Home » Lajme » RTP lajmet 29 Nëntor 2011 – Si u festua 28Nëntori “Dita e Flamurit”

RTP lajmet 29 Nëntor 2011 – Si u festua 28Nëntori “Dita e Flamurit”

Përfaqësuesi i Kuvendit të Këshilltarëve Shqiptarë, Edmond Isufi – kryetar i OVL-së së UÇPMB-së, kumtoi deklaratën e përbashkët të subjekteve politike, duke u shprehur se edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës pa dëshirën e tyre jetojnë të ndarë me kufij shtetëror, por asnjëherë nuk e kanë ndalë veprimin e tyre në rrugën e realizimit të aspiratave kombëtare për bashkim me Kosovën, e drejtë jona kjo historike dhe politike e shprehur me referendumin e viti 1992, pastaj me luftën çlirimtare të ish-UÇPMB-së, si dhe me Marrëveshjen Paqësore të Konçulit dhe platformave të tjera politike. “Mospërfillja e kërkesave për realizimin e të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës; arrestimet në vazhdimësi të shqiptarëve; moslejimi i përdorimit të gjuhës dhe shkrimit shqip dhe të simboleve kombëtare; militarizimi i Luginës me forca të uniformuara paraushtarake dhe ushtarake, janë probleme me të cilat po ballafaqohemi për ditë”, është shprehur Isufi.
———————–
Ambasada e Shqipërisë në Kosovës, për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, ka organizuar pritje për mysafirë të shumtë. Në këtë mbrëmje ishin të pranishëm Presidentja Atifete Jahjaga, Kryetari Kuvendit Jakup Krasniqi përfaqësues të Qeverisë dhe politikan vendës dhe përfaqësues të korit diplomatik në Kosovë. Në mesin e shumë delegacioneve me ftesë të veçantë në këtë mbrëmje festive ishin të ftuar edhe kryesia e Partisë Demokratike Shqiptare nga Presheva. Me këtë rast ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, ka theksuar se shpallja e Pavarësisë Shqipërisë ishte kurorëzim i përpjekjeve heroike të shumë brezave të të gjitha trojeve shqiptare. Sipas tij kjo është një vepër madhore me rrënjë të thella në histori. Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se kjo datë i bënë shqiptarët të ndjehen krenarë për historinë e tyre të lavdishme. Ai ka theksuar se 99 vjet pas pavarësisë së Shqipëria është bërë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Kryetari i komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, tha se asnjëherë ambasada e Shqipërisë në Kosovë, nuk anashkalon shqiptarët e Luginës së Preshevës. Nga ana tjetër kryetari i Lëvizjes për Bashkim Avni Klinaku, deklaroi se protesta e shqiptarëve të Luginës së Preshevës ishte e drejtë pasi që Ismail Qemali para 99 viteve ka shpallur pavarësinë për gjitha trojet shqiptare. Klinaku, gjithashtu potencoi se së shpejti kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, shumë shpejtë do të realizohen dhe do të jenë pjesë e Kosovës. Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, prej vurjes së marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, çdo vit organizon manifestimin festiv për Ditën e Pavarësisë, kurse asnjëherë nga ta nuk janë lënë pa ftesë edhe përfaqësuesit legjitim të Komunës së Preshevës.
————————
Për derisa tërë ditën u protestua kundër diskriminim në përdorimin e flamurit kombëtar, mbrëmja iu dedikua festës. Atmosferë festive dhe të gjithë po ngrenë dollinë për këtë festë kombëtare. Shkolla e mesme teknike Presheva në Preshevë bashkë me stafin e saj tashmë tradicionalisht shënon ditë e flamurit kombëtarë, duke organizuar këtë festë të përbashkët me participimin e tyre. Festa e mbrëmshme gjithçka ka ecur mirë por edhe të tjerët që festuan ,rrumbullakuan këtë festë madhështore duke mos u regjistruar asnjë incident. Po ashtu edhe RTP sonte do të shënojë ditën e flamurit dhe të çlirimit të Shqipërisë.
————————-
Festa e Flamurit e ka veshur kuq e zi Prishtinën dhe mbarë Kosovën. Kështu në mënyrë të përkryer është organizuar festa kombëtare edhe në Kosovë. Edhe pse qeveria kosovare e ka shpallur ditë pushimi 28 nëntorin, e jo ditë feste, në fakt janë Komuna e Prishtinës, Lëvizja Vetëvendosje, por dhe Aleanca Kuqezi nga Shqipëria, ata që i kanë dhënë jetë festës në Kosovë. Sheshi “Nënë Tereza” është ndriçar enkas nga komuna për këtë ditë. Por mëngjesi i 28 nëntorit ka filluar me tubimin e Aleancës Kuq e Zi e cila u ka bërë thirrje shqiptarve të mblidhen në Prishtinë për të hapur një flamur gjigant kuq e zi, i cili mbërrin nga Vlora. Ndërkaq mijëra qytetarë kanë marshuar drejt Neë Born-it, ku edhe u hap ky flamur gjigantë. Në fjalën e tij, Kreshnik Spahiu u shpreh se viti i ardhshëm do të shënojë fundin e ëndrrës së atyre që shkatërruan ëndrrën e shqiptarëve. ”Në këta 99 vjet u ndryshuan territoret. 99-shat e Shqipërisë u bëjnë të 99-tat shqiptarëve. Nuk ishte kjo ëndrra e Ismail Qemalit. Synimi i asaj elite politike ishtë krijimi i një Shqipërie tjetër. Ne jemi sot në këtë rrugëtim. Flamuri kuq e zi nga sot deri në 28 Nëntor 2012 do rrugëtojë drejt Prishtinës”. Ndërkaq i gjithë kulminacioni i kësaj feste ishte koncerti festiv në Sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë.
———————
Programi për forcimin e sigurisë ekonomike I agjencisë amerikane për zhvillimin ndërkombëtar-USAID nënshkori sot Memorandumin për mirëkuptim me përfaqësuesit e tetë qyteteve dhe komunave nga Jugu I Serbisë, kështu që filloi bashkëpunimin në realizimin e projekteve të cilat kanë për qëllim krijimin e kushteve për punësimin më të shpejtë të të rinjëve. Memorandumin e nënshkruan përfaqësuesit e komunave të Preshevës, Bujanocit Tërgovishtes, Vlladicin Hanit, Bojnikut, Vllasotincës, Vranjës dhe të Leskocit. Me nënshkrimin e Memorandumeve shprehet gadishmëria e pushteteve lokale që të përkrahet ndërmarrësia dhe krijimi I kushteve për mundësinë e punësimit të të rinjëve. Drejtoresha e zyrës për zhvillim ekonomik të USAID në Serbi deklaroi se USAIDI , Ministria e rinisë dhe sportit së bashku me këto komuna përkujdesen në zvoglimin e papunësisë së të rinjëve, me problemin më të madh me të cilat ballafaqohen sot të rinjtë e Serbisë. Ndërkaq Koordinatori I zyrës për të rinjë në Preshevë u shpreh se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje pritet të krijohen kushte për punësimin e të rinjëve preshevar. Prej viti 2007 e deri më tani në aktivitetet e këtij projekti kanë marrë pjesë më teper se dymbëdhjetë mijë të rinjë nga komunat e ndryshme të Serbisë.
————————
1 dhjetori shënon ditën kundër sëmundjes infektuese HIV apo e njohur si Sida. Në prag kësaj dite ndërkombëtare në Preshevë ka arritur karvani për testimin e HIV-it. Besim Abduli mjekë në shtëpin e shëndetit thotë se ky aksion po zhvillohet për herë të parë tek ne , dhe ka për qëllim parandalim e kësaj sëmundje. Sipas tij në këtë test përfshihen tri kategori njerëzish. Biljana Popoviç epidemiologe thotë se nuk duhet që qytetarët të kenë frikë pasi testi kryhet brenda 10 minutave. Ndërkaq ky është automjeti me pajisje laboratorike ku sot deri në orën 13-të testi ju kanë nënshtruar vetëm dy qytetarë dhe për fat të mirë kanë rezultuar negativ. Mirëpo sipas burimeve jo zyrtare në komunën tonë janë dy pacientë të cilët vuajnë nga kjo sëmundje, ndërkaq ka të atillë që kontrollimet i kryejnë në mënyrë private duke mbetur anonim. Mirëpo edhe testi i cili kryhet aty për aty prapë mbetet anonim dhe për veç epidemiologut askush nuk mund të dijë për atë pacientë që i nënshtrohet testit. Ky aksion është organizuar nga enti republikan për shëndet publik i përkrahur nga Kryqi i Kuq dhe pushteti lokal në Preshevë. Besohet se në Serbi regjistrohen më shumë se 100 të infektuar nga virusi i Sidës,ndërsa nga numri i përgjithshëm i të infektuarve 47 % janë të ri prej 15-29 vjet. Çdo ditë në botë infektohen rreth 7.4oo njerëz,derisa në çdo dy minuta infektohet një person i ri, ndërsa më shumë se 33 milion njerëz janë të infektuar me virusin HIV.
———————
Në sallën e Shtëpisë së Kulturës kanë filluar përgatitjet e programit të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Ky program përgatitet për ndër të 3 dhjetorit ditës së fëmijëve me aftësi të kufizuara. Koreografi Astrit Ramizi I cili merret me përgatitjen e programit të këtyre fëmijëve shprehet se është hera e dytë që ai punon me këta fëmi dhe nuk e ka aspak të vështirë të merret me ushtrimin e tyre. Ndërkaq Arbnora Halimi, Psikologe pranë Qendrës për fëmijët me aftësi të kufizuara thotë se është kënaqësi të punosh me këta fëmijë dhe prêt që më 3 dhjetor ata të dalin me sukses me programin e tyre. Edhe fëmijët shprehen të kënaqur që i’u është dhënë mundësia të vallzojnë në një program si ky. E shtunë më 3 dhjetor ora 12 në Shtëpinë e Kulturës fëmijet me aftësi të kufizuara do të shënojnë këtë ditë me program kulturo- artistik.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch