Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 16 Janar 2013

RTP lajmet 16 Janar 2013

Ministria i Jashtme i Shqipërisë, Edmond Panariti, ka thënë se Serbia duhet të heqë dorë nga vënia e ultimatumeve. Ministri Panariti u ka bërë thirrje që të dyja palë të zhvillojnë dialog për zgjedhjen e problemeve. “Duhet të zhvillojnë një dialog ku të përfshihet edhe një paketë e cila përmban edhe problemet që ka mes shqiptarëve edhe serbëve të Luginës së Preshevës”. “Kjo paketë duhet të përfshijë edhe diskriminimin që iu është bërë shqiptarëve në aspektin historik, ekonomik dhe politik. Ultimatumet nuk i shërbejnë zgjidhjes së problemeve dhe unë i bëj apel autoriteteve serbe që të heqin dorë nga ultimatumet”, theksoi ministri Panariti.
————————-
Dy deputetë të Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi i Vetëvendosjes dhe Nait Hasani i PDK-së, nuk përjashtojnë mundësinë e shpërthimit të një konflikti në Luginë të Preshevës në qoftë se autoritetet serbe ndërmarrin hapa për heqjen e lapidarit të UÇPMB-së. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se situata në Luginën e Preshevës mund të eskalojë në rast se preket lapidari i UÇPMB-së në Preshevë. Ai ka shtuar se ata që e përjashtojnë luftën si mundësi për t’i mbrojtur shqiptarët, gabohen. “Sulmi i Serbisë ndaj lapidarit është edhe sulm ndaj shqiptarëve. Nuk po them e as nuk po thërras për mobilizim, por po e tërheq vëmendjen se situata mund të eskaloj. Po them se lufta mund të ndodh”, ka thënë Selimi në Rubikon të KTV-së. Edhe deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka qenë në të njëjtën vijë me Selimin sa i përket lapidarit të UÇPMB-së. Ai ka thënë se shqiptarët e Kosovës janë të gatshëm t’i mbrojnë shqiptarët në Luginën e Preshevës. “Jemi të gatshëm t’i mbrojmë të drejtat e tyre edhe me luftë. Do të shkojmë t’i mbrojmë shqiptarët nëse preket lapidari”, ka thënë Hasani.

————————-

Duke komentuar situatën e tensionuar në Luginën e Preshevës si rrjedhojë e paralajmërimeve të Beogradit për heqjen e lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë, zyrtari i PDK-së Kadri Veseli është shprehur se shqiptarët nuk duhet të bien pre e këtyre artificializmave të cilat krijojnë probleme artificiale në raportet tona me Republikën e Serbisë.“Është çështja e pretendimeve dhe involvime jashtëzakonisht të rrezikshme të segmenteve zyrtare të Serbisë në territorin e Kosovës dhe njëkohësisht është një situatë kur shqiptaërët tanë të cilët jetojnë në trojet e tyre autoktone duhet të gëzojnë të drejtat e tyre në mënyrë maksimale”, ka thënë ai. Po ashtu ai u bëri thirrje institucioneve legjitime atje që të ndërmarrin iniciativa ligjore, “të bëjnë një propozim apo një pako propozimesh legjislative të cilat do të përmirësonin pozitën e shqiptarëve atje”. Sipas Veselit, Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë dhe opsioni më adekuat është dialogu për zgjidhjen e problemeve. Ndërkaq zyrtari i lartë i LDK-së Lutfi Haziri ka deklaruar se zgjidhja më e mirë do të ishte ndryshimi i kufijve, për të shmangur abuzimin brutal të drejtave të njeriut në Luginë.

————————-

Lëvizja Vetëvendosje në një konferencë për media theksoi të mërkurën se është duke u injoruar fakti që kryeministri Thaçi do të shkojë më 17 janar në Bruksel për të negociuar veriun dhe atë, pa qenë as temë e as kusht të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Liburn Aliu, nga Vetëvendosja theksoi se prej vitesh Prishtina i heshti ata në emër të veriut të Kosovës, prej vitesh Prishtina i la ata të shpresonin se nëse do të hapej çështja e veriut do të ishte momenti për ta. “Ndonëse në tryeza bisedimesh, nuk ishin fare të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ata liheshin përherë të shpresonin sepse negociatave u duhej qetësia. Edhe kjo Prishtinën e bën kriminale. Negociatat përgjatë viteve i ndryshuan rrethanat në Kosovë në raport me qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. U krijuan komuna të reja mbi baza etnike të cilat tani bëhen kundërpeshë e shqiptarëve atje dhe kësisoj veriu u bë temë pa kushte. Dhe vazhdimi i këtij cikli në pafundësi çdo herë do të ndërtojë tema të reja pa kushte për serbët në Kosovë në ndërkohë që qytetarët shqiptarë atje mbesin të shtypur”, thuhet në kumtesë. Sipas Vetëvendosjes, gatishmëria për shkuarje në negociata për veriun pa vënë kushte dhe sidomos pa e kushtëzuar me reciprocitet me shqiptarët ne Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë është njëkohësisht koncesion ndaj Serbisë në veri dhe rrënim i të drejtave të shqiptarëve në Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

———————————–

Serbia nuk duhet ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës, por duhet të zgjidhë çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, thotë eurodeputeti gjerman i Partisë Kristiansociale, Bernd Posselt. Eurodeputeti Posselt këto komente i ka bërë në një bisedë për Deutsche Welle. Lidhur me rezolutën e Parlamentit të Serbisë në të cilën thuhet se ky vend nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, Poselt tha se kjo rezolutë “paraqet një pengesë shumë serioze” por shtoi se bisedimet për zgjidhjen e çështjeve praktike të vazhdojnë. Eurodeputeti gjerman mendon se normalizimi është i mundur, duke marrë si shembull dy Gjermanitë. “Marrëveshja për kontrollin e përbashkët të kufirit, për shembull, është një hap konkret në drejtimin e duhur. Ne i mbështesim këto hapa. Të gjitha ato që po bën Serbia, një ditë mund t\’i kthehen si bumerang, sepse qëndrimet e Serbisë nuk janë aspak reale”, theksoi Possselt. Ai theksoi se pengesa më e madhe është fakti që Serbia gjithnjë po përpiqet që të rihapë çështjen e statusit të Kosovës dhe çështjet e tjera elementare, të cilat s\’kanë të bëjnë fare me këtë dialog. “Mendoj se Serbia po e dëmton vetveten tmerrësisht. Unë u kam thënë edhe politikanëve dhe mediave serbe, se ata po ndjekin një rrugë plot iluzione, sepse të gjithë e dinë: Kosova nuk do të jetë kurrë më serbe. Këtë e dinë në fakt edhe vetë serbët, të cilët me qëndrimet si ato në rezolutë po bllokojnë vetveten. Ata duhet të përqendrohen në rrugën drejt Bashkimit Evropian, ndërsa Kosovën duhet t\’ua lënë kosovarëve”, tha ai. Duke komentuar kërkesën e Serbisë që veriu të ketë një autonomi të veçantë, Posselt këto kërkesa i konsideron si plotësisht absurde, duke vlerësuar se “zgjidhja e statusit të pakicave në kushtetutën e Kosovës është zgjidhja më e mirë që ekziston në Evropë.
—————

Serbia do të kërkojë në raportin e radhës së UNMIK-ut për situatën në Kosovë, për të cilën do të diskutohet në Këshillin e Sigurimit të KB në shkurt, që shprehimisht të theksohen të gjitha rastet e ndalimit të zyrtarëve serbë të udhëtojnë në Kosovë, si dhe rrahjen e 9 serbëve të arrestuar gjatë Krishtlindjeve ortodokse. Siç shkruan gazeta “V.Novosti” për këtë tashmë janë informuar edhe shumë organizata joqeveritare në botë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, transmeton QIK. Siç theksohet, Beogradi me një ofensivë diplomatike nëpër institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare do të përpiqet t’ia “lidhë duart” Prishtinës dhe të pengojë që autoritetet e Kosovës në të ardhmen të mos bllokojnë vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë, shkruan gazeta. Po ashtu Serbia pret që Këshilli i Sigurimit të ushtrojë presion edhe mbi EULEX-in për t’u siguruar lëvizje të lirë të gjithë qytetarëve në Kosovë. Zyrtarët serbë akuzojnë EULEX-in se ashiqare nuk duan të përdorin kompetencat e tyre.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch