Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 29 Mars 2013

RTP lajmet 29 Mars 2013

Zona industriale Çukarkë konsiderohet shpresa e vetme e zhvillimit ekonomik në Preshevë . Dhe për këtë arsye autoritetet e pushtetit lokal po bëjnë gjithçka që kjo zonë të planifikohet në mënyrë të detajuar. Gjatë konsultave janë dhënë sugjerimet nga përfaqësuesit e komunës së Preshevës ku janë përcaktuar edhe parcelat që investitorët do të kenë mundësi zgjedhje varësisht nga biznesi i tyre.
Zona Industriale Çukarkë ka një hapësirë prej 16 hektarësh ku financimi i planifikimit detal është bërë nga Progresit i delegacionit Evropian. Sipas kryetari të komunës Ragmi Mustafa të gjitha kushtet do të bëhen me standarde evropiane. Zona industriale Çukarkë është në fazën finale , dhe mbështetje për realizimin e këtij projekti gjigand ka dhënë edhe ministria për zhvillim regjional. Zona industriale Çukarkë do të realizohet në faza , ndërsa kostoja do të jetë mbi 1 milion euro. Zhvillimi i qëndrueshëm përbën prioritetin e parë ekonomik e social për pushtetin lokal në Preshevë. Zona industriale Çukarkë shihet si rruga për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e sociali si : tërheqja e investimeve private në veprimtaritë prodhuese për vend dhe për eksport, rritja e qëndrueshme e punësimit, tërheqja e teknologjive të përparuara,zgjerimi i lidhjeve dhe shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare me vendet e rajonit dhe më gjerë.
———————–
Punëtorët e Ndërmarrjes Publike Moravica kanë filluar sot gërmimin e krijimit të shtratit të përrockës në rrugën e Karposhit e cila shkoakton probleme të ndryshme gjatë reshjeve atmosferike. Ky aksion është marrë me kërkesë të banorëvë të kësaj pjesë të cilët kanë hasur në vështirësi gjatë reshjeve të shiut. Pasojë e shfaqjes së pengesave të ndryshme tek qytetarët të krijuara në anën e sipërme dhe të poshtme të kësaj rruge është rëra e cila ka arritur një shtresë të lartë të dheut e që është nivelizuar me rrugën nga reshjet e shiut. Sipas fjalëve të drejtorit të Ndërmerrjes Publike Moravica Naser Sadiku aksioni I ndërmarrë është zgjidhje për një afat të shkurtër kohor ndërsa gërmimi kap gjatësinë prej 100 metrave. E në anën tjetër këto probleme kërkojnë një analizë nga ana e inspektorëve të urbanizmit dhe të pushtetit lokal. Sipas drejtorit të këtij institucioni për kryerjen e kanaleve atmosferike përgjegjësia shkon mbi planin urbanistik. Probleme të kësaj natyre hasim edhe nëpër shumë rrugë të ndryshme të qytetit tonë madje pasojë e problemeve të ngufatjes respektivisht mos qarkullimit të rregullt të kanalizimeve atmosferike është edhe hedhja e mbeturinave të ndryshme nga ana e qytetarëve.
—————-
Panairi i investimeve potenciale të komunave Preshevë , Bujanoc dhe Medvegjë do të mbahet më 25 Prill 2013 në Odën Ekonomike të Serbisë, ku pushtetet lokale me ndërmarrësit e përzgjedhur , do të promovojnë komunitetet e tyre lokale dhe mundësitë për investime.
Me këtë rast ftohen të gjithë ndërmarrësit e interesuar nga komuna e Preshevës për pjesëmarrje në panairin që koncepti dhe aplikacioni rreth organizimit të Panairit mund ta marrin në ueb faqen e Trupit Koordinues për komunat Preshevë , Bujanoc dhe Medvegjë , adresën e Odës Ekonomike të Serbisë dhe në Zyrën për zhvillim ekonomik lokal në PreshevëAfati kohor për dërgimin e aplikacioneve për pjesëmarrje në panair është deri më 30 mars 2013.
Formularin e plotësuar për aplikim ndërmarrësit duhet ta dërgojnë në adresën elektronike marketing@pks.rs.
———————
Lidhja e Sindikatave të Pavarura në Komunën e Preshevës, ka bërë sot hedhjen e shorteve të garave sportive për vitin 2013 .Në këtë vitë në gara marrin pjesë 11 organizata të punëtorëve të komunës së Preshevës, në 8-të disciplnina duke filluar nga futbolli i vogël, basketi, volejbolli, pingpongu, shahu, shenjëtraia, tërheqje litari dhe atletika. Organizata për Kulturë Fizike, gjatë mbledhjes bëri kërkesë ku kërkonte që të bëjnë gara së bashku me Kuvendin Komunal, kërkesë e cila u pranua. Në futboll 10 organizatat pjesëmarrëse janë ndarë në dy grupe:
Në grupin A bëjnë pjesë: SHMT “Presheva”, SHF “Ibrahim Kelmendi”, Rtv Presheva, Gjimnazi “Skenderbeu” dhe Kuvendi Komunal. Në grupin B: SHF “Dituria”, Shtëpia e Shëndetit, SHF “Abdulla Krashnica”, SHF “Zenel Ajdini”, dhe SHF “Selami Hallaçi”. Ndeshjet në futboll do të fillojnë më 8 prill. Futbolli i vogël është e vetmja disciplinë ku garat do të zhvillohen në dy grupe, ndërsa në basketboll, volejboll, ping pong, dhe tërheqja e litarit ekipet garat i zhvillojnë me eliminim. Shorti i garave në shah, shenjtari dhe atletikë, do të tërhiqet aty për aty kur do të fillojnë. Për të gjitha disiplinat janë caktuar edhe vendet ku do të mbahen garat. Në futboll ndeshjet do të zhvillohen në fushën e futbollit në Raincë, në basketboll dhe volejboll do të zhvillohen në Shkollën Fillore në Rahovicë, gjimnazi “Skenderbeu” do të jetë nikoqire e garave në ping pong, ndërsa tërheqja e litarit dhe atletika në stadiumin e qytetit në Preshevë.
——————-
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq deklaroi se ndërmjet tij dhe zëvendëskryeministrit të parë të qeverisë, Aleksandar Vuçiq ekziston unitet absolut sa i përket çështjes së Kosovës dhe se asnjë vendim nuk është marrë pa konsultime dhe pajtim të ndërsjellë. “Ndërmjet meje dhe zëvendëskryetarit të qeverisë dhe kryetarit të partisë më të madhe politike në vend ekziston unitet i plotë dhe kështu do të jetë edhe më 2 prill”, tha Daçiq në mbledhjen e Kuvendit të Serbisë. “Vendimet do t’i marrim ose bashkërisht ose kurrsesi, sepse kjo nuk është çështje individuale”, theksoi më tutje ai duke u përgjigjur në pyetje të deputetëve opozitarë.
————-
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin ka deklaruar se negociatat midis Kosovës dhe Serbisë nuk kanë rënë në qorrsokak dhe pavarësisht përshtypjes momentale, është e mundur që të arrihet shumë më shumë nga ajo që deri më tani është arritur në dialog. “Thellësisht jam i bindur dhe gëzohem për marrëveshjen historike, e cila do të arrihet mes Prishtinës dhe Beogradit, sepse kjo nuk është vetëm suksesi i tyre, por do të jetë kundërshtim i madh edhe për tërë rajonin. Kjo do të jetë porosia më e fuqishme, e cila do të duhet t\’i zgjojë Shqipërinë, Bosnjën e Hercegovinën dhe Maqedoninë”, ka theksuar Kacin për agjencinë Anadollia. Duke folur për vazhdimin e dialogut më 2 prill, Kacin kujtoi se ekipi i Kosovës në krye me Hashim Thaçin në negociatat e deritanishme në Bruksel ka ardhur në përbërje të plotë. Ai vuri në pah se është shumë i rëndësishëm dialogu mes zëvendëskryeministrave Slobodan Petrovic nga Kosova dhe Aleksandar Vucic nga Serbia, i cili do të ketë rëndësi simbolike dhe historike.

——————

Në numrin e sotëm e përditshmja zvicerane “Neuer Zürcher Zeitung”, në artikullin kushtuar dialogut me Prishtinës dhe Beogradit, shkruan se “Pak ditë para raundit tjetër të bisedimeve mes Beogradit dhe Prishtinës bëhet përgatitja e opinionit serb për dështimin e bisedimeve në Bruksel. Pala tjetër nuk lëviz “asnjë milimetër”. Ajo nuk detyrohet ta bëjë këtë “nga miqtë e saj në Perëndim”, thotë qeveria. Një gjë është e qartë, se pala serbe erdhi në bisedime me vrull dhe me ide të reja. Duke thyer një radhë tabush, që deri para pak kohe dukeshin të pashmangshme… Beogradi hoqi dorë nga plani për ndarjen e Kosovës dhe është i gatshëm që t’i vendosë të gjitha komunat serbe në Kosovë nën juridiksionin e Prishtinës, megjithatë si “asosiacion komunash” me status autonomie. (…), transmeton DW tekstin e botuar në “Neuer Zürcher Zeitung”. Kryeministri Thaçi e krahason asosiacion komunave serbe me një organizatë joqeveritare, që mund të kontribuojë për të mirën e përgjithshme, pa kompetenca ekzekutive. Lëshimet e mëtejshme do të krijonin një shtet në shtet (…) Krahasimi çalon, sepse propozimi i Beogradit nuk parashikon asnjë të drejtë vetoje në rrafshin e qeverisjes qendrore. Beogradi është nën presion të konsiderueshëm. Qeveria shpreson të marrë në pranverë nga BE datën për fillimin e bisedimeve të pranimit. Kusht është arritja e marrëveshjes me Prishtinën. Por për këtë nuk do të paguanim çdo çmim, thotë Dacic. (…) Shqetësuese është se popullsia serbe e prekur rëndë e veriut të Kosovës nuk është e përfshirë në asnjë lloj forme në proces. Edhe pse shembujt e Bosnjës dhe Maqedonisë tregojnë, se edhe përshtatjet më të sofistikuara të kushtetutës nuk i sigurojnë shtetit legjitimitet. Në qoftë se serbët në veriun e Kosovës nuk e mbështesin zgjidhjen e gjetur, një krizë e pafund është e paraprogramuar”, shkruan “Neue Zürcher Zeitung.
——————

Shkrimtari shqiptar i përmasave botërore Ismail Kadare ka konfirmuar se ka nënshkruar peticionin kundër rishikimit të historisë, nën mbikëqyrjen e autoriteteve shtetërore turke. Sipas gazetës “DITA”, Kadareka deklaruar se u është bashkuar intelektualëve pasi këtë e konsideron problem madhor. “Jam një nga firmëtarët dhe ndaj të njëjtin mendim me intelektualët e tjerë shqiptarë se ndryshimet e historisë me ekspertë turq përbëjnë një agresion kulturor që godet shtyllën kurrizore të kombit, ato janë një fyerje e papranueshme për shqiptarët dhe me pasoja për të ardhmen dhe identitetin tone”, ka cituar kjo gazeta Kadarenë. “Të gjithë tashmë e dimë se çdo ndërhyrje në histori sipas skenarëve të paracaktuar politikë cenon ADN-në e kombit shqiptar dhe ne nuk duhet ta lejojmë këtë”, ka theksuar Kadare.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch