Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 27 Shkurt 2013

RTP lajmet 27 Shkurt 2013

Nga 1 marsi do të fillojë zbatimi i programit socio- ekonomik në komunën tonë. Në segmentin e arsimit do të inkuadrohen 104 kuadro të rinj të cilët do të radhiten në ciklin parashkollorë fillorë dhe të mesëm. Kjo është bërë e ditur në takimin e sotëm ku kryetari i komunës së Preshevës Ragmi Mustafa dhe kryeshefi për veprimtari shoqërore Fadil Azizi kanë zhvilluar me drejtorët e institucioneve arsimore. Sipas kryetari Mustafa ky kontingjent do të jetë nga profilet e ndryshme ,të cilët kanë mbaruar shkollimin universitar. E shpenzimet do ti kryejë vetë komuna. Sipas kryetarit Mustafa nga ky projekt do të përfitojnë ekskluzivisht nxënësit të cilët do të marrin njohuri shtesë edhe jashtë plan programeve shkollore, çka do të thotë se nxënësit do të përfitojnë dhe plotësojnë dituritë e tyre. Në takimin e sotëm kryeshefi për veprimtari shoqërore Fadil Azizi të gjithë drejtorëve iu ka prezantuar kontratat të cilat do të nënshkruhen ditëve në vazhdim. Ndërkaq kryetari Mustafa ka potencuar se në këtë projekt janë përfshirë të gjithë duke mos bërë ndasi në asnjë pikëpamje. Por e mira e këtij projekti është se pas mbarimit 1 vjeçar kuadrot arsimorë do ti nënshtrohen provimit të licencës, ndërkaq kryetari Mustafa ka thënë se ky projekt do të aplikohet edhe vitin e ardhshëm , ku do të kyçen të gjithë ata të cilat nuk kanë pas mundësi që të jenë pjesë e projektit këtë vit.
————–

Vërshimet që u shkaktuan para dy ditësh në vendin tonë e më konkretisht në Stacionin Hekurudhor në Preshevë dhe në disa fshatra të komunës sonë nga reshjet e shiut me intensitet të lartë shkaktuan dëme dhe probleme të mëdha tek qytetarët. E kryeshefi për situata të jashtëzakonshme në Preshevë Fejzulla Fejzulla potencoi në programin e paradites në Televizionin Presheva se janë njoftuar me kohë të gjitha institucionet e nevojshme si kryetarin e shtabit njëherit edhe kryetari i komunës, të Fondit për Infrastrukturë komunale e të ngjashme për ti evituar problemet sa më shpejt. Janë të evidentuara gjithsej 14 shtëpi deri më tani, potencon zoti Fejzullahu. Ai në fund apelon tek të gjithë qytetarët që të kenë kujdes të shtuar rreth hedhjes së mbeturinave nëpër lumenj dhe përroska sepse pasojë e vërshimeve të fundit ishin hedhja e qeseve të plasmastit dhe shisheve të plastikës.

—————

Është formuar komisioni i cili do të bëjë verifikimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në vendin tonë. Kryetari Ragmi Mustafa ka thënë se do të evidentohen të gjitha rastet, ndërsa do të merren masat për parandalimin e këtyre situatave. Ndërkaq sot kryetari Mustafa është kontaktuar nga qeveritarët, të cilët kanë premtuar se do të marrin masa për përmirësimin e situatës. Megjithatë jo gjithmonë janë realizuar kërkesat e qeveritarëve serb, kur dihet se para disa viteve ata as një cent nuk kishin dhënë për dëmet e shkaktuara nga vërshimet. Situatën nga afër e kanë përcjellë edhe shtabi për situata të jashtëzakonshme në Preshevë. Por siç thonë në gjuhën e popullit çdo e keqe e ka një të mirë, dhe pikërisht reshjet e shiut do të ndikojnë pozitivisht në kulturat bujqësore , por edhe do të zbusin mungesën e ujit të për pije shkaktohet gjatë verës .

—————-

Gjatë qëndrimit në emisioni “Opinion” të Blendi Fevziut në TV Klan, Haradinaj ka thënë se shqiptarët në Luginë janë flijuar në kërkim të lirisë dhe kjo ishte e drejt universale. “Unë besojë që vendosja e lapidarit të UÇPMB-së nuk ishte provokim. Qeveria serbe edhe nga aspektet legale kishte bërë një marrëveshje me UÇPMB-në, një marrëveshje të paqes dhe kishte pranu si një lloj pale UÇPMB-në. Nëse flasim nga ligjet e brendshme të Serbisë por edhe nga parimet e të drejtës dhe lirisë, është e drejt universale dhe njerëzit atje ishin fliju në kërkim të lirisë e cila iu mohua edhe popullit serb nga regjimet e mëhershme”, ka thënë Haradinaj. Ai ka shtuar se shqiptarët në Luginë aspirojnë që të jenë pjesë e Kosovës dhe sipas tij është e drejtë e tyre për të kërku me i taku trungut amë ashtu si edhe në vendet tjera. Mirëpo Haradina tha se “ata me siguri e kanë pas edhe si opsion të vetin arritjen e më shumë lirive në vend të vet”. “Edhe pse e kanë një aspiratë të bashkimit me trungun amë, ata sot politikisht kanë një listë të kërkesave për më shumë liri në vendin ku jetojnë”, ka shtuar kryetari i AAK-së. Në pyetjen e gazetarit, se në qoftë se në veriun e Kosovës në zonat e banuara me serbë do të ngritet një monument kushtuar pjesëtarëve serb të vrarë në luftë kundër shqiptarëve,si do të ishte reagimi i Qeverisë së Kosovës, Haradinaj tha se Qeveria është shumë gjeneroze në trajtimin e specifikave të komuniteteve. “Nuk mund të flasim politikisht për një rast të tillë, por jam i bindur se Kosova do të sillej në bazë të standardeve Evropiane dhe ne asnjëherë s’do të kishim me dëshmu forcën ndaj një përmendoreje”, ka përfunduar Haradinaj.

—————-

Vatra’’e përkrahur nga ish luftëtarët e komandantët e UÇPMB-së, bisedimet në mes përfaqësueseve të shqiptarëve të Luginës dhe Serbisë i konsideron farsë. Mediat elektronike dhe të shkruara, këto ditë kanë lajmëruar se me ndërmjetësimin e OSBE-së, kanë filluar bisedimet në mes Serbisë, përkatësisht në mes një doktori, Zoran Stankoviq si përfaqësues i qeverisë serbe dhe përfaqësueseve politikë shqiptarë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit “për të zgjidhur problemet e shumta me të cilat ballafaqohen shqiptarët që jetojnë në Serbi”! Po ashtu sipas njoftimeve të medieve, nuk është përmendur Referendumi i 1 e 2 Marsit të viti 1992, lufta për liri dhe e drejta për bashkëngjitje me Kosovën, e drejtë legjitime e shqiptarëve të Kosovës Lindore, lufta e fundit çlirimtare në mes UÇPMB-së dhe forcave ushtarake policore serbe etj. etj. Në këto bisedime të ngutshme dhe me prapavijë qëllimkëqija për shqiptarët e Kosovës Lindore nuk duhet të bien në grackë liderët politikë të shqiptarëve të Kosovës Lindore, e të bien vendime e marrëveshje që i bëjnë mirë vetëm Serbisë në këtë moment të vështirë për të. Nëse Serbia fiton një bashkësi të komunave serbe në Kosovë dhe një lidhje speciale me Serbinë atëherë duhet të lejojë edhe për komunat: Preshevë, Medvegjë e Bujanoc që të kenë bashkësi të komunave shqiptare dhe lidhje speciale me Kosovën, e liderët tanë që do të marrin pjesë në këto bisedime duhen ta kërkojnë domosdoshmërisht:
-Largimi i forcave të xhandarmërisë e ushtrisë serbe nga viset e banuara me shqiptarë.
-Ndalimin e diskriminimit të shqiptarëve në të gjitha fushat e jetës.
-Hapja e Universitetit në Bujanoc apo Preshevë në gjuhën shqipe.
-Lejimi i përdorimit të abetares unike mbarëshqiptare.
-Mbikëqyrja dhe menaxhimin e financave të tri komunave të banuara me shqiptarë.
-Udhëheqja e policisë lokale nga shqiptarët.
-Udhëheqja e gjyqësorit nga shqiptarët.
-Zbatimi i konventave ndërkombëtare për shprehje të lirë.
-Zbatimi i referendumit të shqiptarëve të 1 e 2 Marsit të vitit 1992
-Njohjen e luftës së UÇPMB-së dhe dhënien e statusit veteranë të gjithë luftëtarëve që kanë rënë në këtë luftë.
-Njohjen e statusit dëshmorë të të rënëve në luftën UÇPMB-së.
-Krijimin e kushteve për kthimin e të gjithë të zhvendosurve në vatrat e tyre.
-Monitorimin e përkohshëm të tri komunave nga një forcë ndërkombëtare. Shoqata ,,Vatra’’, Kryetar Sejdulla Kadriu.
———————
Sipas informacioneve që iu kanë dërguar redaksisë “e-novine”, në Medvegjë, ditën e diel ka ndodhë një ngjarje dhe indicent i pazakontë. Gjuetarët të dehur në qendër të fshatit Tupall kishin vendosur shënjestra gjuajtje dhe kishin shti me armë plot dy orë.
Siç njoftojnë banorët e fshatit Tupallë, ditën e diel në mesditë, një grup gjuetarësh e cila kinse ishte nisur për të gjuajtur në mal kafshë të egra, kishte vendosur një shënjestër në mes të rrugës regjionale që kalon mu në qendër të fshatit dhe aty kanë gjuajtur plot dy orë. Kjo ngjarje skandaloze ka ndodhë në mesin e ditës, pas kurrfarë paralajmërimi dhe vërejtje edhe atë në momentin kur banorët lokal, ndër ta edhe fëmijë, po dërgonin kafshët e tyre për kullotë. Edhe pse zëvendës kryetari i Bashkësisë Lokale kishte lajmëruar incidentin menjëherë në stacionin policor në Medvegjë, policia nuk ka reaguar fare dhe gjuajtja me armë ka zgjatë plot dy orë. Një delegacion me banorë të fshatit, me këtë rast kishte kërkuar ditën e hënë një takim me kryeshefin e policisë një takim, në polici thonë se shoqata e gjuetarëve kishte organizuar gjuajte dhe gjatë ditës së diel nuk është shënuar asnjë lajmërim për ndonjë incident për sjellje të gjuetarëve. Kryeshefi i policisë, kishte premtuar që shoqatën e gjuetarëve do të marrë qortim nga policia për shkak të sjelljes së tyre të papërgjegjshme.

————–

Vendimi për datën e negociatave evropiane të Serbisë do të merret në bazë të raportit të Komisionit Evropian, por edhe të shefes për politikë të jashtme të BE-së, Catherine Ashton, ka deklaruar drejtori i përgjithshëm për Zgjerimin e bllokut, Stefano Sannino. Ai ka sqaruar se Ashton do të raportojë për arritjet në dialogun Prishtinë-Beograd, ndërsa Komisioni Evropian për përmbushjen e kritereve të Kopenhagës dhe të reformave të tjera. “Prilli është muaj vendimtar për Serbinë, çfarë do të thotë se ekipi negociues i Beogradit ka një muaj e gjysmë kohë që të arrijë marrëveshje për çështjet e hapura me Prishtinën”, ka thënë Sannino për mediat serbe. Prishtina dhe Beogradi kanë zhvilluar deri më tash pesë raunde bisedimesh në nivel kryeministrash, me praninë edhe të baroneshës Ashton, transmeton “Koha”. Bisedimet thuhet se kanë për qëllim të normalizojnë marrëdhëniet midis dy vendeve. Diplomatët e BE-së kanë thënë se rezultatet nga ky proces janë esenciale për avancimin e të dyja vendeve në rrugën evropiane. Rrethi i ardhshëm i bisedimeve është caktuar për datën 4 mars.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch