Home » Lajme » RTP lajmet 30 mars 2012

RTP lajmet 30 mars 2012

Katër serbëve, të arrestuar tri ditë më parë në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë, Gjykata Komunale në Kamenicë u ka shqiptuar masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh, shkruajnë mediat serbe. Burimet e njëjta, duke u thirrur në deklaratat e Ministrisë për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, thonë se të arrestuarit, gjatë kësaj periudhe, duhet të lajmërohen te policia lokale në baza ditore, transmeton REL. Policia e Kosovës, të martën në mbrëmje, ka arrestuar katër pjesëtarë të komunitetit serb, në mesin e tyre kryetari ilegal i Vitisë, pasi në automjetin e tyre është gjetur material zgjedhor i Serbisë. Ndalimet kanë pasuar arrestimin e dy shtetasve kosovarë nga ana e autoriteteve serbe te Dheu i Bardhë, nën dyshimet për “spiunazh dhe tregti me drogë”, bazuar në fletarrestimet e, siç thuhet, Gjykatës së Qarkut në Gjilan dhe drejtorisë së policisë serbe në Beograd. Nga ana tjetër siç bëhet e ditur policia serbe arrestoi të mërkurën në pikën kufitare të Dheut të Bardhë sindikalistin Hasan Abazi, i akuzuar për spiunazh, dhe Adem Murselin, i akuzuar për trafik droge, që të dy po mbahen në qendrën rajonale të paraburgimit në Vranjë. Lidhur me arrestimet ditë më parë zëvendëskryeministri dhe njëherësh Ministri serb i Punëve të Brendshme Ivica Daçiq, në një deklaratë për mediat, ka thënë se në Kosovë ka shumë persona që cenojnë rendin juridik të Serbisë, të cilët punojnë në institucionet e Prishtinës, të cilat qeveria serbe nuk i njeh.

———————-

Reagimet për arrestimet e ndaj shqiptarëve vijnë edhe nga Lugina e Preshevës. Kryetari i Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa në një intervistë për top- channel të transmetuar në edicionin qendror të lajmeve, shprehet i shqetësuar me deklaratat e ministrit të brendshëm të Serbisë Ivica Daçiq, për arrestimet reciproke të shqiptarëve për shkak të arrestimeve të bërë nga ana e Policisë së Kosovës. Deklarata e Daçiqit se shqiptarët e arrestuar në pikë kalimin kufitar Konçul është bërë nën akuzën e spiunazhit dhe drogës, për Mustafën është vetëm një traditë e Partisë Socialiste të Serbisë e cila udhëhiqet nga Ivica Daçiq pasardhës i krye kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq. Ragmi Mustafa thotë se pa Kosovën, tash Lugina e Preshevës ka mbetur shënjestër e tyre. Megjithatë ministri Daçiq ka thënë se nuk ka arrestime politike por për shkak të veprave penale. Ai ka thënë se Serbia mund të arrestojë ata që shkelin rendin kushtetues të Serbisë,e kjo sipas tij përfshin të gjithë që punojnë në institucionet e Kosovës. Për Daçiqin serbët në Kosovë, janë duke u arrestuar sepse punojnë në një institucion të caktuar në një qytet të Serbisë.

———————-

Organizatat e shoqërisë civile kanë kërkuar lirimin e dy shqiptarëve të arrestuar në fshatin Koncul në Luginën e Preshevës. Ky është reagim ndaj deklaratave të Ministrit të Punëve të Brendshme, Ivica Dacic, i cili deklaroi se shqiptarët ishin arrestuar në bazë të masave të reciprocitetit për shkak të arrestimit të katër serbëve në Kosovë, të cilët posedonin dokumente për zgjedhjet serbe. Nisma Qytetare, Komiteti i Juristëve për të Drejtat e Njeriut, Komiteti i Helsinkit dhe Qendra për politika praktike kanë kërkuar nga qeveria që të ndërpres arrestimin politik të shqiptarëve për shkak të masave të reciprocitetit. Arrestimi i njerëzve në baza të vendimeve politike, thuhet në deklaratë, paraqet shkeljet më të ashpra dhe rrënon kontrollin ligjor në Serbi. Sipas tyre, asnjë ligj në Serbi nuk parasheh masa reciprociteti për arrestime dhe Serbia ka masa diplomatike për të zgjidhur problemin e të drejtave të serbëve në Kosovë. Organizatat kanë kërkuar intervenimin e prokurorisë për të hetuar deklaratat e ministrit.
——————–
Shoqata Vatra ka dërguar një komunikatë për media në të cilën thuhet. Uniteti thyen çdo armik pa marrë parasysh madhësinë e forcën e tij. Prandaj, shoqata “Vatra”, duke e parë se gjendja ekzistuese e shqiptarëve në këto rajone po vjen duke u keqësuar dhe lidershipi shqiptarë nuk po mund të gjejë zgjidhje as afatshkurtër as afatgjate, më 29. 03. 2012, në Bujanoc filloi me një aksion simbolik sensibilizues për unifikimin e faktorit shqiptar. Kështu, një grup i të rinjve, aktivistë të shoqatës, shpalosën, përkatësisht vendosën një pllakatë në qendër të qytetit të Bujanocit, nëpër mes të cilit ky grup i të rinjve kërkon unitet të faktorit politik shqiptar në Kosovën Lindore në prag të zgjedhjeve lokale. Përveç shpalosjes së pllakatit me mbishkrimin për unitet, sekretari i të rinjve të “Vatrës”, Enver Haziri ndër të tjera tha: këtu ne qendër të Bujanocit ne, nëpër mes këtij aksioni, kërkojmë nga faktori politik shqiptar i Kosovës Lindore të jenë unik dhe të bashkëpunojnë mes vete për zgjidhjen e shumë problemeve të shqiptarëve të këtij rajoni, e posaçërisht për të pasur mundësinë që të kenë pushtetin, ashtu siç janë shumicë në këtë komunë. Ai bëri thirrje që liderët shqiptarë të komunës të mos përçahen për kolltukë, sepse vetëm të bashkuar mund të ecim përpara, mund të shkojmë drejt arritjes dhe realizimit të vullnetit të popullit të shprehur në referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992 – bashkëngjitje me Kosovën. Pushtuesi serb, duke e ditur se bashkimi i shqiptarëve, unifikimi i faktorit politik shqiptar mund të realizojë aspiratat e popullatës shumicë të Kosovë Lindore, po luan me kartën përçaj dhe fito. Se pushtuesi serb i frikësohet bashkimit të spektrit politik vërehet qartë te militarizimi i rajonit, i cili asnjëherë, edhe pas përfundimit të luftës së vitit 200-2001, nuk e ka hequr gjendjen e luftës në Kosovën Lindore. Këtë e dëshmon prania e forcave të mëdha të ushtrisë e xhandarmërisë serbe në rajonet e banuara me shqiptarë, ku pothuajse këto forca, janë të vendosura në çdo rrugicë e kaçubë. Gjithashtu, ne, shoqata “Vatra” jemi të shokuar edhe për ekstradimin nga Zvicra në Serbi, të qytetarit tonë z. Shemsi Nuhiut. Ne jemi të bindur në pafajin e z. Shemsi Nuhiu, të akuzuarve e të dënuarve tjerë të cilët po dergjën nëpër burgjet e pushtuesit serb. Prandaj, i bëjmë thirrje Organizatatve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, që të jenë pranë Shemsiut e dhe vëllezërve tanë, në mënyrë që të parandalojnë keqtrajtimet çnjerëzorë të kriminelëve serbë në krye me Ivica Daçiq.

——————–
Pas dorëzimit të listës së kandidatëve për këshilltarë të partisë liberale demokratike të Çedomir Jovanoviq, dje forumi rinor i kësaj partie ka mbajtur tubim në sallën e vogël të shtëpisë së Kulturës Abdulla Krashnica në Preshevë. Në këtë tubim morën pjesë anëtarët e forumit rinor,dhe një grup të rinjsh serbë të cilët ishin sjell nga Beogradi për tu njoftuar më shumë rreth gjendjes së rinis në Preshevë. Fjalimi u bajt nga Menaxheri i LDP në Preshevë dhe kryetari i forumit rinor të kësaj partie Gjorgje Zujoviq i cili përshëndeti të pranishmit dhe i uroi mirëseardhje dhe tha se jemi krenarë që kemi arritur ti dorëzojmë listën e nënshkrimeve para shumë subjekteve politike. Gjithashtu edhe menaxheri Kujtim Sadriu i uroi mirëseardhje të rinjve dhe deklaroi para të pranishmëve që mos të kenë urrejtje dhe të mbrojnë çdo gjë që është e tyre. Sipas kryetarit të forumit rinor të partisë liberale,të rinjtë serbë dhe shqiptarë duhet të punojnë së bashku për një të ardhme më të mirë.

———————-

Nisma e të rinjve për të drejtat ka ndarë sot diplomat për 28 liderë të rinj. Aftësimi i tyre ka zgjatë 6 muaj dhe liderët e rinj kanë mësuar për teoritë bazike të shteti dhe politikës , pastaj për të drejta e njeriut , integrimet evropiane si dhe për ndikimin e së kaluarës në situatën politike të Ballkanit .Ne jemi gati për që të kontribuojmë në të mirë të shoqërisë sonë dhe për ti çuar proceset përpara. E ndarjen e diplomave e kanë bërë Xhejma Mur ( James Moore) sekretar i parë politik i ambasadës së Britanisë së madhe në Beograd, Eric Manton ( ERIC MANTON), shef i misioni të OSBE-së për Jug të Serbisë , dhe deputeti Riza Halimi. Ata uruan liderët e rinj që të jenë aktiv për ndryshimin e gjërave. Ndërkaq Jasmina Lazoviç nga Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut liderët i ka porositur që pas këtij certifikimi ata të jenë aktiv në përmirësimin sidomos të pozitës së të rinjve. E për këtë beson edhe koordinatori i Nismës së të rinjve për Preshevë dhe Bujanoc Abdulla Ameti i cili thotë se liderët e rinj duhet të punojnë ende në mënyrë dhe që zëri i tyre të mos kalojë në heshtje. Liderët e rinj në këtë shkollë kanë mësuar edhe gjërat praktike si bazat e evokimit publik , si të shkruajnë një shkrim akademik dhe analitik , dhe propozime të politikës praktike. Nisma e të rinjve për të drejta e njeriut këtë vit për herë të parë organizon shkollën për lider të rinj , dedikuar për nxënësit e shkollave të mesme në Preshevë dhe Bujanoc . Ndërkaq financues i shkollës ka qen ambasada e Britanisë së madhe në Beograd.

———————-

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunaçek, tha sot se marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut me Prishtinë, duhet të zbatohen patjetër nga Serbia. Në të kundërtën, ajo theksoi se Serbia nuk do ta marrë datën për nisjen e dialogut për anëtarësim ne Bashkimin Evropian. Ajo e sheh të nevojshëm vazhdimin e dialogut, për të cilin ka thënë se mund të jetë në nivel më të lartë se dialogu teknik. Eurodeputetja Ulrike Lunaçek, tha se nisja e dialogut politik për veriun e Kosovës është i nevojshëm, por sipas saj, ky dialog më mirë do të ishte të zhvillohej mes Qeverisë së Kosovës dhe serbëve të veriut. Sidoqoftë në rast nevoje, Lunaçek nuk ka përjashtuar edhe mundësinë e përfshirjes së Beogradit në këtë dialog, por tha se gjithçka varet prej qeverisë së re që do të dalë nga zgjedhjet e 6 majit në Serbi. Në konferencën për media, Lunaçek i bëri thirrje Beogradit që t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura gjatë dialogut me Prishtinën, ngase siç tha ajo, nga kjo varet edhe nisja e bisedimeve për anëtarësim në BE.

—————–

Strategjia për zhvillimin e arsimit për sistemin e ardhshëm arsimor është publikuar në faqen e Ministrisë serbe të arsimit, sipas saj në të ardhmen do të ketë shumë risi, por edhe punë. Njëri prej qëllimeve është që deri më 2020 numri i qytetarëve me arsim të lartë të moshës 30 deri 35 vjet të dyfishohet. Belbëzimi përmendësh, që fshihet shpejt nga memoria e çdo nxënësi, më nuk do të shpërblehet me pesa. Atë do të mund ta fitojnë vetëm nxënësit që din të zbatojnë atë që kanë mësuar. Kjo, siç shpjegon koordinatori për strategji në arsim Ivan Iviq, donë të thotë, nëse nxënësit mësojnë gjuhë të huaj, kriteriumi i mësimit do të jetë se a dinë të shërbehen me atë gjuhë. Që ta arrimë këtë, do të kemi mësim që në masë të madhe praktikon gjuhën dhe komunikimin në atë gjuhë gjatë shkollimit. Njëjtë është edhe për të gjitha fushat tjera”, ka thënë Iviq për mediat e Beogradit . Zakoni i vjetër që menjëherë pas orëve të nxitohet në shtëpi, arsimtarët duhet ta harrojnë. “Mësimdhënësi ka orarin e plotë. Ata të cilët punojnë mirë mund të avancohen dhe të marrin një pagë më të madhe. Në fund të fundit do të ketë edhe shkarkime për ata që nuk punojnë mirë”, nënvizon koordinatori për strategji në arsim Iviq.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch