Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 21 Janar 2013 & Protesta Video

RTP lajmet 21 Janar 2013 & Protesta Video

1. Mijëra qytetarë të luginës së Preshevës kanë protestuar sot në mënyrë paqësore duke dënuar ashpër aktin arbitrar të qeverisë serbe për largimin e pllakës përkujtimore , që sipas protestuesve ka injoruar në mënyrë të vrazhdë vullnetin politik të shqiptarëve për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme. Grupi uniteti i liderëve politik shqiptarë në Luginë pas takimit kanë nxjerrë edhe një deklaratë politike ku thuhet se Serbia ka shkelë të gjitha konventat ndërkombëtare , kompetencat e pushtetit vendorë e sidomos vullnetin për kompromis mes faktorit politik shqiptar me përfaqësuesit ndërkombëtar. Shqiptarët e luginës së Preshevës për mes deklaratës së përbashkët kanë kërkuar ndërprerjen e retorikës së vrazhdë dhe kërcënuese të qeverisë serbe ndaj vlerave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës . “Kërkojmë që me ndihmën e faktorit ndërkombëtarë të kthehet Lapidari i dëshmorëve konform kompetencave të pushtetit vendor. Kërkojmë nga faktori ndërkombëtarë që të përkrahet iniciativa e pushtetit lokal në Bujanoc për largimin e memorialit të policisë speciale serbe nga fshati Lluçan dhe vendbanimet e shqiptare;Të fillojnë procedurat gjyqësore në nivelin vendor dhe Gjykatën e Strazburit ndaj shkeljeve të rënda që u bënë në procesin e largimit arbitrar të Lapidarit, vendosjen provokative të memorialit në Lluçan të dhe mohimit të të drejtave të shqiptarëve. Gjithashtu faktori politik shqiptarë ka kërkuar fillimin e proceseve gjyqësore për ndriçim e rasteve të vrasjeve dhe kidnapimeve të civilëve shqiptarë në periudhën 1999-2011. Po ashtu është kërkuar zbatimi i marrëveshjes së Koçulit të vitin 2001 dhe ndërprerja e përndjekjeve e vazhdueshme të ish pjesëtarëve të UÇPMB-së dhe respektimin e pakusht të aktit të Amnistisë. Në fund grupi uniteti ka apeluar te popullata shqiptare në Luginë të Preshevës, Kosovë dhe rajon, për ruajtjen e qetësisë, maturisë dhe unitetit për tejkalimin e kësaj situate të rëndë të krijuar me ndërhyrjen e vrazhdë të Beogradit.

——————

2. Ai vazhdon të kujdeset ende për këtë vend, nuk kursen asnjë moment të ditës së tij për ta pastruar vendin i cili ka mbetur si i shenjtë për gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ramiz Zeneli nga fshati Leran është kujdesur vazhdimisht që lapidari i dëshmorëve të UCPMB-së mos të mbulohet me pluhur, këtë punë ai po vazhdon ta bëjë edhe pas heqjes së lapidarit, edhe pse i moshuar ai premton se edhe ditëve në vazhdim do të kujdeset për këtë vend. Për shumë qytetarë vazhdon të ndihet mungesa e lapidarit ku ishin të shkruar 27 emrat e dëshmorëve. Por një dhimbje më të thellë po i ndjejnë vetë familjarët e dëshmorëve. Lapidari i dëshmorëve të UCPMB- së u hoq në ora 6 e 40 në mëngjesin e së dielës nga forca të shumta të xhandarmërisë serbe.
——————-
3. Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ka deklaruar sot në Beograd se situata e sigurisë në Preshevë është e qetë dhe se ngjarjet atje janë “çështje e brendshme” e Serbisë. “Situata e sigurisë është e qetë. Mendoni se ajo mund të varet nga lapidari? Do të ishte një vend i shkretë sikur të varej”, u ka thënë Dacic gazetarëve në Beograd. Ai po ashtu ka deklaruar se Serbia është e gatshme të vazhdojë dialogun me Prishtinën dhe se procesi i tillë nuk ka asnjë lidhje me Luginën e Preshevës, transmeton Rel. Të dielën, pjesëtarë të xhandarmërisë serbe kanë larguar lapidarin e ushtarëve të rënë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, i cili ka qëndruar para Kuvendit Komunal në Preshevë. Një gjë e tillë ka nxitur reagimin e shumë autoriteteve, si shqiptare ashtu edhe ndërkombëtare, dhe është thënë se mund të ndikojë dialogun Prishtinë-Beograd.
——————
4. Me rastin e heqjes së lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kanë bërë thirrje serbëve dhe shqiptarëve që, në bashkëpunim me OSBE-në, të gjejnë zgjidhje afatgjate dhe të përhershme. “Inkurajojmë të gjitha palët që të vazhdojnë të bashkëpunojnë me OSBE-në, në mënyrë që të gjendet zgjidhje afatgjate dhe e përhershme e atij problemi”, ka thënë për mediat serbe atasheu për shtyp në ambasadën e SHBA-së në Beograd, Steven Stark. Pjesëtarët e xhandarmërisë serbe, të dielën, kanë hequr lapidarin e pjesëtarëve të rënë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Një gjë e tillë ka nxitur reagimin e autoriteteve shqiptare, por edhe më gjerë.
—————–
5. Qeveria e Republikës së Kosovës duke dënuar edhe njëherë veprimin e shëmtuar të heqjes me forcë të Memorialit për luftëtarët e UÇPMB-së në qendër të Preshevës, fton të gjithë qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës që të jenë të matur në reagimet e tyre karshi veprimeve jocivilizuese të Qeverisë së Serbisë. Çdo veprim i dhunshëm i dëmtimit të varrezave të komunitetit serb është në kundërshtim të plotë me traditën dhe ligjet e Kosovës, me përkushtimin institucional të Kosovës për afirmimin e vlerave civilizuese evropiane dhe në kundërshtim të plotë me interesat legjitime të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, thuhet në një deklaratë të leshur nga Qeveria e Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës iu bën thirrje qytetarëve të Kosovës dhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës që të gjitha reagimet e tyre qytetare dhe institucionale t’i bëjnë në frymën demokratike dhe civilizuese, duke mos rënë në provokimet e Qeverisë së Serbisë,thuhet në deklaratë.
———————
6. Deklaratat e kryeministrit të Serbisë, Ivica Dacic, se formimi i një fondi të veçantë për veriun është hapi i parë i krijimit të autonomisë për serbët në Kosovë, analisti Azem Vllasi i cilëson si deklarata për konsum të brendshëm në Serbi. Ndërsa, heqjen e lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë Vllasi e vlerëson si një reprizë të sjelljeve të regjimit të Slobodan Milosevicit ndaj shqiptarëve në vitet e ‘90-ta. “Dacici përmes dhunës ka dy qëllime: tenton të dëshmojë para serbëve se shteti i Serbisë e zbaton ligjin, edhe me force nëse ka nevojë, e të njëjtën kohë tenton t’i frikësojë shqiptarët në Preshevë. Mirëpo, ky veprim vetëm se do të armiqësojë shqiptarët me shtetin e Serbisë”, ka thënë Vllasi për Telegrafi. Sipas tij, çështja e krijimit të një fondi për veriun e Kosovës nuk ka lidhje me autonomi. “Fondi për veriun është kryekëput çështje e brendshme e Republikës së Kosovës, i cili është i paraparë edhe me Planin e Ahtisaarit”, ka thënë Vllasi.

————–

7. Veprimtari i çështjes kombëtare shqiptare, Adem Demaçi në një intervistë për gazetën “Lajm”, e ka cilësuar si akt fashist heqjen e lapidarit të të rënëve të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB) nga ana e shtetit serb. Sipas tij, ky veprim ka demaskuar edhe një herë politikën fashiste të Serbisë. Demaçi për heqjen e lapidarit në Preshevë, e ka fajësuar Evropën dhe Amerikën, të cilat sipas tij nuk ndërhynë me kohë për ta zgjidhur këtë çështje, ndërkohë që ka thënë se qeveria e Kosovës është e paaftë që të përdorë masat e reciprocitetit në këtë rast. Sipas Demaçit, me këtë akt të Qeverisë së Serbisë, shqiptarët atje kanë humbur diçka, por në perspektivë do të fitojnë shumë më shumë.

————————-

8. Në këto momente të rënda, që po i kalon Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, po shihet qartë, se ku është formula e së keqës që vazhdimisht po i përgadit Serbia. Edhe diaspora shqiptare, është trishtuar me “spektaklet” e radhës të xhandarmërisë serbe, të atyre, që u diktuan apo dirigjuan nga klika e kryekriminelit Millosheviq, për të hjekur përmendoren e paqes të vendosur me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptarë. Urgjentisht diaspora shqiptare, të kryesuar nga dy shoqatat humanitare, që veprojnë në Zvicër, ajo e “Luginës së Preshevës” dhe “Medvegja”, sot, pati një takim dhe unanimisht, dënojmë këtë akt të turpshëm, që e bëri Serbia, para syve të banorëve autoktonë dhe para faktorit ndërkombëtarë. Në asnjë moment, kurrën e kurrës, diaspora shqiptare, nuk ka qenë në gjum dhe as që do të jetë.Aktin i hjekjes së përmendores të dëshmorëvë të UÇPMB-së nga ana e qeverisë serbe, e konsiderojmë akt barbar të drejtuar kundër ndjenjave liridashëse të popullit shqiptarë në Luginë të Preshevës. Përmendorja ishte dhe mbetet homazh i lirisë dhe paqës, simbol i dashurisë për lirinë, për të cilën emrat e njomë të skalitur në lapidar dhanë atë më të shenjtën -jetën. Hjekja e përmendores dëshmon vazhdimësinë e politikës antishqiptare serbe. Qeveria aktuale serbe, duhet ta kujtojë, se me politika të tilla, gjithmonë ka dalur humbëse dhe kjo është vazhdimësi e kryekriminelit të tyre që vdiq me turp në burgun ndërkombëtarë të Hagës. Përmendorja e dëshmorëve, u vjodh nga xhandarët dhe u dërgua në vend të panjohur, por, toka aty mbet, aty do të mbetet përgjthmonë, sepse për ate, kanë dhënë jetën edhe dëshmorët. Sikur të vinin e gjithë Serbia, e kishte të pamundur, që të marrë me vete tokën shqiptare, sepse ajo gjithmonë ka qenë shqiptare dhe do të mbetet. Gjithashtu, qeverisë shqiptare në Tiranë dhe asaj në Kosovë, ua përkujtojmë, që të jenë më afër vëllezërve të tyre në këto troje etnike dhe të reagojnë edhe më shumë, si dhe të kërkojnë nga BE dhe SHBA, që ti gëzojnë të drejtat që u takojnë. Politika shqiptare në Luginë duhet të jetë unike dhe të mos shikoj me inate njëri tjetrin. Lutemi për paqe, lutemi që faktori ndërkombëtarë të ngrej zërin dhe të dënoj këto akte të kësaj qeverie serbe, e cila, po pretendon BE-në me mentalitet të vjetër. Shpresojmë shumë, se uniteti do ti mund ata që duan konflikte dhe problemi i Luginës së Preshevës, do të zgjidhet njëherë e përgjithmonë dhe të mos mbetet bomë e kurdisur. Shoqata Humanitare “Lugina e Preshevës”, Zvicër dhe dega e saj në Bruksel, Shoqata Humanitare “Medvegja”, Fully, Valis-Zvicër, Kryesia e Akademisë Përkujtimore të UÇPMB-së, Zvicër.
——————

9. Në një anketë të Radio Televizionit të Serbisë (RTS), me pyetjen se “Ku gjendet Presheva dhe Bujanoci – në Serbi apo Kosovë”, rreth 64.4% e teleshikuesve janë përgjigjur se Presheva dhe Bujanoci gjenden në Serbi, ndërsa 26.2 mendojnë se këto dy komuna të Luginës së Preshevës gjenden në Kosovë. Rreth 9.4% e votuesve fare nuk e din se ku gjendet Presheva dhe Bujanoci.
——————-

10. Në varrezat ortodokse serbe në fshatin Kllokot afër Vitisë janë rrënuar 27 përmendore mbi varreza, njofton radioja serbe nga Kosova KiM. Sipas njoftimit, në varreza gjenden pjesëtarët e Policisë së Kosovës të cilët po e bëjnë hetimin e ngjarjes. Kreu i Komunës së re të Kllokotit, Sasha Mirkoviq, i cili jeton në afërsi të këtyre varrezave, deklaroi se është i shokuar me këtë kat vandal. Informatën e ka konfirmuar edhe drejtori i radios lokale të Kllokotit, Nikolla Stoliq, i cili tha se “ka informata për rrënimin e varrezës” dhe se atje gjendet policia. Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar ashpër edhe Zyra për Kosovë e qeverisë së Serbisë, e cila ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që sa më parë t’i zbulojë dhe ndëshkojë aktorët e këtij akti vandal. Siç dihet, sot në Preshevë, pikërisht qeveria serbe i dha urdhër xhandarmërisë së saj që të heqë nga lapidarin përkujtimor të dëshmorëve të UÇPMB-së, dhe ka mundësi që ky akt të jetë një lloj hakmarrje për atë që ndodhi në Preshevë.
RTV Presheva

One Response

  1. luginaa thotë:

    luginaa osht plak, po spo rri rehat, per to
    cka pa me si ne protesta. Krejt organizmi tallava, gaz i dheut per gazetar e per te huaej.Kreret politike te pa unifikuem, llafe, vec llafe.Popullizem dhe fjale te nxehta per popullin e punet kukundi. Jazek per komunen, gaz i dheut pa mikrofona, pa interesim, fishkellima per ta.
    Jo more burra, nuk ruhet atdheu me fjale te nxehta si te atij Ragmise e te jonuzit, goja e tine qitke flake per zotin. Luginaa u mbush me motiv petriotik tha po kta burra e mbron ardheun edhe pllaken. Po erdhi dita kta ne gjume te thelle.
    Luginaa thote edhe llafos po fajtor Serbia, ama duhet te japin pergjegjesi, bile edhe doreheqje ki Ragmija edhe ki Jonuzi. na kallen or burra me fjale, na futen ne loje patriotike.Po ki Ragmija tha po jap ama karrika e bute.S po e lshon. Nuk je mor burre per kritar komune. Ik dikun ku jep frit se nuk je i afte per ktietar.E more kompirin e nxehte nga Serbia e Prishtina, humbe.
    Kshtu porosit Luginaa e me shnet.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch