Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 2 tetor 2012

RTP lajmet 2 tetor 2012

Në seancën e XII të Këshillit Komunal është diskutuar vetëm për NP “Moravica”, më konkretisht për problemet financiare që janë në këtë ndërmarrje, të cilat probleme grumbullohen për shkak të mos shlyerjeve të obligimeve nga ana e qytetarëve ndaj shërbimeve të kësaj ndërmarrje. Prej sot është vendosur që qytetarët nuk mund të marrin nga administrata lokale asnjë dokument nëse nuk kanë të shlyera të gjitha borxhet ndaj NP “Moravica”. Mustafa thotë se kur paguhen shërbimet e elektro distribucionit, ato të telefonisë, e edhe të internetit si mund qytetarët të mos paguajnë obligimet ndaj NP “Moravica”. Një numër i madh i qytetarëve të komunës së Preshevës nuk kryejnë obligimet e tyre financiare ndaj NP “Moravica” duke bërë që kjo ndërmarrje të hyjë në hendek të madh financiarë, duke bërë që punëtorët shumë herë të mos mund ti marrin as pagat e tyre minimale mujore, për punën që bëjnë. Andaj me këtë vendim të Këshillit Komunal, tentohet që problemet financiare në këtë ndërmarrje sado pak të evitohen dhe të rimëkëmbet dalengadalë.

——————-

Në natën e dytë të festivalit Ditët e Komedisë Shqiptare “Presheva 2012” u Prezantua Tetari Istref Begolli nga Peja me shfaqjen Darka private,me autor Piter Shefer me regji të Burbuqe Berishës. Shfaqja Darka Private kishte shume momente komike,situata që dhuruan  humor tek shikuesi,Kjo vepër e këtij autori ngrit edhe më tepër reputacionin e tij skenik,e thur mjeshtërisht me dramatikën e saj tek shikuesi krijon një atmosferë teatrore për tu mbajtur mend,por edhe nga loja e mirëfilltë e autorëve Teuta Krasniqi,Ylber Bardhit dhe Armedn Ismajlit. Ndërkaq në tryezën e debatit e cila organizohet cdo natë pas cdo shfaqjeje,për dramaturgun njëherit dhe udhëheqës i tryezës së debatit Nebi Islami tryeza e debatit është mjaft me rëndësi,pasi në këtë debat kuptohet më shumë vlera e shfaqjes. Për regjisoren e shfaqjes Darka private është kënaqësi që kjo shfaqje u dha para publikut preshevar, njëherit dhe u mirëprit shumë nga ky publik,dhe tryeza e debatit për regjisoren është me rëndësi pasi shpalosen vlerat e shfaqjes. Ndërsa sonte në ora 19 30 para publikut preshevar do vijë Teatri Profesionist i Mitrovicës me shfaqjen Langojt me regji të Fatos Berishës.

——————
Salajdin Salihu, anëtar i i jurisë në Festivalin ‘Ditëtë e Komedisë Shqiptare ‘Presheva 2012, njëherit edhe profesor në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe Evropës Juglindore është shprehur i tej kënaqur me mikpritjen e preshevarëve në këtë festival. Zoti Salihu në mes tjerash në programin e paditës Për Ju në Televizionin Presheva ka komplimentuar publikun preshevar si publik të emancipuar. Në cilësinë e anëtarit të jurisë në Festivalin Ditët e Komedisë së Shqiptare, profesor Salihu në bisedën e sotme ka cituar se Preshevës i duhet ta ketë patjetër ‘Teatrin e qytetit ‘ sepse po shohim se publiku është mjaft i pranishëm nëpër shfaqje edhe atë të moshës rinore. Përndryshe aktorë e dramaturg të njohur shqiptar  vlerësojnë organizimin e festivalit madje edhe  interesimin e publikut preshevarë.

—————-

Autoritetet doganore në vendkalimin kufitar Tabanoc kanë ndaluar tre emigrantë afgan, të cilët të fshehur në një kamion tentonin të hynin në territorin e Maqedonisë dhe ilegalisht të kalonin në Greqi. Ata u zbuluan nga doganierët, pasi që ishin fshehur në një kamion të mbushur me elemente të drurit. Kamioni ishte nisur nga Beogradi dhe kishte si destinacion një kompani maqedonase. Shoferi i kamionit ka mohuar se kishte njohuri për afganët në rimorkion e kamionit.

—————-

Ndërmarrjet publike të komunës së Bujanocit janë rrezikuar nga borxhet të cilat kanë trashëguar nga qeverisjet e kaluara. Komunalia, ndërmarrje e cila furnizon qytetarët me ujë të pijshëm, me nxehje qendrore, me pastrimin dhe mirëmbajtjen e qytetit, nga 22 tetori i ka të bllokuara llogaritë bankare. Tri llogaritë e Komunalisë janë të bllokuara me vendim të gjykatës dhe gjendja në to është zero dinarë. Çdo e hyrë në llogaritë e saj transferohet në atë të Elektrodistribucionit Jug-lindor në Nish. Kjo ndodhë pasi që borxhi i Komunalisë ndaj Elektrodistribucionit që është trashëguar prej drejtorëve të kaluar, ka arrit shifrën mbi 77 milionë dinarë (77.160.316.01 din) pa përfshi edhe kamatën që do të ishte shumë më i lartë. “Në ndërmarrjen tonë faktikisht ekziston një gjendje e pashpallur e jashtëzakonshme dhe gjithçka që kemi është në rezerva të fundit, si derivatet, pjesët rezervë për mirëmbajtjen e rrjetit si dhe sasia e klorit për ujin e pijshëm”, i tha Titullit Ragmi Ramizi, drejtor gjeneral i Komunalisë.

—————– 

Nënkryetari i parë i Qeverisë së Serbisë dhe Ministër i Mbrojtjes e bashkërendues i të gjitha shërbimeve të sigurimit serb, bartës i luftës kundër kriminalitetit, Aleksandar Vucic, ka deklaruar se çfarëdo që të jetë zgjidhja për Kosovën, ajo do të jetë e rënd. “Do të mundohemi të fitojmë sa më shumë që është e mundshme për popullin tonë, e të humbim më pak që mundemi”, ka deklaruar Vucic për ditoren serbe “Veçernje Novosti”,duke shtuar se nuk dëshiron të flas për modelet konkrete, raporton RTK. Sipas tij, janë dy-tri propozime për konceptim teknik të Platformës. “Do të shohim nëse opinionit do t’ia zbulojmë tërë dokumentin apo vetëm kornizat. Me siguri se do të kemi një qasje më realiste ndaj çështjes së Kosovës, por nënkuptohet se nuk do të heqim dorë nga kushtetuta”, ka thënë Vucic, transmeton RTK. Në çështjen e Kosovës, sipas tij, me siguri askush nuk do të fitojë pikë politike në Serbi. “Përkundrazi. Kurse pushteti përpara nesh ka menduar vetëm për hulumtimet e opinionit dhe e ka sjellë vendin në pozicionin më të vështirë të mundshëm”, ka thënë nënkryeministri serb

—————-

Udhëheqësit e Kosovës dhe ata të Serbisë mund të arrijnë marrëveshje të mërkurën e ardhshme për hapjen e zyrave ndërlidhëse në Prishtinë dhe Beograd. Burime të gazetës “Express” kanë treguar se kjo marrëveshje mund të ndodhë në takimin e radhës, që do të mbahet mes Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq

—————–

Kosova ka konsensus politik për bisedimet me Serbinë Kryeministri Hashim Thaçi tha sot se ka një konsensus politik në Kosovë për bisedimet me Serbinë. Ndërkaq, kundërshtarët e këtij procesi, siç është Vetëvendosja, Thaçi i quan zëra që mund t’i kuptojë. Ai i bëri këto komente në mbledhjen e qeverisë, ku fillimisht falënderoi SHBA-të dhe BE-në për mbështetjen unike, siç e quajti ai, që i kanë dhënë Kosovës

——————–

Ftese publike te gjithë bizneset në Preshevë dhe Bujanoc të cilët plasojnë produktet e tyre në territorin e Republikës së  Kosovës do jenë të ftuar për një takim me ministren e tregtisë dhe industrisë Mimoza Kusari Lila. Takimi organizohet të hënën 05.11. 2012 në ora 10.00 në sallën e selisë së Aleancës Kosovare to Bizneseve, president Agim Shahini, njofton kryetari i komunës, Ragmi Mustafa. Qëllimi i këtij takimi është trajtimi i problemeve që kanë prodhuesit nga Lugina e Preshevës gjatë plasimit të mallrave të tyre në Kosovë si dhe gjetja e mënyrave për kapërcimin e tyre.

——————-

Lajmërim. Shkolla e mesme teknike Presheva në Preshevë lajmëron nxënësit dhe prindërit se nesër më datë 03 tetor do të mbahet mbledhja për komunikimin e suksesit për tre mujorin e parë të vitit shkollorë 2012- 2013. mbledhjet me prindër për vitet e para dhe të katërta mbahen nga ora 10.00 ndërsa për nxënësit e viteve të dyta dhe të treta nga ora 10.30.

RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch