Home » Lajme » RTP lajmet 3 mars 2012

RTP lajmet 3 mars 2012

Kryetari i komunës së Preshevës njëherit kryetarë I Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, është shprehur kundër pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare të Serbisë që pritet të mbahen në pranverën e këtij viti. Këto komente i pari i Preshevës i bëri në televizionet KTV dhe në Klan Kosova në Prishtinë. Mustafa në mes tjerash tha se është i kotë përfaqësimi në parlamentin e Serbisë pasi me këtë mund të përfitojë vetëm Serbia duke e fituar një shtytje kah Evropa. “Konsiderojë se për momentin e tanishëm kur Serbia është e gatshme të zhvillojë zgjedhje parlamentare dhe lokale në Kosovë, atëherë është absolutisht e paarsyeshme që shqiptarët e Luginës së Preshevës të marrin pjesë në këto zgjedhje parlamentare”, theksoi kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Preshevë. Në pyetjen e gazetarit se a do ti bojkotojë zgjedhjet subjekti i tij, Mustafa u përgjigj se “një numër i konsiderueshëm i partive politike shqiptare do ti bojkotojnë, por ka edhe parti politike që përpiqen të kenë një deputet në parlamentin e Serbisë, siç ka pasur edhe viteve të kaluar

————————–

Marrja e statusit të kandidatit për anëtarësim në bashkimin evropian është lajM pozitiv për të gjithë banorët e Serbisë, prandaj edhe për shqiptarët që jetojnë në luginën e Preshevës ,deklaroi kryetari i Unionit Demokratik të shqiptarëve Rahmi Zulfiu. Zulfiu, për agjencinë Beta deklaroi se efekti më pozitiv pas dhënies së statusit të kandidatit për anëtarësim në BE do të jetë hapja e mundësisë që Serbia të arrijë mjete të reja nga fondet e para anëtarësimit të BE ,me ndihmën e të cilave do të rehë investime të reja dhe hap vend e të reja të punës edhe në Preshevë dhe Bujanoc.

———————-

Vullneti politik i shqiptarëve të Luginës për t’iu bashkuar Kosovës duhet të merret seriozisht nga institucionet e Kosovës dhe ky vullnet duhet të rezultonte me arritjen e një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë për përcaktimin e kufijve ndërmjet këtyre dy vendeve. Kështu mendon deputeti i LDK-së Lutfi Haziri i cili ka propozuar kthimin e kufijve në gjendjen e vitit 1958.“Zgjidhja përfundimtare, finale e Kosovës, arrihet vetëm nëse realizon këto të drejta dhe e zgjidhin problemin e disa mijëra serbëve i cili është problem kronik në Kosovë edhe problemin e më shumë se 100 mijë shqiptarëve që janë në Preshevë e Bujanoc, sepse ata vijnë me të drejtën e plotë të kufirit. Duhet të realizohet me marrëveshje në mënyrë që demarkimi të mos jetë problem në të ardhmen”. Sipas Hazirit nuk mund të quhet shkëmbim territoresh Lugina me Veriun, përderisa paraprakisht të ketë një marrëveshje demarkacioni mes Kosovës dhe Serbisë për njohjen e ndërsjellë të kufijve, raporton RTK.

—————-

Lëvizja Vetëvendosje e përkrah Deklaratën Politike të miratuar nga 66 këshilltarët shqiptarë nga të tria komunat e Luginës së Preshevës, përmes së cilës konfirmohet vullneti politik i shqiptarëve të kësaj lugine për t’u bashkuar me Kosovën. “Qeveria e Serbisë në mënyrë sistematike po u shkakton padrejtësi shqiptarëve në aspektin politik, socio-ekonomik e kulturor. Shqiptarët atje janë popullsi autoktone dhe përtej tyre në Serbi shtrihen trevat e ish Sanxhakut të Nishit (Toplicës) prej nga u dëbuan mbi 700 fshatra shqiptare përgjatë gjenocidit të kryer ndaj tyre në fund të shekullit XIX”, theksohet në komunikatën e Vetëvendosjes. Mospërfillja dhe neglizhenca nga qeveritë në Prishtinë dhe Tiranë, për gjendjen e rëndë të shqiptarëve të Preshevës, Bujanoc e Medvegjë, për VV-në është fyese dhe e papranueshme.
——————-
LB përshëndet deklaratën e Kosovës Lindore. Kuvendarët shqiptarë të të tri Kuvendeve të Kosovës Lindore në njëzet vjetorin e “Referendumit për Autonomi Territoriale Politike me të Drejtë Bashkimi me Kosovën”, kanë miratuar Deklaratën Politike përmes së cilës kanë rikonfirmuar vullnetin politik të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës. Lëvizja për Bashkim mbështet deklaratën e kuvendarëve të Kosovës Lindore si shprehje e vërtetë e vullnetit të popullit shqiptar, vullnet i cili po mohohet nga pushteti serb e po injorohet nga institucionet e Republikë së Kosovës dhe atyre të Shqipërisë. Lëvizja për Bashkim kërkon nga institucionet e Prishtinës e Tiranës që ta trajtojnë seriozisht çështjen e shqiptarëve të Kosovës Lindore, të cilët jetojnë në trojet e veta pa të drejtat elementare njerëzore dhe të mbështesin kërkesat e tyre të drejta, njofton Lëvizja për Bashkim në komunikatë për media.
—————-
I ftoj shqiptarët e jugut të Serbisë që të mos luajnë me zjarr dhe të harrojnë bashkimin me Kosovën ka thënë Ministri i punëve të brendshme të Serbisë Ivica Daçiq. Ministri i ka këshilluar shqiptarët që të “mos luajnë me zjarr” me kërkse që këto komuna ti bashkohen Kosovës. “Shqiptarët nga jugu i serbisë po flasin për referendumin që e kanë organizuar në vitin 1992. Thonë se atherë kanë marrë vendim për ti u bashkangjitur Presheva, Bujanoci dhe Medvegja Kosovës, mirëpo unë i ftoj ata që mos të luajnë me zjarr dhe ta harrojnë këtë gjë” ka thënë Daçiq.
——————-
Kryetari i Trupit Koordinues dhe Ministri i vetqeverisjes lokale Milan Markoviq konsideron se deklarata politike e shqiptarëve nga Jugu i Serbisë është vetëm një pjesë e fushatës parazgjedhore. “Bëhet fjalë për një ngjarje qysh para 20 viteve, ndërsa politika jonë është drejtuar kah e ardhmja. Unë mendoj se qëndrime të tilla nuk kanë kurrfarë kuptimi praktik dhe se qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kjo aspak nuk i intereson” ka thënë Markoviq.
——————–
Qeveria e Serbisë ka një prezencë domethënëse policore në veriun e Kosovës, të udhëhequr nga një strukturë komanduese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Një shënim i tillë rezulton nga dokumente që përshkruajnë strukturën komanduese dhe japin emrat e udhëheqësve të rrjetit të MUP-it serb në veri, që ka pasur rast t’i shohë “Koha Ditore” nga burime të besueshme ndërkombëtare. Gazeta, madje, ka kontaktuar numrin që është dhënë në dokumente si telefoni i Drejtorisë së Policisë së Serbisë në Mitrovicë, dhe nga biseda konkludohet se aty vërtet funksionon MUP-i serb. Zyrtarët që përgjigjen në telefon nuk hezitojnë të pranojnë se janë policia. Zyrtari që prezantohet si Milodrag Stojanoviq i ka sugjeruar gazetarit të “Kohës Ditore” (i cili është paraqitur si një qytetar) që për denoncimin e një veture të vjedhur të lajmërohet pasdite pas orës 15:00. Burime të tjera të konsultuara nga gazeta, që kanë njohuri për zhvillimet në veri, kanë konfirmuar një pjesë të madhe të emrave që përmenden në dokumentin në fjalë.
———————–
Në xhiron e dytë të kuizit të diturisë Lugina garon vendin fitues dolën nxënësit e shkollës së mesme teknike Presheva në Preshevë. Ata garuan me bashkëmoshatarët e vetë nga Bujanoci. Anëtarë I jurisë, Xhemaledin Salihu gjatë deklaratës për Radiotelevizionin Presheva ka vlerësuar lartë përkushtimin e nxënësve nga të dyja shkollat përkundër asaj se kishte edhe pyetje mjaftë të vështira. Ekipet garuese ishin mjaftë korrekte sipas anëtarëve të jurisë. Profesori Salihu ka propozuar tek anëtarët e jurisë dhe bashkë organizatorët e kuizit që të përpilohet një doracak pytjesh nga lëmitë që përfshihen në pytjet e kuzit. Në këtë mënyrë nxënësit do ta kenë më të lehtë që të bëjnë parapërgatitjen për pjesmarrje. Edhe Hysen Saqipi, profesor nga Bujanoci e ka përshëndetur organizimin e kuizit Lugina garon duke prezantuar edhe disa detale plotësuese apo sygjerime për organizatorët. Xhiroja e tretë e kuizit të diturisë Lugina garon organizohet të premtën në ora 21 në Radiotelevizionin Presheva.
—————-

Turniri në futboll të vogël i organizuar nga Organizata për Kulturë Fizike, ka vazhduar edhe sot në Preshevë. Në këtë turnir kanë marrë pjesë të gjitha shkollat fillore të Komunës së Preshevës. Sot janë zhvilluar ndeshjet garuese në mes të klasave të shtata dhe të teta ku ishte edhe finalja e këtijë turiri. Sekretari I Organizatës për Kulturë Fizike, Armend Ibrahimi ka kumtuar rezultatat se shkolla fillore Dituria nga Corrotica kanë zënë vendin e parë nga gjenerata e klasave të pesta, vendi I parë prej klasave të gjashta u takoi nxënësve të shkollës fillore 9 Maji në Leran ndërsa nxënësit e shkollës fillore Abdulla Krashnica në Miratoc prej klasava të shtata kanë zënë vendin e parë. Në orët e pasdites kanë garuar edhe nxënësit e klasave të teta. Turniri në futboll të vogël për ciklin fillor u zhvillua në kuadër të aktiviteteve OKF-së në Preshevë.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch