Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 27 shtator 2012

RTP lajmet 27 shtator 2012

Me 11 pika për rend të ditës është mbajtur seanca e IV e kuvendit të komunës së Preshevës. Këshilltarët e pozitës dhe opozitës në fillim të seancës kishin replika të shumta sa i përket përpilimit të pikave të rendit të ditës, e sidomos ajo që kishte të bënte me shqyrtimin dhe miratimin e propozim vendimit mbi ndryshimin dhe plotësimin e buxhetit të komunës së Preshevës për vitin 2012. Vlen të theksohet se neë numër I pikave të rendit të ditës janë votuar edhe nga këshilltarët e opozitës nga radhët e PVD-së. E nga ana tjetër kryetari Kuvendit Ramiz Latifi seancën e sotme e quan me rrjedhë normale, dhe me debate konstruktive. Ndërsa pikat më të rëndësishme të seancës së sotme ishin rishikimi i buxhetit, zgjedhja e U.D. të sekretarit të OKF-së, dhe emërimi i zv/drejtorit të shtëpisë së shëndetit në Preshevë. Seanca e radhës ende nuk është caktuar por sipas kryetarit të kuvendit, në të do të emërohen anëtarët e rinjë të këshillave drejtues në insitucionet ku themelues është kuvendi komunal i Preshevës.
—————————————

Nga muaji korrik e deri më 26 shtator në komunën tonë janë regjistruar 126 intervenime për shuarjen e zjarreve. E gjatë kësaj thatësire qytetarët tanë kanë qenë edhe keqpërdoruesit më të mëdhenj të ujit të pijshëm. Shtabi emergjencave gjithashtu ka konstatuar se ekipet e zjarrfikësve kanë qenë në gjendje gatishmërie por për shkak të mungesës së pajisjeve puna e tyre ka qenë e vështirë. Komuna jonë për fat të keq ka vetëm 2 hidrant uji çka nuk kanë mjaftuar për zjarrfikësit. Zv. komandanti i shtabit për situata të jashtëzakonshme Skender Destani ka thënë se është e domosdoshme që çdo vendbanim te ketë hidrant në mënyrë që të intervenohet sa më shpejt. Në anën tjetër sipas kryeshefit për situata të jashtëzakonshme Fejzulla Fejzullahu intervenime më të vështira kanë qenë në pjesën perëndimore të vendit , ku dhe janë shkatërruar 250 hektarë mal. Shtabi emergjencave në mbledhjen e mbajtur në muajin korrik kishte lëshuar disa apele tek qytetarët që të mos keqpërdorin ujin e pishëm por edhe mos djegin thernishtet gjatë korrje shirjeve .Mirëpo për fat të keq sot u konstatuar se gati të gjitha zjarret janë shkaktuar nga faktori njeri, ku 5 persona tani do të adresohen në organet e gjyqësisë.

————————————–

Studentët shqiptarë të Luginës së Preshevës dhe ata të Kosovës po pësojnë probleme të mëdha për të studiuar në Maqedoni. Autoritetet shtetërore përmes ligjeve kanë shtrënguar kushtet e vendqëndrimit të studentëve të huaj në Maqedoni, ndërsa këto kushte janë të patjetërsueshme për t`u plotësuar edhe nga studentët shqiptarë që janë jashtë Maqedonisë. Kushtet dhe procedurat burokratike të vendqëndrimit janë problemi kryesor me të cilin po ballafaqohen studentët. Ata janë të përfshirë në ligjin për vendqëndrim për të huajt, ku kërkohet plotësimi i kushteve dhe aplikacioni të bëhet në ambasadat e Maqedonisë jashtë vendit. Në këtë situatë më keq po pësojnë studentët nga Lugina e Preshevës, të cilët theksojnë se kjo situatë e re ka ndikuar që ata të braktisin universitetet shqiptare në Maqedoni. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme theksojnë se në bazë të ligjit për të huaj, ekzistojnë ligje dhe rregulla që duhet plotësuar. MPJ rekomandon studentët që të tërheqin aplikacionet në faqen zyrtare: www.mfa.gov.mk në pjesën e shërbimeve konsullore dhe aty të njihen me kushtet që duhet plotësuar para se të shkojnë në ambasadën përkatëse në vendin fqinj. Janë disa nga parakushtet që duhet plotësuar një studentë që dëshiron të studioj në Maqedoni. Studentët shqiptarë kërkojnë ndërhyrjen edhe të partive politike për të evituar këtë situatë shqetësuese.
——————————
Ish pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, dhe tani kryetarë i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Preshevë, Orhan Rexhepi, ka ftuar kryeministrin e Serbisë Ivica Daçiqin, ti sqarojë “se sa është lehtë të bëhet montimi politik”, si në rastin e “Grupit të Gjilanit”. Rexhepi për Jugpress ka deklaruar se “gjykimi i shqiptarëve të Luginës nga ana e gjykatës speciale për krime të luftës në Beograd është edhe një padrejtësi e madhe ndaj shqiptarëve në këto vitet fundit”. Ai ka thënë se “që nga dita e parë të gjykimit të parë (23 shtator 2009) e deri në ditën e fundit të rigjykimit (19 shtator 2012) ka përcjellë këtë gjykim”. “Vendosa që publikisht të kërkojë nga Ivica Daçiq ti shpjegojë opinionit se sa është jashtëzakonisht lehtë të montohen proceset politike kundër shqiptarëve të Luginës së Preshevës, dhe më pas unë do ti sqarojë se sa është e vështirë, pas gati katër viteve me dëshmi sa një vagon, të bindet Serbia e tij se e gjitha kjo ishte njëqind për qind e montuar”, shprehet Rexhepi. Ai thotë se “nëse deklarata e parë e dëshmitarit Bozhur 50, që ishte e montuar, në bazë të së cilës edhe u ngritë aktpadia, është heqë në rigjykim dhe janë sjellë dy dëshmitarë të mbrojtur (C1 dhe C2), të cilët gjatë gjykimit të parë ishin të nacionalitetit romë, ndërsa në rigjykim doli se ishin të nacionalitetit serb. Gjithçka është e qartë si dita”, përfundoi Rexhepi. Gjykata e Lartë për Krime të Luftës në Beograd, pas rigjykimit ka shqiptuar dënimin ndaj 11 shqiptarëve të Luginës me 116 vjet burgim.
—————————-
Nuk mund të arrihet paqe e qëndrueshme në rajon me pretendime territoriale ndaj fqinjëve apo me mbajtjen e strukturave ilegale nëpër shtetet tjera, i janë kundërpërgjigjur përfaqësues të institucioneve dhe subjekteve politike të Kosovës fjalimit të presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliq, të mbajtur para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. “Serbia nuk është e gatshme, nuk mundet dhe kurrë, me asnjë kusht, nuk do ta pranoj shpalljen e njëanshme të pavarësisë se krahinës së saj jugore, Kosovës”, ka deklaruar Nikolliq në Nju Jork. Injorimi i realitetit të krijuar në Kosovën e pavarur apo edhe tendencat për ndarje, nuk i kontribuojnë paqes e fqinjësisë së mirë, thonë përfaqësuesit kosovarë. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se deklaratat si ato të presidentit Nikolliq, nuk mund t’i kontribuojnë paqes në Ballkan. “Mendoj që çështja e njohjes është akti final që duhet të ndodhë midis dy shteteve dhe unë besoj që me kohë do të ndodhë edhe kjo. Por, paqja nuk mund të arrihet duke pasur synime për ta okupuar dikë tjetër apo duke mbajtur peng zhvillimet në rajon. Paqja në rajon ka kuptim vetëm me drejtësi dhe drejtësia është që ne të jetojmë në shtetin tonë, territorin tonë dhe ata në shtetin e territorin e tyre dhe t’i ndihmojmë njëri tjetrit” , ka thënë Kuçi. Se Serbia nuk do ta njeh shtetin e Kosovës në një të ardhme të afërt, këtë e kanë shumë të qartë të gjitha subjektet relevante politike në Prishtinë. Por, edhe në mungesë të njohjes, Serbia mund të kontribuojë që paqja në rajon të jetë më e qëndrueshme, thonë ata. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Catherine Ashton i ka paralajmëruar Prishtinën dhe Beogradin se së shpejti mund të ballafaqohen me vendime të vështira. Paralajmërimet e baroneshës Ashton vijnë në kohën kur Brukseli po përgatit nisjen e takimeve në nivele të larta politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
—————————
Institucionet e Kosovës janë të gatshme për dialog me Serbinë për shumë çështje, por vetëm si dy shtete të pavarura, ka thënë në një intervistë për RTK-në presidentja e vendit, Atifete Jahjaga. Sipas saj, pavarësia e Kosovës është çështje e përfunduar dhe nuk ka kthim prapa. Kurse zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi ka theksuar se Kosova ka plan inicial për bisedime, dhe në momentin kur të finalizohet ai do të dërgohet në Kuvend. Kuçi ka thënë se Brukseli nuk bën kërkesa që do ta dëmtonin Kushtetutën e vendit dhe Pakon e Ahtisarit, duke iu referuar kështu deklaratës së Ashtonit se Kosova dhe Serbia duhet të marrin vendime të vështira.
—————————————–
Zyrtarët e Beogradit kanë thënë se takimi i parë mbi zbatimin e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (MIK) mund të fillojë pas 2-3 javësh. I ngarkuari i Serbisë në ekipin negociator, Dejan Pavicevic ka thënë ditë më parë se Qeveria serbe edhe zyrtarisht e ka njoftuar Brukselin me vendimin për gatishmërinë e pranimit të marrëveshjes për menaxhim të integruar të kufirit, të njohur si IBM, ndonëse ka kërkuar edhe disa sqarime të kësaj marrëveshjeje. Ndërkohë, ai për agjencinë serbe të lajmeve Beta, ka thënë se në Bruksel është arritur pajtueshmëria që bisedimet teknike të vazhdojnë dhe të formohen grupet punuese. Ai ka thënë se pret që kjo të fillojë pas 2 javësh, ose pas 20 ditëve. Sipas tij, ekipet do të jenë të niveleve të ndryshme: politike, të eskpertëve dhe ministrore. Ndërkohë, duke komentuar marrëveshjen e njëjtë, e cila në Kosovë njihet si Marrëveshje për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, ndërsa në Serbi, si Marrëveshje për Vendkalimet Administrative, drejtori i Zyrës për Kosovën, në qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin ka thënë se “është i papranueshëm synimi i palës shqiptare, që të shndërrojë linjat administrative në kufi”. “Kalimet kufitare nuk janë të mundura. Për ne ekzistojnë vetëm doganat e UNMIK-ut. Ne nuk i njohim doganat e Kosovës”, ka thënë Vulin për gazetën “Novosti”, transmeton REL.

——————————————-
Sporti vendorë. Në ora 15-të të shtunën Miratoca dhe Rainca 1 do të hapin sezonin e ri të ligën komunale në futboll të vogël.

Në kuadër grupit B po ashtu do të takohen Corrotica -Bushtran, Lerani – Norça, Gerajt e lirë . Ndërsa po në orën 15-të të dielën do të zhvillohen ndeshjet e GRUPIT A ku takohen Fontana Bukuroca- Rainca 2, Rahovica 1-Zhunica , St.Policor- Presheva , Rahovica 2 e lirë. Gjatë tërheqjes së shorteve këshilli organizativ vendosi që pas ndeshjeve të dyfishta(kthyese) të luhet play off-i ,por në play off do të luajnë katër ekipet e para të një grupi me katër ekipe të grupit tjetër ku do të ndeshen e para me të katërtën dhe e dyta me të tretën e grupit tjetër dhe anasjelltas. Këto janë ekipet e ligës komunale në futboll të vogël:

Grupi A

1.Fontana-Bukuroca

2. Rainc 2

3. Rahovica 1

4.Zhunica

5.St.Policor

6.Presheva

7.Rahovica 2

Grupi B

1. Miratoca

2.Rainca 1

3.Corrotica

4.Bushtrani

5.Lerani

6.Norça

7.Gerajt

Këshilli organizativ i LKFV kërkon nga të gjithë sportdashësit që të kontribuojnë pozitivisht për realizimin dhe ecurinë sa më të mirë të ligës komunale në futboll të vogël ,sepse dihet se vite më parë ka pasur disa incidente që kanë shkaktuar ndërprerjen të gjitha aktivitetet sportive përpos atyre me fëmijë të shkollave fillore, andaj le të mbretëroj fair play dhe respekti.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch