Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 23 Janar 2015

RTP lajmet 23 Janar 2015

–          Këshilli Kombëtar Shqiptar do të mbajë seancën e sotme në Medvegjë

–          A duhet mësuar politikanët shqiptarë nga gjesti i Albin Kurtit

–          Si do të emërohet sheshi i Bujanocit

–          Vdes mbreti i Arabisë Saudite

———————————————————-

RTP logoKëshilli Kombëtar Shqiptar sot do të mbajë seancën e saj në Medvegjë në hapësirat e Qendrës për të rinj, ashtu siç kishte paralajmëruar disa ditë më parë kryetari i këtij Këshilli, Jonuz Musliu.

Në këtë seancë ndër të tjera do të shqyrtohen: hapja e zyrës së Këshillit Kombëtar në Medvegjë, bashkëpunimi me Prishtinën dhe Tiranën, sulmi i ndodhur ndaj institucioneve lokale më 12 janar të këtij viti, gjegjësisht sulmi ndaj zëvendëskryetarit të komunës Florim Sahiti, me theks të veçantë në masat e ndërmarra nga institucionet kompetente. Siç mësohet në këtë mbledhje që fillon në orën 11:00 do të paraqiten edhe disa kërkesa nga anëtari i KKSH-së, Lulzim Sahiti, duke kërkuar nga Këshilli Kombëtar që: të dënohet akti i dhunës ndaj institucioneve lokale, gjegjësisht zëvendëskryetarit të komunës Florim Sahiti, të kërkohet llogari nga institucionet përgjegjëse për mos marrjen e masave të duhura, që OSBE urgjentisht të hapë një zyrë në Medvegjë me qëllim të parandalimit të represionit të mëtejshëm ndaj shqiptarëve, të hapet zyra e Këshillit Kombëtar në Medvegjë e cila do të merret me çështjet e shqiptarëve, të dënohet fushata negative mediale e gazetës elektronike “e-novine” siç ishte rasti me artikullin e publikuar më 17.01.2015, si dhe të tjera.

————————————————–

Tërheqja e Albin Kurtit nga posti i kryetarit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, është një shembull shumë i mirë për skenën politike shqiptare në përgjithësi dhe atë të Luginës së Preshevës në veçanti. Kjo ngase në subjektet politike shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginë apo edhe kudo tjetër, jemi mësuar t’i shohim vetëm liderët e tyre legjendarë. Heqja dorë nga pozita e të parit të partisë dhe lirimi i të tjerëve, që të përfshihen në udhëheqje politike, është një gjest jo vetëm parimor por ai kontribon edhe në zhvillimin, afirmimin dhe promovimin e vlerave politike. Largimi i Albin Kurtit për të mos qenë i pari në Vetëvendosje, nuk do të thotë dëmtim i partisë, por një rilindje e saj, ngase ai mendon se nga poshtë do të ndihmojë më së miri lartë. Gjesti i Albin Kurtit vie në momentin kur ndoshta Vetëvendosje ishte në kulmin më të madh të zhvillimit të saj, përderisa liderët e shumtë partiak nuk e bëjnë një gjë të tillë edhe pas humbjeve të disahershme zgjedhore. Akti meritor i Albin Kurtit, duhet të merret si model për liderët shumëvjeçarë të politikës shqiptare e në veçanti për ata të Luginës së Preshevës, të cilët po dalin në pension me postin e kryetarit partiak.

————————————————-

“Edhe pse zyrtarisht është hapur në janar të vitit 2014, materniteti jashtëspitalor në Preshevë, për rekonstruim dhe pajisje e aparaturë janë harxhuar rreth 1.5 milionë euro, ende nuk ka filluar me punë”, ka thënë deputeti popullor Riza Halimi, transmeton presheva.com. Sipas Halimit, në Preshevë nuk ka kuadro të cilët janë të kualifikuar që të punojnë në maternitetin jashtëspitalor, ndërsa janë dërguar tre mjek për specializim vitin e kaluar, dhe për këtë arsye kthimi i tyre në punë në maternitet është i mundur vetëm pas katër viteve. “Eshtë e vërtetë që ka një vit që është hapur zyrtarisht materniteti në Preshevë, ndërsa materniteti nuk punon. Arsyja kryesore është çështja kadrovike nuk është zgjidhur paralelisht me investimet” ka thënë Halimi. Deputeti Halimi ka thënë se edhe më tej mbetet enigmë se ku janë harxhuar 100.000 eurot e dhuraura nga qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë, kur dihet se këto të holla janë paguar me më shumë muaj më vonë pas përfundimit të maternitetit dhe rekonstruimit të ndërtesës. Halimi ka kritikuar edhe vendimin që ky maternitet të vendoset në ndërtesën e objektit të praksës së përgjithshme, ku kjo zhvendosje ka sjellë që praksa e përgjithshme të mbetet pa ordinanca.

—————————————————

Komisioni përbërë prej shtatë anëtarëve për ndryshimin e emrave të  rrugëve e shesheve pranë Komunës së Bujanocit, katër shqiptarë dhe tre serb, në mbledhjen e saj të fundit, përveç dakordimit për ndryshimin e 22 emrave të rrugëve, ka shqyrtuar edhe emrat e propozuar që mund të jenë të përshtatshëm për sheshin kryesor në Bujanoc që aktualisht mban emrin Karagjorgje Petroviq. Tre emrat e propozuar të cilët do të duhet të votohen në mbledhjen e radhës të Komisionit janë: sheshi “Karagjorgje Petroviq” që edhe sot mbanë po këtë emër, propozimi i dytë sheshi “Skënderbeu”, si dhe propozimi i tretë “Sheshi i Tolerancës”. Duke parë rëndësinë e këtij sheshi për Bujanocin, portali informativ titulli.com dje ka mbyll sondazhin e realizuar dhjetëditor rreth emërtimit të sheshit, në të cilin kishin votuar 2.246 qytetarë. Qytetarët me shumicë të madhe shprehën qëndrimin e tyre se sheshi në Bujanoc duhet të mbajë emrin e heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut. 81.52 % apo 1.831 vota të pjesëmarrësve ishin që sheshi aktual Karagjorgje Petroviq të marrë emrin sheshi “Skënderbeu”, 17.99 % ose 404 vota për propozimin “Sheshi i Tolerancës”. Për emërtimin aktual që mban sheshi qendrorë në Bujanoc, atë Karagjorgje Petroviq, votuan 11 qytetarë, apo 0.49 %. Mirëpo, siç mësohet jozyrtarisht, nga burime brenda komisionit, anëtarët shqiptarë, pjesë të këtij komisioni, janë afër dakordimit me kolegët serb që sheshi Karagjorgje Petroviq të mos emërtohet sheshi “Skënderbeu”, por “Sheshi i Tolerancës”.

—————————————————

Këto ditë Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup (ITSHKSH), hapi konkursin për regjistrimin e studentëve në studimet e magjistraturës në tre drejtime studimore: Gjuhë shqipe, Letërsi shqipe dhe Histori me marrëdhënie ndërkombëtare. Në secilin nga këto drejtime, parashihet të pranohen nga 30 studentë. “Është ky një hap përpara në konsolidimin e mirëfilltë të ITSHKSH-së në Shkup, dhe një hapje e mundësive të reja për thellimin e studimeve albanologjike në trojet shqiptare të Maqedonisë. Kushtet e regjistrimit dhe studimeve, janë model në rajon, dhe ato do të zhvillohen me metodat dhe teknikat më të reja të shkencës bashkëkohore”, theksojnë përgjegjësit e këtij Instituti. Sipas tyre, është kjo një mundësi e mirë për të gjithë studiuesit e interesuar të albanologjisë e historisë, jo vetëm se nga Republika e Maqedonisë, por edhe ato nga Republika e Kosovës dhe Lugina e Preshevës, të cilët dëshirojnë të thellojnë njohuritë dhe hulumtimet e tyre në këto sfera. Regjistrimi i studentëve të interesuar do të zgjasë deri më 15.02.2015, në lokalet e ITSHKSH-së, të cilat gjenden në objektin e ish-ambasadës amerikane në Shkup, kurse të gjitha informatat e nevojshme mund të merren edhe përmes ueb faqes zyrtare të institutit www.itsh.edu.mk.

————————————————————-

Propozim-marrëveshja për sistemin e drejtësisë në veri ka marrë mbështetjen politike të palëve të përfshira në dialogun Kosovë-Serbi, që po ndërmjetësohet nga Brukseli, ndërkohë që plani për implementim ende nuk është dakorduar në tërësi. Burime të gazetës që kanë njohuri për procesin e dialogut kanë bërë të ditur se në takimin që pritet të shënojë rinisjen e dialogut më 9 shkurt të këtij viti, fillimisht palët do të kenë një takim njoftues, pasi që ka akterë të rinj në proces, ndërkohë që gjatë takimit të punës do të ketë përpjekje për afrimin e qëndrimeve drejt marrëveshjes për funksionalizimin e gjyqësorit në veri, shkruan sot Koha Ditore. “Për gjyqësorin në veri në parim ekziston një dakordim politik. Por ende nuk ka një pajtim për planin e zbatimit”, ka thënë ky burim. Ndërkohë, zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës kanë theksuar se marrëveshje për sistemin e drejtësisë në veri ende nuk ka dhe njëherësh kanë siguruar se ujdia me Serbinë nuk do të imponojë ndryshim të legjislacionit kosovar.

——————————————————-

Televizioni shtetëror i Arabisë Saudite ka njoftuar se Mbreti Abdullah ka vdekur pas dhjetë vjetësh të qëndrimit në pozitën e mbretit. Mbreti ka vdekur në moshën 90 vjeçare. Sipas mediave arabe, Abdullah ka vdekur mbrëmë vonë por nuk janë dhënë detaje. Ai kishte qëndruar në spital disa javë si rezultat i një infeksioni në mushkri. Pasardhës i tij do të jetë vëllai i tij, princi Selman, 79 vjeçar, i cili i ka marrë përgjegjësitë në punë që nga shtrirja në spital e mbretit Abdullah.

—————————————————-

Rexhep Rahimi ka gjashtë muaj që nuk është parë nga familjarët dhe sipas tyre ai mundë të kët ardhur diku në vendbanimet e Luginës. Ai është në moshë rreth 70 vjeç dhe vuante nga sëmundja e sklerozës. Rexhep Rahimi është i lindur më 01 prill të vitit 1945 në fshatin Nasalcë të komunës së Bujanocit ndërsa familja e tij jeton në komunën e Çairit në Shkup. Artan Rahimi djali i Rexhepit po troket derë më derë për të kërkuar të atin e tij i cili kishte dalë për të blerë diçka dhe nuk është pare më. I humburi me profesion ishte arsimtar i gjuhës shqipe, ditën kur ai ka dale nga shtëpia ka qenë mëngjes i veshur me pantollona ngjyrë kafe dhe këmishë me katror të bardhë ka theksuar djali i tij. Për humbjen e Rexhep Rahimit janë të njoftuara edhe organet policore në Preshevë, madje familjarët e Rexhepit lusin të gjithë qytetarët nëse kanë ndonjë informacion që të paraqiten tek familjarët në numrin e tel 00389 76 563 783 dhe në Redaksinë e Radiotelevizionit Presheva./RTP/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch