Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 24 tetor 2012

RTP lajmet 24 tetor 2012

Delegacioni i Unionit Evropian në përbërje të Ambasadroit Vensan Dezher , përfaqësuesi për marrëdhënie me mediat dhe publikun Aleksandër Gjorgjeviq dhe Ana Stankoviq menaxhere e projekteve të delegacionit të Unionit Evropian vizituan komunën e Preshevës. Me këtë rast ata fillimisht patën takim me udhëheqësit e pushtetit lokal kryetarin e komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, zëvendëskryetarin e komunës Skënder Destani si dhe me Kryetarin e Kuvendit Ramiz Latifi. Delegacioni në fjalë është njoftuar më për së afërmi me problemet që ka ballafaqohen qytetarët e komunës së Preshevës gjatë përditshmërisë. Më pas në mënyrë të organizuar ata bënë edhe prerjen e shiritit në Zyrën Këshill dhënëse për Qytetarët e Preshevës që është ndihmuar nga Unioni Evropian, Programi Progres dhe Komuna e Preshevës, zyrë e cila solemnisht u hap sot. Në këtë zyrë kryhen ndihma juridike falas që përfshinë shërbimet juridike për qytetarët, nga fusha e ndihmës sociale, mbrojtja shëndetësore, punësimi, shkollimi e të ngjashme. Ambasadori Dezher shprehet i kënaqur që ishte sot në Preshevë me çrast projekti në fjalë paraqet një simbol të një menaxhmenti të mirë. Po ashtu diplomati në fjalë ka potencuar se gjatë ditës së stome me kryetarin e komunës kemi biseduar për hapat e mëtutjeshëm të cilët do ti marrim në vazhdim. Sipas tij për të vazhduar me këto suksese na duhet angazhim shumë më i madh madje unë këtë e kam diskutuar edhe me kryeministrin serb Ivica Daçiq, ka cituar ambasadori Dezher. Prandaj për të vazhduar punën neve na duhet edhe bashkëpunimi me pushtetin lokal, ne e vlerësojmë gatishmërinë e bashkëpunimit të kryetarit të komunës së Preshevës me projekte ndër komunale. Gjatë bisedës së sotme ne u njoftuam edhe me problemet e shëndetësisë e në anën tjetër është biseduar edhe për stabilitetin e rajonit si dhe për nevojën për dialog në të gjitha nivelet. Prandaj jemi shumë të inkurajuar me bisedimet që kanë ndodhur në Bruksel në mes të kryeministrave Daçiqi dhe të Thaçit. Besoj se e gjithë kjo do të reflektohet pozitivisht te qytetarët sa i përket qarkullimit të lirë, pranimit të diplomave është shprehur Ambasadori Dezher sot para mediave. Ndërkaq kryetari i Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa ka potencuar se ambasadori në fjalë është i njoftuar me problemet e qytetarëve të Preshevës . Kryetari Mustafa falënderoi Delegacionin e Unionit Evropian i cili e ka ndihmuar me shumë projekte Komunën e Preshevës në dy vitet e fundit. Prandaj ne do të bashkëpunojmë me dy fonde mjaft të rëndësishme Programi Progres dhe Usaid për të realizuar dy projekte jetike për qytetarët tanë që ka të bëjë me menaxhimin e mbeturinave, ujërave të zeza dhe projektet kapitale rreth Maternitetit.

——————–

Delegacioni i Unionit Evropian në mënyrë të organizuar nga qendra e qytetit vizitën e tyre e vazhduan duke ecur në këmbë drejt shkollës fillore Profesor Ibrahim Kelmendi që tani ka përfunduar projekti që ka të bëjë me ndërrimin e dritareve në këtë shkollë e ndihmuar me vlerë prej 80 mijë eurosh nga Programi Progres dhe me 20 mijë euro Komuna e Preshevës. Me duartrokitje të mëdha e me buqeta lulesh u pritën sot udhëheqës të Delegacionit Evropian nga nxënësit, profesorët e udhëheqës të kësaj shkolle në krye me drejtoreshën Besa Sahiti. Më pas u shpalos edhe pllaka e vendosur në këtë shkollë ndërsa më pas ambasadori vizitoi edhe disa paralele për të parë më për së afërmi realizimin e projektit në ndërrimin e dritareve të kësaj shkolle. Drejtoresha në fjalë e falënderon delegacionin e lartë përmendur me projektin e ndihmuar ndërsa njëkohësisht shpreh mendimin për ndihma tjera me projekte tilla. E ambasadori në fjalë e çmon lartë emrin e shkollës figurën e shquar Ibrahim Kelmendi ndërsa nxënësve këtë vit u uron një dimër të ngrohtë. Edhe kryetari i komunës e përshëndet një projekt të tillë ndërsa nxënësve u uron suksese në këtë kushte të volitshme. Vizita e delegacionit të Unionit Evropian gjatë ditës së sotme ka vazhduar edhe në komunën e Bujanocit.

——————-

Partia Demokratike Shqiptare është duke vazhduar zgjedhjet në të gjitha organet e saja me rastin e kuvendit të 5-të zgjedhor të saj. Pas mbajtjes së kuvendeve zgjedhore te forumit rinor dhe të gruas, PDSH është duke vazhduar me mbajtjen e kuvendeve zgjedhore të nëndegëve të saja në tërë Territorin e komunës së Preshevës. Gjatë ditës së hënë u mbajtën kuvendet zgjedhore në nëndegët e PDSH në fsh. Bukuroc, ku u zgjodh kryesia e re e nëndegës si dhe delegatët dhe anëtarët për Këshillin Qendror për kuvendin e pestë zgjedhor të PDSH. Në mbledhje ishin prezent anëtarët e komisionit zgjedhor të PDSH-së, anëtar të Kryesisë së subjektit si dhe Kryetari i PDSH-së z. Ragmi Mustafa i cili falenderoi nëndegën e Bukurocës të cilët në zgjedhjet lokale 2 herë konfirmuan mbështetjen e tyre për Partinë Demokratike Shqiptare. Po ashtu gjatë kësaj dite u mbajt kuvendi zgjedhor i nëndegës së fsh. Zhunicë, në të cilin takim ishte një numër i madh i anëtarëve të PDSH-së, ku u zgjodh kryesia e re e nëndegës me organet e saja. Po ashtu si pikë e rendit të ditës ishte edhe zgjedhja e delegatëve dhe anëtarëve të Këshillit Qendrorë të PDSH-së për Kuvendin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike Shqiptare. Po ashtu para të pranishmëve foli kryetari i PDSH-së z. Ragmi Mustafa I cili pasi përshëndeti anëtarët e kryesisë së nëndegës nga radhët e së cilës vije, zgjodhi pikërisht këtë nëndegë për të shprehur gatishmërinë e tij për tu rizgjedhur si kryetar i PDSH-së në Kuvendin e 5-të zgjedhor. Delegatët e nëndegës së PDSH-së nga fshati Zhunicë mirëpriten gatishmërinë e Kryetarit të PDSH-së për tu rizgjedhur në këtë detyrë, ku të gjithë delegatët e kuvendit të pestë zgjedhor nga kjo nëndegë mbështetën listën me nënshkrimet e tyre që z. Ragmi Mustafa të jetë kandidat për Kryetar të PDSH-së. Partia Demokratike Shqiptare gjatë ditës së djeshme ka vazhduar aktivitetet e saja zgjedhore në nëndegën e fsh. Miratoc, ku si pika të rendit të ditës ishin:

1. Organizimi i Kuvendit të nëndegës (zgjedhja e kryetarit, anëtarëve të kryesisë )

2. Propozimet për listën e delegatëve për Kuvendit e 5-të zgjedhor të PDSH-së

3. Propozimet për anëtar të Këshillit qendror nga Lista e delegatëve për Kuvendin e 5-të zgjedhor të

PDSH-së

4. E ndryshme.
Mbledhjen e hapi kryetari I nëndegës z. Irfan Rahimi I cili pasi përshëndeti të pranishmit procedoi me pikat e rendit të ditës, ku anëtarët e nëndegës së fsh. Miratocë konfirmuan kryesinë e nëndegës si dhe zgjodhën delegatët dhe anëtarët për Këshill Qendror në kuvendin e pestë zgjedhor të PDSH-së. I pranishëm në mbledhje ishte edhe Kryetari i PDSH-së ku prej së afërmi i njoftoi të gjithë të pranishmit mbi zhvillimin e procesit të brendshëm zgjedhor të PDSH-së, si pati diskutime për çështje të ndryshme me të cilat ballafaqohen banorët e fsh Miratoc. Thuhet kështu në njoftimin e Komisionit Zgjedhor të PDSH-së.

—————

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se Serbia do ta humbasë Kosovë, nëse nuk e ndalë rënien e pozicionit të saj në procesin negociator. Ai ka tërhequr vërejtjen kundër izolimit të Serbisë. “Kundër Thaçit, kam luftuar, dhe po të mos ishte bashkësia ndërkombëtare, sigurisht se edhe do të fitoja. Nga viti në vit, duke humbur kohën, Serbia ngadalë po e humb Kosovën. Mund të sillemi si Greqia dhe të themi se Konstaninopoja është kryeqytet grek, por ajo më nuk është, ndërsa ata flasin për këtë tash e 100 vjet”, ka thënë Daçiq për televizionin shtetëror serb. Komentet e tij vijnë disa ditë pas takimit të parë në mes tij dhe kryeministrit kosovar të zhvilluar në Bruksel. Ai ka thënë se tani platforma për bisedime mbi Kosovën duhet të jetë fleksibile dhe t’i përgjigjet rrethanave në të cilën gjendet Serbia. Daçiq ka theksuar se Serbia duhet të gjejë zgjidhje për Kosovë, sepse sipas tij, Kosova është problem në të gjitha segmentet. Ai ka pranuar se në bisedimet e ardhshme, statusi nuk do të jetë temë qendrore. “Nuk jam i sigurt se tema e statusit do të jetë temë qendrore, por, relaksimi i raporteve dhe përparimi i dukshëm në marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës”, është shprehur kryeministri serb.

—————–

Shërbimi i Trupit koordinues i Qeverisë së Republikës Sërbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, lajmron kandidatët të cilët kanë aplikuar për shkollën e gjuhës serbe se testimi i obligueshëm do të organizohet të hënën 29.10. 2012 në Preshevë. Orari për testimin organizohet në ora 14 në shkollën fillore Ibrahim Kelmendi në Preshevë.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch