Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 21 gusht 2012

RTP lajmet 21 gusht 2012

Kryetari i komunës Ragmi Mustafa bashkë me ndihmesat e tij dhe anëtarët e këshilli komunal ka vizituar sot projektin e transformatorit elektro energjetik në rrugën e rinisë. Ky projekt i nisur 1 vit më parë nga fondi për punë komunale dhe çështje banesore dhe pronarët e parcelave në këtë rrugë tashmë është finalizuar. E këtij projekti i ka paraprirë edhe një qytetarë i cili ka mundësuar ngritjen e transformatorit në pronën e tij pa asnjë kompensim. Gjithashtu në këtë lagje të re të qytetit janë vendosur edh shtyllat elektrike me ndriçim rrugor. E kjo lagje ka një problem i cili pritet të zgjidhet , pasi kjo shtëpi dhe disa të tjera për shkak të rrugës kanë mbet të pa banuara. Delegacioni komunal ka vizituar edhe këto parcela për të cilat zyrtarët komunal shpresojnë në mirëkuptimin e qytetarëve për ta do të lëshuar për rrugë, e cila do të lidhet me atë kryesore. Sipas kryetarit Mustafa dhe ndihmësit Ferid Selimi kjo rrugë do të jetë një arterie shumë e rëndësishme pasi do të lirojë dy rrugët kryesore atë 15 Nëntori dhe Marshall Tito. Njëherit ata janë zotuar se do të investojnë në këtë lagje. Në rrugën e Prishtinës komuna ka kryer procedurat e planit urbanistik dhe tani problemi i vetëm mbetet hapja e rrugës dhe asfaltimi i saj për gjatë lumit e deri në dalje ku takohet me atë 15 nëntori.

———————-

Këshilli komunal sot ka diskutuar 7 pika të rendit të ditës të cilat kryesisht kanë qenë raporte të punës dhe financiare të drejtorateve dhe institucioneve ku themelues është kuvendi komunal.

Pas diskutimeve nga ana e anëtarëve të këshillit komunal është miratuar raporti 6 mujor i NIJP Presheva , Qendrës për punë sociale , drejtoratit për përcaktimin dhe pagesën e të hyrave publike dhe raporti i Fondit për punë komunale ndërtimore dh banesore. Ndërkaq si pikë më e diskutueshme ka qenë edhe vendimi i vlerësimit strategjik të planit re regulacionit gjeneral në ambientin jetësor i cili është në fazën finale. Sipas kryetarit Mustafa ky plan do të mundësojë edhe legalizimin e objekteve siç është ai i pishinës së mbyllur në mes fshatit Leran dhe Bushtran. Po ashtu gjatë kësaj mbledhje janë shqyrtuar edhe kërkesat e personave fizik dhe juridik si dhe të institucioneve ku themelues është kuvendi por dhe kërkesat e shkollave. Pikat e miratuara do të adreson për seancën e radhës të kuvendit komunal.
——————-
Puna e ngadaltë e autoriteteve serbe të policisë për zbatimin e Marrëveshjeve për qarkullim të lirë të qytetarëve me dokumente të Republikës së Kosovës, ka rritur numrin e automjeteve që presin radhë për të hyrë ne Serbi nga Kosova. Për të hyrë në Serbi, qytetarët kosovarë presin deri në tri orë. Kjo e tëra meqë shkaktohen pritje të gjata në sportelet ku pritet paisja me dokumentin serb i cili zëvendëson letërnjoftimet e Republikës së Kosovës, sa për të kaluar transit Serbinë, apo edhe për të qëndruar në Luginën e Preshevës tek familjaret e tyre. Pritje të gjata në temperatura jo të zakonshme për vendin tonë shkaktojnë tendosje, lodhje dhe revolt tek qytetaret, shumicën e të cilëve i presin edhe mijëra kilometra për t`i kaluar në drejtim të vendit të tyre të punës në qendra të ndryshme të Evropës Perëndimore
Azilkërkuesit nga vendet që janë të liruara nga regjimi i vizave do të marrin një përgjigje brenda dy ditëve nga Zyra Federale për Migracion në Zvicër. Kështu ka thënë Mario Gattiker, drejtor i Zyrës Federale për Migracion (BFM). Autorietet zvicerane kanë reaguar ashpër ndaj rritjes së kërkesave muajve të fundit për azil nga vendet e Ballkanit. Në fokus janë kërkesat për azil nga Maqedonia, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Për qytetarët e këtyre vendeve që nga viti 2009 nuk aplikohet regjimi i vizave për të hyrë në vendet e Shengenit. Vetëm në korrik numri i azilkërkuesve nga Maqedonia ishte rritur 83 për qind në Zvicër krahasuar me një muaj më herët. Edhe nga Serbia numri i atyre që kërkuan azil është rritur për 68 për qind. Të gjitha kërkesat e azilkërkuesve nga Ballkani do të shqyrtohen nga një ekip që do të stacionohet në Basel. Një vendim për azilkërkuesit do të merret brenda 48 orëve. Kjo vlen për të gjitha aplikacionet që nuk kërkojnë hetime të mëtejshme. Zyra Federale për Migracion ka garantuar se me gjithë përshpejtimin e këtij procesi, të gjitha kërkesat për azil do të gjykohen drejt dhe nuk u mohohet e drejta e ankesës. Zvicra dëshiron të dërgojë një sinjal për të gjithë azilkërkuesit se do të merret vendim në bazë të ligji, tha Gattiker. Me këto masa Zvicra synon të reduktojë numrin e azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit. Që nga prilli qytetarët e këtyre vendeve janë të përjashtuar nga ndihma që u ofrohet azilkërkuesve gjatë kthimit. Përveç kësaj, Zyra Federale e Migracionit do të dënojë me një ndalim udhëtimi të gjithë azilkërkuesit e refuzuar, të cilët nuk e braktisin me kohë Zvicrën.
———————
Një grup gazetarësh të rinj planifikojnë të rinisin shërbimin mediatik të Radio Televizionit Jugosllav këtë vit si agjenci transmetimi e përbërë vetëm nga vullnetarë, për t’i shërbyer rajonit. Stacioni planifikon të përdorë gazetarë vullnetarë që do të njoftojnë nga Beogradi, Zagrebi, Lubljana, Novi Sadi, Podgorica, Prishtina, Sarajeva e Shkupi. Ai do të fillojë transmetimet këtë vit si radiostacion e do të zgjerohet për të përfshirë njoftime me video në internet në dhjetor. Kjo nismë planifikon më shumë se 18 orë program në ditë, me njoftime që përqëndrohen në një këndvështrim rajonal, në vend të nacionalist. Vullnetarët planifikojnë njoftime mbi lajme, politikë, argëtimi, sporti, filmat, dokumentarë, kulturë si edhe programe arsimore e për rininë. “Baza e JRT-së është shtypja e nacionalizmit,” tha për SETimes Benjamin Hasaniç, 17 vjeç nga Maglaj, që planifikon të nisë stacionin. Radio Televizioni Jugosllav ishte krahu i transmetuesit publik i Jugosllavisë përpara shpërbërjes së saj më vitet 1990. AI u shpërbë në kanale të ndryshme publike që i shërbejnë Bosnjë dhe Hercegovinës (BiH), Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë, Kosovës e provincës së Vojvodinës të Serbisë. “Mediat janë një rrugë unike për të gjetur zgjidhjen e përbashkët të problemeve.
——————
Veriu i Kosovës do të mbetet temë e diskutimeve politike të nivelit të lartë edhe në Kombet e Bashkuara, të martën, kur Këshilli i Sigurimit të diskutojë raportin e rregullt për Kosovën të sekretarit të përhershëm të OKB-së, Ban Ki moon. Seanca do të jetë edhe rasti i parë që në të njëjtin takim të jenë prezent kryeministri i Kosovës, Hashim Thhaçi, dhe homologu i tij nga Serbia, Ivica Daçiq, prej se kreu i socialistëve serbë ka ardhur në krye të Qeverisë në Beograd, njofton Koha. Raporti që do të diskutohet nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbulon periudhën tremujore prej 16 prillit deri më 15 korrik të këtij viti Në këtë raport, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, ka hedhur shumë kritika në adresë të institucioneve të Kosovës, ndërsa ka shfajësuar Serbinë për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik me Kosovën. Ban Ki- moon ka kritikuar veprimet e Policisë së Kosovës gjatë shënimit të Vidovdanit, më 28 qershor, ndërsa ka shprehur shqetësimin edhe për vendimin e Qeverisë së Kosovës që të ndërpresë financimin e Administratës së UNMIK-ut në veri të Mitrovicës, UAM. Nga faktori ndërkombëtar Ban ka kërkuar më shumë unitet për presion ndaj palëve dhe angazhim më të madh të palëve në dialog
Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic nuk pritet të takohen apo t’i shtrëngojnë duart të martën në New York. Por dy kryeministrat, sipas të gjitha gjasave, do të kenë një përballje të ashpër në Këshillin e Sigurimit të OKB’së kur të diskutojnë rreth situatës në Kosovë. Skenari i Dubrovnikut, ku Kryeministri Hashim Thaçi dhe ish-Presidenti i Serbisë, Boris Tadic ia shtrënguan duart njëri-tjetrit, muajin e kaluar, nuk pritet të përsëritet të martën në New York. Kryeministri Thaçi dhe homologu i tij serb, Ivica Dacic, pritet të marrin pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit, ku do të diskutohet raporti i rregullt i OKB’së për situatën në Kosovë, por ata nuk pritet të shtrëngojnë duart apo të realizojnë ndonjë takim. Kohëve të fundit, është folur shumë për një takim mes udhëheqësve kosovarë dhe atyre serbë, në kontekst të bisedimeve të reja që pritet të fillojnë gjatë vjeshtës. Por sipas të gjitha gjasave, një takim i nivelit të lartë politik nuk pritet të ndodhë në New York. Ndryshe në Raportin e tij, Sekretari Ban u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit të jenë më konstruktivë në tejkalimin e dallimeve dhe të zbatojnë në jetë marrëveshjet e arritura përmes dialogut teknik.
——————
Këshilltarja për Çështje Ballkanike pranë Ligës Civile Shqiptaro-Amerikane, Shirley Cloyes Dioguardi thotë se pa një ballafaqim me të kaluarën, Shqipëria nuk mund të ketë një të ardhme të qartë dhe të qëndrueshme. Sipas saj, për fat të keq problemi qëndron në faktin se regjimi i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike pas komunizmit, nuk i hapi arkivat në atë kohë. “Ai u vlerësua për kryerjen e tranzicionit përgjithësisht pa gjakderdhje, duke ditur që Shqipëria përjetoi një nga format më të tmerrshme të komunizmit që ka parë Evropa. Por procesi u shoqërua me mohimin e memories së të gjitha atyre që ndodhën. Në memorien e 5 mijë e 500 të vrarëve nga Enver Hoxha dhe regjimi i Ramiz Alisë që pasoi, dhe të paktën 100 mijë shqiptarëve që u burgosën, syrgjynosën në kampe internimi e pune të detyruar, dita e ballafaqimit me të vërtetën nuk ka ardhur. Jemi në vitin 2012 dhe asgjë nuk ka ndodhur në Shqipëri. Është një realitet i trishtueshëm, pasi ata që i mbijetuan këtij regjimi nuk kanë parë vënien në vend të drejtësisë”, ka thënë Dioguardi në një intervistë për Zërin e Amerikës.“Për fat të keq, ajo që kemi vërejtur në Shqipëri janë dy parti: demokratët dhe socialistët, të cilët në një farë mase e kanë shfrytëzuar këtë histori në interesin e tyre, në të mirë të një elite të vogël politike, në një kohë kur vendi është mbërthyer nga korrupsioni dhe varfëria. Shqipëria nuk ka parë përparim”, thotë Dioguardi. Është detyra jonë që t’i vendosim të drejtat e njeriut në qendër të çdo veprimi që ndërmarrim. Këtu përfshihet edhe hyrja e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ky proces duhet të jetë pjesë e planit për antarësim në BE”, ka thënë ajo.
—————–
Më afër dhe më lirë, arsye të mjaftueshme që bregdeti shqiptar të jetë një prej destinacioneve më të preferuara turistike për këtë verë. Shpenzimet ditore të një pushuesi nga Maqedonia në Shqipëri mesatarisht kanë kushtuar jo më shumë se 800 denarë, ose dy herë më pak sesa në Greqi, apo tre herë më lirë sesa në Kroaci. Kjo është ndoshta edhe një nga arsyet që Shqipëria renditet e dyta në listën e vendeve që janë frekuentuar më shumë këtë vit, pas Greqisë, shkruan sot Gazeta Koha. Kohëzgjatja mesatare e pushimeve në bregdetin shqiptar nuk është më e gjatë se një javë, ndërkohë që në rivierën greke pushimet shijohen më gjatë, deri në 10 ditë. Sipas të dhënave zyrtare, Kroacia është vendi me kosto më të lartë për të kaluar pushimet vjetore, madje më shumë edhe sesa Turqia, një arsye kjo e mjaftueshme që edhe preferenca për këtë vend të jetë e vogël. Në Greqi kanë pushuar mbi 42 % e numrit të përgjithshëm, e dyta renditet Shqipëria, me më shumë se 32 % e numrit total. Ndërkohë që preferencat për bregdetin bullgar po ashtu kanë rënë, duke mos arritur as deri në 2 % të numrit të përgjithshëm të pushuesve. Në të njëjtat nivele është edhe Turqia. Mali i Zi është edhe shteti i tretë, me më shumë se 10 % të numrit të përgjithshëm të pushuesve, si destinacion turistik i kësaj vere. Kostoja e shpenzimeve ditore të një plazhisti në bregdetin malazez është e përafërt me atë në rivierën shqiptare, afërsisht 800 denarë. Arsyet financiare dhe gjendja jo e mirë ekonomike kanë qenë shkaku kryesor për ato që nuk kanë kaluar asnjë ditë pushime verore. Sipas një ankete të realizuar nga Enti i Statistikave, mungesa e parave është renditur në krye të justifikimeve, për gati 80 % të të anketuarve.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch