Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 13 shtator 2012

RTP lajmet 13 shtator 2012

Anëtarët e këshillit drejtues dhe kryesuesi i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore kanë mbajtur sot mbledhjen e saj të rregullt. Në kuadër të kësaj mbledhjeje janë shqyrtuar pikat e rendit të ditës si shënimi i 28 Nëntorit 100 vjet shtet shqiptar, akademi përkujtimore kushtuar Abdullah Krashnicës-hero i popullit shqiptar, po ashtu edhe pika tjera që ka të bëjë me akademinë solemne kushtuar 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë si dhe organizimi i simpoziumit shkencor’ Presheva në lëvizjen shqiptare gjatë historisë’. Kryetari i kësaj shoqate, Xhemaledin Salihu thekson se në këtë mbledhje janë shqyrtuar pikat e parapara në për këtë rend dite si dhe parapërgatitjet që na presin para festës së nëntorit dhe për nderë të pavarësisë së shtetit shqiptar. Theks i veçantë në mbledhjen e sotme iu kushtua përgatitjeve shënimit e 100 vjetorit të shtetit shqiptar si dhe simpoziumit shkencor Presheva në lëvizjen shqiptare gjatë historisë. Sipas zotit Salihu organizimi i këtij manifestimi do të bëhet duke pasur parasysh bashkëpunimin edhe me anëtarë të komisionit të zgjedhur nga organet komunale. Në fund kryetari i kësaj shoqate ka potencuar se do të pranojmë që tribuna shkencore të mbahet nën patronatin e cilit do patronat nëse marrin pjesë në financim.

——————–

Drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të mërkurën kanë pritur në një takim një delegacion të Shoqatës “Vatra” nga Lugina e Preshevës, me ç’rast është diskutuar për problemet dhe brengat me të cilat ballafaqohen qytetarët e Luginës. Sikurse edhe në takimet me partitë e tjera politike, edhe në takimin me AAK-në, përfaqësues të Shoqatës nga Lugina e Preshevës, kërkuan që në bisedimet e ardhshme në mes Kosovës dhe Serbisë të përfshihet edhe Lugina e Preshevës. Pas takimit, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, tha se me delegacionin e Shoqatës “Vatra” kanë diskutuar për problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët shqiptarë të Luginës dhe padrejtësitë të cilat u bëhen atyre nga autoritetet e Serbisë. Sipas Isufit, në takim është biseduar edhe për mundësinë e një trajtimi më të mirë të qytetarëve të Luginës, të cilët janë të shpërngulur në Komunën e Gjilanit. “Sot kishim në takim delegacionin e shoqatës Vatra nga Kosova Lindore të cilët shprehen shqetësimet e tyre lidhur me pozitën e bashkëkombësve tanë në këtë pjesë të territorit. Po ashtu shfaqën brengën e tyre për një dyndje të shqiptarëve të kësaj pjese duke u vendosur në territorin Kosovës, duke ikur jashtë vendit. Kjo është një brengë që duhet të jetë edhe obligim i Qeverisë së Kosovës për interesim të pozitës së shqiptarëve atje. Në këtë pjesë, gjithashtu kemi të bëjmë edhe me represionin që po e bënë regjimi i Beogradit, i cili edhe me tutje mbi shqiptarët përdor dhunën, burgosjen, vrasjet dhe elemente të cilët e bëjnë të pasigurt jetën e shqiptarëve atje”, ka thënë Isufi. Në takim, gjithashtu është biseduar edhe për rigjykimin e grupit të Gjilanit nga autoritetet e Serbisë, i cili proces, sipas nënkryetarit të AAK-së, është i montuar politikisht dhe i padrejtë. Nga ana tjetër, edhe kryetari i Shoqatës “Vatra” nga Lugina e Preshevës, Sejfulla Kadriu, takimin me AAK-në e vlerësoi si vëllazëror, në të cilin u diskutuan hallet dhe problemet e qytetarëve të Kosovës Lindore. Sipas tij, edhe me drejtuesin e AAK-së është diskutuar për mundësinë e përfshirjes së përfaqësuesve të Luginës në bisedimet e ardhshme Kosovë-Serbi. “Në bisedimet eventuale do të ishte mirë, ata të cilët marrin pjesë të kenë parasysh nëse ndodhë që bisedohet, atëherë mundësisht të kihet parasysh edhe Kosova Lindore. Ndërkohë është biseduar, siç theksoi edhe nënkryetari për problemet e tjera që shfaqen në atë pjesë, si dhe për integrimin e popullatës të Luginës që jetojnë në Komunën e Gjilanit, sepse siç dihet në Komunën e Gjilanit jetojnë një numër i madh i qytetarëve të asaj pjese të cilët kanë probleme për integrimin në institucioneve shoqërore të komunës së Gjilanit”, tha Kadriu.

Ndryshe, përfaqësues të delegacioneve nga Lugina e Preshevës edhe gjatë takimeve me partitë e tjera politike, kanë shprehur shqetësimin e tyre, për diskriminim dhe padrejtësisë që u bëhen qytetarëve të Luginës nga autoritetet e Serbisë, andaj ata kanë kërkuar që në bisedimet e ardhshme në mes Kosovës dhe Serbisë të kihet parasysh edhe çështja e Luginës.
—————
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Baronesha Catherine Ashton ka paralajmëruar bisedime me udhëheqësit e Prishtinës dhe të Beogradit në New York, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së, në përpjekje për të nisur procesin e bisedimeve. Zëdhënësja Maja Kocijancic tha se Shefja e saj do ta takojë Kryeministrin Thaçi dhe Presidentin e Serbisë, Tomislav Nikolic, shkruan express. Zyrtarët e Bashkimit Europian kanë intensifikuar përpjekjet për të rifilluar bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit. Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian ka paralajmëruar takime me përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë në margjina të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së. Ashton ka thënë se do t’i takojë Thaçin dhe Nikolicin, por nuk dihet nëse takimi do të jetë i përbashkët. Punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, fillojnë më 18 shtator. Zëdhënësja e Baroneshës Ashton, Maja Kocijancic ka thënë të mërkurën për mediet serbe se temë e diskutimit do të jetë vazhdimi i dialogut mes të dyja shteteve. “Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton do të bisedojë me Presidentin e Serbisë dhe me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi për vazhdimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së, në New York”, ka thënë Kocijancic.
———————
Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Shulc, ka thënë se deklarata e tij që Serbia duhet të njohë Kosovën nëse do anëtarësimin në BE, paraqet një “vlerësim individual, të bazuar në realitet dhe pragmatizëm”. “Ajo që unë kam thënë, për shumëkënd është e qartë. Në të ardhmen, mendoj të shoh edhe Serbinë, edhe Kosovën në Bashkimin Evropian dhe në fund të këtij procesi duhet të gjendet një mënyrë për njohje të ndërsjellë”, ka thënë Shulc për mediat serbe. Ditë më parë, diplomati evropian, pas takimit me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, në Bruksel, ka kushtëzuar Serbinë me njohjen e Kosovës – gjë që ka nxitur reagime të mëdha në shtetin serb. Ky i fundit është në pritje të marrjes së datës së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Shulc ka thënë se “shpreson” që Serbisë t’i sigurohet kjo datë para verës së vitit 2013.
———————-
Lideri i Partisë Demokratike të Serbisë, Vojislav Koshtunica, ka thënë se është pashmangshme që qeveria e re serbe ta njoh pavarësinë e Kosovës. Shohim se qeverisë së re disi i konvenon që BE në këtë çast nuk kërkon nga Serbia njohjen e Kosovës, por ju paralajmërojmë se do të kërkojnë gjithçka dhe se pranimi do të jetë i pashmangshëm në fund”, tha Kostunica për “Veçernje Novosti.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch