Home » Lajme » RTP lajmet 13 janar 2012

RTP lajmet 13 janar 2012

Lëvizja për Bashkim i ka drejtuar sot një letër Presidentes së Kosovës,  Atifete Jahjaga, me të cilën i shfaq shqetësimet për pasojat nga paralajmërimi i Vetëvendosjes për bllokimin e pikëkalimeve kufitare me Serbinë. Aktualisht, vendi ynë është duke kaluar momente të rënda politike dhe i njëjti zhvillim pritet të ndodhë edhe në ditët në vazhdim, thuhet në fillim të letrës, e cila vazhdon:
Aksioni i thirrur nga Lëvizja ‘Vetëvendosje’ më 14 janar për bllokimin e mallrave serbe dhe forma e reagimit nga Qeveria e Kosovës lidhur me këtë ndërmarrje kanë ndikuar në tensionimin e situatës dhe polarizimin e madh midis subjekteve politike, respektivisht përkrahësve të tyre. Detyra Juaj, si Presidente e Republikës, është përshkruar qartazi në nenin 83 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në të cilin thuhet: “Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës”.
Prandaj, Lëvizja për Bashkim ju fton Ju që ta kryeni detyrën Tuaj kushtetuese përballë situatës dhe t’i ftoni të gjitha forcat politike te vendit në një takim urgjent ku do të analizohej situata e krijuar dhe do të shqyrtoheshin mundësitë për tejkalimin e saj.
Përndryshe, Ju, me heshtjen Tuaj, duke mos i respektuar detyrat kushtetuese, do të bëheni bashkëpërgjegjëse e ngjarjeve që do të ndodhin në ditët në vijim.

—————————————–

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, mohoi raportimet se është arritur marrëveshje mes Policisë dhe Vetëvendosjes sa i përket planit të lëvizjes, të paraparë të fillojë nesër, për bllokimin e pikave kufitare me Serbinë. Ai ka bërë për gazetën “Epoka e Re”, se Policia vetëm ua ka treguar rregullat se gjatë protestës çka mund dhe çka nuk mund të bëjnë.“Nuk jemi marrë vesh për asgjë. Policia vetëm ua ka treguar rregullat se gjatë protestës çka mund dhe çka nuk mund të bëjnë. Nëse dalin jashtë atyre rregullave do të ballafaqohen me ligjin”, ka sqaruar ministri Rexhepi

—————————–

Veprimi i planifikuar për të bllokuar lëvizjen e lirë të mallrave në dy pikë kalimet, të shtunën më 14 janar, nuk do të jetë i dobishëm për të ardhmen e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe nuk do të ndihmoj në normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, ka thënë Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Fernando Gentilini. “Tregu i përbashkët, duke përfshirë lirinë e lëvizjes për njerëzit dhe mallrat, si dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, janë ndër vlerat thelbësore evropiane, dhe shumë të rëndësishme për çdo kandidat potencial për Bashkimin Evropian”, thuhet në kumtesën e Gentilinit.

———————

Këshilli për të Drejtat e Njeriut mbështet fuqishëm iniciativën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! të 14 janarit 2012, për zbatimin e vendimit për reciprocitet të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë.

Në kohën kur Qeveria e Republikës së Serbisë thellon çdo ditë e më tepër diskriminimin dhe margjinalizimin  e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, e kur Qeveria e Republikës së Kosovës i izoloj së fundi edhe më shumë komunat përkatëse nëpërmes vendosjes së tarifave për policat kufitare të sigurimit; KDNJ fton qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që t’i përgjigjen iniciativës paqësore dhe demokratike së 14 janarit 2012, për ta jetësuar reciprocitetin e plotë midis Kosovës dhe Serbisë, në përputhje me interesat e qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, reciprocitet që reflektoj sërish i paqenë, me moslejimin e vizitës së Ministrit të Diasporës, z.Ibrahim Makolli, më 12 janar 2012, nga ana e autoriteteve serbe.

——————————-

Vetëvendosje e vendosur për protestën

Lëvizja Vetëvendosje është shprehur e vendosur për protestën e 14 janarit. Kjo lëvizje ka paralajmëruar se të shtunën, me fillim në ora 13, bashkë me qytetarë dhe organizata të ndryshme, do të bllokojnë dy vendkalimet kufitare me Serbinë, përkatësisht mallrat që do të tentojnë të hyjnë në Kosovë.

 

Udhëheqësi i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në një konferencë për media, potencoi se protesta e nesërme nuk do të bllokojë qarkullimin e lirë të qytetarëve, por vetëm hyrjen e mallrave serbe në Kosovë.

“Reciprociteti është vlerë e Bashkimit Evropian. Shtetet në Bashkimin Evropian e njohin njëra tjetrën dhe janë në marrëdhënie reciproke. Nuk ka asnjë shembull tjetër në botë ku dy shtete që nuk kanë marrëveshje të paqes dhe që nuk e njohin njëra tjetrën, kanë marrëveshje për tregtinë e lirë, siç është rasti me Kosovën dhe Serbinë”, ka thënë Kurti.Kurti më tej u shpreh se protesta nuk është kundër serbëve as të Serbisë e as të Kosovës, por është kundër Serbisë.

RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch