Home » Lajme » RTP lajmet 18 janar 2012

RTP lajmet 18 janar 2012

Familja Hafizi nga Presheva kanë demantuar thashethemet që po sillen këto ditë se në shtëpinë ku ata jetojnë dëgjohen herës pas here zëra apo më thjeshtë ekzistojnë fantazma. Këto fjalë që sillen në mas janë gënjeshtra ka deklaruar kështu për Radiotelevizionin Presheva, Nasuf Hafizi, vëllai i pronarit të shtëpisë. Kjo shtëpi gjendet në mes të rrugës Preshevë- Tërrnavë në afërsi të restorantit Versaçi. Nuk ka fantazma në shtëpinë ku jeton kryefamiljari Isuf Hafizi me bashkëshorten dhe fëmijët të cilët po bëjnë jetë normale në shtëpinë e tyre të re. Nuk dëgjohet asgjë dhe nuk kanë kurrfarë problemi ka sqaruar Nasufi. Spekulimet e qytetarëve tanë të nduarndurshme nuk kanë sjell asgjë përveç shqetësimeve që u kanë shkaktuar familjes Hafizi. Ata përmes syrit të kamerës sonë kërkojnë që kjo temë të mbyllet si një përrallë e harruar për të gjithë duke mos shkaktuar paranoja apo diç të keqe për këtë familje.
——————
Qeveria është duke shqyrtuar mundësinë që mjeteve motorike të Serbisë që hyjnë dhe qarkullojnë në territorin e Kosovës t’u mbulohen targat. Me këtë mëton t’i përgjigjet me reciprocitet Serbisë, e cila në territorin e saj mbulon targat RKS. Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme, ka konfirmuar këtë të dhënë të martën, por nuk ka qenë në gjendje të saktësojë se kur do të mund të vendoset për këtë masë. “Këto janë çështje që jemi duke i shqyrtuar. Ende nuk kemi marrë vendim”, i ka thënë Rexhepi “Kohës Ditore”, nëpërmjet telefonit. “Konkluzionet e lejojnë një mundësi të tillë, por këtu duhet të merret vendim”. Në konkluzionet për lëvizjen e lirë, të dakorduara në Bruksel korrikun e vjetëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njihet e drejta e reciprocitetit. Bazuar në konkluzione, Serbia lejon që në territorin e saj të qarkullojnë automjete të hyra nga Kosova me targa KS. Këto janë targat që asociojnë Kosovën si një vend që nuk ka të definuar statusin, e që janë rilëshuar në qarkullim pa u bërë një vit i plotë prej kur në të rejat u vendosën inicialet e Republikës së Kosovës. Të tilla u lëshohen serbëve, por edhe disa shqiptarëve.
——————–
Është mbajtur mbledhja e përbashkët në mes të Kryetarit të Komunës së Preshevës Ragmi Mustafame gjithë drejtorët e shkollave fillore të Komunës së Preshevës, dy shkollave të mesme dhe atë të çerdhes së fëmijëve, të cilët ishin të shoqëruar edhe nga kryetarët e Lidhjes së Sindikatave të Pavarura, të këtyre institucioneve në fjalë. Mbledhja është mbajtur në lidhje me dhuratat jubilare për punëtorët e arsimit. Kryetari i komunës së Preshevës thotë se ministria e Arsimit herë pas here ka marrë përgjegjësi që të paguaj këto dhurata por asnjëherë nuk e ka kryer obligimin. Dhe kështu në këtë mbledhje u vendos që të paguhen nga buxheti i komunës së Preshevës dhuratat jubilare për vitin 2099 dhe 2010. Dhuratat jubilare për vitin 2099 do të paguhen në muajt Janar, Shkurt dhe Mars, kurse për vitin 2010 në muajt Prill dhe Maj. Dhurata jubilare përfitojnë të gjithë ata punëtorë që në vitin përkatës kanë mbushur 10,20 ose 30 vite përvojë pune.
——————-
Çështja e përfaqësimit rajonal të Kosovës duhet të zgjidhet sa më shpejtë, mirëpo zgjidhja mund të gjendet vetëm mbi baza të Rezolutës 1244 të KS të KB, e ka ripërsëritur të martën mbrëma në Kralevë shefi i delegacionit të Beogradit në dialog me Prishtinën, Borko Stefanoviq. Në një tribunë ku kanë marrë pjesë shumë serb të zhvendosur të Kosovës ai ka cekur se Prishtina veç është e përfaqësuar në 90 për qind të organizatave rajonale dhe është qenësore që në tabelë e cila vihet përpara delegacionit të shkruhet ”Rezoluta 1244”, e jo që sipas tij, do ta prejudikonte pavarësinë e Kosovës. Stefanoviq ka paralajmëruar se deri në fund të janarit do të arrihet marrëveshja e shtëpive të sigurimit ashtu që qytetarët nuk do të paguajnë sigurimet e automjeteve me rastin e kalimit të “vijës administrative”. Zyrtari serb preku edhe paralajmërimin e referendumit për shkurt, të popullatës serbe në veri të Kosovës duke thënë si ai nuk është i nevojshëm, sepse konsiderohet se me atë nuk fitohet asgjë. Stefanoviq ka cekur se marrëveshjet e arritura me delegacionin e Prishtinës në asnjë mënyrë nuk e shkelin Kushtetutën e Serbisë e as e cenojnë tërësinë e saj. Sipas vlerësimit të tij dialogu me Prishtinën i ka mundësuar Serbisë të ndikojë në hapësirën ku nuk ka qasje nga viti 1999.
———————–
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, e ka hedhur poshtë idenë e presidentit të Serbisë, Boris Tadic që nëpërmjet një dialogu në mes të Prishtinës dhe Beogradit të diskutohet për manastiret ortodokse (administrimi i tyre), strukturat paralele, pronën e serbëve dhe veriun. Kuçi ka deklaruar për “Epokën e Re”, se me Serbinë mund të dialogohet vetëm për çështje teknike, të cilat janë në interes të dy shteteve. “Me Serbinë mund të diskutojmë vetëm për temat që janë në interes të dy shteteve të pavarura dhe sovrane”, ka thënë Kuçi. Në këtë kontekst zëvendëskryeministri ka ripërsëritur se Kosova nuk do të pranojë asnjë marrëveshje me Serbinë, e cila nuk është në përputhje të plotë me Pakon e Ahtisaarit dhe Kushtetutën. “Çdo zgjidhje do të jetë mbi bazë të Pakos së Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka thënë Kuçi, duke shprehur gatishmërinë e institucioneve të Kosovës në favor të kultivimit dhe avancimit të raporteve të mira ndërshtetërore me të gjitha shtetet rajonale, si rrugë e vetme për paqe, stabilitet dhe integrime euroatlantike. Ndryshe, presidenti i Serbisë, Boris Tadic, javën e kaluar ka thënë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë do të mund të zgjidhen nëse nëpërmjet një dialogu trajtohen katër çështje: një zgjidhje të veçantë për manastiret ortodokse serbe dhe administratën e tyre, garanci të veçantë për serbët në enklava, zgjidhjen e çështjes së pronave të qytetarëve serbë të Kosovës dhe një zgjidhje speciale për veriun e Kosovës.
—————–
Referendumi i paralajmëruar nga serbët e veriut duket se ka alarmuar zyrtarët e Qeverisë në Beograd, ndërsa burimet ndërkombëtare kanë thënë se Serbia tashmë është duke hartuar një plan veprimi që thuhet se do të vihet në jetë nëse referendumi i paralajmëruar për 14 dhe 15 shkurt mbahet edhe në komunat e veriut të Kosovës – Mitrovicë, Zveçan, Zubin-Potok dhe Leposaviq. Sipas burimeve të “Kohës Ditore”, Qeveria e Serbisë, me presidentin serb Boris Tadic në krye, është duke e hartuar planin e lartshënuar në bashkëpunim me faktorët ndërkombëtarë. Institucionet më të larta shtetërore serbe thuhet se janë në panik për shkak se mbajta e referendumit mund të shkaktojë edhe një shtyrje të vendimit pozitiv rreth statusit të Serbisë si kandidat për anëtarësim në BE, gjë që i është qartësuar Beogradit nga vende të BE-së të afërta me Serbinë.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch