Home » Lajme » RTP lajmet 21 mars 2012: HELP sot ka nënshkruar kontratën për bashkëpunim me komunën e Preshevës …

RTP lajmet 21 mars 2012: HELP sot ka nënshkruar kontratën për bashkëpunim me komunën e Preshevës …

Organizata gjermane HELP sot ka nënshkruar kontratën për bashkëpunim me komunën e Preshevës ku përfshihet përkrahja e zhvillimit të qëndrueshëm lokal përmes zvogëlimit të varfërisë dhe fuqizimit ekonomik. Nënshkrimi i kontratës është realizuar në mes të menaxheres së programit të HELP-it për Jugun e Serbisë, Masha Bubanj dhe kryetarit të komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, projekt ky që financohet nga qeveria gjermane dhe qytetet respektivisht komunat përkatëse. Vlera e pjesës së projektit për komunën e Preshevës është 134. 672 euro, nga e cila kontributi i komunës është nga 48.000 euro. Me këtë projekt në secilën komunë mundësohet hapja e re e 40 bizneseve të vogla. Vlera mesatare e një projekti individual do të jenë të vlerën prej 2400 euro. Qëllimi i përgjithshëm i programit është kontributi i zhvillimit të qëndrueshëm në Serbi në veçanti të shqyrtojë strukturat ekonomike lokale në qytetet dhe komunat përkatëse e cila do të realizohet me qëllime të veçanta përmes përkrahjes ekonomike dhe edukative të zhvillimit lokal. Projekti përkrahja e zhvillimit të qëndrueshëm lokal përmes zvogëlimit të varfërisë dhe fuqizimit ekonomik do të realizohet nga 1 marsi 2012 deri më 31 tetor 2013.

——————–

Kryetari I komunës së Preshevës Ragmi Mustafa ka pritur sot në kabinetin e tij, menaxherin e programit PBILD-ë Nikolas Herkules.

Në këtë takim Mustafa e Herkules kanë biseduar për projektet që janë realizuar nga ky program i kombeve të bashkuara.

Megjithatë në këtë takim u bisedua për mbledhjen e nesërme të bordit drejtues të PBILD-it në Preshevë si dhe për vizitën që do të bëhet në Zyrën për Të rinj. Menaxheri i PBILD-it Nikolas Herkules ka thënë se së shpejti do të fillojë zbatimi edhe i programit PBILD 2. E kryetari i komunës Ragmi Mustafa ka falënderuar OKB-ën e cila për mes projekteve të saja po e ndihmon në vazhdimësi komunën tonë. Sipas tij komuna e Preshevës ka dhe një sërë projektesh që do të realizohen për mes programit PBILD 2 e që kanë të bëjnë me infrastrukturën ku dhe do të krijohen vende të reja pune. Si projekte kapitale që do të realizohen në komunën tonë është ndërtimi i parkingut në ish tregun e gjelbër , një objekt i cili do të jetë me konstruksion metalikë , por dhe një sërë projektesh të tjera që do të realizohen në të mirë të qytetarëve tanë.

 

————————
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Sindromit Down është organizuar sot tryezë e rrumbullakët nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut dhe Shoqata e Personave me Aftësi të Kufizuara në sallën e konferencave në Preshevë. Sipas statistikave të nxjerra sot nga kjo tryezë në Preshevë evidentohen mbi 100 raste të personave me aftësi të kufizuara ndërsa gjashtë prej tyre janë të prekur nga si sindromi Down. Është zgjedhur kjo datë si dita e kësaj sindrome në mënyrë simbolike për të personifikuar ndryshimin gjenetik të trefishimit të kromozomit 21, mutacion ky që shkakton Sindromën Down ose siç quhet në gjuhën shkencore Trisomy 21.

Belgzim Kamberi, Kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut thotë se arsyeja e këtij organizimi ka qenë për sensibilizimin e opinionit e posaçërisht të institucioneve publike, sepse kjo kategori e shoqërisë është e izoluar dhe pa përkushtim të duhur. Ndërkaq, Shkëlzen Limani-defektolog thotë se kjo shtresë e këtyre personave duhet të kenë një trajtim më të mirë dhe të jenë pjesë e shoqërisë sonë pa asnjë dallim. Në tryezën e sotme prezantuan edhe Drita Osmani psikologe dhe Beqir Abazi specialist i ORL-së i cili para të pranishmëve për mes video projektorit ka folur për simptomet e personave në fjalë. Në tryezën e sotme morën pjesë edhe prindërit e këtyre fëmijëve nga Presheva e Bujanoci. Përndryshe më 21 mars në Ditën Ndërkombëtare të Sindromës Down, përcillen mesazhe sensibilizuese për të mbështetur integrimin e këtyre personave në shoqëri. Sindoma Down nuk lidhet me racën, kombësinë apo fenë. Sot ende nuk dihen shkaqet që shkaktojnë këtë sindrom dhe nuk ekziston një kurë për shërimin e tij. Në rast të një trajtimi te kujdesshëm shëndetësor të sëmundjeve që shoqërojnë këtë sindrom, individi që ka këtë sindrom mund të arrijë të gëzojë një jetë të gjatë, të pavarur dhe të shëndetshme që mund të shërbejë si çdo individ tjetër i shoqërisë.

————————–

Për të kontrolluar se a jeni në listat zgjedhore për zgjedhjet e 6 majit, dhe në cilën njësi zgjedhore jeni të regjistruar, ju mund ta bëni këtë në mënyrë më të lehtë duke dërguar një sms nga telefoni juaj mobil. Shkuani një sms nga telefoni mobil në këtë mënyrë si shembull: Izbori 1234567890 dhe dërgo në numrin 2202. Numri 1234567890 duhet të jetë numri personal i juaji (JMBG). Dmth shkruani Izbori (hapsirë) numri personal. SMS është pa pagesë dhe vlen për të tre rrjetet e operatarëve mobil. Nga një numër mund të kontrollohen vetëm katër persona.

——————–

Rilindja Demokratike në mbledhjen e vet të rregullt të mbajtur më 19.mars 2012, pasi analizoi dhe shqyrtoi ecuritë e procesit zgjedhor pas shpalljes së zgjedhjeve në Sërbi për opinion lëshon këtë :K U M T E S Ë.
Në zgjedhjet lokale të parapara të mbahen më 6 maj 2012 Rilindja Demokratike garon si subjekt në vete , e pavarur dhe pa prejudikime rreth koalicioneve paraprake duke shpreh organizimin e vetë të mbrendshëm konform konditave dhe legjislacionit aktual, duke kërkuar një trajtim sa më profesional e shprehur permes kritereve programore dhe kritereve konstitucionale të një partie politike . Në të njejtën kohë kjo është edhe shprehje e potencialit tonë politik me të cilin garojmë, kontratës tonë me votuesit për t`u ballafaquar me problemet egzistenciale që i preokupojnë ata dhe nevojën që në këto momente kur rrugëtojmë në kohën e një krize globale të mundësojmë ruajtjen dhe kultivimin e mirëqenjes dhe prosperitetit , duke potencuar dhe duke pasë parasyshë në vazhdimësi se rajoni më i rrezikuar nga ky prosperitet padyshim është Lugina e Preshevës. Qëndrimi jonë për zgjedhjet parlamentare është se: trajtimi i kësaj çështje të jetë në përputhshmëri të plotë me parimet dhe konditat tona politike por edhe me vet Organizimin politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që është rrjedhojë e fuqishme e RECIPROCITETIT POLITIK e shprehur dhe e mbështetur nga organi më i lartë politik, që është Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës, përmes Platformës Politike e pasuar me deklaratat e vazhdueshme politike si vazhdimësi e Referendumit të 1 dhe 2 marsit 1992. Çështja e RECIPROCITETIT nënkupton parimin e rrespektimit të ndërsjelltë, e që në nivelin qendror të ketë vendet e rezervuara nëpërmjet të cilave do të vijë në shprehje përfaqësimi i shqiptarëve konform asaj çka sërbët kanë në Kosovë. Konsiderojmë se pas zhvillimit të proceseve dhe raporteve të reja Kosovë-Sërbi dhe çështjeve të ngritura midis tyre , çështja e reciprocitetit bëhet element ndërlidhës i zgjidhjes së raporteve në rajon . Kjo do të ishte konfirmimi i një demokracie parimore dhe rrugë drejt zgjidhjes së probleme që preokupojnë. Për këto zgjedhje as që është kërkuar nga ne që të diskutohen këto çështje, andaj të gjithë ata që mbështesin Rilindjen Demokratike janë të lirë të vendosin reth këtij procesi zgjedhorë në mënyrë të pavarur.
——————–
Shqiptari nga Presheva, por me shtetësi suedeze me emrin Xhonathan Limani, pasi ka pranuar akuzën e vrasjes së ish-menaxherit të tij të restorantin ku punonte, është dënuar nga gjykata e Oksfordit me burgim të përjetshëm. Limani, emri i vërtetë i të cilit është Halil Limani. Ngjarja ka ndodhur në një klub ekskluziv golfi në Oksford, ku i pandehuri kishte filluar punë si kamarier, pasi kishte aplikuar online nga Suedia për këtë vend pune. Limani ka pasur një histori të gjatë sëmundjesh mendore si skizofreni dhe paranojë, madje ka qenë i dënuar në Zvicër edhe për furnizim me heroinë. Limani ka jetuar një periudhe edhe në Shqipëri ku ka studiuar në universitetin shtetëror përpara disa vitesh, nga ku më pas shkoi në disa shtete si në Austri, Zvicër për të mbërritur në Suedi, ku edhe ndërroi emrin. Në proces u mësua se ai si motiv për vrasjen kishte pasur porosinë nga zoti. Familja e viktimës anglezit Krisian Verien në një deklaratë thekson se “ne besojmë fuqishëm se një katalog gabimesh janë bërë që bënë që ky person, Limani, të jetojë dhe punojë në Britani duke u maskuar si një njeri normal.
————————
Dita e parë e pranverës është shënuar në mënyrë solemne në kopshtin e fëmijëve 8Marsi në Preshevë, me pjesëmarrjen e nënave të fëmijëve të cilët vijojnë mësimin në këtë ent parashkollor. Organizator i këtij manifestimi ishte kryetarja e këshillit të nënave dhe drejtori pranë këtij institucioni arsimor, pasi që ishte hera e parë e një organizimi të tillë qëllimi i këtij manifestimi ishte të takohen të gjitha nënat e fëmijëve në paralelet e këtij enti parashkollor,dhe ato të argëtohen së bashku duke sjell kështu edhe ushqime të gatuara nga vetë ato. Edhe edukatoret ishin të përgatitura për ardhjen e nënave dhe organizimin e këtij manifestimi për nder të ditës së pranverës. Edhe kryetarja e këshillit të nënave përshëndeti të pranishmet dhe u falënderoi për pjesëmarrjen e tyre dhe përgatitjen e ushqimeve si dhe theksoi se ky aktivitet ka qenë i paraparë të mbahet edhe më herët por në pamundësi të kohës së lirë u organizua sot në ditën pranverës. Edhe nënat ishin të kënaqura me organizimin në fjalë,pasi që ishte një organizim i rrallë ku ato patën mundësinë të takohen dhe të provojnë gatimet e tyre. Aktiviteti i sotëm ishte organizuar për herë të parë në kopshtin e fëmijëve 8 marsi dhe sipas organizatorëve ky manifestim do të mbahet edhe viteve të tjera.

————————-
Qeveria e Serbisë i ka dhënë udhëzime përfaqësuesve të saj që do të marrin pjesë në takimet rajonale në të cilat para delegacionit të Kosovës, apo si thuhet ”institucioneve të përkohshme të Prishtinës” do të qëndrojë tabela në të cilën është shkruar ”Kosovo. Ndërsa nën të në të njëjtën tabelë teksti i fusnotës së miratuar në dialogun e Kosovës dhe Serbisë. Ndër të tjera në kumtesën e Qeverisë së Serbisë, theksohet se delegacioni i Serbisë ëshë e detyruar të lexojë deklaratën në të cilën thuhet se delegacioni i Prishtinës është përfaqësuar në mënyrë strikte në përputhje me marrëveshjen për përfaqësimin dhe bashkëpunimin rajonal dhe se Krahina Autonome e Kosovës dhe Metohisë është pjesë përbërëse e Serbisë. Në qoftë se organizatori nuk vepron në përputhje me këto udhëzime të delegacionit serb, ky i fundit është i detyruar të largohet nga takimi, thuhet në kumtesë.
————————–
Është në interes të të gjitha palëve që marrëveshjet nga Brukseli të respektohen dhe të zbatohen. Bashkimi Evropian i ka dërguar një mesazh Beogradit, Prishtinës dhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor me të cilin theksohet nevoja për të respektuar plotësisht marrëveshjen mes Prishtinës dhe Beogradit për përfaqësimin rajonal të Kosovës, thotë për Beta një zyrtar i lartë BE-së. I pyetur nëse fakti se ditëve të fundit përfaqësuesit e Serbisë i kanë lëshuar dy herë takimet rajonale, ndërsa ata të Kosovës një herë, është dëshmi se po anashkalohet marrëveshja për përfaqësimin rajonal, ai tha se është në interesin e të gjitha palëve dhe të shteteve të Ballkanit Perëndimor që marrëveshjet e arritura në Bruksel të respektohen dhe të zbatohen.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch