Home » Lajme » RTP lajmet 28 mars 2012

RTP lajmet 28 mars 2012

Reagon familja e Shemsi Nuhiut, i ekstraduar së fundi nga Zvicra në Beograd. Sipas raportimeve të indeksonline, familja pretendon se Nuhiu nuk ka pasur pasaportë serbe sic është thënë në Prishtinë nga autoritetet kosovare. “Vëllau ynë, Shemsi Nuhiu kurrë nuk ka pasur pasaportë të Serbisë. Në fakt në vitin 2001, ka pasur pasaportë, por të Jugollavisë, sikur edhe mijëra kosovarë tjerë atëbotë. Por nga vdekja e këtij shteti, nga ky vit, ai nuk ka pasur më kurrë pasaportë të Serbisë, por të Republikës së Kosovës. Dhe nëse Shemsi Nuhiu u dërgua në Beograd, mund të thuhet se ai u ekstradua në Serbi me pasaportë të Republikës së Kosovës” thuhet në reagimit të familjes Nuhiu nga Zvicra. Për të dëshmuar këto pohime, familja ka ofruar edhe faksimilet e pasaportave, njërën jugosllave dhe kosovare, por jo të Serbisë.

—————–

Në fshatin Gerajt dhe Bushtran ka nisur ndërtimi i dy stadiumeve ku nxënësit dhe rinia e fshatit do të mund të zhvillojnë disa gara sportive.

Kryetari Ragmi Mustafa me bashkëpunëtorët e tij ka qëndruar në fshatin Gerajt ku po bëhej përgatitja e stadiumit. Kryetari Mustafa ka thënë se ky teren sportiv do të kushtojë 2 milion dinarë dhe do të jetë me standarde bashkëkohore. Më parë fëmijët garat sportive i kishin zhvilluar në teren me baltë , por tani e tutje ata do të kenë një teren prek asfalti. Sami Ajdini arsimtarë i edukatës fizike thotë se kjo shkollë që moti ka pas nevojë për një teren të tillë sportiv. Vizitën kryetari Mustafa e ka vazhduar në fshatin Bushtran ku edhe atu do të ndërtohen stadiumi i ri sportiv. Sipas kreut të komunës të rinjtë tani do të kenë mundësi që në këto teren të promovojnë talentin e tyre në shumë sporte. Investimet në terrene sportive konsiderohet si investim më i rëndësishëm ,pasi që mund ti sjellë profit një vendi ,kur dihet se shumë talent futbolli një ditë mund të prekin edhe arenën ndërkombëtare. Fakti tjetër është se pa krijimin e mini fushave nuk mund të pretendohet sporti kualitativ dhe perspektiv. Vlera e këtyre dy terreneve sportive është 4 milion dinarë.

——————

Kryetari i komunës së Preshevës Ragmi Mustafa me delegacionin e tij ka qëndruar sot në fshatin Ashanë ku ka vëzhguar punimet e ndërtimit të çerdhes. Kryetari Mustafa fillimisht është takuar me fëmijët ku ka premtuar se shumë shpjet ata do të jenë në objektin e ri.

Ndërsa edukatorja Lutfije Shaipi thotë se objekti i ri do t’iu krijoj kushte shumë të mira për mësim. Kryetari Mustafa ka thënë se vlera e përgjithshme e projektit është 7 milion e 600 mijë dinarë. Ndërkaq me finalizimin objektit do të krijohen kushte shumë të mira edhe për nxënësit e paraleles së ndarë 9 maji dhe mësimi do të zhvillohet vetëm në një ndërrim. Delegacioni i komunës i kryesuar nga kryetari Mutafa ka qëndruar edhe në bashkësinë lokale Miratoc ku ka inspektuar punimet në ndërtimin e shtratit të lumit që kalon nëpër mes fshatit. Ndërtimi i shtratit të lumit do të krijoj kushte shumë më të mira në këtë fshat, pasi gjatë të reshurave të shiut ujërat e grumbulluar nuk do të paraqesin vështirësi për banorët e fshatit.

——————-

Partia e Demokratike Shqiptare, është subjekti i parë politikë në Komunën e Preshevës që dorëzon listën e kandidatëve për këshilltarë në zgjedhjet lokale të 6 Majit, të përkrahur me nënshkrimet

e nevojshme të qytetarëve. Numri 1 në fushatën zgjedhore dhe në listën e zgjedhjeve i takon tashmë kësaj partie, pasi që simpatizantët dhe aktivistët kanë arritur limitin e nevojshëm të nënshkrimeve që kërkon ligji zgjedhor. Pas dorëzimit të listës Ilir Sadriu, i paraqiti aktivitetet që prej shpalljes së zgjedhjeve e deri te sigurimi i nënshkrimeve të nevojshme. Sadriu gjithashtu falënderoi të gjithë qytetarët dhe aktivistët që në një kohë rekorde arritën të sigurojnë gjithë këto nënshkrime, kurse kandidatëve për këshilltarë i uroi suksese gjatë fushatës. Sipas ligjit për zgjedhje, një parti ka të drejtë që të marrë pjesë në to, nëse lista e tyre e plotë përkrahet me nga 30 nënshkrime për një kandidatë për këshilltarë, çka në komunën e Preshevës, kërkohen 1140 nënshkrime. Mënyra tjetër është se nëse ky limit nuk plotësohet, atëherë subjektet politike, mund të paraqiten në zgjedhje me 1/3 e listës së plotë ose 13 kandidatë të përkrahur me 390 nënshkrime.

————————–

Në vendkalimin administrativ Konçul, komuna e Bujanocit, doganierët kanë parandaluar trafikimin e rreth gjysmë kilogrami marihuanë. Katër paketime me drogë janë gjetur tek një qytetar i Ferizajit i cili në një taksi me targa të Bujanocit po udhëtonte drejt Suboticës ku ka punuar si moler. Dy paketime ishin të fshehura në rrobat e molerit që i kishte në çantë, ndërsa dy paketime në xhepat e jelekut që e ka apsur vesh. Udhëtari ka deklaruar se marihuanën po e dërgonte në Suboticë për shitje

——————

Policia e Kosovës mbrëmë te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë ka arrestuar 4 serbë të komunës paralele të Vitisë që po bartnin material zgjedhor për zgjedhjet ilegale të Serbisë. Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës. Arrestimin e serbëve e kanë konfirmuar edhe mediat serbe të cilat bëjnë të ditur se janë arrestuar Srecko Spasic i cili veten e quan kryetar i Vitisë, Svetozar Naskovic nga Koretini i Gjilanit, Aleksandar Stoilkovic nga Kllokoti dhe Ivica Nojkic nga Mogilla e Vitisë. Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do të ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Ndaj arrestimit të tyre ka reaguar e ashtuquajtura Ministri e Serbisë për Kosovën, e cila ka kërkuar reagimin e EULEX-it. Të arrestuarve u është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch