Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 19 Janar 2015

RTP lajmet 19 Janar 2015

–          OVL e UÇPMB-së kërkon kthimin e lapidarit të dëshmorëve

–          Drejtuesit e Fondit Humanitar të Kosovës Lindore takohen me donatorët

–          Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, radhit Bejar Fazliun në enciklopedin e vet

–          A do të heq dorë Qeveria e Kosovës nga Ligji për Trepçën

————————————————————————–

 

RTP-Logo RTP logoNë prag të dyvjetorit të largimit me dhunë të Lapidarit të Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Veteranët e Luftës kërkojnë rikthimin e saj në vendin e merituar. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇPMB-së me këtë rast përmes kësaj komunikate njofton opinionin e gjerë dhe i bënë thirrje shoqërisë civile, subjekteve politike, njerëzve të vullnetit të mirë që të marrin përsipër përgjegjësitë morale, intelektuale dhe kombëtare për ta gjetur një zgjidhje përfundimtare të pranuar për të gjitha palët lidhur me kthimin dhe rivendosjen e Lapidarit të Dëshmorëve të UÇPMB-së. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇPMB-së konsideron se largimi i dhunshëm i Lapidarit të Dëshmorëve nga sheshi i Preshevës, nuk është kapitull i mbyllur. “Përkundrazi, ky akt ishte dëshmi e vazhdimësisë së diskriminimit të drejtave themelore të shqiptarëve të këtyre trojeve. Ishte njollosje e veprave heroike të atyre që dhanë jetën për lirinë dhe mirëqenien e këtij populli. Historia e Lapidarit të UÇPMB-së ka ngjallë reagime mbarë kombëtare si në Prishtinë po ashtu edhe në Tiranë, që jep të kuptohet se kujtimi për dëshmorët dhe kauzën e tyre është kujtim për tërë kombin e jo vetëm për shqiptarët e këtyre trojeve”, thuhet në kumtesën e OVL-s me seli në Preshevë, të nënshkruar nga kryetari i kësaj organizate Nazmi Hajredini. Lapidari i UÇPMB-së me emrat e 28 dëshmorëve u hoq nga sheshi i Preshevës më 20 janar të vitit 2013-të. Nga ajo kohë kur forcat e Xhandarmërisë serbe shkulën pllakën me emblemën e UÇPMB-së e deri më sot, nuk dihet se ku ka mbetur Lapidari i dëshmorëve.

————————————————–

Fondi Humanitar i Kosovës Lindore (FHKL) për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, me seli në Zvicër, të shtunën në mbrëmje ka mbajtur një takim me donatorët vendas që kontribuuan në projektet e realizuara gjatë vitit 2014. Në Bujanoc, në hapësirat e restorant “Bici”, udhëheqësia e FHKL-së elaboroi rreth vijueshmërisë së projektit të deritanishëm, ku siç u tha nga kryetari Xhelal Memeti, deri në fund të vitit 2014 janë kryer të gjitha obligimet për ndërtimin e 34 shtëpi, në kuadër të projektit “100 shtëpi për Luginën e Preshevës”. Memeti foli edhe për angazhimin që do të bëhet në fushën e zhvillimit ekonomikë duke bashkëpunuar me biznesmen nga diaspora e Lugina, për të mundësuar hapjen e vendeve të reja të punës. Sekretari i FHKL-së, Adnan Imeri, përshëndeti të pranishmit duke i thënë se pas shpalosjes së programit, do t’i jepte më shumë hapësirë kontribuuesve për të shprehur mendimet e tyre me punën e deritanishme që është bërë. Në këtë mbrëmje falënderuese të Fondit Humanitar të Kosovës Lindore, i pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, i cili vlerësoi lartë punën e Fondit, siç tha ai, jep një optimizëm tek qytetarët e komunave Bujanoc, Preshevë e Medvegjë.

——————————————————–

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës është duke krijuar një enciklopedi për sportistët elitë ose kulmor.Në këtë grup të sportistëve që me vite ka dhënë kontribut të madh është edhe sportisti preshevar i arteve marciale, Bejar Fazliu.

I lindur më vitin 1968 në Raincë të Preshevës, që nga mosha 14 vjeçare filloi të merret me karate, në formë të lirë, i frymëzuar nga filmat e arteve marciale. Profesionalisht, karatenë e filloi me regjistrimin e fakultetit në Prishtinë, duke u angazhuar në klubin e karatesë “Batllava”. Ndër hapat e parë që ka ndërmarrë asokohe ishte themelimi i Federatës së Karatesë Tradicionale të Kosovës (FKTK), e cila që në vitin 2002 është njohur zyrtarisht nga Federata Ndërkombëtare e Karatesë Tradicionale, me në krye tani të ndjerin Sensei Hidetaka Nishiyama. Në vitin 2006, vendoset në Filadelfia të SHBA-ve, ku edhe sot jeton dhe punon. Në botën e karatesë përgjatë viteve, Bejari njihet si Sensei Fazliu (mjeshter ne japonishte). Si i tillë, sot mban thirrjen 6 Dan në karatenë tradicionale Shotokan, si dhe thirrjen 5 Dan në Tang Su Do, një art marcial korean. Është i licencuar nga Federata Ndërkombëtare e Karatesë Tradicionale në Los Angjeles të Kalifornisë në SHBA, organizata më kompetente në botën e karatesë sot.

—————————————————–

Në dy raste të ndara në fshatrat Novosellë e Hodonoc të Kamenicës policia kufitare ka kapur mall të kontrabanduar. Në fshatin Novosellë gjatë implementimit të një plani operativ në një pikë kontrolli njësiti policor ka ndaluar automjetin “Ford” me targa të Serbisë, që drejtohej nga i dyshuari mashkull, shqiptar, shtetas nga Serbia, njoftoj policia e Kosovës. Gjatë kontrollit në automjetin e tij është vërejtur se ishte duke transportuar mallra të ndryshme komerciale, pa dokumentacion përkatës. Automjeti së bashku me mallin e dyshuar është konfiskuar dhe dorëzuar në terminalin doganor. Nuk raportohet për të arrestuar. Edhe në fshatin Hodonoc njësiti policor afër kufirit ka vërejtur dy të dyshuar duke tërhequr me dorë gjashtë (6) krerë lopë në vlerë prej 8.000 euro. Të dyshuarit me të vërejtur policët i kanë braktisur kafshët të cilat dyshohet se të dyshuarit i kanë kontrabanduar nga Serbia pasi që kishin vath matrikulli të Serbisë. Lopët janë konfiskuar dhe janë dorëzuar në terminalin doganor.

—————————————————

Sipas burimeve të gazetës Blic, Qeveria e Kosovës ka gjasa që përfundimisht të heq dorë nga Ligji për Trepçën që ishte paraparë të votohej sot në Kuvend, ku këtë ndërmarrje publike përfundimisht do ta menaxhonte ekzekutivi i vendit. Gjithnjë sipas këtij burimi, deri te ky vendim ka ardhur pas disa takimeve që kryeministri Isa Mustafa ka pasur mbrëmë. Megjithatë, ky burim nuk ka saktësuar se me kënd ishte takuar Isa Mustafa para se të hiqte dorë. Gazeta ka provuar që të flasë me zyrtarë të lartë qeveritarë, mirëpo askush nuk ka dashur që të deklarohet për këtë çështje. Gjatë ditës së djeshme, Beogradi zyrtar e ka kërcënuar Qeverinë e Kosovës dhe ndërkombëtarët se nëse do të kaloj Ligji për Trepçën, atëherë do të jenë në rrezik bisedimet në Bruksel.

Protesta dhe bllokadat e paralajmëruar nga serbët në veri të Kosovës, për kundërshtimin e ndryshimit dhe plotësimit të projektligjit për Trepçën, kanë nisur në tri vendbanime të ndryshme. Rreth 500 qytetarë janë mbledhur në fshatin Rudarë, ku edhe kanë paralajmëruar se do të bllokojnë rrugën Leposaviq–Mitrovicë. Reporteri i KosovaPress, raporton se në këtë tubim ka edhe pjesëtarë të grupit të ashtuquajtur “mbrojtja teritoriale”. Protestë po organizohet edhe para lokacionit të Trepçës në Leposaviq. Në këtë vend, raportohet se janë mbledhur rreth 300 qytetarë serb, ndërkohë një tubim do të bëhet edhe në Zubin Potok.

————————————————

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), organizatë joqeveritare serbe, i ka dorëzuar dy kopje të dy raporteve të OSBE-së “Kosova: siç është parë dhe treguar” Kryeministrit dhe Ministrave të Qeverisë së Republikës së Serbisë, duke i bashkangjitur edhe një letër përmes së cilës kërkohet që të pranohen krimet e kryera nga shteti serb në Kosovë, sepse kjo sipas tyre do të bënte që qytetarët serbë të besonin edhe më shumë në qeverinë e tyre. Këto raporte të OSBE-së dhe letra e këtyre të rinjve serbë, shkon në adresë të qeverisë së Serbisë, vetëm pak kohë, pasi ky vend ka marrë mandatin një vjeçar të drejtimit të OSBE-së. Në letrën adresuar qeverisë së tyre, të rinjtë serbë thonë se, me rastin e ditës së parë të kryesimit të OSBE-së nga ana e Serbisë, i dorëzojnë dy botime të bëra pikërisht nga kjo organizatë evropiane, ku përshkruhen në mënyrë të hollësishme shkeljet e të drejtave të njeriut, duke përfshirë vrasjen e më shumë se 13 mijë njerëz në Kosovë gjatë viteve 1998 dhe 1999.

————————————————–

Publikimi i ballinës së revistës Charlie Hebdo me karikaturën e Profetit Muhamed është “veprim idiot që kërkon veprim ligjor”, tha ish-ministri i Kulturës së Arabisë Saudite dhe kryetari i Organizatës për Kooperim Islamik, Iyad Madani. “Po shqyrtojmë ligjet evropiane dhe franceze, si dhe procedurat ligjore, në mënyrë që të bëjmë akuzë kundër revistës”, tha Madani, transmeton Telegrafi. Në llogarinë e tij personale në Twitter, Madani shtoi se këto karikatura kanë lënduar ndjenjat e myslimanëve në të gjithë botën. “Liria e fjalës nuk duhet të bëhet fjalë e urrejtjes dhe nuk duhet të ofendojë të tjerët. Asnjë person i arsyeshëm, pavarësisht nga doktrina, fesë apo besimit, nuk do të pranojë që bindjet e tij të tallen”, tha ai./RTP/

 

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress