Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 31 maj 2012

RTP lajmet 31 maj 2012

Këshilli Komunal për Siguri i Komunës së Preshevës, në kuadër të projektit “rruga e sigurtë”, ka mbajtur trajnim me nxënësit e ciklit të ulët të shkollës fillore “Ibrahim kelmendi” në Preshevë. Fillimishtë në ambientet e shkollës polici i komunikacionit pranë stacionit policor në Preshevë fëmijëve ia paraqiti disa shenja se ku dhe si është e lejuar të kalohet në rrugë. Fëmijët mësuan edhe si duhet të sillen nga ana e policit të komunikacionit në mënyrë që ata sa më shumë të jenë të sigurtë.

Më pastaj fëmijët ato që ia tha polici i realizuan së bashku edhe në praktikë në rrugët pranë shkollës

Kryetari i KKS Besim Abduli thotë se qëllimi I projektit ka të bëjë që fëmijët të njihen me shenjat e komunikacionit, që të jenë sa më të sigurtë në rrugë. Në mënyrë që të rritet më shumë siguria Abduli thotë se rrugët do të paisen edhe me kamera.

Projekti I KKS “rruga e sigurtë”, ka paraparë të ketë 12 trajnime me nxënësit e shkollave fillore të komunës së Preshevës, ndërsa në disa prej shkollave veç është realizuar.

 

———————————-

Në sallën e vogël të Shtëpisë së Kulturës sot u mbajt trajnim për të rinjë për mënyrën e  themelimit të një klub të  rijnësh. Ky është një projekt  që është duke implementuar nga Zyra për të Rinjë në Preshevë i përkrahur nga PBILD e Kombeve të Bashkuara. Në këtë seminar morën pjesë përfaqësues të organizatave të ndryshme nga Presheva, Leskoci e Vlladiç Hani si dhe përfaqësues të pushtetit lokal nga komuna jonë. Ligjërues në trajnimin e sotëm ishte Urosh Skinar drejtor i rrjetit të klubeve  të të rinjëve në Slloveni. Në mes tjerash ai tha se erdha të takohem me njerëz që punojnë me themelimin e klubeve për të rinjë në Jug të Serbisë, prandaj më vjen shumë mirë që kolegët e mijë që punojnë në këtë pjesë të vendit kanë të njëjtën rrugë sikur ne para 15 vjetësh.

Ndërkaq Ilir Sadiru bashkëpunëtor i Zyrës për të Rinjë në Preshevë thotë se këtyre ditëve do të bëjmë nënshkrimin e memorandumin për bashkëpunim për të gjitha organizatat që veprojnë në këtë komunë me çrast do t’i shohim edhe programet e tyre.

Aktivitete të ngjashme do të vazhdojnë edhe gjatë periudhës vijuese.

———————————-

 

Në përfundim të klasës së tetë të gjithë nxënësit e këtij niveli ditën e shtunë do të nisen në ekskurzionin e paraparë me planprogramin e realizuar  nga drejtoria e Shkollës Fillore Ibrahim Kelmendi në Preshevë.Të gjithë nxënësit së bashku me arsimtarët e kësaj shkolle do ta vizitojnë qytetin e lashtë të Prizrenti ku do të qëndrojnë tre ditë.Drejtoresha e kësaj shkolle Besa Sahiti  thotë se të gjithë nxënësit e klasave të teta janë pjesëmarrës të këtij  ekskurzioni,ku dhe do të vizitojnë një pjesë të republikës së Kosovës.

Sipas Drejtoreshës të gjithë nxënësit janë pjesëmarrës në ekskursion,ndërsa udhëtimi do të bëhet për mes Agjensionit Veli Trans.

Në fund Drejtoresha e kësaj shkolle lutë nxënësit që gjatë udhëtimit dhe qëndrimit në ekskursion të jenë të qetë dhe ti përmbahen rregullave të arsimtarëve.

——————————-

Pas një pune disa mujore, në lokacione të ndryshme në komunën e Preshevës, janë hequr të gjitha bombat thërrmuese të mbetura gjatë bombardimeve të NATO-së në vitin 1999, raporton Tanjugu.Brenda një viti, në territorin e komunës së Preshevës i kemi gjetur 87 bomba thërrmuese të pa eksploduara dhe 18 mjete tjera të rrezikshme”, ka deklaruar Emil Jeremiq, drejtor i ndihmës popullore të Norvegjisë në Beograd, i cili e ka drejtuar këtë “operacion”. Jeremiq thotë se ekipet speciale për çminim, në gjithsejtë shtatë lokacione në fshatin Bushtran dhe Leran, në mënyrë të suksesshme kanë kryer këtë operacion, me çrast banorëve, pas 13 viteve frikë, i kemi mundësuar një jetë të qetë dhe të rehatshme në pronat e tyre.“Bombat e pa eksploduara i kemi gjetur gjithkah. Më së shumti në tokat bujqësore të cilat punohen, më pas në lokacionet në afërsi të shtëpive, ndërsa një në rrugën në mes fshatrave të cilën banorët çdo ditë e frekuentojnë”, ka shpjeguar Jeremiq. Ai gjithashtu ka thënë se me këtë ka përfunduar një pjesë e punës, ekipi e çminimit do të zhvendoset në lokacionin e komunës së Kurshumlijës, dhe më pas përsëri do të kthehen në jug të Serbisë.“Na ka mbetur edhe pastrimi i terrenit në komunën e Bujanocit nga bombat thërrmuese, mirëpo, përveç kësaj, na pret një punë delikate në heqjen e minave tokësore në shumë lokacione në komunën e Bujanocit dhe Preshevës”, ka thënë në fund Emil Jeremiq, drejtor i ndihmës popullore të Norvegjisë në Beograd. Heqja e bombave thërrmuese nga shumë lokacione në jug të Serbisë ka kushtuar 3,5 milionë euro, ndërsa është financuar nga Ministria e punëve të jashtme e Mbretërisë së Norvegjisë.

——————————-

Pjesëtarë të MUP-it serb të udhëhequr nga një strukturë komanduese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë kanë shtuar prezencën e tyre edhe afër pikës kufitare në Jarinjë të Leposaviqi.Burime të “Kosovapressit”, kanë njoftuar se ata kanë vendosur, ditë më parë, një kontejner në këtë vend dhe po i përcjellin me vëmendje të gjitha zhvillimet tek kjo pikë kufitare.“Vënia e kontejnerit dhe prezenca jonë këtu është një nga planet operacionale të efektivit të veprimtarisë së MUP-it serb në veri të Kosovës”, citon burimi ynë një pjesëtar të MUP-it.

—————————–

Presidenti i ri i Serbisë Tomisllav Nikoliq, ka deklaruar se përkundër rëndësisë që kanë integrimet evropiane për vendin, për atë Serbia është më e rëndësishme se Bashkimi Evropian. Ai ka thënë se BE-ja është rruga e ardhmërisë së Serbisë. “Por, kemi obligim kushtetues ta ruajmë Kosovën dhe në atë hapësirë të ngushtë do të kërkojmë rrugë të sigurit për Serbinë”, ka theksuar Nikoliq. Duke komentuar reagimin e mundshëm si komandanti suprem i Ushtrisë së Serbisë, sikur institucionet e Kosovës do të niseshin me dhunë ta integronin veriun e Kosovës, Nikoliq ka shfaqur bindjen se kjo nuk do të ndodhë. ”Lufta nuk është opsion që e kam të afërt dhe do të bëjë çdo përpjekje të evitojë çdo lloji të konfliktit apo të futjes së Serbisë në zgjidhjen me armë të atij problemi. Jam i sigurt se edhe bashkësia ndërkombëtare nuk do të rri duarkryq, sepse kjo do të ishte situata e cila do të gjeneronte një varg të problemeve vështirë të zgjidhura”, ka theksuar Nikoliq.

———————————

Kryeministri Hashim Thaçi e ka quajtur lajm të vonuar, por të mirëpritur siç ka thënë ai aprovimin e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave për Kosovën nga ana e Bashkimit Evropian në Bruksel. Në seancën e Kuvendit, shefi i Qeverisë ka deklaruar se Kosova ka qenë e gatshme që prej dy vitesh t’i përgjigjet kushteve të udhërrëfyesit. Kryeministri ka folur edhe për Zyrën Administrative në veri të vendit duke thënë se janë tri momente sa i përket veriu. I pari sipas tij, është kur më 25 korrik janë shuar ëndrrat e Serbisë për ndarjen e Kosovës, i dyti organizimi i zgjedhjeve serbe nga OSBE-ja kurSerbiau deklarua se nuk mund të organizojë zgjedhje në Kosovë. Dhe momenti i tretë sipas Thaçit është hapja e Zyrës Administrative në veriun e Mitrovicës që do të ketë rol ekzekutiv me 7 drejtori dhe 90 punëtore me mandat ekzekutiv. Ndërsa, deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, e ka quajtur gabim krijimin e Zyrës Administrative sepse sipas tij Qeveria po mundohet të bëjë garë me Beogradin se kush po ofron shërbime më të mirë për qytetarët në veri. Ai ka thënë se në veri ka nevojë për krijimin e institucioneve kosovare të sigurisë në atë pjesë të vendit.

RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch