Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 15 nëntor 2012

RTP lajmet 15 nëntor 2012

Janë përkujtuar sot 10 martirët e ekzekutuar nga ushtria serbe në fshatin Nezaj të Karadakut të Preshevës para 100 viteve pikërishtë më 15 Nëntor 1912, pra vetëm 13 ditë para ngjarjes më të madhe te popullit shqiptarë Pavarsisë së Shtetit Shqiptarë. Familjarë, miq dhe qytetarë nga Presheva e Gjilani kanë marrë sot rrugën për në vendin e rënies ku edhe tash e 100 vite varret e tyre qëndrojnë aty. Ibush Saqipi pasardhës i martirëve të ekzekutuar duke bërë homazhe pranë varrezave kujton se si ka ndodhur ajo ngjarje nga ajo që ka mësuar prej gjyshes së tij. Ndërsa në shenjë të 100 vjetorit familja ka vendosur edhe neë pllakat përkujtimore në vendin e varrezave, kjo është bërë pikërishtë duke shënuar edhe 100 vjetorin e shtetit shqiptarë, thotë Rabit Saqipi. Pas vizitës në vendin e ekzekutimit, manifestimi pastaj ka vazhduar edhe në zbulimin e pllakatës, ku të pranishëm ishin edhe udhëheqësit e organizatave të veteranëve nga Presheva e Gjilani, luftëtarë të luftrave çlirimtare, dhe përfaqësues të pushtetit lokal të Gjilanit. Ahmet Daku nga organizata e veteranëve në Gjilan tha se kjo është një simbolikë shumë e madhe në 100 vjetorin e shtetit shqiptarë. Ndërsa në emër të OVL në Luginën e Preshevës Ramadan Ismajli uroi për ngritjen e pllakës përkujtimore. Të pranishmit i përshëndeti edhe Shefik Surdulli përfaqësues i komunës së Gjilanit. Pas gjithë kësaj pllakatën përkujtimore e zbuluan dy kryetarët e organizatave të veteranëve në Preshevë e Gjilan dhe neë familjarë i martirëve të ekzekutuar. Më 15 Nëntor 1912 në fshatin Nezaj janë ekzekutuar nga ushtria serbe 10 martirë. 7 prej tyre janë të identifikuar ndërsa 3 tjerëve ende nuk i dihet identiteti i tyre.

——————

Shoqata Humanitare Lugina e Preshevës nga Zvicrra në bashkëpunim me shoqatën International Human Center kanë shpërndarë ndihma për familjet në nevojë. Bashkëpunimi i këtyre dy shoqatave tani e gjashtë vite ndihmojnë të gjitha familjet të cilat kanë nevojë për gjëra ushqimore dhe mjete materiale. Projekti në fjalë ka për qëllim ti ndihmojë 25 familje në Luginën e Preshevës me vlerë prej 100 franga zvicerane ku përfshihen gjëra ushqimore dhe higjienike. Ekipi i RTP përcolli nga afër vizitën që u bënë këtyre familjeve dhe pamë për së afërmi gjendjen e vështirë të tyre e për çka kryefamiljarët u ndjenë dhe falënderues,pasi janë të vetmit këta që u ofrojnë ndihma. E kryetari i Shoqatës Human Center thotë se ka shumë familje nga Lugina e Preshevës që kanë nevojë për ushqim dhe për gjëra materiale, andaj duhet ti ndalim në ndihmë të gjithë atyre që kanë nevojë. Po ashtu edhe kryetari i Shoqatës Humanitare Lugina e Preshevës nga Zvicra z. Shaip Bajrami thotë se ka gjashtë vite që bashkëpunon me shoqatën human Center nga Presheva dhe ndjehet i kënaqur me punën që bëjnë për ti ndihmuar njerëzit që kanë nevojë. Misioni i këtyre shoqatave do të vazhdojë edhe më tutje pasi për qëllim kanë ti ndihmojnë familjet me kushte të vështira për jetesë.
—————–
Në zyrën e kryetarit të komunës u bë vazhdimi i bashkëpunimit mes komunës së Bujanocit dhe Universitetit të Suboticës, përmes nënshkrimit të një kontrate. Prof. Dr Nenad Vunjak, Dekan i Fakultetit Ekonomik në Suboticë, qëndroi në Bujanoc për të nënshkruarë kontratën mbi bashkëpunimin e ndërsjellë mes komunës së Bujanocit dhe Fakultetit të Suboticës. Vunjak pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit u shprehë i kënaqur dhe tha se “në të ardhmen kjo kontratë parasheh që studentët në degën e Fakultetit Ekonomik në Bujanoc të kryejnë edhe praktikën në bashkëpunim me fakultetet tjera, raporton Titulli. Kryetari i komunës së Bujanocit vlerësoi këtë marrëveshje si shumë të rëndësishme për studentët dhe qytetarët e komunës së Bujanocit. “Përveç marrëveshjes së nënshkruar sot, jemi duke punuar që të hapim edhe drejtime tjera, ndërsa që nga viti i ardhshëm, në bashkëpunim me BE-në, jemi angazhuar për hapjen e një objekti universitar”, tha pas takimit Arifi. Në Bujanoc, që nga viti i kaluar është hapur dega e Fakultetit Ekonomik të Suboticës. Në këtë fakultet të parë shtetërorë në Luginë mësojnë rreth 200 student, shqiptare dhe serb.

——————–
Shoqata “Vatra”, që merret me hallet e shqiptarëve të zhvendosur nga Lugina e Preshevës, dhe të ish-pjesëtarëve të UÇPBM-së, i është drejtuar sot me një letër Agim Çekut, kryetar i Komisionit për Veteranët e Luftës. Në letër pas rikujtohet se lufta e UÇPMB-së për çlirimin e trojeve etnike shqiptare, si Bujanoci, Medvegja e Presheva, ndonëse përfundoi para 11 vjetësh, ato padrejtësisht mbetën të pushtuar nga Serbi, thuhet se misioni luftarako-çlirimtar i UÇPMB-së ishte një vazhdimësi e misionit të çlirimit të atdheut, të cilin e nisën liridashësit tanë para shumë vitesh, e që u konkretizua me luftën çlirimtare të UÇK-së. Të gjithë e dimë se edhe gjatë viteve të shtatëdhjeta të gjitha organizatat që kanë vepruar në ilegalitet, e deri te formimi i njësiteve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur kemi bërë betimin, e kemi bërë për çlirimin e të gjitha trojeve etnike shqiptare. Atëherë shtrohet pyetja: pse sot të kemi këso ndarje në njohjen apo mosnjohjen e librezave të asaj apo kësaj ushtri, kur dihet se që të gjitha ishin çlirimtarë. Pas çlirimit të Kosovës një pjesë e madhe e ushtarëve dhe pjesëtarëve të luftës së UÇK –së vazhduan misionin e tyre për çlirimin e atdheut, pra në Kosovën Lindore për çlirimin e këtyre tri komunave shqiptare. Disa nga ta ranë dëshmorë, të lindur dhe të rritur në Kosovë, por tani nuk u njihet e drejta të jenë Dëshmorë të Kombit me të vetmin ,,faj” se kanë rënë në luftën e UÇPMB-së. Lufta përfundoi me insistimin ndërkombëtar dhe pjesa dërmuese e luftëtarëve të UÇPMB-së u detyruan të largohen për në Kosovë, pasi që regjimi serb i pengoi në realizimin e një jete normale dhe të sigurt, e herë-herë u bë edhe arrestimi e torturimi i tyre, siç është rasti i Shemsi Nuhiut, të Grupit të Gjilanit apo së fundi grupi i Bujanocit. Kjo dëshmon se regjimi serb këta çlirimtarë i ka në shënjestër të përhershëm, dhe për ta në Kosovën Lindore nuk ka siguri, madje u është bërë e pamundur jeta normale. Duke pasur parasysh të gjitha këto, ne kërkojmë nga institucionet përgjegjëse të Kosovës, e sidomos nga Komisioni për përpunimin e Ligjit të veteranëve të luftës, të merren parasysh kërkesat e të përfshihen në ligj edhe këto kategori, që ishin pjesë e UÇPMB-së, siç janë ish-pjesëtarët e luftës së UÇPMB-së, të njihet statusi i dëshmorëve, i familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të kësaj lufte, pasi që këto kategori kanë mbetur jetimë dhe nuk përkujdeset askush për to. “Vatra” shfaq bindjen se duke i barazuar me ligj të gjitha kategoritë e luftërave për çlirim kombëtar, drejtësia do të bie në vend. “Fundja dëshmorët nuk i pranojnë kufijtë artificialë që i kanë vendosur të huajt!” – përfundon letra drejtuar Agim Çekut.
——————–

Për nderë 28 Nëntorit dhe 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit Shqiptar redaksia e Radiotelevizionit Presheva ka organizuar garat në recitim për të gjithë qytetarët nga cikli i ulët shkollor e tutje. Të interesuar për pjesëmarrje ishin gjithsej 28 kandidat kryesish nxënës nga shkolla fillore. Një ndër kriteret e pjesëmarrjes ishte që paraqitja e garuesve të bëhet me poezi dedikuar festës së nëntorit dhe 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Juria ishte në përbërje të profesor Alixhemal Salihut, profesor Xhelal Arifit dhe të Ardita Saqipit gazetare me ç’rast u bë edhe seleksionimi i kandidatëve për në finale. Sipas kryetarit të jurisë profesor Alixhema Salihu në garën finale janë kualifikuar gjithsej 8 garuese. Garat finale do të vazhdojnë gjatë ditës së nesërme.

——————-

Ftohen qytetarët e komunave Preshevë,Bujanoc dhe Medvegjë që të marrin pjesë në inaugurimin e pllakës përkujtimore të Dëshmorëve të Kombit të rënë gjatë luftës së lavdishme të UÇPMB-së. Inaugurimin i kësaj pllake do të bëhet të premten më datë 16.11.2012 me fillim në ora 13 para komunës së Preshevës. Pjesmarrja juaj nderon gjakun e rënë për liri. Kryesia e OVL-së, Kryetari, Ramadan Ismajli.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch