Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 2 korrik 2012

RTP lajmet 2 korrik 2012

Kryetari i KK të Preshevës Dr.Ramiz Latifi, ka konvokuar seancën e III të Kuvendit të Komunës së Preshevës, për të mërkurën më 4 korrik, prej orës 10:00. Për këtë seancë janë të propozuara 13 pika për rend të ditës.

1. Shqyrtimi dhe miratimi i aktvendimit për shkarkimin e një anëtari në Këshillin drejtues të Fondit për qëllime humanitare.

2. Shqyrtimi dhe miratimi i aktvendimit për emërimin e një anëtari të Këshillit drejtues në Fondin për qëllime humanitare.

3. Shqyrtimi dhe miratimi i aktvendimit për shkarkimin e një anëtari në Këshillin drejtues në Shtëpinë e Shëndetit “Presheva” në Preshevë.

4. Shqyrtimi dhe miratimi i aktvendimit për emërimin e një anëtari të Këshillit drejtues në Shtëpinë e Shëndetit “Presheva” në Preshevë.

5. Shqyrtimi dhe miratimi i aktvendimit për shkarkimin e dy anëtarve në Këshillin drejtues NIP “Presheva” në Preshevë.

6. Shqyrtimi dhe miratimi i aktvendimit për emërimin e dy anëtarve në Këshillin drejtues NIP “Presheva” në Preshevë.

7. Shqyrtimi dhe miratimi i aktvendimit për shkarkimin e kryetarit të Komisionit për plane.

8. Shqyrtimi dhe miratimi i aktvendimit për emërimin e kryetarit të Komisionit për plane.

9. Shqyrtimi dhe miratimi i dorëheqjes së drejtorit të NP “Moravica” në Preshevë.

10. Shqyrtimi dhe miratimi i propozimit për emërimin e ushtruesit të detyrës në NP “Moravica” në Preshevë.

11. Shqyrtimi dhe miratimi i propozimit të Këshillit drejtues për shkarkimin e drejtorit të Qendrës për punë sociale në Preshevë.

12. Shqyrtimi dhe miratimi i propozimit për emërimin e ushtruesit të detyrës të drejtorit të Qendrës për punë sociale në Preshevë.

13. Shqyrtimi dhe miratimi i planit Akcional local për zhvillimin e ndërmarrësisë rinore 2012-2014.

—————————————–

Në Tetovë është mbajtur për të 18 herë festivali i folklorit burimor “Sharri këndon”. Në këtë eveniment kulturor në mesin e shumë shoqërive nga trojet shqiptare pjesëmarrës ka qenë edhe SHKA “Presheva Jehonë”, e cila në mënyrë dinjitoze paraqiti vlerat kulturore të Luginës së Preshevës. Kjo shoqëri me vallen e Preshevës, është shpërblyer edhe me diplomë si vallja më e mirë e interpretuar në festival. Kryetari i SHKA “Presheva Jehonë” thotë se kjo shoqëri festival pas festivali është duke u përmisuar, kurse e veçantë ishte që p[ër herë të parë shqoëria nga Presheva është bashkuar me atë të Medvegjës “Shpëtimi”, kështu kishin dashur edhe organizatorët.

Ndërkaq SHKA “Presheva Jehonë” do të merrë pjesë edhe në festivalet tjera. Sipas Nuhiut vala e festivaleve do të jetë në muajt shtator, tetorë dhe nëntorë.

Interesim mjaftë të madhë për SHKA “Presheva Jehonë” është duke pasur edhe pushteti lokal i Preshevës, i cili si moralishtë ashtu edhe materialishtë është duke e mbështetur këtë shoqëri. Viteve të fundit e në veçanti dy vitet e fundit aktivitetet dhe festivalet ku merrë pjesë edhe Presheva Jehonë, po përcillen nga përfaqësuesit e pushtetit lokal.

—————————————

U mbajt sot diskutimi Publik rreth ‘Plani aksionar për ndërmarrësit e rinj ‘për periudhën dy vjeçare 2012-2014 e organizuar nga Zyra për të rinj në Preshevë në sallën e Kuvendit në Preshevë. Në këtë diskutim publik pjesëmarrës ishin përfaqësues të USAID-it amerikan, përfaqësues nga pushtetit lokal, përfaqësues të Qendrës për punësim, ndërmarrësit nga Presheva si dhe si dhe disa të rinj. Projekti në fjalë është  ndihmuar me 5mijë dollarë nga USAID dhe me 5 mijë të tjera nga pushteti lokal, shprehet kështu koordinatori i zyrës për të rinj Ilir Sadriu. Ky projekt  ka për qëllim aftësimin e të rinjve  për mënyrën e aplikimit për punësim në ndërmarrësi  si dhe në për organizata të huaja joqeveritare e të ngjashme. Ilri Sadriu Koordinator në këtë zyrë potencoi  se shumë të rinj në këtë zyrë kanë mbajtur trajnime të ndryshme ku në fund edhe janë certifikuar prandaj ky projekt ka për qëllim me një fjalë edhe zbutjen e papunësisë për të rinjtë tanë. …

Zyra për të rinj do të vazhdojnë gjatë periudhës në vazhdim edhe me projekte të ndryshme të kësaj natyre.

—————————————

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga ka pritur në një takim deputetët e Kuvendit të Kosovës që shpallën Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990.

Jahjaga uroi deputetët e pranishëm për përvjetorin e Deklaratës Kushtetuese dhe tha se ata do ta gëzojnë respektin dhe do te jenë pjesë e të gjitha organizimeve me karakter shtetëror që i organizon Zyra e Presidentes.

Ajo çmoi lart kontributin e deputetëve të cilët shpallën Deklaratën Kushtetuese, në një kohë shumë të rëndë, miratuan edhe Kushtetutën e Kaçanikut më 7 shtator 1990, si dhe ndërmorën një varg veprimesh të tjera në funksion të organizimit të jetës institucionale të shqiptarëve në Kosovës, pas okupimit nga Serbia.

Presidentja Jahjaga theksoi se veprimi i këtyre deputetëve dhe zhvillimet e mëvonshme mundësuan organizimin e jetës në Kosovë, si dhe fitimin e përkrahjes ndërkombëtare, në të gjitha fazat, deri te lufta e armatosur e UÇK-së dhe shpallja e pavarësisë së vendit.

——————————————-

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic ka deklaruar se Qeveria e Serbisë duhet të formohet sa më shpejtë, në mënyrë që të hapet një kapitull i ri në bisedimet me Kosovën, ndërkaq ka përgënjeshtruar lajmin se do të takohet me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, duke thënë se kjo gjë nuk do të ndodhë.

Nikolic ka thënë se shefi i diplomacisë sllovake, Miroslav Lajcak, i ka thënë atij gjatë vizitës në Bruksel se dialogu nuk do të fillojë deri sa Serbia të mos i zbatojë plotësisht marrëveshjet me Kosovën.

“Për këtë kam insistuar të dihet se çka përmbajnë marrëveshjet e arritura”, ka thënë Nikolic për B92-shin, transmeton “Koha”.

Ai ka shtuar se bisedimet duhet të mbahen në nivel më të lartë, dhe ai nivel “nuk është presidenti, ashtu siç është interpretuar gabimisht, por këtë punë duhet ta bëjë kryeministri. Kushtetuta thotë se ai është niveli i kryeministrit, por Kushtetuta gjithashtu thotë se qeveria mund ta autorizojë presidentin e Republikës”, ka thënë Nikolic, duke shtuar se nëse këtë e bën qeveria, ai do t’i ndihmojë asaj. Por kjo, sipas tij, assesi nuk do të ishte pranim i pavarësisë së Kosovës.

Nikolic ka përgënjeshtruar lajmin se do të takohet me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, duke thënë se kjo gjë nuk do të ndodhë.

—————————————

Në Prishtinë janë duke u bërë përpjekje për krijimin e njëlloj grupi të unitetit për vazhdimin e dialogut teknik me Beogradin, në të cilin mund të përfshihet edhe çështja e veriut.

Një zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës ka thënë për “Epokën e Re”, se formati i vazhdimit të bisedimeve me Serbinë pritet të jetë me një pjesëmarrje më të gjerë të palës nga Kosova.

“Formati i bisedimeve mund të jetë i llojit të njëjtë me atë të Vjenës. Po bëhen përpjekje që të jetë një ekip më i gjerë. Ka përpjekje për t’i futur edhe partitë politike të opozitës në dialog, në të cilin mund të përfshihet edhe çështja e veriut. Asnjë parti nuk është e interesuar të marrë pjesë e vetme në këtë proces, sepse është shumë delikat”, ka thënë ky zyrtar i qeverisë.

I njëjti zyrtar ka treguar se Brukseli ende nuk ka marrë ndonjë vendim final rreth formimit të dialogut derisa për këtë do të duhet të dakordohen së pari Prishtina dhe Beogradi, se në çfarë formati do të vazhdojnë dialogun.

RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch