Home » Lajme » RTP lajmet 22 mars 2012

RTP lajmet 22 mars 2012

Nën organizimin e Kuvendit Komunal të Vitisë, në Shtëpinë e Kulturës “Gursel e Bajram Sylejmani” në Viti, ka filluar manifestimi tradicional kulturo – sportiv “Flakadani Karadakut 2012”, kushtuar jetës dhe veprës së dëshmorit të UÇPMB-së Nijazi Azemi – komandant Mjekrrës. Manifestimi i cili do të zgjasë deri të hënën, e shpalli të hapur kryetari i Vitisë, Nexhmedin Arifi, i cili theksoi se ky manifestim është festë për qytetarët e Vitisë, kurse për qytetin e Vitisë, është një nderë që mbanë manifestimin për njërin ndër figurat legjendare të kësaj komune. Flakadanin e vitit 2012 zyrtarisht e ndezën djali i komandant Mjekrrës Flamuri, komandanti i përgjithshëm i UÇPMB-së Shefket Musliu dhe kryetari i komunës së Vitis Nexhmedin Arifi. Komandanti i Zonës Operative të Preshevës të ish – UÇPMB, Mastaf Shaqiri, në fjalën e tij si përfaqësues i të gjitha organizatave të dala nga luftërat në trojet shqiptare, tha se përpjekjet për çlirim ishin të gjeneratave të kaluara, kurse sot është koha që me manifestime të kujtohen ata që dhanë jetën për çlirim. Kurse të kaluarën në luftë e kujtuan edhe Ahemt Isufi komandant i ZOP të Karadakut dhe Gjeneral Rexhep Selimi.“Flakadani Karadakut”, tashmë është bërë manifestim i parë institucional e që do të organizohet çdo vit nga Kuvendi Komunal i këtij qyteti.

Ky manifestim do të vazhdojë të mbahet me aktivitete të shumta nga organizatorët, kurse do të përmbyllet ditën e hënë me homazhet që do të bëhen në varrezat e dëshmorëve në Viti, dhe me akademinë përkujtimore kushtuar Nijazi Azemit – komandant Mjekrrës

——————–

Anëtarët e Këshilli Drejtues të Programit PBILD kanë mbajtur sot takimin e tetë të radhës në sallën e Kuvendit në komunën e Preshevës. Takimin e sotëm e udhëhoqi Dushko Radoqeviq sekretar shtetëror për të drejtat e njeriut dhe të pakicave , administratë shtetërore dhe vetëqeverisje lokale. Pjesmarrës ishin Ragmi Mustafa Kryetar i Komunës së Preshevës i cili ishte edhe nikoqir i takimit të sotëm dhe bashkë kryesues i këshillit ishte Jovan Protiq përfaqësues i ILO-së në Serbi. Në kuadër të këshillit drejtues të programit PBILD në diskutime morën pjesë edhe Danijela Nenadiq përfaqësuese e Trupit Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë si dhe Roxher Jorgensen sekretari i parë i Ambasadës Norvegjeze në Serbi. Pjesmarrës të takimit të sotëm ishin edhe kryetar të komunave të këtij rajoni, ndërkaq mbledhjen e hapi kryetari i Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa i cili përshëndeti anëtarët e këshillit drejtues me punë të mbarë. Në vazhdim fjalën e mori Dushko Radoqeviq sekretar shtetëror për të drejtat e njeriut dhe të pakicave , administratë shtetërore dhe vetëqeverisje lokale i cili tha se jemi duke punuar rreth programit për punësim ku do të bëhet edhe trajnimi i disa trajnerëve. Prezantuese në punën e këshillit drejtues ishte edhe Danijela Nenadiq përfaqësuese e Trupit Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë ndërsa Roxher Jorgensen sekretari i parë i Ambasadës Norvegjeze në Serbi potencon se hapja e klubit të të rinjve është mjaft me rëndësi me çrast numri i të rinjve pa punë është mjaft i madh, prandaj iniciativa e marrë këtu është për shumë shkaqe. Me këtë rast këshilli drejtues i PBLID unanimisht miratoi procesverbalin për periudhën korrik –shtator të vitit 2011.

Fjalën më pas e mori edhe Nikolas Herkules, menaxher i Programit PBILD i cili bëri prezantimin e rezultateve nga tremujori i vitit të kaluar për muajt tetor, nëntor dhe dhjetor. Tatjana Strahinjiq- Nikoliq zëvendës menaxhere e programit PBILD bëri paraqitjen e planit të punës për vitin 2012 e në ndërkohë u dhanë edhe disa propozime për aprovim.

———————

Pushteti lokal i Komunës së Preshevës është duke e zbatuar programin “Ta pastrojmë Serbinë” në kuadër të projektit të ministrisë së planifikimit hapsinor. Komuna e Preshevës, nga ky donacion ka përfituar 47 kontenjera me vlerë të përgjithshme prej 1.5 milion dinarë. Kryeshefi i Financave pranë administratës lokale të Preshevës Fatmir Azizi, thotë se kontenjerat do të shpërndahen në qytetin e Preshevës dhe në Bashkësitë Lokale aty ku ka nevojë. Nga programi “Ta pastrojmë Serbinë”, i cili është në kuadër të ministrisë së planifikimit hapsinorë, komuna e Preshevës, edhe herave tjera ka përfituar shumë projekte me çka gati të gjitha vendbanimet janë furnizuar me kontenjera, në mënyrë që të mbrohet ambienti.

———————

Ministri I shëndetësisë, Zoran Stankoviq I është përgjigjur këshilltarit të kuvendit komunal në Preshevë, Dragoljub Filipoviq përmes një letre zyrtare në të cilën thuhet. I nderur në letrën tuaj që më keni dërguar ( dërguar kësaj ministrie më 29 shkurt 2012), keni paraqitur qëndrimin tuaj lidhur me të drejtat e arritura dhe pagesa e ngritur e rrogave për punëtorët në institucionet shëndetësore në territorin e komunave Preshevë, Bujanoc, Medvegjë, dhe në bazë të vendimit të Qeverisë së Republikës së Serbisë të vitit 2001- 2002, me të cilën kjo çështje është rregulluar. Dakordohem me ju se është e patjetërsueshme të kursehen të gjitha mjetet e harxhimeve publike, dhe njëkohësisht edhe mjetet e Fondit Republikan për sigurim shëndetësorë, e cila kontribon në përmirësimin e mbrojtjes shëndetësore të personave të siguruar. Duke e patur parasysh faktin se Ministria e Shëndetësisë nuk është propozues I këtijë vendimi të cekur më parë, rrespektivisht se I njejtë është lëshura nga ana e Qeverisë, e me propozimin e resurseve të tjera të ministrive, si dhe nevoja që edhe njëherë të rishqyrtohen të gjitha vendimet të cilat I ka sjellur Qeveria lidhur me të drejtat në ngritjen e pagave për të punësuarit në institucionet shëndetësore të territorit Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, kjo ministri letrën tuaj do tia përcjellë Ministrisë së Financave për shqyrtim. Faleminderit për bashkëpunim, thuhet në fund të letrës së dërguar të Ministrit të shëndetësisë, Zoran Stankoviq, këshilltarit të kuvendit komunal në Preshevë, Dragoljub Filipoviq.
————————

Komuna e Preshevës sipas statistikave është njëra ndër komunat më të reja sipas moshës në Serbi , pasi 65 % e popullsisë janë të rinj. Mirëpo një numër i madh të rinjsh kohën e lirë më së shumti e kalojnë në kafeteri dukuri kjo shumë negative për rinin Preshevare. Megjithatë nga dita e sotme ata mund ti shmangen kafiterive dhe ti drejtohen Klubit për të rinj i cili sot dhe zyrtarisht është hapur. E kjo qendër ku do ti grumbullojë të gjithë të rinjtë nga komuna jonë është falë Zyrës për të rinj e cila ka fituar projektin për ,, Ngritjen e kapaciteteve të të rinjve,, dhe që është financuar nga programi I organizatës së Kombeve të Bashkuara PBILD-ë dhe komuna e Preshevës. Armend Aliu koordinator I PBILD-it për zhvillim ekonomik lokal fillimisht foli për projekte që janë realizuar për të rinjtë si në Preshevë dhe Bujanoc, fal PBILD-it. Ndërkaq Avni Haliti koordinator I Zyrës Për të rinj ka bërë prezantimin e projektit Ngritja e kapaciteteve të të rinjve në Preshevë dhe Bujanoc, duke I njoftuar të pranishmit me statistikat e komunës sonë, sidomos me nevojat e të rinjve tek ne. E ata që më së shumti iu gëzuan këtij projekti pa dyshim si ishin të rinjtë të cilët falënderuar PBILD dhe komunën e Preshevës për këtë mundësi. Ndërsa bashkëpunëtori Ilir Sadriu ka prezantuar nevojën e klubit për të rinj , duke thënë se tani të rinjtë kanë këtu ku të mblidhen,dhe do të arrijnë njohje të reja, do të informohen, shoqërohen dhe në mënyrë kualitative kalojnë kohën e lirë. Sipas lir Sadriut Kjo është hapësirë publike dhe e destinuar për të gjithë të rinjtë dhe ata të cilët janë të kyçur në realizimin e politikave rinore. Në hapjen zyrtare kanë marrë pjesë Dushko Radakoviç , sekretar shtetërorë I ministrisë për të drejtat e njeriut he të pakicave, administrate shtetërore dhe vetëqeverisje lokale, menaxheri I PBILD-it Nikola Herkules, kryetari I komunës së Preshevës Ragmi Mustafa dhe disa përfaqësues të qeverisë. E rëndësishme është që klubin për të rinj do ta shfrytëzojnë mbi 300 të rinj , ku disa tani në mënyrë aktive janë pjesë e klubit. Hapësira tashmë është e pajisur teknikisht për mbajtjen e ngjarjeve të ndryshme, trajnime, tribuna, punëtori, performanca etj, ndërsa në këtë zyrë momentalisht është duke u mbajt kursi i gjuhës angleze dhe kompjuterëve , por do të fillojnë trajnimet për kërkim dhe aplikim për punë, komunikim, ruajtje e ambientit etj.

——————-

Xhandarmëria e Serbisë ka bllokuar rrugët alternative të serbëve në kufirin Kosovë – Serbi, rrugë këto të hapura nga serbët për kontrabandën e mallrave dhe për t’i ikur doganës në pikë kalimet e rregulla kufitare. I ashtuquajturi kryetar i Këshillit Kombëtar të Serbëve për Kosovën veriore, Milan Ivanoviq, i ka deklaruar mediave serbe se rruga alternative tek pikë kalimi kufitar Jarinje është mbyllur sot në mëngjes nga xhandarmëria serbe. Lajmi për mediat serbe është konfirmuar edhe nga qytetarë serbë që ishin nisur të kalonin përmes kësaj rruge. Ivanoviq ka thënë se fillimisht udhëtarët janë legjitimuar nga ushtarët amerikanë të KFOR-it, ndërsa më pas janë kthyer mbrapsht nga xhandarmëria serbe, e cila nuk po lejon të vazhdojnë rrugën përmes këtyre vend kalimeve alternative. Ai u ka thënë mediave serbe se përkundër shpjegimeve që kishte dhënë ky, kishte marrë përgjigje nga xhandarmëria serbe se kishin urdhër nga Beogradi të ndalonin lëvizjen në këto rrugë alternative dhe se kjo do të zgjasë. Ivanoviq ka akuzuar pushtetin serb se veprimet e sotme të xhandarmërisë janë rezultat i bisedimeve dhe marrëveshjeve të arritura midis Prishtinës dhe Brukseli në funksion të zhbërjes së institucioneve serbe në veri. Ndërkohë, sot ka vazhduar loja e maces me miun midis serbëve dhe KFOR-it. Derisa serbët në mëngjes kanë bllokuar lëvizjen e tri makinave të Euleksit në drejtim të vendkalimeve Bërnjak dhe Jarinje, KFOR ka ndërmarrë veprime reciproke duke bllokuar zhvillimin e komunikacionit në rrugën Zveçan – Zubin Potok dhe rrugën Zubin Potok – Mitrovicë. Sipas raportit të mediave serbe, vendi ku serbët kanë bllokuar rrugën, po vëzhgohet nga fluturake ushtarake pa pilotë të KFOR-it, ndërsa si rezultat i vendosjes së punkteve të kontrollit nga KFOR- i në përgjigje ndaj bllokimit të makinave të EULEX-it, shkruajnë mediat serbe, janë krijuar kolona të gjata makinash në rrugët e përmendura.

——————-

Projekti i abetares së përbashkët Shqipëri- Kosovë do të jetë gati në muajin prill. Sipas Ministrisë së Arsimit, data 3 prill është afati i fundit për të gjitha shtëpitë botuese, të cilat pritet të dorëzojnë variantet e tyre. Në garë janë 13 shtëpi botuese, nga të cilat do të zgjidhet vetëm një, për të botuar tekstin e parë të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës. Teksti i Abetares do të ketë një standard të njëjtë gjuhësor dhe pavarësisht varianteve që do të konkurojnë, vetëm një abetare do të shpallet fituese nga komisioni i vlerësimit. Pas afatit të vendosur, fituesi do të shpallet në fund të muajit prill dhe fëmijët shqiptarë të të dy republikave, do e nisin vitin e ri shkollor me Abetaren e përbashkët. Kjo abetare do t’i bashkëngjitet tre abetareve ekzistuese alternative në Shqipëri, të cilat përzgjidhen çdo vit nga mësuesit, ndërsa në Kosovë do të jetë e vetmja. Abetarja unike me titullin “Abetare e Përbashkët Shqipëri-Kosovë” do t’u ofrohet dhe fëmijëve të emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në diasporë. Unifikimi i teksteve shkollore është nisëm mes dy ministrive të arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, që do të vijojë edhe me tekste të tjera shkollore

——————-

Nga dita e diel, 25 marsi fillon llogaritja verore e kohës që do të zbatohet deri më 28 tetor të këtij viti.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch