Home » Lajme » RTP lajmet 2 dhjetorë 2011

RTP lajmet 2 dhjetorë 2011

Mbrëmë gjatë emisionit në RTV Presheva, e cila iu kushtua projekt buxhetit të komunës së Preshevës për vitin 2012, Kryeshefi i Financave pranë administratës komunale në Preshevë Fatmir Azizi, mbrojti qëndrimin se asnjëherë komuna e Preshevës deri më tash nuk ka pasur buxhet më të mirë. Ai duke parë këtë tha se edhe opozita duhet të votoj për këtë buxhet gjatë paraqitjes në Kuvend, e cila sipas të gjitha gjasave, seanca do të mbahet javën e ardhshme. Azizi, ishte realist sa i përket votës së opozitës. Sipas tij opozita do të votojë kundër buxhetit, duke dhënë edhe arsyetimet e veta. Edhe pse të drejtë ligjore opozita ka për të dhënë propozime, ata të drejtë morale nuk kanë sepse për atë është mbajtur edhe debato publik, ku opozita nuk ka marrë pjesë. Gjithashtu edhe shpresat se projekt buxheti nuk do të mund të kalojë në Kuvend, dhe me këtë rast do të bie edhe pushteti, sipas Azizit kjo nuk
do të ndodhë, sepse edhe po të mos kaloj buxheti, atëherë do të shkohet në buxhetin 3 mujor, pastaj në atë 6 mujor, çka don të thotë zgjedhjet kalojnë. Në bazë të ligjit mbi sistemin buxhetor, afati I fundit për votim të buxhetit nga ana e kuvendit është më 20 Dhjetor. Vitin e kaluar në kuvend ka kaluar më 13 dhjetor. Ndërsa këtë vit pritet që propozuesi i buxhetit që në këtë rast është Këshilli Komunal, të paraqesë në seancën e ardhshme e cila pritet të mbahet deri më 10 Dhjetor.
——————-
Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa i deklaroi FoNet-it se shqiptarët në Luginë të Preshevës po e ndjekin me kujdes zhvillimet në pjesën veriore të Kosovës, porse ata kanë rrugën e vet politike të veprimit. “Absolutisht nuk do t’i kopjonim serbët nga veriu i Kosovës. Ne nuk po vendosim barrikada dhe nuk po pengojmë lëvizjen normale të qytetarëve dhe të subjekteve ekonomike”, i ka thënë Mustafa kësaj agjencie serbe të lajmeve. Shqiptarët, tha ai, janë të interesuar “për zgjidhje të qëndrueshme, përmes kompromisit ndërmjet Beogradit e Prishtinës, në rrethana paqësore”. “Ne nuk do të provojmë në mënyrë tjetër të zgjidhim problemet e grumbulluara çdo ditë të shqiptarëve në jug të Serbisë”, ka thënë ai. “Ne dimë çfarë duam, si të reagojmë dhe si të veprojmë. Asnjëherë nuk kemi gabuar, si kolektivitet partish politike që tubojnë shqiptarët, kur bëhet fjalë për interesat shqiptare”, citon FoNeti Mustafën. Kryetari i Preshevës tha se shqiptarët në Luginën e Preshevës tash për tash nuk po hetojnë ndonjë përmirësimi në komunikimin me Kosovën në përputhje me marrëveshjet e arritura në dialogun midis Beogradit e Prishtinës. “Presim që këto marrëveshje të zbatohen. Por Qeveria e Serbisë është shumë e ngadalshme, tani s’ka çfarë të mendojë por vetëm të zbatojë marrëveshjet”, ka thënë Mustafa dhe ka shtuar se zbatimi i marrëveshjeve “do t’i kontribuojë ndjenjës më të mirë të të gjithë të rinjve që kanë diplomuar në Universitetin e Prishtinës. “Do të kontribuojë që të ndihen të barabartë me të rinjtë që kanë mbaruar fakultetet në Serbi”, ka deklaruar ai.
—————-
Gjykatësi hetues në gjyqin e Vranjës i ka caktuar masë paraburgimi tre personave që dyshohet se me ndihmën e kartelave bankare të fallsifikuara kanë tërhequr para nga ATM aparatet bankare më shumë se 500.000 dinarë, njofton sot policia. B.T (25) dhe T.S (21) shtetas të Maqedonisë dhe N.S (22) nga qyteti i Vranjës, akuzohen se kanë kryer vepër penale për fallsifikim dhe keqpërdorim të kartelave bankare, thuhet në njoftim. Të dyshuarit, në natën ndërmjet datës 28 dhe 29 nëntor, në komunën e Bujanocit, Vranjës, Surdulicës dhe Vlladiçki Hanit, me kartela të fallsifikuara kanë tërhequr 512.950 dinarë (rreth 5000 euro), nga një numër i caktuar i bankave.
———————-
Ndërmarja publike “Putevi Srbije” ka demantuar mediet të cilët kanë shkruar se nuk po punohet në ndërtimin e pjesës rrugore të koridorit 10 në pjesën jugore, ku përfshihet pjesa nga fshati Neradoc e deri tek “Srpska kuca”. Në njoftim thuhet se puntorët në këtë regjion janë duke kryer betonimin e urave, duke theksuar se në këtë pjesë janë gjithsejt 16 ura. Sipas “Srbija Putevi”, punët pok kryhen edhe në pjesën e qytetit të Bujanocit, ku po rregullohet hyrja dhe dalja në qytet si dhe rregullimi i tejkalimeve të trafikut. Nga ana tjetër, agjensioni i lajmeve Beta dje ka deklaruar se në koridorin 10 nuk është shtruar asnjë metër asfalt si dhe nuk është parë as makineria e cila merret me punët e asfaltimit.
——————–
Tubimi Tradicional Përkujtimorë në lagjen Isë Ukaj organizohet ditën e diel në ora 12 te Lapidari i martirëve në shenjë përkujtimi dhe nderimi për sakrificën dhe gjakun e martirëve. Sipas këshillit organizativ ky është tubimi i teti me radhë që mbahet në lagjen Isë Ukaj. Qytetarët e interesuar të komunës së Preshevës dhe më gjerë mund të marrin pjesë në tubimin tradicional.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch