Home » Lajme » RTP lajmet 16 janar 2012

RTP lajmet 16 janar 2012

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq do të orvatet me çdo kusht që në 40 ditët e ardhshme të sigurojë statusin e kandidatit për BE, sepse menjëherë pasi të dihet fati i kësaj, pritet që në Serbi të shpallen zgjedhjet parlamentare. Për këtë janë të vetëdijshëm në Bruksel, ku sërish kanë nisur përpjekjet që “shtetet hezituese” të BE-së të binden që Serbisë t’i jepet statusi i kandidatit. Mbështetësit e Serbisë në Bruksel mendojnë se për këtë do të mjaftojë që Serbia të pranojë formulën për pjesëmarrjen e Kosovës në nismat rajonale, formulë të cilën Kosova tashmë e ka pranuar në parim dhe e cila heq nga përdorimi Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por nuk përmend askund emërtimin kushtetues të Kosovës “Republika e Kosovës”, ndërsa e bën të qartë se Kosova do të shkruhet në dokumente me një fusnotë që do ta dallojë Kosovën nga vendet e tjera dhe nuk do ta paragjykojë qëndrimin e shteteve përkatëse rreth statusit të vendit tonë. Sipas disa diplomatëve, Serbia mund të shpallë zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare edhe në territorin e Kosovës, sidomos në veri, ku nuk ka ushtrim të pushtetit nga ana e autoriteteve të Kosovës. “Po të shpallte Tadiqi tash zgjedhjet dhe të bëjë të qartë se Serbia do t’i zhvillojë ato edhe në territorin e Kosovës, atëherë ai mund të përshëndetet me statusin e kandidatit. Një akt i tillë nga Gjermania do të kuptohej si një shuplakë fytyrës”, thotë një diplomat evropian, duke parashikuar se pas marrjes së statusit të kandidatit, Serbia do të mund të shpallë zgjedhjet. “Ne e kuptojmë Tadiqin nëse ai thotë se për zgjedhjet e Serbisë do të votohet edhe në territorin e Kosovës. Në të kundërtën ai do të ishte nën presion të opozitës”, thotë një zyrtar tjetër evropian. I pyetur nga Koha Ditore se si do të veprojë BE-ja në rast se Serbia përsëri zhvillon zgjedhje në territorin e Kosovës, një diplomat evropian tha se “BE-ja nuk mund as t’i pengojë e as ndihmojë zgjedhjet e tilla dhe se pret edhe nga Prishtina që të mos bëjë deklarata nxitëse në atë rast.
———————–
Sekretari i përgjithshëm i Shtetit Serbë për Kosovë Oliver Ivanoviq ka thënë se qeveria serbe është duke përgatitur një dekret për njohjen e Diplomave të Republikës së Kosovës, bazuar në marrëveshjen e arritur në dialogun në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Ivanoviq tha se për momentin zgjidhja për çështjen e diplomave është në interes të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
————————
Në Komunën e Bujanocit, kanë qëndruar dje përfaqësuesit e Kuvendit Rinor të Shqipërisë. Ata fillimisht janë pritur nga kryetari i KK të Bujanocit Jonuz Musliu, ndërsa më pas kanë vazhduar për në sallën Shtëpinë së Kulturës në Bujanoc, ku ishte përgatitur një program kulturo artistik nga nxënësit e shkollës së mesme “Sezai Surroi” dhe nga Shoqëria Kulturo Artistike “Zëri i Luginës”. Fillimisht mysafirët nga Shqipëria i përshëndeti kryetari i asamblesë së komunës së Bujanocit Jonuz Musliu. Kryetari i Kuvendit Rinor të Shqipërisë Driton Boka tha se për të ardhur deri në Kosovën Lindore, në një vend i cili i takon Shipërisë së bashkuar, u desh të kalohen tri pika kufitare, kurse në të ardhmen ai do të kërkoj një luftë nga gjithë shqiptaret për ti bashkuar trojet shqiptare. Kryetari i Patriotëve Civil Taulant Capa, bëri të ditur se është formuar Këshilli mbarë shqiptarë më 11 Janar, kurse mbledhja e parë konstituive është mbajtur në Tiranë, ku në këtë këshilla janë pranuar edhe dy parti politike që tash do ti përfaqësoj shqiptarët e Luginës së Preshevës PDSH dhe LPD. Në shenjë respekti për mysafirët nga Shqipëria, që vizituan komunën e Bujanocit, SHKA “Zëri i Luginës” kishte përgatitur edhe një program kulturo – artistik, me këngë dhe valle shqipe.
———————-
Shefja e ekipit negociator të Kosovës, Edita Tahiri thotë se dialogu me Serbinë nuk është bllokuar dhe se pret që të caktohet data për mbajtjen e bisedimeve të reja. Tahiri i tha Kosovapressit se lidhur me pengesat që po i bën Serbia në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani në tetë raunde të dialogut do t’i raportohet edhe zëvendësndihmës sekretarit amerikan, të Shtetit, Filip Riker i cili pritet ta vizitojë Kosovën.
——————–
Për të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme ka përfunduar pushimi dimërorë dhe sot ka filluar gjysmëvjetori i dytë. Me kalendarin shkollor për mësim, gjysmëvjetori i dytë do të zgjasë deri me 18 maj për maturatët e gjimanzit ndërsa me 25 maj për semimaturantët. Për nxënësit e klasës së parë deri të shtatën mësimi përfundon me 8 qershor ndësa për gjimanzistët tjerë me 15 qershor.
——————-
Nga sot cigaret do të shtrenjtohen për 10 dinarë. Çmimi i ri i “Marlboro” do të jetë 170 dinarë, në vend të 160 dinarë, cigaret “Bond” nga 95 do të kushtojnë 105 dinarë. “Best blue” do të kushtojë 110 dinarë, Classic S 110 dinarë, Philip Morris silver dhe red 140 dinarë dhe kështu me radhë. Në fletën zyrtare, kompania e cigareve “Philip Morris” kishte publikuar ndryshimin e çmimeve që hyjnë në fuqi me 16 janar 2012.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch