thotë se në hapjen zyrtare të fushatës do të bëhet promovimi i 38 kandidatëve të mundshëm për këshilltarë në përbërjen e ardhshme të kuvendit komunal, si dhe shpalosja e programit zgjedhor. Ai, njëherësh bënë edhe një apel për mbarë elektoratin, anëtarët, simpatizuesit dhe qytetarët e komunës së Preshevës, që nesër të jenë në numër sa më të madhë në shtëpinë e kulturës, duke filluar rrugën “Të bashkuar drejtë fitores”, fitore që sipas Saqipit do të realizohet më 6 maj. Në zgjedhjet lokale të 6 majit PDSH në bazë të listës së dorëzuar në Komisionin Komunal Zgjedhor, do të jetë e renditur me nurmin rendor 1.

——————

Sipas statistikave të fundit nga Instituti Republikan i statistikave të Serbisë, komuna e Preshevës është vendi i cili ka më së paku dendësi të banorëve në një kilometër katror, ndërsa komuna më e dendur është ajo Vraçar në Beograd. Sipas këtyre të dhënave, përskaj Crna Trava, komuna e Preshevës ka 11.5 banorë në një kilometët katrorë, pason Medvegja me 13.9 banorë në një kilometër katrorë, Trgovishta (13.9), Bosilegrad (13.9), Boljevac (15.6), Majdanpek (19.5) dhe Kurshumlia me 20.
——————–
Serbia vazhdon të mos nënshkruajë protokollin për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM), obligim ky që ka dalë nga marrëveshja Prishtinë-Beograd, e arritur në Bruksel më 2 dhjetor të vitit të kaluar. Burime të “Zërit” në Bruksel bëjnë të ditur se Robert Cooper, ndërmjetësuesi dialogut, vazhdon të kërkojë nga Serbia që të nënshkruajë dokumentin e thirrur “Protokolli teknik për zbatimin e Konkluzave të Dakorduara të Dialogut për IBM të 2 dhjetorit 2011”, i cili në detaje specifikon çështjet se si të implementohet kjo marrëveshje ndërmjet të dyja vendeve, të cilën tashmë pala kosovare e ka nënshkruar.

——————–
Institucionet federale të drejtësisë dhe policisë Zvicerane dëshirojnë që pjesërisht të heqin regjimin e vizave për 33 shtete, ndër të cilat bën pjesë edhe Serbia, dhe ka të bëjë me ata që dëshirojnë të punojnë deri në tre muaj ose të shkollohen në këtë shtet. Sipas këtij propozimi, lejet e punës deri në tre muaj nuk dotë jenë të lidhura me posedim të vizave, siç ka qenë deri tani rasti. Kjo do të vlejë për shtetasit e 33 shteteve, ku bëjnë pjesë edhe shtetet e ballkanit perëndimor si Serbia, Bosna dhe Hercegovina, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia dhe Mali i zi, njoftojnë mediat zvicerane.
——————

Zyrtarët e lartë qeveritarë në Kosovë vazhdojnë ta mohojnë kategorikisht mundësinë që të ketë çfarëdo negociatash për veriun, përveç si çështje e brendshme e Kosovës. Zv. kryeministri, Hajredin Kuçi, ka deklaruar për “Tribuna Shqiptare”, se në asnjë mënyrë nuk do të ketë negociata ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë për çështje të brendshme të vendit. Sipas tij, zgjidhja mund të kërkohet në dialog me qytetarët serbë të Kosovës, duke u bashkërenduar me partnerët ndërkombëtarë. Presidentja e vendit ka kundërshtuar dhunën që ka ndodhur ne Mitrovicë . Ajo tha se në Kosovë nuk do të ketë vend për anarki. Këtë deklaratë ajo e ka bërë sot në Shterpcë ku ka marrë pjesë në hapjen e panairit të grave.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch