Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 12 Shkurt 2013

RTP lajmet 12 Shkurt 2013

Gjithsejt nga buxheti I komunës dedikohen 176 milion e 866 mijë dinarë për planin investiv të komunës së Preshevës për vitin 2013. Në vazhdimin e séancës së mbledhjes së këshillit komunal u miratua sot plani investiv me planifikimet materiale të parapara nga Trupi Koordinues, buxheti I komunës, mjetet e ministrisë së pushtetit lokal dhe mjetet e ndara nga ministritë e tjera ose donatorë ndërkombëtarë. Në kuadër të planit investiv për këtë vit planifikohet vazhdimi I projekteve të filluara nga viti 2010, 2011, 2012 në sferën infrastrukturore dhe projekte të reja në fazën e parë. Në mbledhjen e këshillit komunal u raportua edhe për punën dhe aktivitetet që do të punohen gjatë këtijë viti në Organizatën për Kulturë Fizike duke përfshirë këtu futbollin, basketbollin, volejbolli, atletikën, ping- pongun, shahun dhe karatenë. Anëtarët e këshillit komunal shqyrtuan dhe miratuan raportin e punës për vitin 2012 të drejtoratit për ekonomi financa ndërmarrësim privat dhe prokurime publike dhe drejtoratit për veprimtari shoqërore. Mbledhja e rregullt e këshillit komunal do të vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme për të shqyrtuar raportet e punës dhe ato financiare të ndërmarrjeve dhe drejtorateve ku themelues është kuvendi komunal.
———–
Ambasada amerikane e akredituar në Beograd është e përkushtuar që të ndihmojë tejkalimin e situatës politike në Luginë të Preshevës. Përkushtimi amerikan u konfimra sot edhe njëherë nga Këshilltari I parë politik I ambasadorit amerikan në Beograd në takimin që pati me kryetarin e komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa. Në takimin e sotëm u fol për ngjarjet e tensionuara nga muaji janar në vend dhe u shtruan problemet me të cilat janë të prekur qytetarët direkt në cdo hap të jetës së tyre. Fokus I takimit në mes të diplomatit amerikan dhe ekzekutivit preshevarë ishte gjetja e mundësisë për takime të përbashkëta në mes të autoriteteve qeveritare me liderët legjitim shqiptarë të Luginës të ndërmjetësuara nga komuniteti ndërkombëtarë me theks të veçantë OSBE dhe ambasada amerikane. Kryetari Mustafa gjatë dekalratës për Radiotelevizionin Presheva ka shprehur besimin e tijë për ndihmesë tek faktori ndërkombëtarë për daljen nga situata e krijuar në vend dhe realizimin e të drejtave të shqiptarëve në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
—————
Ministri i Mbrojtes të Serbisë, Aleksandar Vuciq për herë të parë doli në publik me shifrat e të vrarëve gjatë bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve ushtarake serbe për shkak të krizës humanitare në Kosovë, bombardime këto që ndodhën gjatë vitit 1999 dhe që zgjatën 72 ditë. “Gjatë bombardimeve të NATO-s janë vrarë 1008 ushtarë e policë të Serbisë, nga të cilët 659 ishin pjestarë të ushtrisë Jugosllave e 349 pjestarë të policisë” ka deklaruar për media ministri seb Alexander Vuciq. Edhe pse me vite është kërkuar të dilet me shifra të sakta për epilogu n e bombardimeve të NATO-s, autoritetet e Serbisë kanë nguruar që ti shpalojnë ato. Është kjo ndoshta hera e parë që një ministër i mbrojtjes flet me shifra, të cilat është e vështirë të verifikohen 13 vjet pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova. Vuciq ka përsëritur se ‘Serbia nuk e ka ndërmend të anëtarsohet as në NATO e as në Organizatën e Sigurisë Kolektive të disa shteteve të ish Bashkimi sovjetik”. Në Kosovë siç ka raportuar infoGLOBI shumë herë deri tash forcat ushtarake, policore dhe njësitet paramilitare serbe gjatë vitit 1998 dhe 1999 kanë vrarë rreth 13.000 persona nga të cilët mbi 90% ishin civilë. Këto janë të dhëna që i ka konfirmuar në teren Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të njeriut në Kosovë. As sot e kësaj dite në linjë zyrtare Serbia nuk ka kërkuar falje për krimet e luftës të kryera në Kosovë gjatë vitit 1998/1999.

———-

Rreth 17.000 persona në Serbi janë të sëmurë me grip, tregojnë vlersimet e fundit të epidemologëve. Edhe pse me të dhënat zyrtare të Insitutit “Batut”, janë regjistruar diçka më shumë se 7000 persona me virus AH1, AH3 dhe B, vlersohet se ka më shumë edhe nga ata që nuk janë lajmëruar tek mjeku. Pritet që deri në fund të sezonit do të jetë dyfish me numrin e të sëmurëve nga ky infeksion virusal thonë epidemiologët. Edhe në shtëpinë e shëndetit në Preshevë, ditët e fundit është shtuar numri i pacientëve që vuajnë nga ethet, temperaturat e larta si dhe kokëdhembje. Numri i të sëmurëve është pritur, ndërsa më të rrezikuarit janë të sëmurët kronik, ata me diabet, të sëmurët kardiovaskular, asmatikët, pasi gripi tek ta mund të shkaktojë edhe komplikacione tjera. Fëmijët parashkollor dhe ata të klasave të para janë gjithashtu një kategori e ndjeshme pasi imuniteti i tyre ende nuk është ndërtuar, andaj edhe virusi mund të jetë me intenzitet më të madh se tek të rriturit. Temperatura trupore mbi 38 gradë celsius, teshtitje apo edhe rjedhje të hundëve, kolli i thatë, tek disa pacientë edhe dhimbje në muskuj, kyçq dhe kokëdhembje janë vetëm disa nga simptomet e gripit sezonal. Antibiotikën nuk këshillohen, përveç atyre me imunitet të dobësuar që mund të paraqitet ndonjë infeksion bakterial. Shumica e atyre që sëmuren nga gripi nuk paraqiten tek mjeku, posaçërisht nëse kanë simptome të lehta, andaj edhe të sëmurët konsiderojnë se bëhet fjalë për një “ftohje”. Sipas statistikave, vetëm 10-20% e të sëmurëve paraqitet temperatura e lartë, dhimbje në muskuj, lodhje.

———–

Kryeministri serb, Ivica Daciq, e ka parë veten në mes të stuhisë mediatike pas akuzave që e lidhin atë me trafikun e drogë. Duke lënë të kuptohet se zgjedhjet e përgjithshme nuk janë shumë larg. Por lideri socialist ka nxituar të mohojë se ka pasur diçka të dyshimtë në takimet e tij me trafikantin e drogës Rodoljub Raduloviq, të njohur dhe si Misha Banana, në periudhën 2008 – 2009. Akuzat nga partia socialiste për partnerët e koalicionit kanë rritur hipotezat se partia më e madhe serbe ajo progresiste do të përjashtojë Daçiqin dhe të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. “Autoritetet kompetente shtetërore, do të veprojnë në bazë të ligjit, dhe do të bëjnë gjithçka për të zbardhur krimet në fushën e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në këtë betejë nuk duhet dhe nuk do të ketë persona të mbrojtur, pavarësisht emrit që kanë, mbiemrit apo funksionit”, vlerësoi ministri i Mbrojtjes, Aleksandër Vuçiq.
————-
Kurrfarë zyre për ndërlidhje mes Beogradit dhe Prishtinës nuk do të ekzistojë, dhe askund nuk do të figurojë emri Republikë e Kosovës”, ka deklaruar zyrtari ndërlidhës i Beogradit, Dejan Pavicevic. Ai në një intervistë për gazetën “Danas”, ka thënë se të gjitha marrëveshjet kanë pasur si parakusht neutralitetin karshi statusit, transmeton Rel. Sipas tij, zyrtari ndërlidhës është “vetëm një person, dhe jo delegacion” dhe se zyra nuk do ekzistojë. Ai ka sqaruar se zyrtari kosovar ndërlidhës do të qëndrojë në ndërtesën e Delegacionit të BE-së në Beograd, ndërkaq Pavicevic, si i dërguar i Beogradit, do të dërgohet në ndërtesën e BE-së në Prishtinë, përkatësisht në Zyrën e Përfaqësuesit Special të BE-së, në Kosovë, Samuel Zbogar. Disa zyrtarë kosovarë kanë thënë se zyrtarët ndërlidhës, janë de fakto ambasadorë, dhe se Kosova do ta ketë zyrën, në të cilën do të figurojë edhe termi Republikë e Kosovës, pavarësisht se Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
—————-
Ish-ndërmjetësi në bisedimet për statusin e Kosovës, Albert Rohan thotë se dy muajt e ardhshëm do të jenë kritik sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në një intervistë për Radio Kosovën, ai thekson se megjithatë të dyja vendet po shprehin gatishmëri për të normalizuar raportet. Për ish-ndërmjetësin në bisedimet për statusin e Kosovës, Albert Rohan takimi ndërmjet presidentes Jahjaga dhe homologut të saj serb, Nikolic ishte më shumë simbolik pasi çështjet thelbësore do të diskutohen në nivel të kryeministrave. Në intervistën për Radio Kosovën, Rohan thotë se dy muajt të vazhdim do të jenë kritik pasi në prill Komisioni Evropian do të dalë me raport dhe shumica e problemeve që ekzistojnë midis dy vendeve duhet të gjejnë zgjidhje deri në atë kohë. “Mendoj se është shumë korrekte. Duhet të bëhen disa marrëveshje. Së pari duhet të bëhet tërheqja e personelit policor që gjenden në veri. Kjo është gjëja e parë të cilën mendoj se duhet bërë. Së dyti mendoj se strukturat administrative dhe shëndetësore serbe duhet të legalizohen dhe ky proces duhet të bëhet përmes zgjedhjeve lokale. Natyrisht zgjedhjet nuk mund të mbahen shumë shpejt, me siguri do të mbahet gjatë vjeshtës. Po ashtu duhet të fillojë të respektohen ligjet e Kosovës. Pra këto mendojnë se janë tri gjëra që duhet të zgjidhen. Nuk ka mbetur shumë kohë janë vetëm dy muaj dhe duhet të intensivisht të udhëhiqet ky dialog nga negociatorët”, thekson Rohan. Sipas tij, të dy vendet, Kosova dhe Serbia po tregojnë vullnet politik për dialog konstruktiv dhe të drejtuar kah suksesi.
————

Një zonjë e cila kërkon nga bashkëshorti i saj shpenzime marramendëse , e sidomos në veshmbathje luksoze. Mirëpo presioni i saj kundrejt të shoqit bënë që ai asnjë nga fjalët e saj të mos refuzojë, por me bindje se gjitha dëshirat e saja do të realizohen .Kështu nis kështu komedia e dy regjisorëve Preshevar Artan Ibishi e Gani Veseli të cilët për mes interpretimit të aktorëve të teatrit të të rinjve në Bujanoc sjellin komedinë “Jo, të gjithë hajdutët vijnë për të keq” . Aktori Mentor Zeqiri në këtë shfaqje është viktima brenda çiftit , pasi ai i është nënshtruar zonjës së vet , e cila çdo ditë ia shton një sërë kërkesash , të cilat për të janë të pa arritshme.
Megjithatë rasti tjetër flet për nënshtrimin e gruas ndaj burrit. Në pjesën e parë ndeshen dy mentalitete në mes çiftit metropolitan dhe atij rural. Megjithatë qëndrimi i burrit nga fshati arrin që të nxjerrë nga situata dhe shpenzimet e mëdha edhe burracakun e qytetëruar.
Ai për mes metodave të tij bënë që e zonja të zbresë me këmbë në tokë dhe ti bindet burrit i cili nga paga e tij e ka të pamundur që të bëjë një jetë luksoze siç kërkon e shoqja e tij. Dy aktorët e rinj Mentori dhe Liridona që interpreton roli e shërbëtores kjo shfaqje i ka motivuar dhe njëherit ata besojnë se për mes roleve të tyre kanë dhënë edhe mesazhin e qartë se si duhet të jetë jeta në mes çifteve dhe cila veti negative duhet eliminuar. E tërë ngjarja e kësaj komedie zhvillohet brenda katër mureve ku në pjesën e dytë preke fenomeni tradhtia në mes çifteve. Por Hajdutit nuk i dalin planet tija dhe ai në këtë dhomë do përballet jo me policinë por me tradhtinë e cila bartet herë tek njëri e herë tek tjetri. Megjithatë për dy regjisorët Preshevar kjo shfaqje ka nxitë një emocion të veçantë ,duke përgëzuar aktorët e rinj për interpretimet e tyre por edhe rolin e publikut. Komedia “Jo të gjithë hajdutët vijnë për të keq” do të vazhdojë rrugëtimin nuk edhe në Preshevë, por një shfaqje e tillë do t’i prezantohet edhe publikut Medvegjas. Gjithashtu regjisorët me këtë shfaqje do të marrin pjesë në festivalet e Kosovës, si në Mitrovicë dhe Vushtrri. Realizimi i komedisë është mbështetur nga Këshilli Kombëtar Shqiptar si dhe shtëpia e kulturës në Bujanoc.

————-

Nxënësit e Shkollës fillore 9 Maji në Leran sot kanë treguar njohuritë e tyre në lëmin e ekologjisë në eko kuis,të cilin e kishte organizuar organizata joqeveritare “ Çelësi i gjelbër “. Kuizi në fjalë kishte karakter garues ku morën pjesë nxënës te nacionalitetit serb dhe shqiptarë të klasave te 5, 6, 7 dhe 8-ta. Sipas drejtorit të shkollës,kjo formë e kuizit ka domethënie të madhe pasi i përfshin të gjitha njohuritë në lëmin e ekologjisë, dhe përveç investimeve kjo organizatë tani ka sjell edhe kuisin në këtë format. Si donator kryesor i organizatës ekologjike “ Çelësi i gjelbër “, është kompania Filip Moris. Gjithashtu kjo kompani ka menduar që në fund ti shpërblej edhe nxënësit fitues të këtij kuizi. Olivera Milosevic – koordinatore e OJQ “ Çelësi i gjelbër tha se në bazë të aktivitetit për ruajtjen e ambientit dhe mjedisit jetësor ,sot kanë garuar nxënësit për këtë kuis. Organizata joqeveritare çelësi i Gjelbër ka përgatitur librin për këtë kuis,ku nxënësit janë përgatitur për këtë garë. Fitues të Eko kuizit ishin grupi i të gjelbërve me 105 pikë,i udhëhequr nga nxënësit Arjeta Zejnullahu, Ndin Sadiku, Egzona Saqipi dhe Aleksandra Velickoviq.
—————
Lajmërohen gjuetarët e shoqatës Fazan në Preshevë se më 17 shkurt do të merret aksioni për asgjësimin e ujqve mbi fshatin Leran , Bushtran, Gerajt , Slavujevc e deri mbi fshatin Lanik dhe Svinjishtë . Ndërkaq tubimi i gjuetarëve do të bëhet tek përmendorja e fshatit Leran. Aksioni do të fillojë prej orës 7 dhe do të zgjasë deri në orën 14-të, ndërsa të gjithë gjuetarët janë të obliguar të marrin pjesë në aksion. Dhënia e lejeve do të bëhet të mërkurën dhe të enjten në ora 12-të. Kryetari i shoqatës Zejush Abazi apelon tek të gjithë gjuetarët që të pajisen me leje gjuetie për asgjësimin e ujqve në territorin e komunës së Preshevës.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch