Home » Lajme » RTP lajmet 16 maj 2012

RTP lajmet 16 maj 2012

Komisioni për Plane i Komunës së Preshevës, ka mbajtur mbledhjen e vet të rregulltë, me dy pika të rendit të ditës. Pika e parë kishte të bënte me planin detal rregullativ të kompleksit të bazenit në fshatin Leran. Për ndërtimin e kompleksit të bazenit në Leran, është i interesuar një ndërmarrës privat. Në mbledhje ishte edhe shtëpia projektuese që e ka bërë projektin gjeneral se si do të duket kompleksi i bazenit, të cilët e paraqitën para anëtarëve të komisionit. Kryeshefi i Urbanizmit Shaban Jashari, thotë se komuna është e gatshme të ndihmojë në procedurat e nevojshme. E pika e dytë ishte mjaftë e rëndësishme për qytetin e Preshevës, pasi në rend dite ishte plani gjeneral rregullativ 2020. Kryeshefi i Urbanizmit thotë se me hyrjen në fuqi të ligjit të ri të ndërtimit është dashur të aprovohet edhe plani i ri. Sa i përket të dy pikave të rendit të ditës që janë në fazën e parë, ato u diskutuan, ku pati edhe propozime ndërkaq në fund unanimishtë u aprovuan nga anëtarët e komisionit për plane.
——————
Kryetari i PVD Riza Halimi në konferencën e sotme për media është shprehur i pakënaqur me rezultatet e zgjedhjeve të 6 majit, duke potencuar se zgjedhjet u zhvilluan në kushte të jashtëzakonshme, në kushte të dhunës shtetërore të ushtruar ndaj shqiptarëve më 4 maj. Halimi si arsye tjetër për humbjen e zgjedhjeve ka theksuar edhe diskriminim e emrave dhe mbiemrave, pastaj përpilimin e ekstrakteve të listës zgjedhore, gabimet e administratës komunale si dhe gabimet në listat unike të zgjedhësve. Sa i përket humbjes në zgjedhjeve lokale në Preshevë kreu u i PVD- ës Riza Halimi fajin i ka hedhë shtabit zgjedhor dhe strukturave të këshillave votues duke konsideruar se anëtarët e këshillave votues nuk kanë qenë të përgatitur si duhet. Halimi këto komente i ka bërë në konferencën e sotme për media ku ka theksuar se rezultati i dobët i PVD –ës në këto zgjedhje kërkon analizë të mirëfilltë të punës dhe të shtabit zgjedhorë si dhe të kryesisë së përgjithshme. Ndërkaq sa i përket Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës deputeti Riza Halimi ka thënë se më 6 maj janë siguruar 14,655 vota bashkë me 1400 vota të siguruara nga shqiptarët që jetojnë në Beograd , Vojvodinë dhe qendra të tjera në Serbi, por zyrtarisht janë pranuar vetëm 13,384 vota. Ndërsa sa i përket kompensimit të nënshkrimeve Halimi e ka quajtur dezinformat dhe propagandë false të PDSH –ës dhe PD-ës se ato janë siguruar kinse me përkrahjen e koalicionit të URS apo edhe një organizatë militare serbe. Është paradoksale dhe e pakuptueshme për Halimin se si PDSH nga 12 këshilltarë arrit të sigurojë 17 –të , që sipas tij pushteti ka pas 2-3 herë më pak investime se në Bujanoc, por nuk është normale për Halimin edhe humbja e PVD –ës në Bujanoc ku vota më pak ka marrë në ato vendbanime ku janë bërë më shumë investime.
——————
Ish- drejtoresha e Post-Telekomit të Kosovës, Leme Xhema, e dënuar me tri vjet burg, dyshohet se fshihet në Medvegjë. Burime të gazetës “Express” thonë se ajo po qëndron e qetë në shtëpinë e saj, pavarësisht se Interpoli i është vënë prapa. Xhema dyshohet se ka kohë që është duke e shfrytëzuar shtëpinë e saj në këtë qytet si vend strehim për t’i ikur fletarrestimit ndërkombëtar të lëshuar muaj më parë nga Interpoli. Burime të gazetës nga policia tregojnë se kanë marrë të dhëna sipas të cilave, Xhema, në pamundësi për t’u arratisur në vende më të largëta, ka vendosur të qëndrojë në Medvegjë “Prej se i është lëshuar fletarrestim ndërkombëtar, dyshohet se ajo vazhdon të qëndrojë në shtëpinë e saj në Medvegjë, sepse më larg nuk mund të shkojë”, ka thënë një burim i gazetës, në kushte anonimiteti. Përderisa ky zyrtar tregon se dyshimet kryesore janë se Leme Xhema gjendet në Medvegjë, organet e rendit në Prishtinë, të cilat atë e kërkojnë nëpërmjet Interpolit, nuk duan të komentojnë shumë për këtë rast. Ata kanë thënë se tashmë dihet se Policia e Kosovës ka lëshuar urdhër arrestin për arrestimin e ish-drejtores së PTK-së, e dyshuar për disa vepra penale që kanë të bëjnë kryesisht me keqpërdorim të pozitës zyrtare
———————
Parlamenti i nxënësve të shkollës së mesme teknike Presheva në Preshevë ka mbajtur sot mbledhje me nxënësit e kësaj shkolle. Në mbledhjen e sotme u njoftuan nxënësit se parlamenti i kësaj shkolle ka organizuar aksion për maturantët të cilët kanë nevojë për ndihmë. Aksioni në fjalë ka për qëllim që të ndihmohen maturantet në nevojë për ekskursionin që do të organizohet nga drejtoria e kësaj shkolle. Blerta Limani kryetare e parlamentit të nxënësve pranë SH. M. Teknike Presheva në Preshevë thotë se programi i nesërm do të mbahet në Shtëpinë e Kulturës Abdulla Krashnica në Preshevë ku do të ketë gara në kuiz, lojëra etj. Edhe nënkryetari i parlamentit të nxënësve e përkrahë këtë aksion, njëherit apelon profesorët dhe gjithë qytetarët e komunës sonë që të marrin pjesë në programin e nesërm në Shtëpinë e Kulturës Abdulla Krashnica. Sipas përfaqësuesve të parlamentit të të rinjve paratë e grumbulluara do ti dedikohen vetëm maturantëve në udhëtimin e tyre në ekskursion.
——————-
Marrëveshja për pranimin e diplomave, është arritur më 21-22 Nëntor 2011, në kuadër të dialogut në mes të Prishtinës (Kosovës) dhe Beogradit (Serbisë), dialog ky i lehtësuar nga BE-ja. Ajo vërteton se Asociacioni i Universiteteve Evropiane, do t`i vërtetoj diplomat e lëshuara nga institucionet e akredituara të arsimit të lartë në Kosovë, që ato të pranohen në Serbi, në lidhje me arsimimin e mëtutjeshëm dhe/ose punësimin në sektorin publik. SPARK-u është duke punuar si partner në procesin e implementimit dhe ka hapur një zyrë në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në Prishtinë, prej ku ata do të mbikëqyrin verifikimin e parë të diplomave, do t`i përkrahin kandidatët dhe do t`a ndihmojnë procesin e verifikimit që do të kryhet nga Asociacioni i Universiteteve Evropiane. Të gjithë kandidatët e interesuar, që kanë marrë një diplomë nga një institucion i arsimit të lartë në Kosovë, duhet të paraqesin: Formularin e aplikimit të plotësuar në gjuhën Angleze, Shqipe ose Serbe (shih formularët më poshtë), Diplomën, Shtojcën e diplomës, Pasqyrën e notave/ certifikatën e notave. Ju lutemi vini re: Në mënyrë që personeli jonë të konfirmojë validitetin e dokumenteve tuaja, kur të aplikoni personalisht, ju duhet të sillni origjinalin si dhe kopjen legale/të vulosur e të vërtetuar (nga përkthyesit e autorizuar), të secilit prej tre dokumenteve të fundit. Diploma, shtojca e diplomës dhe certifikata e notave, duhet të merren në universitetet përkatëse ku kandidati ka studiuar. Aplikimet duhet të parashtrohen personalisht në zyrën e SPARK-ut, që ndodhet në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Zyra është e hapur gjatë ditëve të punës prej orës 08:00-12:00. Adresa: SPARK Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Kati i parë, Zyra 103, Agim Ramadani p.n., 10 000 Prishtinë, Kosovë. Për më shumë informata, ju lutemi të mos hezitoni të na kontaktoni nëpërmjet të postës elektronike diploma@spark-online.org dhe/ose nëpërmjet të telefonit +377 (0)44 810 082
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch