Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 12 shtator 2012

RTP lajmet 12 shtator 2012

Brenda 5 viteve regjioni i Pçinjës ku bën pjesë edhe komuna e Preshevës do të kenë fabrikën e riciklimit të mbeturinave. Një hap drejt këtij projekti gjigant është hedhur të hënën kur kryetarët e këtyre komunave kanë aprovuar planin aksionar për ndërtimin e këtij stacioni i cili do të jetë në Vranjë. Kryetari Ragmi Mustafa ka theksuar se projekti është ndihmuar nga USAID, të cilët janë të interesuar që të përkrahin projekte madhore që janë në interes të shumë komunave. Sipas Mustafës me finalizimin e këtij projekti do të bëhet menaxhimi më i mirë i plehrave , pasi edhe komuna jonë do të ketë transfero stacionin e saj ku do të bëhet klasifikimi i tyre. Ky projekt do të kushtojë mbi 20 milion euro, ndërsa komunat e rrethit të Pçinjës do ta kenë obligim që bashkërisht të sigurojnë donacione. Mbeturinat mbeten problemi kryesor i çdo vendbanimi dhe me realizimin e këtij projekt do të krijohen kushte shumë më të mira edhe për ndërmarrjet të cilat bëjnë grumbullimin e mbeturinave , ndërsa qytetërove u mbetet që të respektojnë standardin e BE ku mbeturinat duhet të klasifikohen nëpër qese adekuate antibakteriale.

———————–
Në një kumtesë të Lëvizjes së Progresit Demokratik, përshëndetet përmbyllja e procesit të pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës si një hap pozitiv, drejt ndërtimit të shteti modern, gjithëpërfshirës dhe demokratik. LPD me rastin e kësaj dite madhore për popullin e Kosovës dhe gjithë shqiptarët, kudo qofshin ata, përgëzon liderët institucionalë, të cilët tash e tutje duhet ta marrin përsipër përgjegjësinë e plotë për të zbatuar parimet e deklaratës së pavarësisë dhe kushtetutës për çdo qytetar. “Fuqizimi i pavarësisë së Kosovës, nënkupton sovranitetin e tërësisë territoriale në cdo kënd të vendit të saj, gjithnjë duke reflektuar stabilitet, me të cilën varen perspektivat euro-atlantike të rajonit”, thuhet mes tjerash në kumtesën e LPD-së. Shqiptarët e Luginës së Preshevës e kanë mirëpritur aktin e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur të Republikës së Kosovës, e cila sapo ka nisur rrugëtimin e saj drejt një shteti plotësisht të pavarur dhe Sovran, i cili do të ketë në duart e veta të ardhmen e qytetarëve të saj. Spektri politik shqiptar i Luginës së Preshevës, përmes Platformës Politike, të aprovuar nga këshilltarët shqiptarë të tre kuvendeve komunale: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, shpesh është thirrur në Planin e Ahtisarit, i njohur si projekt ndërkombëtar për zgjidhjen e Statusit të Kosovës, që të kërkohet reciprocitet me serbët e veriut të Kosovës. Lëvizjes së Progresit Demokratik, uron Qeverinë, Parlamentin dhe gjithë popullin e Kosovës për këtë arritje historike, pa harruar asnjëherë bashkëkombësit e saj të krahut lindor: Preshevë, Bujanoc dhe Metvegjë, të cilët asnjëherë nuk u ndan krah për krah vëllezërve kosovarë për mëvetësinë e saj, thuhet në fund të kumtesës së LPD-së, të nënshkruar nga Jonuz Musliu, kryetar.
——————

Drejtuesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, ka deklaruar se paraqitja e dëshmitarit të mbrojtur në televizionin shtetëror serb, i cili pretendon se ka marrë pjesë në heqjen e organeve të të rrëmbyerve serbë në veri të Shqipërisë gjatë luftës së fundit, është dëshmi e papranueshme. “Mendoj se prokuroria e ka plasuar këtë rrëfim për arsye politike dhe me këtë po i shqetëson shumë familjet e viktimave. Rrëfimi nuk është bindës, dhe shkakton shqetësim edhe te publiku”, ka thënë Kandiq. “Prokuroria e Serbisë, po të ishte institucion serioz shtetëror do të punonte me ekipin e EULEX-it për të identifikuar mjekët, të cilët kjo prokurori thotë se i kanë udhëhequr operacionet e heqjes dhe shitjes së organeve”. Prokuroria për krime lufte e Serbisë, dy ditë më parë ka thënë se e ka dëshmitarin, i cili pretendon se ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe se ka marrë pjesë në heqjen e organeve të të rrëmbyerve serbë. I njëjti dëshmitar një ditë më parë është paraqitur në Radio Televizionin Serb. Autoritetet kosovare plasimin e kësaj informate nga prokuoria serbe e kanë quajtur propagandë serbe dhe përpjekje për prishjen e imazhit të Kosovës në ditën e heqjes së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.

————————
Ndërmjetësi ndërkombëtar që propozoi pavarësinë e Kosovës si zgjidhje për statusin, Martti Ahtisaari, është i kënaqur me përmbylljen e fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë së vendit, ndërsa thotë se tani nis faza tjetër, të cilën e përshkruan si një fazë që kërkon angazhim më të madh lokal. Në një bisedë për “Kohën Ditore”, Ahtisaari nuk hezitoi të shprehet i zhgënjyer me pesë vendet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës – Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia e Qiproja – ndërsa shton se jo vetëm këto vende, por edhe vetë Serbia duhet ta njohin Kosovën shtet, sepse kthim prapa nuk ka. Ahtisaari pajtohet me konstatimet se ka edhe shumë punë për t’u bërë, posaçërisht në veri të Kosovës, dhe se jo gjithçka është kryer. Por, ai insiston se ndërtimi i shtetit është një proces në vazhdim dhe se e vetëm për katër vjet e gjysmë, prej se është shpallur shtet, Kosova ka arritur shumë – madje më shumë se që është pritur. Në pyetjrn se ekziston frika se veriu do të jetë një çështje e cila do të sillet në nivelin politik të diskutimeve, që mund të përfshijë edhe ndryshimin apo ndërhyrjen në sovranitetin dhe integritetin territorial, ku përmendet edhe ndarja, Ahtisaari përgjigjet: “Jo, njerëzit duhet ta harrojnë atë gjë rreth kufijve”. “Nuk mendoj se duhet madje edhe të flitet për të tilla gjëra. Kufijtë janë ata që janë dhe Kosova është shteti i pavarur”, ka thënë Ahtisaari.
——————-
Elektrodistribucioni I Vranjës, njësia në Preshevë lajmëron qytetarët e komunës së Preshevës se më datë 16 shtatorë 2012 ditë e diel do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike prej orës 07.00 deri në ora 17.00. Ndërprerja bëhet për shkak të remontit të largëpërçuesit 110 kilovat Bujanoc- Preshevë.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch