Home » Lajme » RTP lajmet 20 mars 2012

RTP lajmet 20 mars 2012

Marrëveshja e lëvizjes së lirë në mes të Prishtinës dhe Beogradit e arritur në Bruksel, pjesë- pjesë është duke filluar të zbatohet nga pala kosovare. Por një gjë e tillë nuk është e mirëseardhur për shqiptarët e Preshevës. Në vendkalimin kufitar Muçibabë, qytetarët që dëshirojnë të kalojnë kufirin për në Kosovë, tashmë duhet që policisë kufitare tia paraqesin edhe pasaportën. Ekipi I Radiotelevizionit Presheva sot qëndroi në këtë pikë kufitare, por për arsye të kompetencave që kanë në dhënien e informatave policia në Muçibabë, nuk ishin në gjendje të bënin ndonjë deklaratë, por jozyrtarisht ata na informuan se hyrja në Kosovë me pasaportë bëhet vetëm në Muçibabë, kurse në Dheun E Bardhë dhe në Merdare, vlen tjetër procedurë, atje kufiri mund të kalohet vetëm me letërnjoftim. E pse kjo është duke ndodhur ata thonë se asgjë nuk janë duke bërë vetëm se po rrespektojnë ligjet e Republikës së Kosovës. Tashmë qytetarët e Preshevës janë të obliguar që krahas pagesës së detyruar të sigurimit kufitar, hyrjen në Kosovë duhet ta bëjnë edhe me pasaporta.

———————-

Kryetari I Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Orhan Rexhepi përmes një njoftimi për media paralajmëron qytetarët se sot më 20 Mars 2012, në Gjykatën e Qarkut në Beograd, ishte caktuar vazhdimi i katërt i Seancës Përgaditore para fillimit të RIGJYKIMIT kundër nëntë djemëve Shqiptar nga Presheva, të akuzuar për krime lufte ndaj Serbëve, Romëve dhe ndonjë Shqiptari spiun, kinse të kryera në Gjilan dhe rrethinë, gjatë periudhës kohore mesi i Qershorit fund i Tetorit 1999. Kjo Seancë e sotit zgjati rreth një orë, ku u vendos që lënda e ndarë për tetë të akuzuarit në mungesë, të bashkohet sërish. Gjykata e shkallës së dytë propozoi dëshmitarë të rinjë, vëllaun dhe motrën e njërës nga dëshmitaret e mbrojtura (C1 dhe C2) të nacionalitetit Rom. Pala Mbrojtëse shtroi kërkesën për mbrojtje në liri të katër të akuzuarëve, Agush Memishit, Faton Hajdarit, Selimon Sadikut dhe Samet Hajdarit, por Trupi gjykues e refuazoi një gjë të tillë. Fillimi i RIGJYKIMIT u caktua për datën 23 Prill 2012, thuhet në njoftimin e kryetarit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Orhan Rexhepi.

———————–

Departamenti Federal i Drejtësisë: “Vendimi për ekstradim ka qenë i plotfuqishëm më 7 mars. Data nuk publikohet asnjëherë paraprakisht”. Departamenti Federal i Drejtësisë dhe Policisë ka bërë edhe konfirmimin zyrtar për plotfuqishmërinë e vendimit për ekstradim në Serbi të Shemsi Nuhiut. I pyetur nëse mund ta konfirmojë edhe zyrtarisht lajmin e publikuar dje për ekstradimin e Nuhiut, zëdhënësi i Entit Federal për Drejtësi, Folco Galli, përmes postës elektronike pohon se vendimi për ekstradim praktikisht është marrë në momentin kur ka ardhur vendimi i Gjyqit Federal. “Me verdiktin e Gjyqit Federal, të marrë më 7 mars, vendimi për ekstradim në rastin Shemsi Nuhiu është bërë i plotfuqishëm dhe i zbatueshëm”. Ndërsa pyetjes tjetër se a mund të dihet data e saktë e ekstradimit, Galli i është përgjigjur negativisht. “Në bazë të praktikës sonë të përhershme, zyra jonë nuk informon asnjëherë paraprakisht lidhur me zbatimin e një ekstradimi.
———————–

Partia Liberale Demokratike e Çedomir Jovanoviqit në zgjedhjet parlamentare në listën e saj “Ndryshim” (Preokret) përfaqëson të gjitha komunitet që jetojnë në Serbi, si dhe një shqiptarë nga Lugina e Preshevës, i cili pritet të jetë forcë e fuqishme me deputetët e Partisë Liberale Demokratike në parlament në realizimin e të drejtave të qytetarëve të Luginës së Preshevës. Kandidati është Kujtim Sadriu, njëkohësisht është edhe menaxher në këshillin komunal të Partisë Liberal Demokratike të Çedomir Jovanoviqit i cili është edhe bartës i listës në zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Kandidati për deputet, Kujtim Sadriu përmes një informate për media ka deklaruar se ai do të jetë i vendosur në realizimin e të gjitha premtimeve të dhëna nga ata që nuk arritën të realizojnë. Nëse vota e qytetarëve tanë më mundëson që të jem deputet unë do të flas në gjuhën shqipe në parlament. Vlen të përmendet se nuk është e mjaftueshme vetëm të flasësh shqip por me rëndësi është të arrish barazi në të gjitha segmentet e jetës së përditshme të qytetarëve tanë. Çedomir Jovanoviq shumë herë ka potencuar se “Qeveria e Serbisë duhet ti trajtojë shqiptarët e Luginës së Preshevës si qytetarë të vetë, gjithçka që ka ndodhur në të kaluarën na detyron që ti ndryshojmë qëndrimet ndaj shqiptarëve sepse ata janë shansi i shoqërisë sonë”. Ai pat deklaruar edhe në Medvegjë vitin e kaluar ne formimin e këshillit te Partisë Liberale Demokratike pret që pas zgjedhjeve të ardhshme ky subjekt politik të përfaqësohet edhe me shqiptarë.

——————-

“Vatra dhe qytetarët e tri komunave, edhe më tutje janë të përkushtuara që të kontribuojnë në stabilizimin e këtij rajoni duke dal në zgjedhje lokale në këto tri komuna dhe për të treguar edhe njëherë se shqiptarët dëshirojnë të marrin pushtetin me vota të lira të qytetarëve, se janë të interesuar të zhvillojnë demokracinë, të ruajnë sigurinë e paqen, sepse këto forma janë mjete të kohës e të vlerave evropiane demokratike. Shpallja e zgjedhjeve lokale e republikane nga ana e Serbisë, më 6 maj 2012, liderët politik të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, megjithatë, i ka gjetur jo unik, posaçërisht rreth atyre republikane. Mirëpo, “Vatra” përkujton liderët politik të partive shqiptare dhe gjithë qytetarët shqiptarë të tri komunave të Kosovës Lindore se këtu nuk ka hamendje, nuk ka dilema, por duhet të dilet me qëndrim të qartë: se as liderët as populli shqiptar në Preshevë Bujanoc e Medvegjë nuk duhet të dalin në votime për zgjedhjet republikane serbe. Pra “Vatra” për zgjedhjet lokale e republikane serbe ka qëndrim: shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës duhet të dalin në zgjedhje lokale, por jo edhe në zgjedhjet republikane. Zgjedhjet për deputet të Serbisë duhet t’i bojkotojnë, sepse Kosova Lindore është e kthyer nga Prishtina e jo nga Beogradi. Jo pse edhe pjesëmarrja e mëparshme e një deputeti në Parlamentin e Serbisë nuk bëri asgjë, por edhe tash e asnjëherë në të ardhmen edhe t’i kenë 5-6-7 apo 10 deputet, kurrë nuk do të mund të bëjnë diçka për shqiptarët e Kosovës Lindore, sepse gjithmonë ata do të mbivotohen. Prandaj nuk kanë pse të jenë si kukulla e numra për Serbinë e për ndonjë forcë politike serbe në parlament, kur deri më tash asnjë prej tyre nuk ka qenë konstruktiv për shqiptarët. Pjesëmarrja e deputetëve shqiptarë në parlamentin e Serbisë veç ia rrit imazhin Serbisë, sepse para botës ajo do të arsyetohet, se ja ne jemi demokratë, ne ua kemi dhënë të drejtat pakicave etj. Në fakt kjo do t’i shërbejë si alibi për të vazhduar diskriminimin e shqiptarëve. Sa për të përkujtuar: edhe pse në mandatin e kaluar ka qenë një deputet në parlamentin e Serbisë, shqiptarët e komunës së Preshevës, Bujanocit e Medvegjës kanë qenë të diskriminuar në çdo fushë të jetës. Nuk ka pasur zhvillim ekonomik, nuk është demilitarizuar rajoni, nuk është ndalur diskriminimi, edhe më tutje është keqësuar gjendja sociale e ekonomike e tyre, nuk lejohet përdorimi i simboleve kombëtare, nuk është investuar në kthimin e banorëve të Malësisë së Bujanocit dhe të anëve tjera, është ndjekur edhe më tutje popullata shqiptare nga vatrat e veta etj.

———————

Është konsoliduar në tërësi Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës në Preshevë. Rezultatin e zgjedhjeve të bëra në Janar ku doli edhe kryesia e re, e ku votuan 21 xhami me 61 delegatë, i ka verifikuar dhe e ka dhënë vendimin e zgjedhjes së Këshillave të Bashkësisë Islame edhe myftiu i BIK Naim Tërrnava më 22 Shkurt 2012. në bazë të këtyre rezultateve kryetar i Këshillit të BIK në Preshevë është zgjedhur Fikret Limani. Ai për RTV Presheva foli për procesin zgjedhor. Por Limani, thotë se kryesia e re ka edhe planet e veta. Kurse si punë primare dhe kryesore për të është hapja e medreses në Preshevë. Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës në Preshevë e ka mandatin e vetë deri në vitin 2016, e kjo ceket edhe në vendimin e myftiut Naim Tërrnava.

——————–

Eksperti për Ballkanin perendimorë, Ian Bancrof ka thënë se është e pamundur të ketë negociata për statusin e Kosovës, por sipas tij, mund të paramendohen negociata për përshtatjen e kufijve. Serbia, sipas të gjitha gjasave, nuk do të marrë datën për të filluar negociatat me BE-në, nëse nuk ndërmerr hapa për të zhbërë strukturat paralele në veri të Kosovës dhe të zbatojë plotësisht marrëveshjet e deritashme në dialog me Kosovën, veçanërisht ato lidhur me menaxhimin e integruar të kufirit, ka thënë për ”Blic” Ian Bancroft, ekspert i Ballkanit Perëndimor dhe drejtor Ekzekutiv i organizatës britanike Transkonflikt dhe kolumnist për ”The Guardian”. Bancroft thotë se Beogradi do të jetë nën presion ndërkombëtar për të bërë një trysni të fortë mbi serbët në veri, ndikim ky që nuk e posedon sa duhet, në veçanti për të siguruar qasje të plotë të EULEX –it. Marrëveshjen për përfaqësimin rajonal të Kosovës ai e ka vlerësuar si kompromis, me interes për të dy palët. Ndërsa lidhur me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, ai vlerëson se ato do ta tensiononin edhe me shumë situatën në Kosovë. “Serbia do të pranojë kompromisin që në Kosovë të organizojë vetëm zgjedhje parlamentare”, tha ai. Duke folur për dialogun ai ka thënë se është e pamundur që sërish të ketë negociata për statusin e Kosovës, kur të kihen parasysh përmasat e përkrahjes ndërkombëtare që gëzon Kosova. “Megjithatë mund të paramendoj negociata për përshtatjen e kufijve, këmbimin e territoreve ose edhe për sovranitetin e ndarë mbi veriun e Kosovës”, tha Bancroft.
———————–

Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të bëhet më shumë politik dhe të shqyrtojë çështjen e autonomisë për veriun e Kosovës, ka thënë diplomati austriak, Shtefan Lehne. Edhe pse dialogu i deritashëm teknik ka qenë produktiv, për t’u arritur përmirësim i dukshëm i marrëdhënieve, është i domosdoshëm një proces gjithnjë e më shumë politik”, ka thënë Stefan Lehne për mediat serbe.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch