Home » Lajme » RTP lajmet 12 prill 2012

RTP lajmet 12 prill 2012

Në rrugën e Kosovës në qytetin e Bujanocit e cila shpie drejt fshatit Tërrnoc, sot rreth orës 14:30 është vrarë E.Bektashi (53 vjeçar) nga fshati Nasalcë, komuna e Bujanocit, njofton policia, transmeton. Siç ka deklaruar zëdhënësi i drejtoratit të policisë në Vranjë Dragan Stamenkoviq, në rrugën e Kosovës, afër numrit 24, me disa plumba ka gjuajtur Imer L., gjithashtu 53 vjeçar po nga i njejti fshat. I dyshuari për vrasje, pas gjuajtjes, ka mbetur në vendin e ngjarjes dhe ka pritur policinë. Një dëshmitar okular, ka thënë për medie se bëhet fjalë për gjakmarrje, për të cilën hakmarrje është pritur 34 vite. E.Bektashi në vitin 1978 ka vrarë vëllaun dhe djalin e axhës së Imer L, ndërsa babain e tij e ka lënduar rëndë, ku pas kësaj vrasje ai ka ikur në Kosovë dhe atje ka jetuar. Sipas tij, Imeri ka jetuar dhe punuar në Zvicër, ku edhe gjatë kësaj kohe ai ka qenë në pushim në vendlindje, dhe sot, rastësisht e ka takuar në qendër të Bujanocit Bektashin.

——————————-
Serbia po vazhdon me politikat e saja diskriminuese ndaj Luginës dhe me këtë po tentohet që në mënyrë të heshtur të bëhet shpërngulja e shqiptarëve nga Lugina. Kështu thanë përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa dhe nënkryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi gjatë takimit që zhvilluan në Prishtinë me zëvendëskryeministrin e Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi. Në këtë takim në të cilin u bisedua për zhvillimet politike në Kosovës dhe Luginë, zëvendëskryeministri Kuçi tha se Qeveria e Kosovës do mbështes shqiptarët e Luginës për të drejtat e tyre qytetare dhe njerëzore, por edhe ato që kanë të bëjnë me identitetin nacional. “Ne jemi të gatshëm që të mbështesim Luginën e Preshevës, shqiptarët atje dhe jemi të gatshëm që t’i trajtojmë shqiptarët atje si urë lidhëse për raportet tona korrekte që duhet t’i kemi në mes dy shteteve tona. Natyrisht e dimë sa është e rëndë të jetohet në atë ambient, por bashkëpunimi ynë, kohezioni ynë nacional, por edhe mbështetja ndërkombëtare, do të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes në atë pjesë, në kuptimin më pozitiv të mundur”, theksoi Kuçi. Sipas Kuçit, Qeveria e Kosovës do të angazhohet për zvogëlimin e çmimit të polisave të sigurimeve kufitar për shqiptarët e Luginës. Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se së shpejti do të hiqen taksat e larta për qytetarët e Luginës së Preshevës për sigurime të veturave, me të cilën do të lehtësohet qarkullimi i lirë. Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë ankuar shumë për këto çmime të larta të sigurimeve të veturave. “Qeveria e Kosovës e ka kuptuar seriozisht problemin rreth polisave të sigurimit dhe që sot do të dërgojmë shkresa tek Shoqatat e Kompanive të Sigurimit të që zvoglojnë taksat në kufi dhe nëse për këtë nuk do të mund të mbulohen harxhimet, Qeveria e Kosovës do të ndihmojë me subvencione për pjesë të harxhimeve” ka thënë Kuçi. Po ashtu sipas zotit Kuçi, për aq sa përputhen programet arsimore të arsimit fillor, nxënësve shqiptarë të Luginës do t’ju shpërndahen librat falas si dhe do të punohet në përshpejtimin e procedurave për marrjen e diplomave nga studentët e Luginës.

———————–
Është bërë hapja zyrtare e fushatës për zgjedhjet lokale të 6 majit nga ana e Partisë Demokratike Shqiptare. Shtëpia e Kulturës “Abdulla Krashnica” është vërshuar sot nga simpatizant të shumtë për të parë së afërmi promovimin e 38 kandidatëve për këshilltarë në asamblenë e ardhshme Komunës së Preshevës, si dhe shpalosjen e programit zgjedhor nga ana e këtij subjekti politikë. Fillimishtë para të pranishmëve u dha një historiat i shkurtër i PDSH-së që nga formimi i saj në vitin 1990 e deri në ditët e sotme, si dhe procesi i reformave brenda partiake gjatë këtyre 22 viteve. Kandidatët për këshilltarë gjatë prezantimit të tyre janë mirpritur me duartrokitje. Ishte emri i kryetarit të PDSH-së Ragmi Mustafa, ai që bëri që të gjithë të ngriten në këmbë me brohoritje. E gjatë fjalimit të tij Mustafa bëri publike edhe planet për mandatin e ardhshëm me përfshirje të të gjitha sferave të jetës si ekonomia, shëndetsia, arsimi, bujqësia, blegtoria, kultura e sporti. Gjithashtu kryetari i PDSH-së paraqiti edhe të arriturat në mandatin 4 vjeçar që ishte në krye të Komunës së Preshevës. Me moton “Të bashkuar drejtë fitores” dhe Rretho numrin 1, është bërë mbyllja e tubimit promovues të kandidatëve për këshilltarë të Partisë Demokratike Shqiptare.

———————
Përfaqësuesit e katër partive shqiptare në Luginën e Preshevës kanë arritur marrëveshje që të ndajnë mandatin e deputetit në Parlamentin e Serbisë, nëse arrijnë të fitojnë një mandat në zgjedhjet parlamentare të 6 majit. Marrëveshja parasheh që ndërrimi i vendit të deputetit të bëhet me rotacion, dhe se secili përfaqësues apo lider i partive të shijojë një vit të mandatit të deputetit në Parlamentin serb, informon INA. Marrëveshja është arritur midis Partisë për Veprim Demokratik (PVD) të Riza Halimit, Lëvizjes së Progresit Demokratik (LPD) të Jonuz Musliut, UDSH-së dhe BDL-së, të cilat konfirmojnë participimin në zgjedhjet parlamentare. Marrëveshja për ndërrimin e mandatit e ka konfirmuar edhe deputeti i deritanishëm nga radhët e PVD-së, Riza Halimi.

————————-

Zëvendësshefi i EULEX-it, Andi Sparks i tha Radio Kosovës se zgjidhja e problemit të veriut duhet të bëhet me mjete politike. Në një intervistë për Radio Kosovën, ai thotë se zgjidhja e statusit të veriut është brenda pakos së Ahisarit. Zëvendësshefi i EULEXI-it, Andy Sparks ka thënë se zgjidhje e vetme e situatës në veri të Kosovës, mbetet përmes dialogut politik. Në një intervistë për Radio Kosovën, ai ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet ë zhvillojë bisedimet me përfaqësuesit serbë në veri. “ Ne nuk do të jemi ne gjendje që ta zgjidhim situatën përveçse me mjete politike. Në mënyrë që tu ndihmojmë njerëzve atje, ne dëshirojmë që ajo zgjidhje politike të vij sa më shpejtë. Për sa kohë do të vazhdojë kjo situatë, shpresojë jo për gjatë, por siç thashë zgjidhja politike mbetet i vetmi opsion. Duhet të zhvillohen bisedime midis Qeverisë së Kosovës me përfaqësuesit lokal atje. Prishtina e ka pranuar një gjë të tillë dhe ne jemi duke shikuar mundësitë nëse kjo do të ndodhë. Për mendim tim një gjë e tillë nuk do të ndodhë shpejt”, tha Sparks.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch