Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 18 Janar 2013 – Arif Abazi: Largimi ose zhvendosja e Lapidarit nga sheshi i dëshmorëve paraqet vrasje të dyfishtë

RTP lajmet 18 Janar 2013 – Arif Abazi: Largimi ose zhvendosja e Lapidarit nga sheshi i dëshmorëve paraqet vrasje të dyfishtë

Arif Abazi, babai i dëshmorit Artan Abazi ditën e tij sot e filloi me homazhe pranë lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë. Largimin ose si propozohet nga pala serbe zhvendosjen e lapidarit nga sheshi i dëshmorëve Abazi e quan vrasje të dyfishtë. Në mbrojtje të lapidarit dhe familjarëve të dëshmorëve janë edhe qytetarët e Luginës. E nga ana tjetër përfaqësuesit institucional dhe politikë përsëri kanë mbajtur takimin e përbashkët, ku morën pjesë edhe udhëheqësit e OVL të UÇPMB-së. Politika nga qytetarët kërkon qetësi dhe mos të ketë shpërngulje pasi situata për momentin është nën kontroll dhe lapidari do të jetë në atë vend. Për nesër është paralajmëruar takim i përbashkët edhe me familjarët e dëshmorëve. Ndryshe për çdo hapë që janë duke ndërmarrë përfaqësuesit politikë dhe institucional të Luginës së Preshevës janë duke e njoftuar edhe faktorin ndërkombëtarë në Beograd.
—————–

Nisma e të rinjëve për të drejtat e njeriut. I nderuari kryetar i Qeverisë, zëvendskryeministri i parë i Qeverisë dhe kryetar i Parlamentit të Republikës së Serbisë. Po ju drejtohemi me shpresë që kjo letër do t’iu arrijë para se të vijë deri te largimi i lapidarit të luftarëve të rënë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB) dhe para se zënkat në relacionin Beograd-Preshevë të shkaktojnë pasoja të mëdha. Pas bisedës shumëjavore rreth lapidarit, Preshevës, afateve dhe ultimatumeve, e kemi pa të nevojshme të ju shetisim në një turne të vogël nëpër Preshevë. Gjatë mandatit të deritanishëm, vizita në Preshevë në njëfarë mënyre nuk ka qenë rrugë ku ju mund të kaloni pavarsisht nga fakti që keni vizituar baza ushtarake nëjug, të cilat janë afro 45 minuta me vozitje të ngadalshme larg Preshevës. Presheva as në të kaluarën nuk ka qenë “rrugë kalimi” për shumë politikanë dhe përfaqësues të institucioneve. Të paktë janë ata të cilët kanë vendosur të udhëtojnë vetëm 20 minuta më larg se Bujanoci, aty ku kanë mbaruar tëdrejtat e njeriut dhe tëpakicave, si dhe ku më së shpeshti, para Bashkësisë Ndërkombëtare dëshmohet angazhimi në zgjidhjen e problemeve tëshqiptarëve të Luginës së Preshevës. Aq sa Presheva nuk ka qenë “rrugë kalimi” për të vizituar dhe biseduar me qytetarët, përfaqësuesit e mediave dhe pushtetit lokal, shumë shpesh ka qenë “po ajo rrugë” për tëbërë tregime rreth sulmeve ndaj anëtarëve tëpolicisë, xhandarmërisë, aktivitetve të ndryshme terroriste, politikës antiserbe. Gjithashtu rrallë është harruar poashtu çdo herë kur është biseduar rreth temës së Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkëmbimin e territoreve të Serbisë dhe Kosovës ose Shqipërisë së Madhe. Do të ishte mirë që, në vend të problemeve të mëdha politike, të merreni me problemet e vogla, të përditshme por jetësore. Të merreni me njerëzit, para se të arrini te lapidari. Do të ishte mburrje që një ditë Presheva të ju gjindet në rrugë. Do të ishte mburrje dhe dhe në mënyrë shtetërore.

——————

Derisa autoritet serbe kanë vazhduar me “presion psikologjik” ndaj shqiptarëve të Luginës, partitë politike dhe organizatat e ndryshme kanë vazhduar të reagojnë karshi situatës në të cilën ndodhen qytetarët e Luginës së Preshevës. Qendra Rajonale e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në Mitrovicë, nëpërmjet një reagimi, ka kërkuar nga institucionet e shtetit shqiptar dhe ato të Kosovës, që t’i mbështesin shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët me vendosmëri mbrojnë lapidarin e ngritur në qendër të Preshevës, për dëshmorët e UÇPMB-së. “Qendra Rajonale e KMDLNJ-së në Mitrovicë i ka përcjellë me vëmendje zhvillimet në Preshevës, dhe është e shqetësuar për shkak të kërcënimeve të pushtetit serb ndaj shqiptarëve, të cilët janë duke i mbrojtur të drejtat e tyre elementare, të garantuara madje edhe me vetë Kushtetutën e Republikës së Serbisë. KMDLNJ i mbështet pa rezervë qëndrimet dhe vendosmërinë e shqiptarëve, liderëve dhe institucioneve të tyre për ta mbrojtur lapidarin”, thuhet në reagim. Në reagim theksohet, se përderisa shqiptarët u ngrenë lapidar dëshmorëve të tyre, që kanë rënë në luftë me forcat ushtarake-policore serbe dhe jo me qytetarët serbë, duke mbrojtur pragun e shtëpisë, të drejtat dhe liritë e tyre, që u ishin rrezikuar, serbët e Kosovës kanë ngritur lapidar për ata që kanë bërë krime monstruoze ndaj civilëve, e para së gjithash ndaj fqinjëve të tyre shqiptarë.
—————————
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve në Serbi ka ftuar të gjitha mediat në profesionalizëm dhe përmbajtje rreth raportimit për Lapidarin e UÇPMB-së në Preshevë. Kryetari I kësaj shoqateje Vukashin Obradoviq për mes një komunikate ka kritikuar disa nga mediat për mënyrën e raportimit. Ai për mes linjës telefonike I ka thënë Radioelevizionit Presheva ka potencuar sidomos raportimin e tabloidit Alo e cila ka shkruar për personin I cili ka gdhendur lapidarin. Për mënyrën e raportimit sot është diksutuar edhe në programin e paraditës Për Ju në Televizionin Preshevë ku të ftuar ishin gazetari I Klan Kosova Shkodran Gajraku dhe kryeredaktori I Radiotelevizionit Presheva Hasan Hasani. Në fund Kryetari I Shoqatës së Pavarur të Gazetarëve në Serbi Vukashin Obradoviq ka kërkuar që mediat në raportimet e tyre të tregojnë maturi dhe profesionalizëm duke rrespektuar rregullat dhe etikën e gazetarisë.

———————

Takimi i katërt mes kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic, i zhvilluar nën lehtësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, ka rezultuar me një marrëveshje të përkohshme për doganat. Kryeministri Hashim Thaçi pas takimit tha se palët janë pajtuar për dy çështje shumë të rëndësishme: që taksa doganore të fillojë të zbatohet menjëherë në veri të Kosovës në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës dhe që të fillojë menjëherë shpërbërja e strukturave paralele në veri.
“Natyrisht tash dogana do të paguhet sipas kritereve dhe standardeve që janë të përcaktuar me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe në kuadër të këtyre angazhimeve të përbashkëta Qeveria e Serbisë merr obligimet dhe përgjegjësitë për zhbërjen e strukturave paralele të sigurisë largimin e tyre nga Kosova”, theksoi ai. Marrëveshjen për fillimin e pagesës së taksave doganore në vendkalimet kufitare në veri, e ka konfirmuar edhe kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq. Pas takimit pesë orësh, Daçiq ka theksuar se taksat e mbledhura nga dogana në pikat kufitare në veri të Kosovës, do të depozitohen në një fond të veçantë për zhvillimin e komunave në veri. Fondi do të mbikëqyret nga BE, Institucionet e Kosovës dhe përfaqësuesit e serbëve të veriut, ndërsa xhirollogaria e fondit do të hapet në një bankë komerciale e cila do të përcaktohet nga Bashkimi Evropian. Në një komunikatë për media të lëshuar nga baronesha Ashton, thuhet se palët janë pajtuar për mbledhjen e taksave, duke u bazuar në marrëveshjen e dhjetorit për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, IBM-së. “Duke u nisur nga marrëveshja e arritur për IBM-në në takimin tonë të fundit më 4 dhjetor dhe zbatimin e tij në katër pikëkalimet, dy kryeministrat sot arritën mirëkuptim të përkohshëm për mbledhjen e taksave doganore, taksave tjera dhe TVSH-së”, u shpreh Ashton. Ajo ka paralajmëruar një dialog intensiv për në muajin shkurt. “U pajtuam për t’u takuar për një dialog intensiv në muajin shkurt gjatë të cilit shpresojmë për përparim të rëndësishëm mbi çështjet që i kemi identifikuar sipas konkluzioneve të dhjetorit të Këshillit të BE-së”, thuhet në deklaratën e shefes së diplomacisë evropiane, Ashton.

—————————

Kënga, “Marshi në Drina,” që u këndua nga një kor i Serbisë gjatë kremtimit të Vitit të ri Ortodoks në Kombet e Bashkuara në New York, ka nxitur reagime sidomos të boshnjakëve, duke e quajtur një këngë nacionaliste dhe shoviniste që asocon me dhe lartëson masakrat serbe në Bosnjë. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, përmes zëdhënësit Martin Nesirky ka shprehur keqardhje duke thënë se kënga “Marshi në Drina” nuk ishte në listën e programit zyrtar, por ajo u këndua nga kori serb në fund të programit. “Ne sinqerisht ndjejmë keqardhje që njerëzit janë ofenduar nga kjo këngë”, tha zëdhënësi. Ai shtoi se Sekretari ‘nuk e ka ditur se për çfarë kënge bëhej fjalë dhe si ishte përdorur ajo në të kaluarën’. Gjatë koncertit në sallën e Asamblesë merrte pjesë edhe Sekretari I Përgjithshëm, i cili shihej të aplaudonte përkrah kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme, Vuk Jeremic. Kremtimi i vitit të ri u organizua nga Asambleja e Përgjithshme dhe Jeremic, ish ministër i Jashtëm serb kishte ftuar që të performonte korin ‘Viva Vox’ nga Serbia i cili në mes tjerash këndoi edhe këngën famëkeqe. Organizata e Kombeve të Bashkuara është vërshuar me letra dhe protesta qoftë nga grupe dhe organizma boshnjake në Amerikën veriore, qofte nga vetë Bosnja. Ata thonë se kjo këngë këndohej nga militarët serbë para dhunimeve, spastrimeve etnike dhe si dhe gjatë masakrës në Srebrenicë, ku u vranë 8000 njerëz, kryesisht burra dhe djem të rinj myslimanë të Bosnjës.
————————

Para një viti familja Murtezi mbeti pa kulm mbi kokë.Si pasojë e një zjarri gjtihcka ishte bërë shkrumb e hi,por për fat të mirë arritën të mbijetojnë.Megjithate për familjen Murtezi nuk ndryshoi asgjë për të mirë.Ata u strehuan në stacionin hekurudhor,me shpresë se do largohen shumë shpejt nga ky vend dhe do të kenë një shtëpi të re.
E dëshira e vetme e kryefamiljarit është që tu ndërtohet një shtëpi e vogël,që të paktën të kenë kushte të mira për vajzën e tij të vetme.
Në vit më pare në rrugën Salvador Alende, afër stacionit policor janë djegur barakat, në të cilat kanë banuar 3 familje. Përveç dëmeve të shumta materiale fatmirësishtë nga zjarri i kapluar nuk ka pasuar asnjë person.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch