Home » Lajme » RTP Lajmet 23 nëntor 2011

RTP Lajmet 23 nëntor 2011

Në Bruksel, të martën ka përfunduar raundi i shtatë i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me lehtësimin e Bashkimit Evropian. Në dy ditët e këtij raundi është arritur vetëm një marrëveshje – ajo për njohjen e diplomave universitare. Në deklaratën e lëshuar pas takimit nga ana e Bashkimit Evropian thuhet se palët, duke avancuar pas marrëveshjes në parim që ishte arritur më 2 korrik të këtij viti, janë pajtuar që nga Asociacioni Universitar Evropian të kërkohet certifikimi i diplomave të lëshuara nga universitetet e secilës palë, për përdorim nga pala tjetër, lidhur me shkollim apo punësim publik. Shefi i delegacionit të Serbisë, Borisllav Stefanoviq, ka thënë se kjo marrëveshje është e pranueshme për shtetin serb, pasi ajo “nuk kërkon që të njihen diplomat apo dokumentet e lëshuara në Kosovë, që do të kenë vula apo shenja të së ashtuquajturës Republikë të Kosovës.
————-
Marrëveshja e arritur në Bruksel ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është një fillim i mirë për zgjidhjen e problemeve me arsimin që kanë shqiptarët nga Lugina e Preshevës, ka deklaruar kryetari i Unionit Demokratik Shqiptar, Rahmi Zulfiu.”Nuk jam shumë i njohtuar me detajet rreth marrëveshjes për pranimin e diplomave nga Prishtina, mbetet të shihet se sa duhet kohë që të kalojë të fillojë aplikimi i saj dhe me çfarë kushte. Me rëndësi është që është larguar barriera për ata që kanë studiuar në Universitetin e Prishtinës dhe këto kuadro mund të punësohen në Preshevë dhe Bujanoc” ka thënë Zulfiu. Ministria e Arsimit të Serbisë nuk i njeh diplomat e Universitetit të Prishtinës që nga shkurti i vitit 2008.”Më së shumti të rinj nga Presheva dhe Bujanoci, më shumë se 60% e studentave të regjistruar, me gjenerata të tëra regjistrohen në Fakultetin e Prishtinës, pasi atje e kanë shkollimin pa pagesë, dhe kushtet për banim dhe ushqim janë shumë më të mira se sa në Tiranë dhe Tetovë. Për shkak të mos pranimit të diplomave, për më shumë se tre vite ata nuk kanë mundur të punësohen në vendet adekuata për të cilën dhe kanë përfunduar fakultetin” ka thënë Zulfiu.
——————-
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ditë më parë ka deklaruar se problemi mes shqiptarëve dhe serbëve mund të zgjidhet në kthimin e kufijve historikë dhe natyralë të Kosovës që kanë ekzistuar deri në vitin 1956. Kjo deklaratë hasi në reagime të ndryshme nga subjektet politike, disa nga këto reagime i kanë thënë edhe anëtarët e kryesisë së shoqatës Vatra në Gjilan, gjatë një interviste të realizuar nga ekipi ynë me Mustafë ShaqiriN Nënkryetar i Shoqatës Vatra dhe Sejdulla Kadriu, Anëtar i kryesisë së kësaj shoqate.
—————–
Përderisa shqiptarët, qeveritë shqiptare, ajo e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, partitë politike nga Kosova dhe Shqipëria, heshtin ndaj padrejtësive dhe sulmeve që Serbia ju bënë banorëve shqiptarë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, një gjë të tillë nuk e bëjnë edhe partitë serbe. Rasti i fundit i ndodhur në Komunën e Medvegjës, ku polici serb sulmon familjen Ismajli në shtëpinë e tyre, ka kaluar në heshtje të faktorit politik shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri. Në reagimin e saj, Partia Liberalo Demokratike (LDP) e Cedomir Jovanoviq kërkon nga Ministria e punëve të brendshme të Serbisë që të ndërmerr masat adekuate ndaj pjesëtarit të policisë i cili, të shtunën më 19 nëntor, kishte torturuar Sokol Ismajlin dhe fëmijët e tij të mitur nga fshati Gërbac i Medvegjës. Polici, për të cilin banorët e Medvegjës thonë se ka mbiemrin Cvetkoviq, me dorezën e armës zyrtare, duke bërtitur “Shqiptarët ma kanë vrarë babanë”, ka shkaktuar plagë trupore Sokol Ismajlit dhe fëmijëve të tij të mitur. Sulmi ka ndodhur në oborrin e shtëpisë së familjes Ismajli, dhe kishte ardhur pas refuzimit të Sokolit për të shkuar të shuaj një zjarr në fshat, me arsyetimin se është i sëmur dhe nuk dëshiron të dal nga shtëpia. MUP-i dhe prokuroria duhet të reagojnë në mënyrë adekuate duke hetuar rastin deri në fund, policin përgjegjës ta sanksionoj, dhe kështu qytetarëve t’u dërgohet mesazh i çartë se institucionet shtetërore punojnë për të mirën e të gjithë qytetarëve. ”, thuhet në reagimin e LDP.
—————-
Gjykata themelore në Leskoc, policit Milan Cvetkoviq (23) nga Medvegja, i ka caktuar masën e paraburgimit prej tetë ditësh, siç raporton Blic, për shkak të dyshimit se gjatë kohës sa ishte në detyrë zyrtare e ka goditur një banon të fshatit Gërbovc. Polici pjesëtarë i Stacionit Policor të Medvegjës, më 19 nëntor, deri sa ka qenë në detyrë zyrtare në fshatin Gërbovc të po kësaj komune, “pas një mosmarrëveshjeje verbale tejet të shkurtër në oborrin e shtëpisë së vet, Sokol Ismailit (43) i ka shkaktuar lëndime trupore. Policia e Leskocit, nën aktpadinë penale e ka dorëzuar të dyshuarin të gjykatësi hetues i Gjyqit Themelor të Leskocit i cili të njëjtit ia ka caktuar paraburgimin prej tetë ditësh. Polici Milan Cvetkoviq, akuzohet se ka kryer vepër penale të abuzimit dhe torturës, ka kumtuar Departamenti i Policisë së Leskocit, në kuadër të së cilit vepron edhe Stacioni Policor i Medvegjës.
———–
Aleanca Kuqezi përkujtoi të martën 22 Nëntorin 1908, si ditën kur rilindësit dhe patriotët e mëdhenj si, Luigj Gurakuqi, Faik Konica, Gjergj Fishta e shumë të tjerë përfunduan së punuari alfabetin e gjuhës shqipe. Sipas AK-së, 103 vite më parë, shqiptarët u shkëputëm nga turqizmat dhe greqizmat, duke i hapur rrugën e historisë së gjuhës së mrekullueshme së shkruar shqipe. AK bëri edhe një deklaratë për shtyp me rastin e 103 vjetorit të alfabetit të unifikuar shqip, i vendosur nga Kongresi i Manastirit. Në të thuhet se 103 vjet pas asaj ngjarjeje madhore për gjuhën shqipe, shqiptarët ende nuk kanë unifikuar abetaren dhe sistemin arsimor, qyteti i Manastirit është lënë në harresë nga politikanët shqiptarë, dhe ata kanë përdhosur veprën e shquar të rilindësve. AK thotë se nderon me kujtim punën dhe veprën e themeluesve të alfabetit shqip, që hodhi dritë 103 vjet më parë në qytetin e Manastirit si dhe shprehim indinjatën tonë të fortë për:

1. Braktisjen, harresën, rrënimin, shkatërrimin e simboleve të gjuhës shqipe duke filluar nga godina ku u zhvillua kongresi dhe u themelua alfabeti shqip dhe deri tek qyteti i Manastirit, i cili iu nënshtrua spastrimit etnik dhe asimilimit kombëtar e duke u lënë në mëshirën e fatit.

2. 103 vjet më pas shqiptarët nuk kanë të unifikuar abetaren, gjuhën dhe sistemin arsimor. Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë, Abetaret janë në modele të ndryshme madje duke deformuar apo fshirë edhe simbolet kombëtare për qëllime përfitimi për zyrtarët e lartë shqiptarë dhe rrjedhimisht duke i hapur rrugën korrupsionit me botimin e abetareve.
3. 103 vite më pas shqiptarët nuk kanë një sistem arsimor të unifikuar dhe nuk kanë një strategji të përbashkët për edukimin historik, ligjor dhe gjeografik të nxënësve, dhe studentëve me trevat shqiptare dhe çështjen kombëtare.

4. 103 vite më pas ministra e politikanë kanë përdhosur veprën e rilindësve duke krijuar një sistem korruptiv të licencave të universiteteve, shit-blerjeve të diplomave, pazarit të masterave dhe trafikimit të studimeve universitare brenda dhe jashtë vendit, çka tregon qe vetëm rrugën e rilindësve nuk kane ndjekur, por kane krijuar posaçërisht për veten e tyre rrugët e korrupsionit dhe fitimeve personale. “AK ndjen dhe shpreh mirënjohjen për ata që e krijuan alfabetin shqip, qe ne e shkruajmë prej një shekull dhe shprehim indinjatën për ata që e bastarduan, harruan, politizuan, keqpërdorën, abuzuan me abetaren, arsimin, kulturën dhe gjithë veprën e themeluesve të gjuhës sonë shqipe”, thuhet ndër të tjera në këtë deklaratë.
RTV Presheva

One Response

  1. Tariq thotë:

    tung veq vazhdo se ma i miri je ne sqirphi etnike se endrra ime e vetme ishte ti nigoj kto hite si amaneti,diss serbia, ku mbet presheva,jasht kufirit,leter nga burgu etj e qe mpelqej se ja ule ata krye skillzave me kangen stop diss (skillza and thmia rekers)tung ishalla te shoh ne preshev

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch