Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 13 Shkurt 2015

RTP lajmet 13 Shkurt 2015

–          Përfaqësues të qeverisë Serbe, takim në Bujanoc me liderët politik nga Lugina e Preshevës

–          Presheva së shpejti me maternitet, deklaron Dr.Mitat Sahiti

–          Këshilli komunal i Bujanocit zgjedh anëtarët e komisionit për ndarjen e mjeteve

–          Isa Mustafa kërkoi votën e qytetarëve të Kosovës duke premtuar referendum, thotë Konjufca

——————————————————–

RTP logo2Përfaqësues të qeverisë Serbe do të bisedojnë sot në Bujanoc me liderët politik nga Lugina e Preshevës dhe drejtues të zyrës për zhvillim ekonomik. Në njoftim të trupit Koordinues, thuhet se me ministrin e ekonomisë Zhelko Sertiq në Bujanoc do të vij edhe ministri për punë, punësim dhe politikë sociale Aleksandar Vulin. Kryetari i trupit Koordinues Zoran Stankoviq dhe ministri Sertiq do të takohen me përfaqësues të komunës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, Ragmi Mustafa, Nagip Arifi dhe Dragisha Petroviq. Ata do të bisedojnë me deputetët Nenad Mitroviq, Riza Halimin e Shaip Kamberin, si dhe me përfaqësues të zyrës për zhvillim ekonomik.

——————————————————-

Drejtori i Shtëpisë së shëndetit në Preshevë, Dr.Mitat Sahiti, duke qenë musafirë mbrëmë në programin Studio e hapur në RTV Presheva, ka potencuar se Presheva së shpejti do të bëhet me qendrën spitalore për lindjen e fëmijëve e cila ka munguar shumë kohë. “Është çështje javësh apo muajsh hapja e maternitetit në Preshevë. Kjo do të ndodhë së shpejti, sepse nuk ka kush e ndal hapjen e maternitetit”, theksoi Dr.Mitat Sahiti, për të shtuar “ne kemi bërë të gjitha parapërgatitjet teknike dhe infrastrukturore në hapësirat e dedikuara për maternitetin. Çdo gjë është sqaruar edhe me sekretarin për shëndetësi në qeverinë serbe por edhe me përfaqësuesit e Trupit Koordinues, drejtuesit e pushtetit lokal dhe mantel bardhët”, ka thënë kështu Sahiti. Sipas tij, kohëve të fundit, nga individ dhe subjekte të caktuara po bëhet vetëm politikë e kotë për të marrë poena në elektor të caktuar me çështjen e maternitetit, por këto tentativa janë të kota sepse çështja e maternitetit është tani më problem i kaluar.

——————————————————-

Këshilli komunal i Komunës së Bujanocit në mbledhjen e vetë të mbajtur të mërkurën, ka caktuar anëtarët e komisionit për ndarjen e mjeteve përmes projekteve në fushën e informimit. Duke u mbështetur në rregulloren e Ministrisë së Kulturës dhe Informimit të Republikës së Serbisë, Këshilli Komunal i Bujanocit, nën udhëheqjen e kryetarit Nagip Arifi ka bërë përzgjedhjen e anëtarëve të këtij komisioni. Anëtarë të komisionit për vlerësim të projekteve të mediave në këtë komunë janë zgjedhur, Fejzi Beqiri- kryetar dhe Abedin Raqipi, Maja Stojanoviq, Ahmet Kadriu e Aleksandar Janjiq – anëtarë. Sipas Rregullores së Ministrisë së Kulturës dhe Informimit të Republikës së Serbisë për anëtarë të Komisionit emërohen personat që janë profesionistë për media apo punëtorë medial dhe nuk duhet të jenë në konflikt interesi apo të kryejnë funksione publike. Gjithashtu kjo rregullore thotë se shumica e anëtarëve të Komisionit emërohet me propozim të organizatave të mediave apo gazetarëve, nëse ekziston një propozim i tillë.

——————————————————-

Një grup i mediave-online kanë filluar iniciativat e para për themelimin e një organi përfaqësues apo Asociacionin e Mediave Online që do të mbrojë interesat e këtyre mediave dhe përmirësimin e statusit rreth pjesëmarrjes në procesin e ligjvënies për mediat në Serbi dhe qasjen e përbashkët në fushën e marketingut. Në qendrën mediale në Nish përfaqësuesit e mediave-online lokale dhe rajonale, vlerësuan  se kjo është një nismë e mirë drejt krijimit të rrjetit që do të ndikojë pozitivisht në qëllimet e përbashkëta. Gjorgje Krivokapiq nga Fondacioni SHARE, gjatë takimit të parë iniciues është shprehur se një organizim i këtillë do të ndihmojë shumë në avancimin e pozitës së mediave online dhe ndikimin e tyre në përpilimin e ligjeve që lidhen me mediat në përgjithësi. Ai gjithashtu theksoi se pjesëmarrja e mediave në këtë nismë dëshmon se është e domosdoshme një organizatë që do të ofrojë mundësi bashkëpunimi dhe promovimi i standardeve etike të gazetarisë online si shkëmbim të përvojave dhe informacioneve.

——————————————————-

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se Isa Mustafa ka kërkuar votën e qytetarëve të Kosovës duke premtuar referendum për dialogun Kosovë-Serbi. Ai ka thënë se tash Isa Mustafa e ka harruar referendumin dhe po e vazhdon rrugën e Hashim Thaçit. Konjufca ka thënë se para se të ndodh dialogu Kryeministri Mustafa duhet të kërkojë leje nga deputetët për dialog e jo pasi të ndodhin bisedimet.

——————————————————-

Berlini ka konfirmuar sot se do të dërgojë 20 policë në kufirin Serbi – Hungari, në përpjekje të ndalimit të fluksit të madh të kosovarëve që po hyjnë ilegalisht në Hungari me destinacion final Gjermaninë. Ministria e Brendshme e Gjermanisë ka thënë se dërgimi i policëve të vet në këtë kufi do të ndihmojë në menaxhimin e duhur afatgjatë. Gjermania ka thënë se do të forcojë masat në të gjitha aspektet për të ndaluar valën e re të imigracionit. Mbi 12.500 kosovarë kanë kërkuar azil që nga janar i vitit 2014 dhe Ministria e Brendshme Gjermane i ka konfirmuar KTV-së se azil kanë fituar vetm 0.3 % e tyre dhe se të gjithë të tjerët do të kthehen shumë shpejt në Kosovë. Ndërsa po sot policia e Kosovës ka arrestuar një person i dyshuar për trafikim me migrantë kosovarë.

——————————————————-

Në një komunikatë të Ushtrisë për Çlirimin e Iliridës, të mbërritur në redaksinë e Televizionit Alsat-M, thuhet se “punohet për çlirimin e shtetit të Iliridës”. Në komunikatë theksohet se Ushtria për Çlirimin e Iliridës, nuk ka asgjë kundër popullit maqedonas, grek apo serb, por njofton qeverinë e Maqedonisë se nuk lejon shtypjen e egër të kombit shqiptar nën sundimin maqedonas. Sipas komunikatës, shqiptarët barazohen në Maqedoni vetëm në shtetin e Iliridës, ndërkohë që Maqedonia, jeton si shtet i pavarurë, vetëm me njohjen e shtetit të Iliridës. Për këtë, Ushtria për Çlirimin e Iliridës, i bënë thirrje edhe misioneve të huaja në vend, të nxisin procedurën për njohjen e shtetit të Iliridës, në kuadër të shtetit të përbërë të Maqedonisë.

——————————————————-

Ju kujtojmë edhe një here se Ministria e punës, punësimit dhe çështjeve sociale e Serbisë ka bërë të ditur, në fillim të javës nëpërmjet mediave, se 16 dhe 17 shkurti, ditët e hënë dhe e martë, nuk do të punohet. Ditë jo pune, e hëna dhe e marta, janë shpallur për shkak të shenimit të ditës së pavarsisë. Këto dy ditë nuk do të punojnë institucionet shtetërore dhe ato publike. /RTP/

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress