Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 19 shtator 2012

RTP lajmet 19 shtator 2012

Derivatet e naftës në të gjitha pompat në Serbi pritet të kushtojnë më lirë. Prej sot në pompat e benzinës vërehet ndryshimi i çmimeve. Në bazë të paralajmërimeve derivatet e naftës pritet të zbresin nga 1.5 dinarë deri në 3 dinarë për litër. Zbritja më e madhe do të bëhet tek euro premiumi për 3 dinarë, pastaj gasi 1.8 dinarë dhe benzina e llojit BMB 95 për 1.5 dinarë. Zbritjen e tillë qytetarët e mirëpresin edhe pse ata thonë se prap se prap në krahasim me standardin jetësor ato duhen të sillen rreth 90 dinarë për litër. E drejtori i pompës së benzinës VM OIL Sulejman Mustafa për Rtv Presheva thotë se paralajmërimet për zbritje të çmimeve ka, dhe ato janë duke ndryshuar shumë shpesh. Për qytetarët asgjë nuk do të ndikojë zbritja për 3 dinarë. Ato zbriten për 3 dinarë mirëpo shtrenjtohen pastaj shumë e më shumë. Derivatet e naftës në Republikën e Serbisë, këtë vit kanë pësuar ndryshime shumë shpesh. Çmimet e derivateve të naftës caktohen nga vetë pompat e benzinës.

——————–

Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të vendosur që në mënyrë paqësore të procedojnë në lirinë e plotë të tyre,si në përdorim të lirë të gjuhës shipe, përdorim të flamurit,qarkullim të lirë dhe të ndjenjës si një shtet të përbashkët kështu tha kryetari Mustafa në takimin e tij mikpritës me Gozde Kiliq Yashin nga Turqia. Znj. Gozde si studiuese zgjoi interesim të madh për pozitën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës,lidhjen e politikës shqiptare dhe raportet mes Prishtinës,Tiranës dhe Shkupit. Nga ana tjetër kryetari Mustafa gjatë takimit të tyre foli për pozicionet e shqiptarëve në luginë të Preshevës. Në këtë takim znj. Gozde arriti ta kuptojë rolin dhe rëndësinë e jetës së shqiptarëve në këto treva dhe sipas saj do të vazhdojë bashkëpunimi me institucionet shqiptare. Më pas kryetari Mustafa takimin e tij vazhdoi duke folur për rolin e Turqisë në Ballkan,dhe se Turqinë do ta mirëpresin me kapacitetet dhe potencialet ekonomike e industriale. Vizita e znj. Gozde është realizuar me kërkesë dhe mbështetje të Forumit Rinor Islam.

———————
Një grua dhe dy fëmijë janë lënduar dje rreth orës 13 në një aksident trafiku në fshatin Lluçan, komuna e Bujanocit kur një veturë ka dalë nga rruga. Në akisdentin e rëndë që ka ndodhë rreth orës 12:50, jo larg Bujanocit, janë lënduar rëndë M.SH (38) nga fshati Lluçan, komuna e Bujanocit dhe dy fëmijët E.Sh dhe S.A, mosha e të cilëve nuk është vërtetuar. “Aksidenti ka ndodhur në fshatin Turi, jo larg Bujanocit në rrugën regjionale Bujanoc që lidh me Gjilanin, kur vetura e tipit “Corsa” me targa të Bujanocit të cilën e ka drejtuar M.SH, deri tani për arsye të panjohura ka dalë nga rruga” ka thënë për media Goran Jovçiq nga policia e Vranjës. Njëri nga fëmijët e lënduar me plagë të rënda është dërguar urgjentish në klinikën Neuropsikiatrike të qendrës spitalore në Nish, ka thënë për gazetarë Ljubisha Stojilkoviq, shefi i Shërbimit të Urgjencës në Vranjë. Ljubisha Stojiljkoviq ka thënë se identiteti i djaloshit nuk është konfirmuar për shkak se udhëtarët e veturës nuk kanë ditur gjuhës serbe.
——————–

Deputeti në Parlamentin e Kosovës Glauk Konjufca e ka quajtur fatkeqësi të madhe që populli shqiptarë i Luginës nuk përkrahet nga Tirana e Prishtina. Konjufca këto deklarata i bëri gjatë takimit që pati me delegacionin e Shoqatës “Vatra” me seli në Gjilan. “Është fatkeqësi e madhe që populli shqiptar atje, ballafaqohet çdo ditë me regjimin shtypës të Beogradit, pa u përkrahur nga Tirana zyrtare e as nga Prishtina zyrtare. Shqiptarët e Luginës janë të harruar nga politika aktuale e Shqipërisë dhe Kosovës”, u shpreh Glauk Konjufca, raporton Titulli. Ai po ashtu theksoi se shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të unifikohen dhe të kërkojnë llogari nga pushtetarët në Kosovë dhe në Shqipëri për shkak se problemi i Luginës nuk është problem vetëm i banorëve të asaj pjese por është problem i gjithë kombit shqiptar. “Të drejtat e pakicave në Kosovë duhet të jenë të barazvlefshme me të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Shqiptarëve të Luginës edhe më herët i është premtuar se do të flitet për ta nëpër negociata me Serbinë, por gjithmonë është manipuluar me këtë çështje, e kurrë nuk është folur për ta. Duhet angazhim serioz institucional i Tiranës dhe i Prishtinës, në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka përfunduar deputeti Glauk Konjufca. Kryetari i shoqatës “Vatra”, Sejdulla Kadriu, gjatë këtij takimi ka thënë se me Serbinë nuk duhet të bisedohet pa kushte, e njëra nga kushtet kryesore duhet të jetë çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. “Ne kërkojmë që Tirana dhe Prishtina të investojnë më shumë në atë pjesë, në mënyrë, që të mos lëshohen trevat për shkak të hegjemonisë së Beogradit, pasi që siç e dini edhe ju Medvegja tani ka mbetur me vetëm 600 shqiptarë, e gjashtë fshatra të Malësisë së Bujanocit janë boshatisur komplet”, u shpreh me këtë rast Kadriu. Delegacioni i sotëm i “Vatrës” i cili u prit nga deputeti Glauk Konjufca dhe sekretari për marrëdhënie me jashtë, Xhelal Sveçla, përveç kryetarit përbëhej edhe nga anëtarët e kryesisë Avni Veliu, Gani Shaqiri, Kushtrim Kadriu dhe Enver Haziri. Ditëve të fundit Shoqata e të Shpërngulurve nga Bujanoci “Vatra”, me seli në Gjilan, ka zhvilluar disa takime me përfaqësues të partive kryesore të Kosovës, para fillimit të bisedimeve Prishtinë-Beograd, për të njoftuar me gjendjen dhe dëshirën e shqiptarëve të Luginës që të marrin pjesë në këto bisedime.
—————–
‘5 minutat e tua tërë jeta e dikujt ‘është motoja e Kryqit të Kuq lokal komunal që ka organizuar aksionin humanitarë për dhurimin e gjakut. Aktiviteti në fjalë do të zhvillohet nesër në objektet e Radiotelevizionit Presheva prej orës 10:00 deri në orën 13:00 nën përkujdesjen e ekipit të specializuar të shërbimit të transfuzionit të gjakut nga qendra spitalore e Vranjës . Gjaku i grumbulluar nga dhuruesit vullnetar shfrytëzohet për nevojat e qytetarëve të komunës sonë madje ruhet në kushte specializuara në shërbimin e gjakut në spitalin e Vranjës. Në aksionin e fundit janë grumbulluar gjithsej 46 kilogram gjak. Ky aktivitet humanitar ndërmerret dy herë brenda vitit herën e fundit është mbajtur në muajin dhjetor të vitit të kaluar, potencon Ahmet Halimi sekretar i Kryqit të Kuq lokal në Preshevë. Ai fton të gjithë qytetarët vullnetar të bëhen dhurues gjaku sepse shpëton jetën e dikujt.

—————

Nënkryetari i Këshillit për integrime evropiane në Parlamentin e Serbisë, Laslo Varga, ka vlerësuar se shpallja eventuale e referendumit me pyetjen “BE ose Kosova” do të thotë se autoritetet e Serbisë nuk janë të gatshme të marrin përsipër përgjegjësinë dhe të marrin vendime reale. Nëse në një referendum të supozuar shumica e njerëzve në Serbi më me dëshirë do të zgjidhnin Kosovën, as atëherë Serbia nuk mund ta kthejë Kosovën”, ka thënë Varga për gazetën e Novi Sadit në gjuhën hungareze “Magjar so”. Varga, i cili është hungarez, ka vlerësuar se integrimet evropiane dhe anëtarësimi në BE është qëllim real dhe i arritshëm, ndërsa lufta për Kosovën joreale. “Atëherë, kjo çështje tashmë njëherë është zgjidhur, përkatësisht më nuk ka çështje”, ka thënë Varga.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch