Home » Lajme » RTP lajmet 23 mars 2012: Ragmi Mustafa me bashkëpuntorë, ka vizituar sot projektet e vitit 2012, sipas planit investiv të këtij viti…

RTP lajmet 23 mars 2012: Ragmi Mustafa me bashkëpuntorë, ka vizituar sot projektet e vitit 2012, sipas planit investiv të këtij viti…

Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa me bashkëpuntorët e tij, ka vizituar sot projektet e vitit 2012, sipas planit investiv të këtij viti.

Në agjendën e ditës së sotme ishin kontrollimi i punëve në rrugën “15 Nëntori”, që është duke u ndërtuar trotuari modern, projekti i ndërtimit të sallës së edukatës fizike në gjimnazin “Skënderbeu”, asfaltimi i rrugës që bashkon Qemal Shehun me atë Mare Llonçar, asfaltimin e të gjitha rrugicave në rrugën e Karposhit, dhe kanalizimin fekal në BL Bushtran. Kontrollimi i punëve për së afërmi filloi me ndërtimin e parkut në rrugën 15 Nëntori. Sipas kryetarit Mustafa ky projekt do të kushtojë afër 10 milion dinarë.

E në gjimnazin “Skënderbeu” projekti i ndërtimit të sallës së edukatës fizike, i filluar vitin e kaluar ka vazhduar në realizim edhe këtë vit me ndryshimin e kushteve atmosferike, ndërsa në këtë pjesë ka filluar edhe asfaltimi i rrugës që bashkon Qemal Shehun me atë Mare Llonçar.

Angazhimi nga viti i kaluar me rregullimin e projekt dokumentacionit teknik kanë bërë që të fillojnë punët në asfaltimin e të gjitha rrugicave në rrugën e Karposhit. Ndërsa projekti i fundit i cili edhe përmbylli vizitat e sotme, është ai i kanalizimit fekal në BL Bushtran. Sipas kryetarit të Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, pushteti lokal i Preshevës, për këtë vit ka paraparë ti realizojë mbi 40 projekte, prej tyre për rrethë 80% të projekteve kanë përfunduar prokurimet dhe kontratat janë lidhur, kurse tashmë mbetet që punëkryesit të fillojnë punët në bazë të kontratave të lidhura, me çrastë do të realizohen projektet.
——————————

Kryetari i Partisë Socialdemokrate të re, Dusan Janjiq ka deklaruar se në Bujanoc partia e tij mund të jetë në koalicion me partitë shqiptare pasi problemet janë të përbashkëta edhe të serbëve dhe të shqiptarëve.

“Në Bujanoc problemet janë të përbashkëta si për shqiptarët ashtu edhe për serbët. Nuk shmangim mundësinë që partia jonë NSD të dalë në zgjedhje lokale së bashku me ndonjë parti shqiptare dhe pas zgjedhjeve të bëjmë koalicion të përbashkët shqiptaro-serbe” ka thënë Janjiq. “Bujanoci është i lënë pas dore politikisht dhe ekonomikisht, dhe këtu bëjnë pjesë të gjitha cështjet e rëndësishme jetësore si të serbëve, shqiptarëve dhe romëve e këto janë lufta kundër varfërisë, për një jetë të qetë të sigurtë dhe për arsimim” ka thënë lideri i NSD. Janjiq gjithashtu ka cekur se disa forca radila që janë për ndarjen e Bujanocit janë “vetëvrasëse”. “Idea e disa forcave radikale për ndarjen e Bujanocit në serbe dhe shqiptarë është vetëvrasëse. Kjo vetëm se flet për shkallën e brengosjes të qendrave partiake në këto hapsira nën cfardo niveli” ka thënë Janjiq.
————————-
Në fshatin Leran është bërë asgjësimi i mjeteve të pa eksploduara të cilat janë gjetur në një pjesë të këtij territori. Në vend te ngjarjes ishin ekipi i specializuar e Ministrisë së Punëve të Brendshme në bashkëpunim me shtabin komunal për situata të jashtëzakonshme,dhe vendi është pastruar nga ekipi i specializuar i organizatës joqeveritare nga Norvegjia “Ndihma e Popullit” Në këtë territor janë gjetur 25 bomba kasetore dhe 6 mjete tjera eksploduese, Ekipi i Televizionit Presheva ndoqi nga afër asgjësimin e mjeteve të pa eksploduara. Punëtori i sektorit për situata të jashtëzakonshme Fejzulla Fejzullahu thotë se asgjësimi i mjeteve të pa eksploduara në këtë territor është kryer me sukses,ku ditëve të ardhshme ekipi do të vazhdojë edhe më tutje me asgjësimin e mjeteve të pa eksploduara. I pranishëm në vend të ngjarjes ishte edhe kryetari i Bashkësisë lokale të fshatit Leran,i cili porosit qytetarët që të kenë kujdes edhe në raste të evidentimit të ndonjë mjeti të pa eksploduar dhe të lajmërojnë organet kompetente. Mjetet e pa eksploduara në këtë territor gjinden që nga periudha e vitit 1999 si pasoje bombardimeve të Natos.

————————–

Në sallën e Kuvendit Komunal të Preshevës, është mbajtur një ligjëratë nën organizimin e Lidhjes Kooperative të rrethit të Jabllanicës dhe Pçinjës, e në bashkëpunim me përfaqësuesit nga qeveria e Danimarkës. Ligjërata kishte të bënte me mundësin e ngritjes së pemishtes në territorin e komunës së Preshevës. Në ligjëratë të interesuarit u informuan se si të investohet në këtë fushë. Prodhuesit kryesisht ishin të interesuar për formën dhe mënyrën e donacioneve, deklaroi drejtori i kooperativës bujqësore në Preshevë Qenan Daliu. Ligjerata mbi mundësinë e ngritjes së prodhimit të perimeve në Preshevë, është e para e këtij lloji duke parë që kjo lloj veprimtarie në territorin e Preshevës së fundi ka filluar edhe që të ketë interesime në investime.

————————

Zëvendësi i prokurorit serb për krime lufte, Bruno Vekaric, ka thënë se ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj, do të arrestohet posa të dalë nga territori i Kosovës, sepse Serbia ka lëshuar një fletëarrest ndërkombëtar kundër tij për krime lufte.

Ai ka thënë se prokuroria serbe ka kryer hetime dhe ka intervistuar një numër dëshmitarësh në rastin “Kleçka”, për të cilin Limaj dhe nëntë ish pjesëtarë të UÇK-së ishin akuzuar, dhe se ka elemente të mjaftueshme për lëshimin e fletarresteve. “Kjo do të thotë që çdo polici ka detyrim ta arrestojë Limajn sapo ta lëshojë territorin e Kosovës”, ka thënë Vekaric për të përditshmen serbe “Blic”. Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka urdhëruar para dy ditësh lirimin nga paraburgimi të të gjithë të akuzuarve në rastin “Kleçka”, duke hedhur poshtë dëshminë dhe ditarët e Agim Zogajt, i cili njihej si Dëshmitari X, mbi të cilin ishte ngritur aktpadia.

———————

Delegacioni kosovar dhe ai serb pritet që të takohen sërish nga fundi i majit, eventualisht fillimi i muajit qershor. Burime ndërkombëtare kanë shpjeguar për ”Kohën Ditore”, se diplomatët evropianë presin që Serbia të mos shpenzojë shumë kohë në ndërtimin e qeverisë së re, pas zgjedhjeve parlamentare më 6 maj dhe që palët të takohen pak javë pas zgjedhjeve për të bërë marrëveshje edhe për telekomunikacionin dhe energjetikën.

——————–

Paralajmërimet se bisedimet e ardhshme Kosovë-Serbi nuk do të jenë të karakterit teknik por të atij politik, dhe se njëra nga temat e bisedimeve do të jetë veriu i vendit, kanë shtyrë kryeministrin e vendit, Hashim Thaçi, që të mendojë për ndërrimin e delegacionit të bisedimeve.

Burime të afërta me Qeverinë e Kosovës, i kanë thënë “Zërit” se shefi i qeverisë kosovare është duke menduar që ta “pensionojë” kryenegociatoren e deritashme, Edita Tahiri, dhe ta zëvendësojë me një person tjetër. “Kryeministri po pretendon që ta shkarkojë Editën, e në vend të saj ta emërojë Enver Hoxhajn. E në Ministrinë e Jashtme do të vijë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, me çka AKR-ja do ta marrë edhe një ministri të re, përveç Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë të cilën gjithashtu do ta udhëheqë kjo parti”, ka thënë burimi.

RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch