Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 28 korrik 2012

RTP lajmet 28 korrik 2012

Një serb dhe një goran nga Kosova, që të dy shofer autobusi, kanë përfunduar në pranga të policisë kufitare të Kosovës pasi që në autobusët e tyre kishte armë zjarri. Rasti ka ndodhur sot në orët e hershme në pikëkalimin kufitar në Merdare, shkruan indeksonline. Sipas një njoftimi të policisë, në autobusin “Adio-Tours” me targa vendore gjatë kontrollimit në një çantë janë gjetur dhe konfiskuar dy armë zjarri automatikë “AK-47” dhe tetë karikator, ku gjashtë prej tyre ishin të mbushura me municion me gjithsejtë me 154 fishek. Në lidhje me rastin është informuar prokurori publik i cili ka urdhëruar që të dy ngasësit e autobusëve të dërgohen në qendrën e paraburgimit deri në një vendim tjetër. Me rastin është duke u marrë njësia e hetimeve.
—————-
Drejtoria e Ndërmarrjes Publike Moravica në Preshevë apelon tek qytetarët që ti përgjigjen pozitivisht thirrjes për shlyerjen e borxheve ndaj kësaj ndërmarrje. Sipas të dhënave zyrtare borxhi në total I shfrytëzuesve të ujit në vendin tonë është afro 20 milion dinarë mjete këto që po dëmtojnë në masë të duhur punëtorët dhe drejtuesit e Moravicës. Sa I përket furnizimit me ujë të pijshëm në sezonin verorë gjendja në qytetin e Preshevës është normalizuar në krahasim me vitet që kemi lënë pas. Qytetarët që furnizohen me ujë nga pusi I Toplikut ujë për pije kanë dy ditë ndërsa dita e tretë për ta është pa ujë. Ndërsa furnizuesit me ujë nga Zhunica nuk hasin reduktim. Drejtori Naser Sadiku apelon qytetarë që të jenë të kujdesshëm edhe gjatë hudhjes së mbeturinave në kontinjere, sepse mbeturinat e rënda po shkaktojnë havari në makinerin e ndërmarrjes Moravica.

——————

Pika kufitare Preshevë – Tabanoc është përfshirë nga fluksi i madh i makinave dhe pritjeve të gjata. Në pikën kufitare Tabanoc që lidh Serbinë (Luginën) me Maqedoninë radhët e gjata janë shkaktuar nga kthimi masiv këtyre ditëve i mërgimtarëve, që kanë përfunduar pushimet verore, ndërsa kësaj ngarkese i shtohet edhe kthimi i turistëve të huaj nga bregdeti grek, përmes rrugëve transitore të Maqedonisë. Autoritetet doganore në Tabanoc kanë theksuar për mediat në Maqedoni se kanë intensifikuar aktivitetet dhe po bëjnë çmos për të ulur pritjet e gjata. “Në të shumtën e rasteve vendosim në dispozicion pjesën tjetër të korsive hyrëse në Maqedoni, vetëm e vetëm për të zvogëluar pritjet e gjata”, theksoi një nëpunës doganor. Ndërkohë, edhe në pikën kufitare Bogorodicë me Greqinë ka pritje të gjata. Kjo shkaktohet nga turistët që udhëtojnë drejt bregdetit grek, por në anën tjetër tollovitë shkaktohen edhe nga emigrantët turq që përmes Greqisë dhe Maqedonisë udhëtojnë drejt vendeve evroperëndimore.

————-

Kryetari i Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë njëherit edhe Ministër në largim për vetqeverisje lokale Millan Markoviq, nuk është përgjigjur për të tretën herë radhazi mbi pronësinë e jahtit luksoz “Prestige 42″, dhe nëse do të ishte pronar i saj të bënte publike shumën e blerjes si dhe burimin e mjeteve materiale. Sipas gazetës serbe “Kurir”, anija e prodhuar në vitin 2008 në Francë, ishte e regjistruar në emër të Jovana Markoviqit (gruaja e Millan Markoviq). Pronari i parë ishte Gjorgje Hajvaz, babai i saj, transmeton Titulli. Gazeta në fjalë kishte publikuar edhe disa foto ku shihej Millan Markoviq duke marrë rreze dielli. Duke gjykuar nga fotot, një pronar jahti mund të gëzoj lëkurë të bardhë, një pushim në një kasolle me krevat dopio, përgatitje ushqimi në kuzhinë, sofër e shumë lukse të tjera. Nëse kjo anije do të merrej me qira për vetëm një javë do të kushtonte 6761 euro. Paparacët e “Kuririt” e kishin zënë “mat” ministrin duke shijuar pushimet me familjen e tij në një jaht të cilit çmimi i shkon deri në 500.000 euro. Jahti “Prestige 42″, në të cilin është fotografuar Milan Markoviq, ka dy kuverta, dy suita dhe gjashtë kabina.

—————-
Nxënësit e shkollës fillore 9 maji Leran kanë shënuar 21 vjetorin e maturës. Shumica prej tyre nga diaspora janë mbledhur në restorantin Evropa 3 për të bërë iftarë së bashku e që kanë takuar bashkëmoshatarët e tyre. Të ftuar në këtë mbrëmje ishin edhe mësimdhënësit të cilët folën për gjeneratën në fjalë e cila ka nxjerr studentë të suksesshëm. Tradita e takimeve të gjeneratave tani më është bërë traditë në vendin tonë.
——————
Përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut do të sillen nga Austria në Shqipëri për t’u ekspozuar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, ndërsa Muzeu Historik Kombëtar i plotëson kushtet për ekspozimin e objekteve, njoftoi grupi I ekspertëve austriakë që qëndroi dy ditë në Shqipëri. Gjatë vizitës, grupi inspektoi hapësirat e Muzeut Historik Kombëtar, dhe analizoi kushtet e sallës ku do të ekspozohen këto objekte. Sipas austriakëve, salla i plotëson kushtet teknike, përkundër mungesës së aparatit të klimatizimit. “Konstatuam se kushtet janë të mira. Do të sjellim një vitrinë të re për siguri dhe klimën, ndërkohë që objektet do të qëndrojnë këtu 3 muaj. Por, nëse ka interesim mund t’i lëmë edhe tre muaj të tjerë”, deklaroi Christian Beaufort, kryetar i delegacionit të Muzeut të Vjenës. Ndryshe, veç shpatës dhe përkrenares Muzeu i Vjenës do të dërgojë në Tiranë edhe njërin nga katër portretet origjinale të Skënderbeut.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch