Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 12 qershor 2012

RTP lajmet 12 qershor 2012

Në mbështetje të nenit 34 alinea 1 të Ligjit mbi vetëadministrimin lokal, dhe në mbështetje të nenit 36 të Statutit të komunës së Preshevës dhe nenit 78 të Rregullores së punës së Kuvendit të Komunës së Preshevës, kryetari i Kuvendit Komunal të Preshevës Dr.Ramiz Latifi ka konvokuar seancën e Parë të Kuvendit për datën 15.06.2012 të premten nga ora 10:00. Për këtë seancë janë propozuar 3 pika për rend të ditës: Zgjedhja e Kryetarit të Komunës së Preshevës, Zgjedhja e zv/kryetarit të Komunës së Preshevës, Zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Komunal. Sipas burimeve tona, kandidatë për kryetarë të komunës së Preshevës, është kryetari i PDSH, njëherit edhe kryetari i deritanishëm i komunës Ragmi Mustafa, për zv/kryetar do të propozohet kryetari i BDL-së Dr.Skender Destani, ndërsa këshilli komunal do të përbëhet nga 11 anëtarë, kurse kryetari i komunës do të propozoj këta kandidatë:

Ilir Sadriu – Ing. i dipl. i Komunikacionit

Llukman Salihu – Mr. i Kulturës Fizike

Mitat Saqipi – Ing. i dipl. i Teknologjisë

Arif Ibishi – Prof. i Kulutrës Fizike

Xhevat Fazliu – Punëtor i Administratës Lokale

Agim Dalipi – Jurist i Diplomuar

Islam Isufi – Mr. i Kimisë

Ymer Lutfiu – Ekonomist

Agim Kadriu

Këta janë 9 kandidatë të propozuar për anëtarë të Këshillit Komunal, ndërsa kësaj liste do ti shtohen edhe dy emra për anëtarë të Këshillit Komunal nga kandidati për kryetar i komunës Ragmi Mustafa.

———————
Komuniteti ndërkombëtar nuk do të përkrahë në asnjë formë ndryshimin e kufijve në Ballkan, ka deklaruar të hënën në Prishtinë, ambasadori gjerman në Kosovë, Ernst Reichel. Ai ka thënë se ndryshimi i kufijve do të kishte pasoja të mëdha. Diplomati gjerman, këto komente i bëri gjatë një ligjërate që pati në Kolegjin për integrime Evropiane në Prishtinë. ”Në rastin e veriut të Kosovës është e qartë se nuk mund të jetë çështje e izoluar nga tjerat probleme. Nuk mund të izolohet veriu nga ndikimi ne Luginën e Preshevës, nga çështja e shqiptarëve në Maqedoni dhe nga Republika Serbe në Bosnjë e Hercegovinë. Nëse i përcaktoni kufijtë në Kosovë në bazat e kriterit etnik, krijon një domino efekt në Ballkanin Perëndimor. Kur ka domino proces në zinxhir nuk do të përfundonte pa dhune dhe vuajtje”, ka thënë ambasadori Reichel, transmeton Rel. Ndërkaq duke folur për gjendjen në pjesën veriore të Kosovës, ai e ka mirëpritur vendimin e qeverisë për hapjen e zyrës administrative, duke e cilësuar si një hap shumë të rëndësishëm të Prishtinës për të shtrirë autoritetin atje. “Jo vetëm se zyra është një element i shtetësisë së Kosovës që po prezantohet në veri, por edhe sepse kjo zyrë pritet të bëjë oferta të mira pirr qytetarët atje. Në këndvështrimin tim nuk është vetëm përdorimi i forcës si kusht për zhvillim të qëndrueshëm në veri, por duhet krijuar situata kur njerëzit bindën që kanë një alternativë ndaj situatës aktuale”, ka thënë Reichel. Sipas tij, historia e Kosovës është një shembull shumë i mirë se sa i paefektshëm është përdorim i forcës
Në vendkalimin kufitar në Preshevë, doganierët kanë parandalur katër shtetas të Afganistanit që të kalojnë në mënyrë ilegale kufirin shtetërorë, duke u fshehur ndërmjet shalqinjëve, ka njoftuar sot drejtorati i doganave në ministrinë e financave. Siç thuhet në njoftim, kalimi ilegal nga doganierët është kryer dje, pasi sistemi i rreziqeve që është i instaluar në kufi ka sinjalizuar se duhet të kryhet kontrollimi detaj i kamionit që ka qenë tranzit nëpër Serbi. Kamioni është hapur, dhe në pjesën e transportit të shalqinjëve që ishin dedikuar nga Maqedonia për në Evropë, janë zbuluar emigrantët illegal.

———————-

Për të udhëtuar me automobil më nuk duhet i ashtuquajturi “kartoni i gjelbër” për të hyrë në shtetet e Bashkimit Evropian, si dhe shtetet Kroaci, Zvicër, Norvegji, Islandë dhe Andora, ka njoftuar “Shoqata e sigurimeve të Serbisë”. Nga shtetet e regjionit kartoni i gjelbër duhet vetëm për të hyrë në Maqedoni dhe Bosne dhe Hercegovinë, pasi këto dy shtete nuk janë anëtare të marrëveshjes multilaterale. Serbia nga 1 janari i këtij viti është anëtare e marrëveshjes multilaterale, për të cilat për të udhëtuar me automobil në shtetet e përmendura do të jetë e nevojshme vetëm targa e regjistrimit gjegjësisht ngjitësi i regjistrimit. Në rast se keni ndonjë aksident, duhet të posedoni me rregull dhe të nënshkruani “raportin Evropian” së bashku me pjestarin tjetër të aksidentit. Kujdes të veçantë duhet të keni në të dhënat e lejes së veturës dhe polisës së sigurimit që e mbush pala tjetër që ka marrë pjesë në aksident. Kjo shoqatë sugjeron se në rast aksidenti duhet të insistohet që të vijë policia në vendin e ngjarjes kur do që të jetë e mundur për shkak të krijimit të raportit rreth aksidentit. Nëse dëmin e ka shkaktuar vetura me targa të shteteve ku ka ndodhë aksidenti, atëherë kërkesa duhet të dërgohet tek shtëpia e sigurimeve që ka siguruar atë automobil.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch