Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 16 dhjetor 2014

RTP lajmet 16 dhjetor 2014

RTP Logo–          Komuna e Preshevës parasheh sipas ligjit mjete financiare për mediat në vitin 2015

–          Mbahet seanca e tetë e Kuvendit komunal të Bujanocit

–          Kryeministri shqiptarë Edi Rama përsëri në Beograd

–          Për hyrje në Bashkimin Evropian, Serbia vetëm pas zbatimit në tërësi të Marrëveshjes së Brukseli

 

Kanë kaluar pesë muaj nga miratimi i Ligjit të ri për informim nga Parlamenti i Serbisë i cili parashikon privatizimin e mediave në pronësi shoqërore më së voni deri më 30 qershor të vitit 2015, që automatikisht nënkupton ndalimin e mëtejmë të financimit përmes taksapaguesve, kurse nga muaji i kaluar është në fuqi edhe Rregullorja e qeverisë serbe që obligon financimin e përmbajtjeve programore mediale përmes projekteve konkurruese. Ky ndryshim ligjesh në sferën mediale ka detyruar si pushtetin qendror, ashtu edhe vetëqeverisjet lokale që të ndryshojnë pozicionet buxhetore kur është në pyetje parashikimi i mjeteve për media në programet buxhetore për vitin e ardhshëm. Shumica e komunave në Serbi tashmë kanë paraparë linja buxhetore për mjetet e informimit, e që tash e tutje do të ndahen vetëm në saje të konkurseve publike e me një vendim të komisioneve të posaçme të formuara enkas për këto qëllime, kurse ministria e Kulturës dhe Mediave vetëm se e ka miratuar vendimin për formën e formularëve që do të shërbejnë për propozim projektet.

Në përputhje me ligjin dhe konform rekomandimeve, komuna e Preshevës parasheh të veprojë edhe sa i përket ndarjes së mjeteve, nga buxheti i vet, për sferën e informimit. Në propozim buxhetin për vitin 2015 komuna e Preshevës, për sferën e informimit publik ka paraparë mjete pothuajse të ngjashme sikurse në vitin 2014, e që kapin vlerën e 22.900.000 dinarëve. Komuna e Preshevës ka paraparë që për gjashtë mujorin e parë të vitit të ardhshëm, ashtu siç lejon Ligji, të subvencionoj N.I.P. Presheva me 10.200.000 dinarë, ndërsa pjesën tjetër të kësaj linje buxhetore, e cila peshon 12.700.000 dinarë, do të ket në dispozicion për konkurset publike të përmbajtjeve mediale, ashtu siç e parashikon Rregullorja e qeverisë. Për dallim nga komuna e Preshevës, e cila tashmë i ka bërë propozimet buxhetore për sferën e mediave konform Ligjeve aktuale, në komunat Bujanoc dhe Medvegjë akoma nuk ka ndonjë propozim të buxhetit për vitin e ardhshëm për t’u pasqyruar metoda e informimit publik.

————————————————–

Është mbajtur dje seanca e tetë e radhës e Kuvendit Komunal të Bujanocit, gjatë së cilës ndër të tjera është diskutuar rreth propozimit për ndryshimin e emrave të rrugëve dhe shesheve, pikë kjo e cila hapi debat mes këshilltarëve opozitar dhe të pozitës. Përveç propozimeve të paraqitura për emërtim të rrugëve në qytetin e Bujanocit, opozita doli me propozim edhe për ndryshimin e emërtimit të sheshit “Karagjorgje Petroviq” në Ridvan Qazimi, por si duket Komisioni i përbërë nga këshilltarë shqiptarë e serbë nuk kishte rënë dakord rreth këtij ndryshimi. Në qytetin e Bujanocit, nga rreth 80 rrugë dhe lagje sa janë të emërtuara, vetëm një mban emrin e shqiptarit Ramiz Sadiku.

———————————————

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Republikës së Kosovës , Edita Tahiri, njëherësh kryenegociatore për implementim në dialogun e Brukselit, ka udhëtuar sot për në Bruksel për të marrë pjesë në takimet e radhës. Në agjendën e këtyre takimeve janë çështjet si energjia, sigurimi kufitar i automjeteve, licencimi i kompanive të pjesës veriore të Kosovës nga institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës, si dhe çështja e importit të medikamenteve, raporton RTK. Takimet tripalëshe të ndërmjetësuara nga BE-­ja pritet të mbahen sot dhe nesër. Nga këto takime pritet të arrihen pajtime në fushat e lartpërmendura, si dhe të hartohen plane për zbatim të mëtejshëm të Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Gjatë qëndrimit në Bruksel, ministrja Tahiri do të zhvillojë takime me përfaqësues të BE-­së lidhur me fazën vijuese të dialogut, pas formimit të Qeverisë së re në Kosovë.

Udhëheqësi i bisedimeve teknike në fushën e sigurimeve, Rrahim Pacolli, ka bërë të ditur për RTK-në se të mërkurën pritet të nënshkruhet marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rreth njohjes reciproke të kartonit të gjelbër. Ai tha se do të kërkojë që Këshilli i Byrosë Evropiane të Sigurimeve t’ia njohë Kosovës të drejtën për shitjen e kartonit të gjelbër, gjë që, sipas tij, do t’ju mundësonte bashkatdhetarëve që të mos bëjnë pagesa shtesë kur të marrin rrugën për në vendlindje. Pavarësisht këtyre bisedimeve, Kosova ende nuk është bërë pjesë e Këshillit të Byrosë Evropiane të Sigurimeve, pasi që katër shtete anëtare të kësaj byroje kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë evropiane.

————————————————-

Kryeministri shqiptar Edi Rama do të jetë në Beograd në samitin që mbahet mes vendeve të Evropës Juglindore dhe të Kinës. Policia e Serbisë ka marrë masa të rrepta sigurie për këtë samit, por se është marrë edhe një ‘masë e veçantë për Ramën’, duke krijuar njësitin e quajtur “anti-dron”. Lajmi për “anti-dronin” është dhënë nga gazeta Kurir, e cila shkruan se policia serbe ka bërë prova gjenerale për të mos patur ndonjë incident tjetër në Beograd. Gjatë samitit dy ditor, një helikopter i policisë serbe do të qendrojë në gatishmëri për të monitoruar hapësiren ajrore, ndërsa masa janë marrë edhe nga njësia anti-terror për të siguruar mbarëvajtjen e samitit me rreth 10.000 polic.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama gjatë një fjalimi para ambasadorëve në Beograd ka folur sërish për bashkëpunimin me Serbinë, rrugën e përbashkët evropiane dhe të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

“Serbia në vitin 2015 do të bëhet shteti i parë i rajonit i cili do të udhëheq Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE). Shqipëria pa rezervë do të përkrahë Serbinë në këtë detyrë shumë të rëndësishme për rajonin”, tha Edi Rama. Ai ka shtuar se Shqipëria shpreson të shoh përparim tek fqinjët dhe ai progres do të vëzhgohet përmes rritjes së standardeve të lirisë dhe të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. “.

———————————————————-

Serbia do të jetë në gjendje që të hap kapitullin e parë për hyrje në Bashkimin Evropian, vetëm pas zbatimit në tërësi të Marrëveshjes së Brukselit. Komisioneri evropian për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatave të Zgjerimit, Johannes Hahn, pohoi se “Brukseli zyrtar në mënyrë të qartë këtë ia ka bërë të ditur autoriteteve të Serbisë gjatë një vizite të fundit në Beograd”, transmeton Telegrafi.  Përkundër faktit se Kosova në disa muajt e fundit nuk kishte qeveri, ky nuk është justifikim për vonesat në zbatim e marrëveshjes nga pala serbe. Këshilli i Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, sot do të duhet të miratojnë konkluzionet për ecurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Serbinë.

—————————————————-

Në një komunikatë, të cilën e ka publikur portali TetovaSot, të lëshuar nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare, thuhet se kjo ushtri merr përgjegjësinë për sulmet që ndodhën në orët e mbrëmjes së 9 dhjetorit mbi stacionet policore në Bit Pazar të Shkupit, Tetovë, Gostivar dhe Kumanovë. “Gjithandej trojeve shqiptare në Maqedoni jemi dëshmitarë të një trysnie policore. Një gjendje e pashpallur e jashtëzakonshme. Gjithë veprimet e aparitçikëve të pushtetit përcillen nën forca të mëdha policore. Veç dhunë e terror njohin trojet tona dhe populli ynë. Dhe për të shkuar mjerimi deri në fund shqiptarët tanë në Qeverisje e politikbërje rrinë si për ti dhënë bekimin kësaj shtypje. Një gjendjeje të tillë kaq të pashpresë duhet ti qasen të gjithë sa më shpejtë. I bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar të ndërhyjë para se Maqedonia të rrëshqasë në një luftë të re. Faktori politik shqiptarë e veçanërisht ata në Qeverisje të shohin me realizëm gjendjen e mjerë të popullit shqiptarë në Maqedoni”, thuhet më tej në komunikatën e UÇK-së, njofton TetovaSot./RTP/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress