Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 19 Shkurt 2013

RTP lajmet 19 Shkurt 2013

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq sot e nesër takohen në Bruksel, ku do të bisedojnë për shuarjen e strukturave të sigurisë që Serbia ka ngritur në veri të Kosovës. Takimi i radhës mes Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Serbisë, Ivica Daqiq po zhvillohet me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton. Bashkimi Evropian e quan pikërisht këtë raund si më të rëndësishmin dhe më të vështirin, sepse do të hapen temat e vështira, përfshirë edhe veriun e Kosovës. Thaçi dha një konference të përbashkët për shtyp me kryetarin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, ku ky i fundit theksoi se brenda muajit qershor do të nënshkruhet Marrëveshja e Asociim-Stabilizimit me Kosovën, nëse përmbushen kriteret. I pyetur sesi mund të arrihet konsensus në Bashkimin Evropian, kur 5 shtete ende nuk e kane njohur Kosovën si shtet, Barroso tha se KE nuk ka kompetencë të ndërhyjë në vendimet e shteteve anëtare. “Ne nuk e kemi këtë kompetencë ta njohim në emër të vendeve anëtare. Pavarësisht këtij fakti që jo të gjitha e kanë njohur ne po punojmë në integrimin e Kosovës në BE. Po përgatitemi për Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit, dhe po ecim konkretisht drejt kësaj. Nëse ka progres, ne brenda Qershorit do të bëjmë progres konkret për Marrëdhëniet e Asociim-Stabilizimit”, tha ai.
——————-
Nuk ia dolën as në Rambouillet, dhe as në Vjenë. Por këtë herë, po shtohen zërat ndërkombëtarë që besojnë se Kosova e Serbia, do të nxjerrin një marrëveshje, falë hisedarëve të përfshirë në proces nga Uashingtoni e Brukseli. Mendim të njëjtë ndajnë edhe në Prishtinë e Beograd. Por dilema qëndron në atë nëse dy vendet do të nënshkruajnë një traktat, marrëveshje të përgjithshme apo marrëveshje bazë, shkruan “Evropa e Lirë”. Shprehimisht, të gjithë mendojnë se Brukseli po merr modelin e dy Gjermanive, që u nënshkrua më 1972 si Traktat Paqeje mes dy vendeve sovrane, i garantoi ulëse Gjermanisë Lindore në OKB, siguroi njohje reciproke ndërshtetërore, por jo njohje formale të njëra-tjetrës. Raportuesja për Kosovën e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek vlerëson se ky koncept, si model, mund të gjejë zbatim në rastin e Kosovës dhe Serbisë, për të ndihmuar normalizimin e raporteve mes dy vendeve. “Mendoj se ky mund të jetë një opsion, meqë ka funksionuar për një kohë të gjatë mes dy Gjermanive. Mendoj se mund të jetë e mundshme. Tani, më shumë se gjysma e vendeve anëtare të OKB-së e kanë njohur Kosovën, dhe mendoj se me Serbinë e cila ecën përpara, duke bërë shumë gjëra si në rastin e marrëveshjes së IBM-it dhe të tjera, mund të hap rrugën për më shumë pjesëmarrje të Kosovës në organizata ndërkombëtare,” tha ajo për Radion Evropa e Lirë.
——————
Kryetari i Trupit Koordinues, Zoran Stankoviq ka thënë se jugu i Serbisë nuk është kurrfarë vatër potenciale, siç ka deklaruar më herët analisti kosovar Azem Vllasi. “Mendoj se ky është vlerësim i drejtë. Eshtë e saktë se në jug të Serbisë ka probleme të mëdha, para së gjithash ekonomike, mirëpo kjo po tentohet të shfrytëzohet politikisht. Jugu i Serbisë është stabil dhe nuk presim kurrfarë ndodhi të pakëndshme” ka thënë Stankoviq për medie. Vllasi në fillim të muajit janar për Agjencinë “Anadolia” ka thënë se jugu i Serbisë mund të bëhet vatër potenciale, pasi me përkeqësimin e raporteve me shqiptarët atje, shteti i Serbisë po rrezikon një konflikt më të gjerë. Ai ka thënë se me liderët e partive politike nga jugu i Serbisë në biseda është porositur që preokupimi është prosperitet ekonomik dhe se çështjet politike të zgjidhen në përputhje me obligimet që ka shteti kundrejt pakicave nacionale. Ai përkujton se tentimi i liderëve shqiptar nga jugu i Serbisë që dialogu në Bruksel “lidhet” me ngjarjet e jugut të Serbisë dhe se nuk është vetëm iniciativë lokale. “Keni edhe deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë i cili tregon pretendimet ndaj shteteve fqinje. Për fat të keq, bashkësia ndërkombëtare në mënyrë të turpshme ka komentuar, mirëpo fakti është se këto janë vetëm dëshira të disa liderëve, mesazhe të cilat nuk janë të bazuara në jetën reale” ka thënë Stankoviq. Stankoviq për pjesën e dytë të muajit prill ka paralajmëruar panairin e investimeve në jug të Serbisë. “Obligimi ynë është që të tentojmë të inkurajojmë ekonomikisht jugun e serbisë, presim pjesmarrje të ambasadorëve, miqve të jugut të Serbisë, shtetet tjera që janë shprehë dëshirë që të investojnë këtu” ka thënë Stankoviq
—————–
Karvani poetik I Shoqatës së Shkrimtarëve Feniks në Preshevë po vazhdon nëpër disa shkolla fillore të komunës së Preshevës. Këtë herë kjo vizitë nga anëtarët e kësaj shoqate u bë nëpër paralelet e ndara të shkollës Fillore Ibrahim Kelmendi në Tërrnavë dhe në Norçë. Mbase, karvani poetik bëhet me qëllim të zbulimit të talenteve të rinj sa i përket shkrimeve dhe zbulimeve të tjera gjuhësore e letrare, prandaj është me karakter edukativo –arsimor, potencon kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Feniks, Bilall Maliqi. Në takimet në fjalë janë lexuar dhe recituar shkrime dhe poezi të ndryshme nga poetët prezentë si dhe nxënësit e shkollave të lartpërmendura. Karvani në fjalë do të vazhdoj edhe nëpër shkolla të tjera në tërë territorin e komunës sone.
——————-
KURIOZITET. Një ukrainase është bërë e famshme pasi ka filluar të bëjë portrete nga çamçakëzët. Artistja Anna Sofia Matveyeva fillimisht i përtyp çamçakëzët, i ndan sipas ngjyrave dhe pastaj i nxeh në një mikrovalë. Ndër veprat e saj më të mira gjendet portreti i themeluesit të Apple, Steve Jobs, si edhe muzikantit Elton John. Për portretin e të parit janë nevojitur rreth 1.000 çamçakëzë, ndërsa për të dytin 250 sosh.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch