Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 23 qershor 2012

RTP lajmet 23 qershor 2012

Shqiptarët e Medvegjës para zgjedhjeve lokale. Shqiptarët e Medvegjës në prag të zgjedhjeve lokale presin përfaqësim më të madh në Kuvend si dhe në organet ekzekutive, në mënyrë që të krijojnë kushtet për një perspektivë më të mirë për ruajtjen e substancës kombëtare. Sipas komisionit komunal zgjedhorë nesër në Medvegjë mbahen votimet për Asamblenë Komunale.

———————-

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi i akordoi Ali Aliun (Pas vdekjes) Medaljen e Artë të Shqiponjës me motivacionin: “Për veprimtari të pareshtur atdhetare, në mbrojtje të të drejtave kombëtare dhe njerëzore të popullit shqiptar të Kosovës. Medalja e artë e shqiponjës i dedikohet vendasit tonë preshevarë të ndjerit Ali Aliu për kontributin e tij atdhetarë nën represionin e egër shtetëror shovinist, duke u bërë shembull frymëzimi për brezat e rinj të Kosovës.

———————-
Ajredin Hyda, kryetar i Kuvendit Komunal të Bujanocit ka mohuar faktet e përmendura nga Koalicioni pas zgjedhor PVD, LPD dhe UDSH se në seancën e fundit janë shkarkuar 66 shqiptarë nga këshillat drejtuese të ndërmarrjeve publike në Bujanoc. Sipas Hydës, në seancën e kuvedit komunal është bërë vetëm ndërrimi i anëtareve të këshillave drejtuese dhe mbikëqyrës të cilët delegohen nga administrata lokale. “Në këshillat drejtuese të ndërmarrjeve publike në Bujanoc janë shkarkuar 34 anëtarë, dhe këshillat mbyqyrës 20 anëtar të cilët ishin të deleguar nga administrata lokale dhe janë emëruar anëtarët e rinj sipas marrëveshjes për qeverisje lokale”, deklaroi Hyda. Kryetari , Ajredin Hyda tha se kuvendi komunal ka emëruar 41 anëtar të rinj shqiptar dhe 13 anëtar serb nëpër ndërmarrje publike. “Për këshillat drejtuese janë emëruar 24 anëtar shqiptarë dhe 10 serb, ndërsa për këshillat mbikëqyrës kuvendi ka emëruar 17 anëtar shqiptarë dhe 3 serb”, tha Hyda. Në reagimin e koalicionit shqiptar pas zgjedhor PVD,LPD dhe UDSH të përbërë nga 17 këshilltarë është përmendur edhe ndërprerja e punëve të dy projekteve kapitale, asfaltimi i rrugës Tërnoc-Breznicë dhe asaj nëpër Muhoc, gjë që është kundërshtuar nga kryetari i Kuvendit Komunal Ajredin Hyda. Ai shpjegoi se qeverisja e mëparshme ka nënshkruar kontratën prej 88 milion dinarë e jo siç patën deklaruar ata gjatë fushatës parazgjedhore 144 milion dinarë për projektin e rrugës Tërnoc-Breznicë, ndërsa ata kanë pasur mbulesë vetëm 10 milion dinarë, përfundoi Hyda. Hyda shtoi se ky projekt nuk do të ndërpritet dhe punimet e rrugës do të vazhdojnë sipas planit të paraparë. Sipas Ajredin Hydës, sa i përket asfaltimit të rrugës në fshatin Muhoc, punimet janë ndërprerë për shkak të cilësisë së dobët të punës. “Asfaltimi i rrugës në fshatin Muhoc është ndërprerë përkohësisht për shkak se organi mbikëqyrës ka konstatuar se kualiteti i punës ka qenë i dobët dhe se punët do të vazhdojnë”, potencoi Hyda. Kuvendi Komual i Bujanocit numëron 41 këshilltarë dhe qeveriset nga Partia Demokratike dhe partnerët tjerë të koalicionit.

———————–
Lideri i Unionit Demokratik të Shqiptarëve në Medvegjë prof.Rexhep Abazi për shkak të situatës së tendosur ku shqiptarët e kësaj treve me vite të tëra janë bërë viktimë të politikës diskriminuese të regjimit të Beogradit, përmes një letre dërguar Beogradit, Brukselit (BE), Wienës (OSBE) dhe Gjenevës (OKB) ka alarmuar komunitetin ndërkombëtar. Përmes kësaj letre kërkohet nga këto mekanizma ndërkombëtare ndihmë, intervenim dhe presion mbi autoritetet e Beogradit që edhe shqiptarët e Medvegjës të cilët dikur ishin shumicë si pjesë e kësaj Evrope, të ketë liri dhe demokraci si popujt tjerë në rajon. Në këtë letër të kryetarit të UDSH-së Abazi dërguara instancave ndërkombëtare thuhet: Të nderuar zonja dhe zotërinj, Medvegja është një vend i vogël ku me shekuj jetojnë shqiptarë, serbë, malazezë, romë dhe të tjerë. Shqiptarët gjithmonë ishin dhe janë popullata e shkelur në këtë vend. Mbase edhe sot ndodhë e njëjta gjë. Gjendemi në fillim shekullin e njëzet e një, por jemi shumë të diskriminuar. Aktualisht, përveç shkeljes së të drejtave elementare njerëzore në mënyrën më drastike shkelen edhe të drejtat demokratike për të zgjedhë dhe për tu zgjedhur, të drejta këto të garantuara me të gjitha ligjet pozitive në vend dhe me konventat ndërkombëtare. Shqiptarët e Medvegjës të organizuar në subjektin politik Unioni Demokratik Shqiptar – UDSH, pati vullnet dhe gadishmëri për të dhënë kontributin e vet duke paraqitur pjesmarjen për zgjedhjet e shpallura më 24 qershor 2012. Për këtë kreu të gjitha veprimet e duhura ligjore dhe në afatin e duhur dorëzoi materialin e duhur për pjesmarrje në zgjedhje. Por për fat të keq, organet komunale, gjegjësisht komisioni zgjedhor i komunës, pa bazë dhe arsye ligjore refuzon të bëj shpalljen e listës së këtij subjekti politik si të rregullt për pjesmarrje në zgjedhje. Këtë e bën në mënyrë arbitrare, me prejudikime e shantazhime e pa e respektuar ligjin për zgjedhje të Republikës së Serbisë, vetëm pse kjo parti politike është parti e pakicës shqiptare në këtë vend. Kështu shqiptarëve u mohon të drejtën për zgjedhje të lira e demokratike. Në qoftë se nuk ndërmerrni veprime të duhura dhe të shpejta nga aspekti i kompetencave tuaja, për të parandaluar veprimet e padrejta në Medvegjë seriozisht do të jetë e rrezikuar popullata shqiptare e cila aktualisht jeton në kushte shumë të vështira dhe pasojat e rrjedhat mund të jenë të paparashikueshme. Kërkojmë : T i lejohet pjesmarrja në zgjedhje Unionit Demokratik Shqiptar-UDSH, Siguri të plotë për shqiptarët e Medvegjës, Mbrojtje të të drejtave elementare njerëzore, Garantim dhe mbrojtje të të drejtave politike, Liri të plotë të lëvizjes dhe të qarkullimit, Liri dhe të drejta demokratike për të zgjedhë dhe për tu zgjedhur, pa presion, pa frikë, pa shantazhe, pa strese dhe kërcënime, Urgjentisht të ngritet komision për të rishikuar punën e komisionit zgjedhor, Të parandalohet mundësia e eskalimit të situatës nga pakënaqësitë dhe padrejtësia e shkaktuar.

———————

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ia ka bërë të ditur presidentit serb Tomisllav Nikolicit se Washingtoni është i interesuar që Serbia të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin e Ballkanit. Ajo ka kërkuar që Serbia të vazhdojë të mbajë marrëdhënie të mira me fqinjët dhe të çështjet të zgjidhet me dialog, raportojnë mediat serbe. Sipas këtyre mediave, Nikolic ka thënë se Serbia është e gatshme të vazhdojë dialogun me Prishtinën në kuadër të stabilizimit të situatës në rajon. Gjithashtu Nikolic ka kërkuar nga Clinton, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të investojnë në Serbi. Kurse në Beograd, shefi i ekipit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borislav Stefanovic, ka deklaruar se qeveria e re duhet ta vazhdojë dialogun me Prishtinën. Stefanovic ka deklaruar se Qeveria e re e Serbisë është e obliguar t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura në bisedimet e deritashme.

——————–

Brukseli ende nuk ka marrë ndonjë vendim rreth formatit të dialogut. Zyrtarë të BE-së kanë deklaruar se për këtë do të vendoset pas bisedimeve me palët. Një nga arsyet që procesi nuk do të mund të zhvillohet deri në vjeshtë janë vonesat për formimin e Qeverisë së re në Beograd dhe pushimet verore. Bashkimi Evropian ende nuk ka vendosur se në çfarë formati do të vazhdojnë bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas zyrtarëve në Bruksel, për këtë pritet të vendoset pasi të diskutohet me të dyja palët. Sipas burimeve të gazetës “Express”, BE është duke pritur edhe formimin e Qeverisë në Beograd për të proceduar më tutje.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch