Home » Lajme » RTP lajmet 18 prill 2012

RTP lajmet 18 prill 2012

Agjencioni amerikan për zhvillim ndërkombëtar USAID-i në partneritet me SH. M. Teknike Presheva në Preshevë do të fillojë programin për zhvillimin profesional dhe praktikën e nxënësve për të ndikuar në zbutjen e papunësisë së të rinjve. Projekti i USAID-it është përkrahur edhe nga qeveria Republikane dhe lokale si dhe nga ndërmarrjet e vogla më të suksesshme të cilat punësojnë në regjion dhe janë të kyçura në programin e USAID-it për punësim të shpejtë ne jug të Serbisë. Në kuadër të këtij projekti sot u nënshkrua marrëveshja e memorandumit mes kryetarit të komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa përfaqësuesit të USAID-it, Majkëll Pilzberi dhe drejtorit të SH.M.Teknike Presheva në Preshevë, Talat Arifi dhe pesë ndërmarrjeve private të kyçura në këtë projekt. Sipas Kryetarit të komunës, Ragmi Mustafa projekti në fjalë do të kushtojë 25 mijë euro, financim ky në shkollën e mesme teknike në Preshevë në mënyrë që të pajiset punëtoria e drejtimit të profilit të salduesve si shkollë profesionale. Gjithashtu zoti Mustafa thekson se deri në fillimin e vitit të ri shkollor do të kryhet furnizimi me këto pajisje.

Ndërkaq Majkëll Pilzber, përfaqësues i USAID-it thotë se qëllimi kryesor i këtij projekti është rreth papunësisë së të rinjve dhe kualifikimi i tyre të cilët do të dalin nga kjo shkollë të kenë mundësinë të jenë konkurrent në punë. Ndërsa drejtori i shkollës së mesme teknike Presheva në Preshevë Telat Arifi vlerësoi lartë këtë projekt duke thënë se nxënësit e këtij profili në të ardhmen do të kenë mundësi më të mira në praktikë dhe në punë. Ky projekt do të jetë shtytës kryesor i nxënësve të Sh.M. Teknike të cilët pas mbarimit të shkollës profesionin e tyre do ta ushtrojnë nëpër ndërmarrjet tona në Preshevë.

—————–

Me qëllim të ngritjes së bashkëpunimit ekonomik, zv.kryeministrja Mimoza Kusari-Lila priti sot kryetarin e Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafën me të cilin diskutoi për promovimin e prodhuesve të Preshevës në tregun kosovar. Duke i dhënë përkrahje të fuqishme ekonomike dhe politike, zv.kryeministrja Kusari-Lila tha se duhet të sigurohemi që prodhuesit e Preshevës të mos hyjnë në kategorinë e produkteve të Serbisë. “Dua që prodhuesit e Preshevës të mos ndjehen të izoluar apo të anashkaluar nga ne. Ne duhet të gjejnë një formë, që produktet e Preshevës të identifikohen dhe të punojmë më tepër në sensibilizimin e qytetarëve të Kosovës për konsumin e këtyre produkteve. Për këtë duhet të angazhohen edhe shoqatat e biznesit”. Në anën tjetër kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa tha se tregu i vetëm i Preshevës mbetet Kosova. “Duke pasur parasysh që 97 për qind e banorëve janë shqiptarë dhe se ne shpresën e vetme e kemi që të kemi qasje dhe qarkullim më të lehtë në Kosovë”, – theksoi kryetari Mustafa. Çështje mjaft shqetësuese mbeten policat e sigurimit, ku qytetarët e Luginës së Preshevës duhet të paguajnë 60 euro për sigurim të veturave për periudhën dy javore. Ngarkesë tjetër për bizneset Lugina mbetet TVSH-ja e cila paguhet 2 herë, një herë në kufi dhe një herë gjatë kohës kur produkti i tyre shitet. Ministrja e MTI-së, Kusari – Lila ka premtuar që për këto çështje do të diskutoj me ministrin e Financave dhe në mbledhjen e ardhshme të qeverisë , që t’iu mundësohet qasje më e lehtë e qarkullimit të mallrave dhe njerëzve në Kosovë. Kohëve të fundit takimet me zyrtarë të lartë të qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe të ministrive të qeverisë janë shpeshtuar në masë të madhe, ku qëllimet e takimeve janbë kryesishtë në lehtësimin e qarkullimit të lirë të mallrave nga Lugina e Preshevës për në Kosovë, por edhe të njërëzve.

———————–

Gjashtë pjesëtarët e MUP-it serb, Jovan Arsic, Nebojsha Rasic, Sinisha Mihajlovic, një i katërt me nofkën “Piko” dhe dy të tjerë (emrat e pakonfirmuar) janë larguar nga banesat e tyre te “Tre rrokaqiejt” në veri të Mitrovicës. Burime të gazetës “Koha Ditore”, kanë bërë të ditur se urdhrin për t`u zhvendosur pjesëtarët e MUP-it e kanë marrë pas shpërthimit që ka ndodhur tek “Tre Rrokaqiejt” e ku ka mbetur i vrarë Selver Haradinaj. Lëvizja e një njësiti të ROSU-s që i ka shkuar në përforcim ROSU-s në Mitrovicë, në natën e 12 prillit, katër ditë pas shpërthimit, ka shqetësuar jo vetëm prezencën ndërkombëtare në Kosovë, por edhe strukturat e Serbisë në veri të lumit Ibër. Sipas burimeve të gazetës, informatat e tilla, kanë bërë që pjesëtarët e MUP-it të largohen të paktën nga “Tre Rrokaqiejt”. Por largimi i pjesëtarëve të MUP-it nuk i ka lënë shumë që të gëzohen qytetarët shqiptarë në veri të Ibrit. Grupi çetnik që mban emrin “Obraz” (Fytyra), ka paralajmëruar se do të niset për në veri të Kosovës. Njoftimin ua kanë dërguar me letër para dyerve të shtëpive, qytetarëve shqiptarë të asaj pjese.“Koha Ditore” ka raportuar ditë më parë se Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë janë marrë vesh para disa muajsh që të mos lejojnë përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës gjatë zgjedhjeve të Serbisë. Sipas marrëveshjes që është konfirmuar nga zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës, qëllimi i strukturave ilegale në veri, që janë degë të partive radikale, është që të provokojnë konflikt ndëretnik, ngase do të avanconte pozitën e tyre si në zgjedhjet e Serbisë, ashtu edhe në dialogun për veriun që pritet të nisë pas zgjedhjeve në shtetin fqinjë. Sipas marrëveshjes, Qeveria e Kosovën nuk do të dërgojë ROSU-n në veri, derisa Serbia do të ndalë ardhjen e grupeve çetnike në veri. Përndryshe, burime ndërkombëtare kanë shpjeguar për “Kohën Ditore” se gjatë kësaj kohe, paralajmërime për t`u nisur drejt Kosovës kanë bërë edhe grupe të tjera famëkëqija. Sipas burimeve të gazetës, përveç organizatave ultranacionaliste dhe të shpallura si ilegale edhe nga shteti serb “Obraz” (fytyra), “Srpski Cetnicki Pokret” (Lëvizja Çetnike Serbe), janë edhe disa grupe të tjera ekstremistësh, siç janë “Delije” (Trimat) dhe ‘Grobari’ (Varrmihësit) që mund të pritet që të rrisin aktivitetin e tyre në veri gjatë kësaj kohe. Sipas të njëjtave burime, pjesë e dy organizatave çetnike, janë edhe familjarë të përfaqësuesve të veriut të Kosovës, që janë liderë të institucioneve ilegale të Serbisë.

————————
Zgjedhjet lokale të Serbisë do të mbahen patjetër në komunat e Zubin Potokut, Zveçanit dhe Shtërpcës, thotë Marko Jaksic, nënkryetar i të ashtuquajturës kuvend i bashkësive të Kosovës. “Besojmë se kjo qeveri tradhtare, e cila merret me shitjen e territorit të vet, do të zbres nga froni. Qeveria kombëtare… jo vetëm që do t’i njoh zgjedhjet, por edhe në komunat tjera do t’i formojë qeveritë lokale”, thotë ai për Alo. “Është idiotike dhe qesharake që për heqjen dorë nga zgjedhjet lokale, foli së pari ministri për Kosovën, Goran Bogdanovic, ndërsa më herët kryetarja e Kuvendit i shpalli në tërë territorin. Referimi te Rezoluta 1244 është i paqëndrueshëm, për shkak se ky dokument ka ekzistuar edhe në vitin 2008, kur ne kemi pasur zgjedhje lokale në Kosovë”. Krstimir Pantic, i ashtuquajtur kryetar i Mitrovicës, ka thënë se moszbatimi i zgjedhjeve lokale do të thotë “eksod i qetë i serbëve, fillimisht të atyre në jug të ibrit, e pastaj në veri ku ata janë shumicë”.
————————

Prokurori serb për krime lufte, Vladimir Vukcevic, tha se do të shqyrtohen të gjitha urdhër-arrestet e luftës sepse “po krijohet përshtypja se ato janë procese politike”. “Reliktet e luftërave të viteve nëntëdhjetë janë procese në mungesë kundër personave të panjohur, të motivuar nga rrethanat politike në atë kohë. Unë mendoj se janë shumë njerëz në këto urdhër-arreste, dhe se kur vjen koha e pajtimit, ne duhet së bashku të rishqyrtojmë të gjitha këto lista nga lufta. Ato diskreditojnë vendin tonë dhe krijojnë përshtypjen se këtu po zhvillohen proceset politike”, tha Vukcevic për Danas. I pyetur se çfarë po ndodhë me hetimet kundër Hashim Thaçit dhe Agim Çekut, “për krime lufte kundër serbëve gjatë konfliktit me UÇK-në më 1998 dhe 1999”, Vukcevic tha se “hetimet kanë një ndërprerje, dhe se lëndët në atë kohë ishin të përgatitura keq”. “Ka pas shkelje të rënda të procedurave, sidomos për Çekun… Kjo nuk do të thotë se ata nuk janë përgjegjës për shumë krime, por se hetimet nuk është dashur të bëhen para kamerave, pa avokatë e gjëra të ngjashme” I pyetur nëse ai pret të zbulohen autorët dhe urdhëruesit e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, Vukcevic thotë se “bashkë me kolegët amerikanë po bëjmë gjithçka që është e mundur për të ardhur deri te zgjidhja e këtij rasti”. “Në asnjë moment nuk jemi ndalë. Në fjalën përfundimtare të Prokurorisë, të cilin keni pas rast ta dëgjoni javën e kaluar në rigjykimin e kësaj lënde, thuhet qartë se kush ka urdhëruar këtë krim: Vlastimir Dordevic, i cili nga Tribunali i Hagës pret vendimin e shkallës së dytë, dhe të gjithë personat në zinxhirin komandues janë përmendur në padinë tonë. Problemi është, e këtë e kemi cekur, se ish policët dhe pjesëmarrësit tjerë të këtij krimi po e mbulojnë njëri-tjetrin.

——————-

Zëvendësprokurori serb për krime lufte, Bruno Vekaric, ka thënë se “qytetarët e Kosovës, të dyshuar për krime lufte, duhet të jenë të kujdesshëm, sepse i pret arrestimi sipas urdhër-arresteve sekrete të Serbisë”. “Ne kemi ende lëndë të të dyshuarve për krime lufte”, ka thënë Vekaric për REL në gjuhën serbe, duke refuzuar të përgjigjet se cili është numri lëndëve të tilla. Për akuzat për krime lufte kundër Mark Koshnjetit, ai thotë se “ato janë të bazuara dhe se shumë shpejtë do të vërtetohen nga dëshmitarët”. Do të vijnë shumë dëshmitarë, të dëmtuar, që të bëjnë identifikimin. Kjo do të bëhet nesër, pra atëherë do të keni informata të reja”, ka thënë Vekaric.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch