Home » Lajme » RTP lajmet 19 dhjetor 2011

RTP lajmet 19 dhjetor 2011

PVD ka mbajtur sot një konferencë për media në zyrat e saja në Preshevë, ku u bë e ditur qëndrimi i këtij subjekti politik se ka marrë vendimin për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare, edhe pse ende nuk është caktuar data e mbajtjes së tyre. Gjithashtu në konferencë është bërë edhe një analizë e situatës aktuale politike dhe të sigurisë në Luginën e Preshevës. Kryetari i PVD-së Riza Halimi, tha se Serbia për momentin është një shtet militar, për shkak se presidenti serb gjatë vizitave që i ka bërë forcave speciale që janë të dislokuara në territorin e Luginës së Preshevës, nuk e ka parë të udhës që të takohet edhe me udhëheqësit lokal të këtyre komunave. Ndërsa, e ka quajtur debakël për Serbinë, mosmarrja e statutit të vendit kandidatë për në BE, gjatë samitit të BE-së, mbajtur në Bruksel më 9 dhjetor. Një vendim tjetër i PVD, I cili është marrë pasë mbledhjes së fundit të kryesisë së kësaj partie, është se nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e nesërme të kryesisë së Trupit Koordinues, për shkak të mosrealizimit të marrëveshjes për paimet e rekonstruimit të Trupit Koordinues, në të cilën Halimi tha se edhe vetë ka qenë nënshkrues I marrëveshjes në mars të vitit 2009. Gjatë pyetjeve të gazetarëve në fund të konferencës Halimi, është përgjigjur edhe për marrëveshjet e arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilat tha se duhet që sa më shpejtë të zbatohen.
————————–
Ndërmarrja Publike “Moravica” në Preshevë, ditëve të fundit nuk e ka bërë fare grumbullimin e mbeturinave si dhe punët tjera në pastrimin e rrugëve të qytetit. Si pasojë e kësaj shportet e bërllokut janë të stërmbushur, gjë që ka krijuar pakënaqësi tek qytetarët. Në këtë drejtim ka edhe reagime të shumta dhe këtë e kanë narrë si pasojë e grevës së punëtorëve të ndërmarrjes. Mirëpo drejtori I ndërmarrjes, Naser Sadiku, në një prononcim për televizionin tone deklaroi se se këto dyshime nuk janë të sakta, por kanë defekte të mëdha në parkun e automjeteve. Për këtë arsye, prej nesër punëtorët e Moravicës do të bëjnë grumbullimin e mbeturinave në dy ndërrime. Ai njëkohësisht apelon tek qytetarët që ta bëjnë pagesën e fakturave të arritura. Me pagesën e fakturave nga ana e qytetarëve do të krijohen kushte më të mira materiale për funksionimin normal të “Moravicës.
——————
Me rastin e ftesave në biseda informative të ish pjesëtarëve të UÇPMB-së, nga organet e policisë në Bujanoc, OVL, lëshon këtë:
K U M T E S Ë.
OVL, shpreh brengosjen e vet të thellë me rastin e zhvillimor të bisedave informative me ish pjesëtarët e UÇPMB-së, nga ana e organeve të policisë dhe prokuroria publike, duke e konsideruar këtë akt si formë të vazhdueshme të presionit ndaj pjesëtarëve të UÇPMB-së dhe popullatës shqiptare në përgjithësi që po zhvillojnë autoritetet serbe. Duke gjykuar sjelljen e këtillë të policisë serbe, OVL, kërkon respektimin e plotë të aktit të Amnistisë që ndaj këtyre pjesëtarëve është dhënë më 2001. OVL konsideron se metodat e këtilla të frikësimit dhe represionit psikologjik që po zhvillojnë në mënyrë permanente organet serbe, krahas prezencës së vazhdueshme të xhandarmërisë në terren, cënojnë rëndë stabilitetin në këtë komunë dhe paraqesin shkaqet e drejtpërdrejta të largimit të të rinjve shqiptarë nga Bujanoci, akt që po ndodh me vite. Me këtë rast, kërkojmë nga autoritetet policore të ndërprenë këtë formë të presionit dhe dhunës psikologjike ndaj të rinjve shqiptarë duke e konsideruar atë si cenim i rëndë i të drejtave të individit dhe shkelje të konventave ndërkombëtare. OVL, do të njoftojë edhe autoritetet ndërkombëtare për këtë formë të dhunës psikologjike që policia serbe po e zhvillon ndaj të rinjve shqiptarë, posaçërisht, për faktin e hetimit të periudhës e cila është përfshirë në aktin e Amnistisë më 2001 thuhet në fund të kumtesës së OVL-së në Bujanoc, të firmosur nga kryetari Kryetari, Edmond Isufi.
——————-
Qeveria e Serbisë ka përpunuar planin e saj për ndarjen e Kosovës i cili nënkupton shkëmbim teritoresh, e ky plan është që Veriu i Kosovës ti takojë Serbëve, ndërsa shqiptarëve ti takojë Lugina e Preshevës, shkruan gazeta serbe “Pravda”.”Qeveria e Serbisë ka një plan për Luginën e Preshevës, të cilin deri tani asnjëherë nuk e publikuar në publik. Ky plan është krijuar në vitin 2002 dhe puna mbi këtë ide ka vazhduar në vitin shtator të vitit 2007, për ta përfunduar tani. Ka qenë qëllimi që bisedimet për shkëmbim teritoresh të fillojnë në vitin e ardhshëm. Plani nënkupton rikufizimin e vendbanimve serbe me ato shqiptare. Në këtë plan përfshihet që Lugina e Preshevës, ku shumica janë shqiptare ti bashkangjitet Kosovës, ndërsa Serbia do të merrë veriun e Kosovës, ku shumica janë serb. Me këtë plan janë të njoftuar edhe Qeveria e Kosovës, dhe me këtë rast, qeveria po pregadit edhe aktin e decentralizimit të veriut të Kosovës dhe krijimin e Komunave të reja, siç janë Veriu dhe jugi i Mitrovicës, kështu që më lehtë do të vie deri tek shkëmbimi i teritoreve, thotë një burim i gazetës serbe “Pravda”. Me këtë rast lanë reaguar edhe partitë e ndryshme serbe, ku Nebojsha Stefanoviq nga partia SNS, ka thënë se “Eshtë skandaloze që kush do në Serbi përkrahë ndarjen e re të shtetit. Edhe Kosova dhe jugu i serbisë janë pjesë përbërse e shtetit tonë. Eshtë skandaloze që nuk ka kurrfarë reaksioni të funksionerëve shtetërorë”. Marko Jakishiq (DSS) ka thënë se “Kjo nuk është një zgjidhje e mirë dhe me këtë thyhet kushtetuta e Serbisë. Kosova dhe e ashtuquajtura “Lugina e Preshevës”, janë pjesë e shtetit të Kosovës. Mendoj se shteti ynë duhet të punojë që të kthehet Kosova në përbërjen e Serbisë dhe nuk duhet të pranojë pazare”. Ivica Daçiq, zëvendës kryeministri dhe ministri serb i
punëve të brendshme ka thënë se “Ballkani do të ndahet me “prerje cezariane” në linjën që dikur e ka ndarë Perandoria Osmane dhe mbretëria e austrohugarisë, me linjën e njejtë që është ndarë Ballkani sipas Winston Cherchil dhe Stalinit. Aleksandar Vlahoviq nga DS, ka thënë se “Për këto plane nuk ka dëgjuar dhe se nuk mund të komentojë asgjë.
—————-
Doganierët e vendalimit kufitar në Preshevë gjatë kontrollimit të thellë me ndihmën e skenerit mobil kanë parandaluar trafikimin e emigrantëve ilegal duke gjetur në një kamion frigorifer 15 persona. Ilegalët emigrant, kryesisht Afganistan, ishin zbuluar ndërmjet pemëve në një kamion frigorifer me targa hungareze, të cilët nga Greqia po transportoheshin drejt Hungarisë. Këta persona ishin fshehur në pjesën e mesme të frigoriferit, në bunkerë special të rregulluar më parë, mbi të cilat ishin vendosur kuti me portokaj dhe dredhëza. Në njërin bunker kanë qenë të vendosur 7 persona, ndërsa të dytin 8 persona, të cilët gjatë gjithë kohës kanë qëndruar në temperaturë +4 gradë celsius, me të cilën edhe transportohen pemët.
——————
Policia në Bujanoc ka ngritur një kallzim penal në Prokurorin e Lartë Publike në Vranjë kundër Shkëlqim S. (25) nga fshati Lluçan, për shkak të dyshimit se kryer krim të prodhimit të paligjshëm dhe trafikimit të drogave narkotike dhe posedim ilegal të armëve dhe eksplozivëve. Prokuroria ka bërë kërkesë për një hetim dhe i dyshuari i është dorëzuar gjykatësit hetues i Gjykatës së Lartë në Vranjë. Policia më 14 dhjetor të këtij viti në fshatin Lluçan, në afërsi të ndërtesës ndihmëse të dyshuarit, ka gjetur 562,50 gram të materies bimore e cila supozohet të jetë marihuanë, dhe një pushkë automatike. Gjykatësi hetues Shkëlqim S. i ka shqiptuar masën e paraburgimit për një muaj.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch