Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 22 Janar 2014 – Diaspora e Belgjikës protestojnë para parlamentit Evropian – kërkojnë qasje më serioze ndaj Luginës

RTP lajmet 22 Janar 2014 – Diaspora e Belgjikës protestojnë para parlamentit Evropian – kërkojnë qasje më serioze ndaj Luginës

Shqiptarët që jetojnë në Belgjik ditë më parë kanë protestuar para parlamentit evropian , duke kërkuar ndërprerjen e diskriminimeve që po bëhen shqiptarëve. KËRKOJMË QASJE MË SERIOZE PËR ZGJIDHJEN E PROBLEMEVE NË LUGINËN E PRESHEVËS , sepse sot, kur qytetarët e Bashkimit Evropian, të Evropës demokratike kanë të drejtën e lëvizjes së lirë, në një pjesë të saj, të quajtur Lugina e Preshevës, një gjë e tillë është e kufizuar, madje tmerrësisht e kërcënuar ka thënë kështu para protestuesve  Ish kryetari i OVL së UÇPMB-së Sadat Nuhiu.

 

Sot, kur qytetarët e bashkimit Evropian, të Evropës demokratike, e ndjejnë veten të lirë, fëmijët shqiptarë të Luginës së Preshevës po rriten bashkë me forcat e shumta të xhandarmërinë serbe, zhurmës së makinerisë ushtarake e policore serbe. Po rriten bashkë me frikën dhe pasigurinë për jetën e tyre. Sot, kur qytetarët e Bashkimit Evropian, te Evropës demokratike kanë të drejtën e shkollimit, duke zgjedhur profilet e dëshiruara shkencore, në një pjesë të saj, të quajtur Lugina e Preshevës, një gjë e tillë është e ndalur, madje tmerrësisht e kërcënuar është thënë në protestën e shqiptarëve para parlamentit evropian.

 

 “Sot, kur qytetarët e Bashkimit Evropian, të Evropës demokratike flasin shlirë, flasin atë që mendojnë, në një pjesë të saj, të quajtur Luginë e Preshevës, kjo gjë është e ndalur. Në shkollat, u merren fëmijëve librat, abetaret me qëllim që fëmijët shqiptarë të mos mësojnë alfabetin shqip. Serbia jua merr, librat e historisë, me qëllim që të asimilohen….një asimilim sistematik. Sot, kur Bashkimi Evropian respekton të drejtat e njeriut, gjuhën e tij, madje edhe institucionalisht, një gjë e tillë shqiptarëve të Luginës së Preshevës ju është e ndaluar.  “ ka thënë ish kryetari i OVL së UÇPMB-së Sadat Nuihu “

 

 

Sipas protestuesve Serbia po vazhdon të ndaloj edhe përdorimin e simboleve kombëtare, mbishkrimet shqip në institucione….. Sipas tyre Serbia nuk u demokratizua, dhe ajo nuk po lëviz nga qëndrimi millosheviqian dhe po  vazhdon me politikën e saj diskriminuese ndaj shqiptarëve, duke i cilësuar si fajtor kujdestar për të gjitha çështjet e mundshme dhe duke vazhduar me kërcime e njëpasnjëshme. Ndërkaq sipas ish kryetarit të OVL së UÇPMB-së të gjitha këto Serbia i bënë për dy arsye, tashmë të njohura: Serbia, duke i trajtuar shqiptarët si qytetarë të rendit të dytë, kërkon lojalitetin e tyre deri në asimilim, deri sa shqiptarët të harrojnë historinë e tyre, gjuhën e tyre, pra diskriminim, dhunë dhe kërcënim ndaj shqiptarëve deri sa ata të pranojnë të mendojnë serbisht, të flasin serbisht dhe të shkruajnë me alfabetin cirilik.

Nëse nuk arrihet synimi i parë, atëherë duke i diskriminuar politikisht, dhunuar të drejtat e tyre elementare dhe kërcënuar fizikisht, dëshirojnë që shqiptarët “vullnetarisht” ta braktisin vendin e të parëve, vendin e stërgjyshërve, baballarëve.

Ndërgjegjja duhet të trokas në shtetet e Bashkimit Evropian. Lugina e Preshevës duhet të trajtohet seriozisht sepse problemet politike, sociale, ekonomike dhe kulturore vazhdojnë të mos zgjidhen. Beogradi i ka ngërthyer dhe nuk lejon zgjidhjen e tyre.”

 

Për protestuesit shqiptarët në Belgjikë është e papranueshme pasi në shtetin e Kosovës, pakicës serbe i rezervohen vende në parlament e qeveri, atëherë pse për shqiptarët e Luginës kjo gjë nuk qenka e arsyeshme? Sipas tyre përkundrazi, Serbia  vazhdon presioni përmes pranisë enorme të xhandarmërisë e ushtrisë serbe.

 

Derisa Kushtetuta e Kosovës, pa dyshim me presion ndërkombëtar, favorizon pakicat, posaçërisht atë serbe, në Luginë vazhdojnë të qëndrojnë të hapura mundësitë për aksione tmerruese arrestimesh të të rinjve, me motive skajshmërisht të dyshimta dhe të paarsyetuara; e bota hesht e shikon me indiferencë dhe pa asnjë ndërhyrje. Asnjë institucion i sigurisë, as në masën më të vogël, nuk është në duar të vendorëve. “

 

Më tej në letrën protestuese thuhet se derisa në krejt rajonin e Ballkanit, decentralizimi paraqet një vlerë të pranuar gjerësisht, sado që me imponim nga Evropa, institucionet vendore të Luginës së Preshevës vazhdojnë të jenë të kontrolluara me centralizëm të pashoq nga Beogradi. Nuk na e thotë mendja të ketë vend në Evropë ku përbrenda rajonit shkollimi i lartë në gjuhën amtare nuk është i mundshëm, ndërsa diplomat nga universitetet përreth nuk pranohen. Kjo gjë ndodh sot në Luginë të Preshevës. Liri për Luginën e Preshevës! Ardhmëri për Evropën! Jemi pjesë e Evropës!  thuhet në fund të letrës protestuese të ish Kryetari OVL-UCPMB-së Sadat Nuhiu.

——————————————————-

Rregullimi I kanalizimit atmosferik dhe rrjetit të ujësjellit brengë kryesore e drejtoratit për infrastrukturë

Moderacion. Riparimi i rrjetit të ujësjellësit në qytetin e Preshevës dhe rregullimi në tërësi i kanalizimit atmosferik është brengë që po përcillet çdo vit në drejtoratin për infrastrukturë në Preshevë. Gjendja sa i përket këtyre dy çështjeve është mjaftë problematike sipas kryeshefit, Burhan Emërllahu. Ai gjatë intervistës në programin e paradites në Radiotelevizionin Presheva ka konstatuar se nuk ka vend për dilema edhe lidhur me punë kryesit që marrin obligimet në terren dhe dhënies së tenderave duke u bazuar në normativat ligjore

 

————————————————————

 

PVD kërkon seancë të jashtëzakonshme kundër diskriminimit të shqiptarëve nga shteti serb

 

Kryesia e degës së PVD – së në përbërje të zgjeruar së bashku me anëtarët e udhëheqjes qendrore të PVD – së nga komuna e Preshevës shqyrtoi situatën aktuale politike në komunë të Preshevës me ç’rast u konstatua se edhe ashtu gjendja shumë e vështirë ekonomike, sociale dhe politike është vështirësuar në formë plotësuese pas vendimit diskriminues të Kuvendit të Republikës së Serbisë për eliminimin e gjykatës dhe prokurorisë themelore.

 

Sipas PVD në këtë mënyrë pushteti qendrorë serb po e vazhdon realizimin e strategjisë perfide të degradimit të plotë institucional të komunës së Preshevës, duke pasur për bazë synimin për defaktorizim të plotë të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Mjerisht këto veprime anticivilizuese ndaj popullatës Shqiptare në Serbi po zhvillohen në kushte kur serbëve në Kosovë po i mundësohet autonomia e gjerë që po i tejkalon edhe kompetencat dhe të drejtat kolektive të dokumentit të Ahtisarit, të cilat i tejkalojnë dukshëm nivelet e të drejtave që pakicat nacionale i realizojnë në shtetet evropiane.

Për të qenë absurdi më i madh Shqiptarët në Serbi, e posaçërisht Shqiptarët në Luginë të Preshevës janë të detyruar, që luftën e tyre ekzistenciale kundër diskriminimit shtetërorë dhe pastrimit etnik ta zhvillojnë në rrethana kur Serbia po i fillon përgaditjet e fundit për anëtarësim në Bashkimin Evropian thuhet në kumtesën e PVD.

Me këtë rast kryesia e degës së PVD – së në Preshevë vendosi që grupi i këshilltarëve të PVD – së të kërkoj nga udhëheqja e Kuvendit Komunal të Preshevës që urgjentisht të ftoj seancë të jashtëzakonshme për t’i shqyrtuar hapat e mëtejmë që duhet të ndërmerren kundër diskriminimit shtetërorë, duke i përfshirë protestat dhe të gjitha format tjera të veprimit politik.

Në këtë mbledhje gjithashtu u shqyrtuan edhe problemet serioze që po paraqiten në funksionimin me ujë të pijshëm e posaçërisht në mbajtjen e pastërtisë që janë pasojë e menaxhimit shumë të dobët të ndërmarrjes komunale dhe të papërgjegjësisë së udhëheqjes së pushtetit lokal në Preshevë.

Është krejtësisht e papranueshme që të denohen të gjithë qytetarët për shkak të moskryerjes së obligimeve nga ana e një numri të qytetarëve, por edhe nga pushtetit lokal.

Në situatë kur është evidente se po rrezikohet seriozisht shëndeti i qytetarëve, pushteti lokal duhet patjetër urgjentisht ta ndihmojë financiarisht ndërmarrjen komunale por edhe të sigurojë udhëheqje profesionale që do të jetë e aftë për të siguruar rritjen e shkallës së plotësimit të obligimeve të qytetarëve konform me shërbimet që i kryen kjo ndërmarrje në veprimtaritë me rëndësi të posaçme jetësore siç është furnizimi me ujë të pijshëm dhe mirëmbajtja e pastërtisë u tha në mbledhjen e kryesisë së PVD –ës .

Gjithashtu në këtë mbledhje u gjykua sjellja e papërgjegjshme e udhëheqjes së pushtetit lokal ndaj shkollës fillore “prof. Ibrahim Kelmendi” e cila ka xhirollogarinë e harxhimeve materiale kryesisht të bllokuar për shkak të mosplotësimit me kohë të obligimeve ligjore të pushtetit lokal ndaj shpërblimeve jubilare të punëtorëve arsimorë.

Mirëpo është edhe më brengosës fakti se pushteti lokal po vazhdon të sillet me papërgjegjësi ndaj kësaj shkolle dhe po lejon që mësimi të mbahet në kushte jashtëzakonisht të vështira. Mjerisht në këtë vit kësaj shkolle në mënyrë drastike iu zvogëluan mjetet financiare për harxhimet materiale dhe ç’është edhe më skandaloze edhe gjysmëvjetori i dytë filloi me gjendje katastrofale të nyjeve sanitare, që në formën më drastike e rrezikojnë jo vetëm shëndetin por edhe sigurinë e nxënësve dhe punëtorëve të kësaj shkolle.

Në këtë mbledhje u vendos që deputeti dhe grupi i këshilltarëve të PVD –së të angazhohen në kuadër të strukturave të pushtetit lokal, të ministrive përkatëse por edhe donatorëve për zgjidhjen e problemeve urgjente në shkollën fillore “prof. Ibrahim Kelmendi” si dhe në ndërmarrjen komunale “Moravica” edhe pse janë opozitë edhe në pushtetin lokal të Preshevës dhe në parlamentin qëndrorë thuhet në kumtesën e PVD .

—————————————————-

Arrestohen një serb dhe një shqiptar nga Presheva për distribuim të drogës

Policia e Beogradit në bashkëpunim me shërbimin policor të Llazarevcit, pas një pune operative disa mujore, ka arrestuar Gj.J (30) nga Llazarevci dhe Q.T (41) nga Presheva, për shkak të dyshimit se kanë prodhuar dhe shitur drogë. I dyshuari GJ.J nga i dyshuari Q.T në qytetin e Nishit ka marrë mostra të heroinës me qëllim që të përcaktohet kualiteti i drogës. Pasi kishte konstatuar pastërtinë e heroinës, Gj.J kishte porositur heroinë dhe përzierje të paracetamolit dhe kofeinës me vlerë prej 35.000 euro, me qëllim që ti shesë tutje nëpërmjet rrjetit të tij në teritorin e Beogradit dhe komunës së Llazarevcit. Sipas marrëveshjes që kishin arritur, ku është bërë dorëzim-pranimi i drogës në vendin ku bëhet pagesa për autostradë “Nais”, ku pastaj Gj.J me veturë ishte nisur drejt Beogradit. Policia ka arrestuar Gj.J, ku tek ai kanë gjetur 2 kilogram heroinë dhe 1 kilogram paracetamol dhe kofein, ndërsa Q.T është arrestuar në Vranjë

————————————————————–

Fundjava me borë dhe temperatura të ulëta

Sipas paralajmërimeve të sinoptikëve, koha relativisht e ngrohtë që ka mbretëruar në këtë periudhë të dimrit do të përfundojë dhe nga fundjava priten të reshura të borës të shoqëruar me temperatura të ulëta deri në disa gradë nën zero. Parashikimet flasin se që nga dita e premte priten reshje të borës. Erën që deri më tani ka fyer nga drejtimi i jugut do ta zëvendësojnë erërat që do të fryjnë kryesisht nga drejtimi verilindor, që gjatë vikendit do të sjellë temperatura deri në -10° C. Të reshura më intensive të borës priten gjatë ditës së premte dhe të shtune, që në lartësi do të shtresojnë një shtresë më të theksuar të borës. Mirëpo, sinoptikët bëjnë të ditur se pas fundjavës së bardhë, do të pasojë përsëri periudhë me kohë të alternuar, por temperaturat do të jenë më të ulëta se deri me tani.

RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch