Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 22 Janar 2013 – Ministria e Drejtësisë : Lapidari është në depot tona

RTP lajmet 22 Janar 2013 – Ministria e Drejtësisë : Lapidari është në depot tona

Lokacioni I saktë i lapidari të dëshmorëve të UÇPMB-së vazhdon të mbetet i fshehtë. RTP  për mes një shkrese iu është  drejtuar Drejtorisë për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar në  Ministrisë e drejtësisë ku sipas tyre vendndodhja e lapidarit nuk do të bëhet me dije për shkaqe të sigurisë .Në shkresë thuhet se  memoriali i dëshmorëve të UÇPMB-së është në një nga depot e kësaj drejtorie, por saktësia e tij nuk do të konfirmohet për shkaqe të ruajtjes nga dëmtimet. Gjithashtu thuhet se lapidari është i padëmtuar .Megjithatë disa media kanë raportuar dhe kanë postuar fotografi të lapidarit që tregonte për dëmtim e tij. Gjithashtu është thënë se lapidari gjendet në bazën ushtarake në Cakanoc dhe  fshatin Davidovc të komunës së Bujanocit . Ekipi ynë sot ka vizituar bazën ushtarake në  fshatin Cakanoc të Preshevës mirëpo gjatë xhirimeve nuk është vërejt lapidari. Por çfarë do të bëhet në vazhdim me lapidarin dhe cila është procedura në këtë rast në periudhën në vazhdim do të vendosin  autoritet në Serbi kanë thënë nga direkcioni të cilët po kujdesen për memorialin e dëshmorëve të UÇPMB-së. Lapidari i UÇPMB-së është larguar nga forcat e xhandarmërisë me autorizimin e Ministrisë së Drejtësisë.

————————–

Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për t’u qetësuar situata në jug të Serbisë, ku shqiptarët kanë protestuar për shkak të heqjes së lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë. Kombet e bashkuara “ po e përcjellin situatën në Luginën e Preshevës dhe apelojnë për qetësi”, ka deklaruar Martin Nesirk, zëdhënës i sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Ban Ki Moon. ” Kombet e Bashkuara vazhdimisht kanë theksuar  nevojën e pajtimit ndërkombëtar dhe rajonal në Ballkanin Perëndimor” tha zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, dhe ka shtuar se “protestat paqësore mund të mbahen”.

—————————-

 

Vendet e Quinit-it, Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të martën përmes një deklarate kanë dënuar sulmet kundër varrezave dhe monumenteve serbe në Kosovë. Lidhur me sulmin ndaj varrezave dhe monumenteve ambasada e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve deklaruan sot në Prishtinë “Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve dënojnë valën e fundit të sulmeve kundër varrezave dhe monumenteve serbe në Kosovë. Vargu i ngjarjeve që ndodhën në orët e fundit tregon se disa persona e konsiderojnë të justifikueshme shprehjen e mllefit, për shkak heqjes së lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë, duke dëmtuar varreza në Kosovë, në të cilat gjenden serbë të varrosur”. Më tej thuhet se aktet e tilla janë plotësisht të papranueshme dhe kryesit e veprave duhet të sillen para drejtësisë. “Ne iu bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës për të treguar përmbajtje dhe shprehim mbështetjen tonë të plotë për masat parandaluese të ndërmarra nga autoritetet e Kosovës”, thuhet në deklaratë

Zëdhënësja e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq ka thënë se situata në Preshevë, duhet të zgjidhet me dialog dhe se një gjë e tillë nuk duhet të ndikojë në bisedimet. “Na vjen keq që nuk ka pasur zgjidhje kompromisi nga palët, por tani është e rëndësishme që të gjithë t’i kthehen dialogut”, ka thënë Kocijançiq për Deutsche Welle.

———————————–

Zëvendëskryeministri serb, Aleksandar Vucic shprehet i bindur se nuk do të ndodhë ndërprerja e dialogut të Beogradit dhe Prishtinës për shkak të heqjes së lapidarit në Preshevë. Sipas fjalëve të tij, organet shtetërore të Serbisë e kanë zhvilluar aksionin e heqjes së lapidarit në mënyrë të “pastër si loti”, duke respektuar ligjin në mënyrë të civilizuar. “Dua të qetësoj qytetarët. Ne sillemi në mënyrë të civilizuar dhe të përgjegjshme, jo pse jemi të dobët, por sepse duam të ndërtojmë të ardhmen në të cilën serbët dhe shqiptarët do të jetojnë qetë dhe në harmoni, por ligjin duhet ta respektojnë të gjithë në tërë territorin e Serbisë dhe pikë”, ka thënë Vucic, transmeton QIK.  Duke komentuar kërkesat që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës, Vucic ka thënë se këto kërkesa nuk janë asgjë e re, por ka pyetur sesi është e mundur që individë në botë dhe disa në Beograd kanë simpati ndaj kërkesave të tilla.

 

Diplomacia shqiptare i ka një borxh shumë të madh shqiptarëve të Luginës ka vlerësuar mbrëmë në emisionin Shqip në Top Chanell diplomati nga Tirana Shaban Murati. Çe 10 vite nuk ka asnjë Platformë konkrete të diplomacisë shqiptare me kërkesa konkrete drejtuar Serbisë. Në asnjë forum ndërkombëtarë nuk është ngritur çështja e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Diplomacia shqiptare do të ishte mirë të ndërkombëtarizojë çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës ka potencuar ndër të tjera zoti Murati. Ndërsa gazetari Aleksander Cipa duke marrë shembuj me shtete dhe popuj të tjerë ai propozon që diplomacia shqiptare të ketë një përfaqësim të artikulimit dhe animimit diplomatik në arealin e diplomacisë institucionale dhe ndërkombëtare në Bruksel. Duke iu përgjigjur deklaratës së ministrit Dacic se çështja e Luginës është çështje e brendshme diplomati Murati mendon se Çështja e Luginës se Preshevës është çështje ndërkombëtare sepse ai vend është një konflikt i ngrirë që nuk zgjidhet as vetëm nga Serbia e as vetëm nga shqiptarët që jetojnë në at vend. Sipas diplomatëve dhe njohësve të rrethanave në Ballkan shqiptarët e Luginës duhet ta shohin zgjidhjen dhe të kërkojnë statusin e tyre juridik, politik brenda atyre kufive institucional.

——————————

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-komandanti i UÇK-së, Ramush Haradinaj në një deklaratë për Telegraf-in serb, ndër tjera ka thënë se “nuk do të ketë hakmarrje nga shqiptarë kundër serbëve në Kosovë, pas heqjes së monumentit të ish-luftëtarëve të UÇPMB. “Kjo nuk do të vije në shprehje”, ka thënë shkurt Haradinaj. Portali serb insistuar ta pyeste më shumë Haradinajn, por kreu i AAK-së nuk ka dashur të thotë më shumë. Haradinaj është pyetur për disa “sulme me koktej molotovi në Mitrovicë dhe disa përmendore serbe”, të cilat nuk ka dashur t’i komentoj

——————————

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka paralajmëruar se largimi i lapidarit të dëshmorëve në Preshevë nga xhandarmëria serbe mund të prodhojë luftë. Ai ka thënë se shqiptarët në Preshevë nuk janë të vetëm në rast se do të reagojnë ndaj Serbisë për heqjen e lapidarit. “Reagimi i shqiptarëve do të duhej të vij pas asaj që ndodhi në Preshevë, ata që kanë marrë përgjegjësinë në Preshevë, Medvegj dhe Bujanovc do të duhej të reagonin dhe shqiptarët e Luginës nuk do të mbetshin vetë”, është shprehur Selimi në emisionin Interaktiv të KTV-së. Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë nuk kanë reaguar në përputhje me ndjenjat e shqiptarëve. Selimi ka thënë se pas këtij akti, Qeveria e Kosovës është dashur që menjëherë të ndërpresë bisedimet me Serbinë. Ai ka dënuar aktet e fundit që kanë ndodhur në Kosovë në dëmtimin e varrezave si hakmarrje e asaj qëSerbiaka rrëzuar lapidarin në Preshevë. “Nuk duhet të revanshohemi tek prekja e varrezave nuk është reciprocitet,. Nuk e lëndojmë Serbinë kështu, e lëndojmë imazhin tonë të brishtë. Nuk kemi problem me varrezat, por kemi problem me Serbinë e gjallë”, ka thënë ai.-

———————–

Klubi i Patriotëve të Rinj zhvilloi dje një protestë paqësore para ambasadës serbe në Tiranë kundër heqjes së lapidarit të UÇPMB-së në Luginën e Preshevës. Protestuesit mbanin pankarta në duar, ku ndër të tjera shkruhej: “Të gjithë jemi UÇPMB”, “Lugina nuk është vetëm”  “Një komb, një qëndrim”, ata i kërkuan ambasadorit serb në Tiranë të jepte arsyen e heqjes së lapidarit të UÇPMB-së. Mes brohoritjeve: “Presheva është Shqipëri” apo “Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri”, Klubi i Patriotëve të Rinj i kërkoi qeverisë shqiptare, që të dëbonin ambasadorin serb në Tiranë për padrejtësinë që iu bë shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Kryetari i Klubit të Patriotëve të Rinj, Ardit Bido në një prenoncim për mediat u shpreh se, heqja e lapidarit të UÇPMB-së është një padrejtësi, që i bëhet jo vetëm shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por të gjithë shqiptarëve të Malit të Zi, të Maqedonisë, të Shqipërisë dhe atyre të Çamërisë. “Ne po zhvillojmë një protestë paqësore përpara Ambasadës së Republikës së Serbisë për një padrejtësi, që i është bërë jo vetëm Luginës së Preshevës, jo vetëm shqiptarëve të Preshevës por shqiptarëve të Malit të Zi, shqiptarëve të Maqedonisë, shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Çamërisë, sepse lapidari i hequr në Preshevë është lapidari i të rënëve të kombit shqiptar”, u shpreh Bido. Me tej Bido tha se, Klubi i Patriotëve të Rinj dhe të gjithë shqiptarët ndihen të fyer për dhunimin që iu bë martirëve të kombit tonë dhe se Ambasada serbe në Tiranë duhet të japë arsyetim për heqjen e lapidarit.

————————-

 

Diaspora shqiptare në SHBA ka organizuar protest në Nju Jork dhe Uashington kundër aktit të heqjes së lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë. Drejtuesit e disa shoqatave dhe partive politike nga komuniteti shqiptaro – amerikan sot në selinë e Federatës Panshqiptare “Vatra” shpalosën qëndrimet e tyre dhe reagimet lidhur me aktin vandal të autoriteteve serbe për heqjen e monumentit përkujtimor të UÇPMB-së në Preshevë. Organizatorët theksuan se do të përgaditet një Memorandum special lidhur me gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe represionin serb në këtë trevë, i cili do të drejtohet Kombeve të Bashkuara dhe administratës amerikane në Uashington, informon korrespodenti i agjencisë INA nga Nju Jorku. Diaspora shqiptaro – amerikane ka paralajmëruar agjendën e protestave dhe marshit protestues para OKB-së, misionit diplomatik të Serbisë në Nju Jork si dhe protesta sensibilizuese në Uashington. Vendimi për të gjitha këto është marrë gjatë një takimi, që u mbajtë mbrëmë me disa veprimtarëve të dalluar të komunitetiti dhe liderëve politikë të disa shoqatatve dhe organizatave, pas aksionit të xhandarmërisë serbe, e cila largoi me dhunë lapidarin e dëshmorëve  të UÇPMB-së nga qendra e Preshevës në shenjë kërcënimi dhe vërgëllimi të armëve të policisë dhe xhandarmarisë serbe. Kryetari i kësaj nisme, veprimtari Shaban Mehmeti në një konferencë me gazetarët informoi mbi agjendën e protestave dhe reagimeve që dënojnë veprimin represiv të autoriteteve të Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Kryetari i “Vatra”, dr.Gjon Buçaj theksoi se sa më shpejt duhet të formohet grupi i punës për organizimin e protestave në Uashington, por edhe në Nju Jork. “Ne të gjithë e pamë se si Presheva, u mbulua me uniforma të zeza nga Qeveria e Serbisë. Ky vend po shihet qartë se është i vetmi që i ka mbet Serbisë pas Kosovës që të ushtron dhunë ndaj shqiptarëve. Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, shkrimtari dhe poeti i njohur nga Presheva, me banim në SHBA, Adnan Mehmeti, në fjalën e tij në këtë tubim theksoi rëndësinë që ka media në këtë protestë, dhe të rinjët e të rejat studentët. Ai theksoi krijimin e një lidhje më efikase midis lidershipit të Luginës së Preshevës dhe shoqatave të diasporës në SHBA.  Në këtë takim kanë folur edhe veprimtarë të tjerë të komunitetit, duke i dhënë mbështetje nismës për sensibilizimin e çështjes së Luginës së Preshevës

————————–

 

Këshilli Komunal i Preshevës ka mbajtur sot mbledhjen e parë për vitin 2013. Në këtë seancë u shqyrtua dhe miratua vendimi mbi shlyerjen me kusht të kamatës dhe pushimin e borxhit tatimor në komunën e Preshevës. Kryetari komunës Preshevës Ragmi Mustafa thotë se me këtë vendim krijohen lehtësira për obliguesit tatimor, të cilët mund të njoftohen në shërbimin për përcaktimin e të hyrave, deri më 31 janar për shlyerjen e borxheve. Po në këtë seancë është formuar edhe komisioni për çështjen e punësimit në komunën e Preshevës, ndërkaq është shqyrtuar edhe kërkesa e gjimnazit “Skënderbeu” për rritjen e numrit të paraleleve. Këshilli Komunal i ka propozuar gjimnazit “Skënderbeu” që prej vitit shkollor 2013/2014 të bëjë regjistrimin e nxënësve në drejtimet shkencore dhe shoqëroro gjuhësore, sepse ka nxënës të interesuar që të fokusohen vetëm në shkencat matematiko – natyrore

 

RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch