Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 14 Mars 2013

RTP lajmet 14 Mars 2013

Në seancën e dytë të KK të Preshevës të mbajtur sot, është shqyrtuar dhe miratuar propozimi planit investiv për vitin 2013 në komunën e Preshevës. Për këtë seancë kanë qenë të parapara 14 pika, mirpo ishte plani investiv me debate të shumta në mes të këshilltarëve të pozitës dhe opozitës që bëri vetëm pika e parë të kalojë me mbi 5 orë debate. GK i PVD-së kishte paraqitur edhe 8 amandamente për këtë pikë mirpo asnjë nga ato nuk kaloi. Ndërsa në momentin e votimit këshilltarët e opozitës në shenjë revolte lëshuan seancën. Nesër prej orës 11 KK Preshevës do ti vazhdojë punimet e saja me pikat tjera të rendit të ditës e që të gjitha kanë të bëjnë me shqyrtimet dhe miratimet e raporteve të punës dhe atyre financiarë për vitin 2012 të ndërmarrjeve ku themelues është kuvendi, ndërsa do të shqyrtohet dhe miratohen edhe programet e punës dhe atyre financiarë për vitin 2013 të po këtyre ndërmarrjeve.
—————
Karvani poetik të Luginës së Preshevës rrugëtimin e ka vazhduar nëpër shkollat fillore të komunës sonë. Ata sot ishin nikoqir të shkollës fillore Selami Hallaçi Rahovicë dhe Dituria në Corroticë .
Shkrimtarët e shoqatës Feniks para nxënësve kanë shfletuar krijimet e tyre, kryesisht poezi për fëmijë dhe aforizma. E nxënësit e ciklit të ulët në shkollën fillore Dituria Corroticë nuk nguruan që para shkrimtarëve të recitojnë poezitë e tyre të preferuara. Misioni i karvanit poetik sipas përfaqësuesit të shoqatës Feniks Hajrulla Kasumi po jep rezultate shumë pozitive. Sipas tij nga ky rrugëtim po dalin në dritë talentët e rinj por dhe po inspirohen për të qenë krijues. Ky ishte rrugëtimi i pestë për këtë vit i Karvani poetik të Luginës së Preshevës ndërsa ata zhvillimin e orëve letrare do ta vazhdojnë edhe nëpër shkolla të tjera të Komunës së Preshevës , Bujanocit por edhe më gjerë.
——————-
Kryeministri serb, Ivica Dacic sërish ka thënë se zgjidhja për Kosovën duhet gjetur me kompromis dhe jo vetëm në kuadër të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Ai në një konferencë për gazetarë në Kopaonik, ka folur për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin ka thënë se “në Beograd edhe pse ka vullnet për t’u zgjidhur kjo çështje, por nuk ka pajtim se çka do të bëjë dhe se çka është ky asociacion”. Asociacioni po diskutohet në takimet në mes Dacicit dhe Thaçit në Bruksel.
————-

Shefi i misionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Vincent Degert ka thënë se në bisedimet në mes të Beogradit dhe Prishtinës të dy palët duhet të bëjnë hapa përpara. “Këto janë bisedimet e tyre. Ne i shohim ato si një mundësi të madhe, si një situatë ku të gjithë shkojnë ka zgjidhja”, ka thënë ai për gazetarët në një forum biznesi në Kopaonik. Ai ka thënë se BE është aktive në këto bisedime, që sipas tij, synim kryesor kanë normalizimin e raporteve mes dy shteteve. Ai ka thënë se ekzistojnë çështje si “energjia, telefonia, posta dhe natyrisht edhe veriu i Kosovës, për të cilat, të dy palët duhet të bëjnë përparim”, transmeton Rel. Në pyetjen nëse po bëhet presion mbi Prishtinën, ai ka thënë se presion po bëhet në të dy palët që të arrihet marrëveshje. “Ne e shohim këtë si një shans të madh që nuk duhet lëshuar”, u shpreh Degert. Prishtina zyrtare pret që shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, gjatë qëndrimit të saj në Kosovë, të kërkojë nga të gjitha forcat politike që kanë përkrahur bisedimet me Beogradin, të mbështesin edhe marrëveshjen eventuale për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
———————–

Nuk e imagjinoj dot se si mund të ecet përpara Serbia nëse ka pretendime territoriale, kështu ajo nuk mund të hyjë dot në BE nëse vazhdon me këtë pretendim”, ka thënë Analisti Daniel Server. Sipas tij edhe nëse 21 nga 22 vendet e BE-së që e njohin Kosovën të binin dakord të anëtarësonin Serbinë pa vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën, Gjermania nuk do ta lejonte një gjë të tillë. Sipas Serverit, Beogradi nuk mund të shpresojë të përfitojë nga Plani Ahtisaari kur nuk e ka njohur atë. Server thotë se Beogradi duhet të gjejë një mënyrë që ta njohë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës duke pretenduar njëkohësisht disa të drejta në bazë të planit Ahtisaari dhe mund ta bëjë këtë duke dërguar një ambasador ose duke lejuar anëtarësimin e Kosovës në OKB. Beogradi do që veriu të ketë atë nivel autonomie që i lejon veriut miratimin e ligjeve lokale, kontrollin e policisë lokale dhe gjykatave, sistemit shëndetësor dhe arsimit dhe Prishtina e sheh këtë si Ahtisaari Plus. Për ata çdo gjë përtej planit Ahtisaari është e papranueshme”.Por për analistin Server kjo është e papranueshme, pasi do ta ndante Kosovën në dy entitete dhe do ta bënte shumë të vështirë kualifikimin e saj për në BE.“Duhet të ketë reciprocitet. Nëse Serbia nuk do polici dhe gjykata kosovare në Preshevë, nuk e kuptoj se pse e kërkon këtë për Veriun e Kosovës”.Por Server thotë se megjithëse zonja Eshton po bën të gjitha përpjekjet për një marrëveshje dhe Shtetet e Bashkuara po e përdorin ndikimin e tyre ndaj Prishtinës, Kosova, si vend sovran duhet ta marrë vetë vendimin për çka është e pranueshme dhe çfarë jo.

——————

Të gjithë ata që duan të marrin pasaportën zvicerane duhet të jenë në gjendje “ të kuptohen mirë, me gojë dhe me shkrim njërën ndër gjuhët e vendit”. Kështu ka vendosur Dhoma Nacionale e Parlamentit të Zvicrës me shumicë votash. Mbetet që këto vendime të futen në Ligjin për Natyralizimin si parakushte materiale për personat që duan të marrin pasaportë zvicerane. Parlamenti ka bërë edhe përkufizimin se çka nënkuptohet me “integrim”. Sipas këtij përkufizimi, një integrim i suksesshëm është kur i huaji tregon kujdes për sigurinë publike dhe për respektimin e vlerave të shkuara në kushtetutën federale. Ndër vendimet thelbësore që janë marrë në parlament është ai sipas të cilit kusht për natyralizim është pasja e vizës C (lejes së përhershme të qëndrimit). Për këtë ndryshim të Ligjit mbi Natyralizimin kanë votuar 129 veta ndërsa kundër tij 59. Ministrja e drejtësisë Simonetta Somaruga ka tërhequr vëmendjen se Qeveria Federale planifikon që si kompensim, në Ligjin për të Huajt të fusë edhe të drejtën e ankesës për lejen e përhershme të qëndrimit. Debati në parlament gjatë gjithë kohës ka qenë i zjarrtë dhe polemizues. Politikanët e majtë kanë akuzuar të djathtët dhe sidomos SVP-në për ekstremizëm, madje kanë aluduar edhe në politikën e kohës së nazizmit. Këta të fundit ua kanë reaguar ashpër kundër tyre duke i quajtur insinuata të papranueshme.

——————–

Ndasitë e brendshme politike dhe ato etnike, do të përbëjnë rrezikun më të madh për Ballkanin Perëndimor për vitin 2013. Ky është vlerësimi i agjencive amerikane të zbulimit, sipas raportit të përvitshëm që ato i paraqesin Kongresit. Raporti u paraqit dje nga Drejtori i Zbulimit Kombëtar James Clapper, gjatë një seance në Komisionin e Përzgjedhur të Senatit për Çështjet e Zbulimit. Sipas vlerësimit të agjencive të zbulimit, shtetet e të dobta të këtij rajoni vuajnë nga ngecja ekonomike, papunësia e lartë, korrupsioni dhe një shtet i dobët ligjor. Megjithëse gjendja e sigurisë në veri të Kosovës, të banuar nga shumica serbe, është përmirësuar që nga viti 2011, angazhimi diplomatik dhe ai në fushën e sigurisë i perëndimit, është i nevojshëm për zbatimin e marrëveshjeve të arritura me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Në muajt që i paraprijnë zgjedhjeve parlamentare të qershorit, ekziston shqetësimi i rikthimit në konfliktin e ashpër partiak që shpërtheu pas zgjedhjeve parlamentare të 2009, kur opozita i kundërshtoi zgjedhjet dhe bojkotoi herë pas here parlamentin për gati 2 vjet. Në Maqedoni, raporti nuk parashikon një kthim në luftën civile të një dekade më parë, por parashikon thellimin e mëtejshëm të mosmarrëveshjeve mes dy komuniteteve shqiptare dhe maqedonase. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zbulimit dëshmoi dje në Kongres së bashku me drejtorin e ri të CIA-s, John Brennan dhe me drejtorin e FBI-së, Robert Mueller.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch