Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 15 dhjetor 2014: Muatafa dhe Musliu – Mustafa e Thaçi ta kenë një pikë mbështetëse për reciprocitet të Luginës me Veriun

RTP lajmet 15 dhjetor 2014: Muatafa dhe Musliu – Mustafa e Thaçi ta kenë një pikë mbështetëse për reciprocitet të Luginës me Veriun

RTP-LogoFormimi i institucioneve të Kosovës i ka gëzuar edhe udhëheqësit e Luginës së Preshevës, të cilët shpresojnë se kjo qeveri do të jetë më e fokusuar për të kërkuar të drejtat e shqiptarëve që jetojnë atje. Sipas tyre, Qeveria e krijuar nga dy partitë më të mëdha në Kosovë, do të duhej ta kishte një përfaqësues të Luginës së Preshevës, në përbërjen e vet, me qëllim të informimit të drejtpërdrejtë me atë se çka ndodh në pjesën lindore të Kosovës. Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, thotë se për shqiptarët e Luginës së Preshevës bërja e institucioneve të Kosovës me votat e shumicës ka krijuar një siguri, ngase të gjithë në Luginë sytë e mendjet i kanë në Prishtinë. Ai thotë se kjo Qeveri duhet të merret më shumë me çështjen e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, jo më pak se sa merret Qeveria e Serbisë me të drejtat e serbëve të Kosovës. “Po aq sa qeveria serbe është e interesuar për avancimin në shkallë sa më të lartë të të drejtave të serbëve, posaçërisht në veri, po aq duhet të jetë edhe angazhimi i Qeverisë së Kosovës për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Këtu nuk ka dyshim se është absolutisht e lejuar në rrafshin politik, edhe në rajon por edhe në Evropë që të merren masa proporcionale për zgjidhjen e problemeve të pakicave kombëtare që janë të shpërndara ose të disperzuara në shtetet e tjera”, ka thënë Ragmi Mustafa.

—————————————-

Edhe Kryetari i Këshillit Kombëtarë Shqiptarë, Jonuz Musliu, thotë se është koha që edhe zëvendës kryeministri i tashëm Hashim Thaçi e edhe kryeministri Isa Mustafa, duhet së paku ta kenë një pikë mbështetëse për shkak të reciprocitetit me Veriun edhe Luginën. “Ata duhet të jenë më të angazhuar rreth çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, thotë Musliu i cili mendon se Qeveria e re duhet ta ketë një zyre dhe një përfaqësues të Luginës së Preshevës për të raportuar për atë që ndodh në atë pjesë të banuar me shqiptarë. “Mendoj se duhet marr seriozisht tash, dhe është dashur së paku ne ta kemi një përfaqësues të drejtpërdrejtë në Qeverinë e Kosovës që të trajtohet dhe të informohet Qeveria e Kosovës nga burimet që vijnë nga Lugina e Preshevës. Që ta kemi një zyrë që raporton çdo mbledhje në Qeveri se çka po ndodh në Luginën e Preshevës. Dhe, kjo mendoj se është ajo afërsia mes Luginës së Preshevës dhe Qeverisë”, ka thënë Musliu.

————————————————————–

Duke komentuar pjesëmarrjen e listës serbe në Qeverinë e sapo formuar të Kosovës dhe vënien e disa kushteve nga ana e tyre, Kryetari i Këshillit Kombëtarë Shqiptarë në Luginë të Preshevës, Jonuz Musliu thotë se duhet patur kujdes Qeveria e re e Kosovës, sidomos kur është fjala për emërimin e zëvendësdrejtorit të Agjensionit Kosovar të Intelegjencës. Poashtu, sipas Musliut, duhet patur kujdes edhe gjatë emërimit të zëvendëskomandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që sipas tij, janë dy shtyllat kryesore të Kosovës, pasi që njëra mbron territorin e Kosovës dhe tjetra kontrollon territorin e këtij shteti.

———————————————————–

Kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa ka deklaruar se formimi i qeverisë së Kosovës do të ndikoj pozitivisht në situatën e rajonit dhe pozitën e shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. “Secili formim qeverie në cilin do shtet, po edhe në Republikën e Kosovës do të kontriboj në organizimin e mirë të vet shtetit po edhe vendosjes së mardhënieve të mira me fqinjët” ka thënë Mustafa. Ai ka shtuar se vazhdimi i bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të ndikoj në jetën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. “Këtë e presim, pasi kemi pritur edhe nga qeveria e mëhershme e Kosovës, që ti ndihmojnë shqiptarëve në Luginën e Preshevës që ti gëzojnë të drejtat e garantuara me të gjitha standardet”.

————————————————-

Kryetari i degës së Unionit Demokratik Shqiptarë në Preshevë, Naser Aziri konsideron se zvarritja e formimit të Qeverisë së Kosovës ka ndikuar negativisht jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon e në Luginën e Preshevës. “Besojmë se secili stabilitet i institucioneve të Kosovës ndikon në stabilizimin e situatës dhe tensioneve edhe në Luginë të Preshevës”. Ai ka përkujtuar se në këtë përbërje të qeverisë është përfshirë edhe pakica serbe e cila jeton në Kosovë dhe ka garancione nga Beogradi, për dallim nga ajo e mëparshme në të cilën serbët nuk kanë qenë dakord me Republikën e Serbisë”. “Mardhëniet e mira do të ndikojnë edhe në Luginën e Preshevës. “Çdo mos pajtueshmëri në raporte dhe moszgjidhja e problemeve të pazgjidhura ndikojnë në serbët që jetojnë në Kosovë dhe shqiptarët që jetojnë këtu” ka sqaruar Aziri.

————————————————-

Në pikën kufitare tek “Dheu i Bardh” duke ju referuar angazhimeve të Policisë së Kosovës në parandalimin dhe luftimin e krimit, si rezultat i punës së njësiteve policore me datën 13.12.2014, rreth orës 16:00, është arritur të arrestohet një mashkull shqiptar shtetas i Serbisë, pasi që i njëjti është kapur duke kontrabanduar pesë meshkuj shqiptar njoftoj policia e Kosovës, raporton rajonipress. I dyshuari sipas policisë është arrestuar për dyshimin e bazuar të kantrabandimit të migrantëve dhe pas intervistës me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

——————————————-

Largimi i qytetarëve të Kosovës për në vendet e Bashkimit Evropian, përmes Serbisë po vazhdon, pavarësisht thirrjeve që po bëjnë institucionet e vendit, se ata nuk mund të fitojnë azil atje. Thuajse nga secila qendër e Kosovës, cdo natë nisen autobusë përplotë me qytetarë, kryesisht të rinj që marrin rrugën ilegale për në vendet e BE-së, duke kaluar nëpër Serbi. Pasagjerët të cilët po largohen me autobusë, thuhet të jenë shumica të rinj, por pa përjashtuar këtu edhe gratë me fëmijë të vegjël, e në raste më ekstreme edhe me bebe. Nga raportet zyrtare, në bazë të kërkesave për azil në vende të ndryshme të BE-së, thuhet se nga janari i këtij viti e deri tani, janë rreth 14 mijë qytetarë që kanë braktisur Kosovën.

——————————————–

Anulimi i vendimit për rritje pagash në masën 2 për qind nga kryeministri i ri i Kosovës, Isa Mustafa, që ka qenë premtim electoral dhe heqja dorë nga krijimi i 200 mijë vendeve të punës, rrezikon shpërthimin e një bombe sociale me përmasa të mëdha. Sjellja e papërgjegjshme e liderëve politikë në fushatën parazgjedhore, që premtuan paga të larta në mandatin e tyre qveverisës dhe rritje të numrit të vendeve të reja të punës, realizimi i të cilave tani nuk do të jetë as së afërmi i përfshirë në plan programin qeveritar të dy partnerëve qeverisës, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, sipas analistëve, mund të kthehet në një bombë të kurdisur sociale. Shpërthimi i kësaj bombe do të trondistë në themel Qeverinë e re të koalicionit të madh PDK-LDK, njofton Kosova Sot.

——————————————————

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ka thënë se kjo parti ka sakrifikuar për të mirën e shtetit, duke ia lënë postin e kryeministrit LDK-së. Në një intervistë për “Epokën e re”, Grabovci ka thënë se PDK-ja ka menduar për shtet e jo për privilegje. “Ky koalicion është bërë për shtetin, me qëllim të marrjes së përgjegjësive, të krijimit të një stabiliteti politik dhe mundësisë së një vendimmarrje sa më të sigurt. Kjo për ne ka qenë e rëndësishme”, është shprehur Grabovci. Në këtë kontekst, ai ka kërkuar edhe mirëkuptimin e elektoratit dhe anëtarësisë së PDK-së. “Ne kemi vlerësuar se procesi nëpër të cilin po kalon Kosova ka nevojë për mobilizimin dhe angazhimin e të gjithëve”, ka deklaruar ai. Grabovci ka bërë me dije se ka qenë interes i shtetit që vendi të ketë një koalicion të madh për t’i çuar përpara proceset dhe beson në jetëgjatësinë e koalicionit PDK-LDK.

————————————————–

‘Nëse sjellja e Isa Mustafës ndaj atyre që e kundërshtojnë është si gjuha e tij e dhunshme, madje e dënueshme, si ndaj akademikut Rexhep Qosja, atëherë Kosovën e pret një e ardhme e rënde, arrogante. Kështu e ka nisur postimin e tij në rrjetin social Facebook, Erjon Braçe, deputet i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Më tej Braçe shprehet “Së dyti të mos harrojmë; Isa Mustafa nuk është votuar nga shqiptarët e Kosovës të jetë kryeministër, përkundrazi ai u votua nga ata si humbës!! Dhe jo një herë!! Në anën tjetër, fyerja nuk është as dëshmi e as e zëvendëson atë!! Ai i ka borxh shqiptareve të Kosovës një rrëfim të qartë, të drejtë e të ndershëm për punët e tij në Ish-Jugosllavi. Si qytetar as që ja kërkonte kush, por si kryeministër e ka detyrim!!”.

——————————————————-

Rilindja Demokratike Kombëtare zgjodhi Kryesinë e re partiake në Kuvendin Qëndrorë të partisë që u mbajtë në Gostivar. Në këtë Kuvend Qëndror të partisë morrën pjesë shumica dërmuese e antarëve të Kuvendit dhe me aklamacion zgjodhi Kryesinë e re partiake me mandat deri në Kongresin e rregullt të radhës të partisë. Në këtë Kuvend Qëndror me aklamacion u zgjodh edhe Kryesia e ngushtë e partisë, ku si Kryetar partie u zgjodh Vesel Memedi, për Sekretar gjeneral u zgjodh Zenun Ismaili, ndërsa për Nënkryetar partie u zgjodh Hamdi Saiti. Zgjedhja e Kryesisë së re si dhe Kryesisë së ngushtë të partisë erdhi pas dorëheqjes së parevokueshme të Kryesisë partiake paraprake, por që të gjith vazhdojnë të jenë pjesë përbërse e Kryesisë së re përshkak se misioni i Rilindjes Demokratike Kombëtare do të mund të eci përpara vetëm duke qenë sëbashku të gjith themeluesit e kësaj familje të vullnetit të mirë, Rilindja Demokratike Kombëtare. Nominimin e Vesel Memedit  për Kryetar te RDK-se e arsyetoi Rufi Osmani kryetari i deritashem i RDK-së i cili ndermjet tjerash theksoi: “Kandidatura e Prof. Vesel Memedit është kandidatura më e qëlluar në një moment të vështirë politik në të cilin kalojn shqiptaret në Maqedoni dhe si një zgjedhje  e kontinuitetit në realizimin e misionit dhe idealit të Rilindjes Demokratike Kombëtare. /RTP/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress