Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 22 qershor 2012

RTP lajmet 22 qershor 2012

Kryetari Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa bashkë me zv/kryetarin Skender Destani, dhe bashkëpunëtorët e tij nga pushteti lokal i Preshevës, kanë qëndruar sot në BL Tërrnavë ku ka filluar asfaltimi i rrugës që çon nga shkolla fillore në drejtim të këtij fshati. Kryetari i Komunës Ragmi Mustafa thotë se ky projekt është në pritje më shumë se 10 vite. Gjatësia e rrugës është 600 metra me gjerësi prej 4 metra, ndërsa trashësia e asfaltit është 7 cm. Kryetari Ragmi Mustafa dhe anëtari i Këshillit Komunal Agim Kadriu, thonë se edhe më tutje do të vazhdohet me investime në infrastrukturë aty ku ka nevojë. Edhe banorë të BL Tërrnavë përshëndetin realizimin e këtij projekti i cili për ta është jetik pasi shumë vite e kanë pritur. Pushteti lokal i Preshevës 4 viteve të fundit ka arritur të asfaltojë thuajse të gjitha rrugët, por edhe numër mjaftë të madh edhe të rrugicave në qytetin e Preshevës dhe në Bashkësitë Lokale të Komunës së Preshevës.

———————–

Serbia disponon me një listë të të dyshuarve, ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) në Maqedoni. Këto persona evidentohen si persona të dyshimtë dhe të rrezikshëm për stabilitetin e Serbisë dhe rajonit. Lajmi konfirmohet për agjencinë e lajmeve INA nga ish-pjesëtarë të UÇK-së që së fundi janë gjetur si të dyshuar dhe shumëkërkuar nga autoritetet serbe. Alarmi rreth kësaj u dha vetëm disa javë më parë kur ish-komandanti i UÇK-së, Xhezair Shaqiri i njohur si ish-komandant Hoxha u përmend nga media serbe si person i rrezikshëm dhe pjesëmarrës në sulmin e një poste kufitare në Dobrosin. Në listën e personave të përmendur si të dyshuar është edhe Eljasa Sherifi, i njohur si ish-komandant Arusha nga Presheva, pjesëmarrës në tri luftërat e fundit çlirimtare të shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni dhe Luginë të Preshevës. Ish-pjesëtarët e UÇK-së kanë shkruar për INA se dyshimet janë se emrat e tyre përmes Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë janë dërguar në adresë të Ministrisë së Brendshme të Serbisë. “Këto janë shpifje të mirënjohura të qarqeve dhe shërbimeve sllave që janë në koordinim me Shkupin dhe Beogradin. Kjo është e qartë, por publikisht ju bëj me dije se të gjithë ato akuza janë skenarë të mirëfillta që tashmë janë të lexuara, vetëm e vetëm për të na sulmuar neve si pjesëtarë të denjë dhe të pastër të emblemës së UÇK-së”, ka theksuar për INA, Xhezair Shaqiri, i cili ka përfituar statusin e azilit në një nga vendet e BE-së. Ai dhe bashkëluftëtarët e tij apelojnë që të zgjidhet kjo çështje dhe të intervenohet nga bashkësia ndërkombëtare, pasi që shumica e ish-pjesëtarëve të UÇK-së që janë me status azili jashtë vendit, janë përmendur së fundi lidhur me një sulm ndaj një poste policie në Dobrosin në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë.

——————–

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri nuk është më përfaqësuese e Kosovës në dialogun me Serbinë. Kryenegociatorja kosovare është lënë jashtë këtij procesi nga kryeministri i vendit Hashim Thaçi. Të enjten, lehtësuesi i dialogut teknik, Robert Cooper, ka qëndruar në Prishtinë. Në Qeverinë e Kosovës ai është takuar me kryeministrin Hashim Thaçi dhe me ministren e Integrimeve, Vlora Çitaku, por pjesë e këtij takimi nuk ka qenë edhe zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, shkruan “Koha Ditore”. Burime të gazetës kanë thënë se në këtë mënyrë po paralajmërohet përfundimi i dialogut teknik me Serbinë dhe fillimi i atij politik. Në procesin e ri, Edita Tahiri nuk do të jetë më përfaqësuese e Kosovës. Por, lehtësuesi i dialogut, Robert Cooper, gjatë takimit me kryeministrin ka folur ekskluzivisht vetëm për dialogun teknik, pasi që edhe vetë ai nuk është e sigurt nëse do të ndërmjetësojë procesin më të avancuar të bisedimeve, që do të bëhet ndërmjet dy të besuarve të dy kryeministrave të Kosovës dhe atij të Serbisë. Sipas burimeve të gazetës, dialogu politik duhet të presë derisa në Serbi të zgjidhet qeveria e re, kryeministër i së cilës, sipas paralajmërimeve, pritet të jetë ish-presidenti Boris Tadic. Sipas burimeve, presidenti i ri i Serbisë, Tomislav Nikolic, gjatë vizitës që ka pasur në Bruksel, ka shprehur gatishmëri që të takohet me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe të zbatojë marrëveshjet e arritura deri më tash në dialog, por ka preferuar që vazhdimi i procesit të bëhet ndërmjet dy qeverive.

———————–

Doli në dritë vepra e parë shqipe respektivisht monografia kushtuar veprimtarit të madh, patriotit të rrallë nga Presheva ‘Shaip Mustafë-Presheva në dokumentet arkivale’e autorit Hasan Emërllahu. Kjo akademi përkujtimore u mbajt sot në Shtëpinë e Kulturës Abdulla Krashnica në Preshevë. Dita e sotme koinçidon me lindjen e 100 vjetorit të Shaip Mustafës i cili rrjedh nga një familje bujare nga fshati Bukuroc. Ai ishte diplomuar në fakultetin e drejtësisë në Beograd në vitin 1939 kurse në vitin 1935 ishte anëtar i Shoqatës ilegale Besa. Evenimenti i sotëm filloi me antonimin e himnit kombëtar nga okteti preshevar ndërsa më pas me një minutë heshtje të pranishmit e nderuan jetën dhe veprën e të ndjerit Shaip Mustafë Presheva.

Hapjen e këtij promovimi e bëri Kryetari i Kuvendit të Komunë së Preshevës Ramiz Latifi i cili i përshëndeti të pranishmit e familjarët e tij. Kryetari i Kuvendit tha se veprimtari Shaip Mustafa tërë jetën ia kushtoi kauzës së kombit tonë. Ndërkaq Abdurrahaman Zylfiu, historian elaboroi tërë biografin e veprimtarit të shquar Shaip Mustafa që nga rinia e deri në vdekje. Zoti Zylfiu theksoi se dita e sotme është një ngjarje historike e kombit tonë. Më pas për mes video projektorit ishte përgatitur deklamimi me titull ‘Ç’ju thonë ata sy ‘.Në anën tjetër Rexhep Bunjaku nga Kaçaniku i përshëndeti të pranishmit e në veçanti familjen e veprimtarit të bijën Teuta e cila ishte pjesëmarrëse promovin e librit kushtuar të atit të saj. Ai në hollësi foli për flijimet e tij në burgjet e Nishit, madje tha se Shaip Mustafë Presheva ishte viktime e ideologjisë komuniste. Në kuadër të këtij promovimi u prezantua edhe deklamimi i dytë për Shaip Mustafën e që më pas foli magjistër Qerim Lita, zëvendësdrejtor i Arkivit në Maqedoni. Zoti Lita ishte bashkëpunëtor i autorit të librit Hasan Emërllahu që dha një kontribut të çmueshëm për nxjerrjen në dritë të këtij libri dy vëllimesh. Jonuz Fetahaj redaktori i librit shprehet se e kam të vështir të flas kur Presheva sot po shënon njëqind vjetorin e atdhetarit Shaip Mustafa. Ndërkaq e emocionuar para shumë familjarëve, miqve e dashamirëve të librit foli e bija e Shaip Mustafës e cila jeton në Shkup Teuta Krashnica Çuçkova. Ai i falënderoi të gjithë që ndihmuan nxjerrjen e këtij libri në dritë e në veçanti autorin e librit. Autori i librit Hasan Emërllahu nga Rahovica e Preshevës tha se jam i privilegjuar që mu mundësoi Perëndia të zbardhi një vepër njeriut, detarit i cili luftoi për kauzën tonë shqiptare. Autori i librit nuk la pa falënderuar edhe Arkivin e Kosovës, Qerim LItën dhe Rexhep Bunjakun që i krijuan rrugë dhe bashkëpunim për daljen e kësaj vepre mjaft të çmuar.

Në fund drejtori i Shtëpisë së Kulturës Naser Nuredini kishte përgatitur një koktej rasti në shenjë nderimi dhe respekti.

———————

Një karrocë falas për ata që kanë nevojë. Luten ata që kanë nevojë për një karrocë për persona me aftësi të kufizuara, të lajmërohen në numrin e telefonit 063 754 1981, tek Burhan Limani, i cili me vullnet të mirë dhe ti ndihmojë atyre që kanë nevojë ta marrin këtë karrocë. Ju faleminderit.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch